Mbi aktivitetin e Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit
Prof. dr. Nebi Dervishi *


Më 23 shtator 2020 në qytetin e Dibrës inagurohen dhe përurohen dy shtatoret (bustet) e derdhura në bronx kushtuar Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit, i pari kryetar i Qeverisë së Përkohëshme-provizore të Dibrës e dalur më 23 shtator 1913, pas Kryengritjes së Shtatorit në Dibër dhe figurës së dytë, kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Dibrës së Madhe më nëntor 1945-shtator 1950 dhe deputet në Kuvendin Republikan të Maqedonisë e në Kuvendin Federativ të Jugosllavisë. Këto dy figura, Sefedin Pustina dhe Aqif Lleshi janë dy figura dibranësh që vepruan në gjysmën e parë të shekullit XX-të dhe kanë lënë gjurmë në historinë dibrane e më gjërë.
Sefedin Pustina lindi në Dibër në një familje me tradita atdhetare, pronar i një kulle dhe çifligu në fshatin Livadhi të Strugës, i cili mori pjesë aktive si udhëheqës popullor në Kryengritjen e Shtatorit 1913, e cila ishte kryengritja e parë antiserbe me përmasa të gjëra, që popullsia shqiptare e trevave lindore dhe verilindore (Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare) të aneksuar nga Serbia e Mali i Zi, ndërmori për t’u bashkuar me shtetin e pavarur shqiptar.
Kryengritja e Shtatorit 1913 apo e Dibrës u shkaktua nga pasojat politike dhe ekonomike të coptimit të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, si dhe nga politika e dhunës, shfarosjes dhe shpërnguljes së popullsisë shqiptare, që Serbia dhe Mali i Zi zbatuan në teritoret e aneksuara të Kosovës dhe në viset lindore dhe veri lindore të Shqipërisë. Ajo u organizua dhe drejtua nga udhëheqësit kosovarë që ndodheshin në shtetin shqiptar, në Vlorë si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini si dhe Elez Isufi, S.Hoxha, etj.
Kryengritja filloi me sulmin në një front të gjërë nga Dibra e Ohri deri në Prizren e Gjakovë. Më 20 shtator u hodhën në kryengritje forcat e armatosura të popullsisë së Dibrës së Poshtme (Peshkopisë), midis të cilëve kishte dhe mjaft dibranë e kosovarë të shpërngulur të drejtuar nga Elez Isufi, që më 22 shtator 1913 çliruan Peshkopinë.
Më 23 shtator 3000 kryengritës, së bashku me popullsinë e qytetit çliruan Dibrën e Madhe. Në udhëheqje të kryengritjes në krahinën e Dibrës përveç Elez Isufit u vunë atdhetarët si: Shqair Jegeni, Sadullah Strazimiri, Riza Gjakova, Shyqyri Jegeni, Qamil Daci, Sefedin Pustina, etj.
Pas çlirimit të Dibrës forcat kryengritëse i vazhduan veprimet e tyre luftarake kryesisht në tri drejtime. Numri i kryengritësve në këto momente arrinte në rreth 12 mijë vetë që u ndanë: në drejtim të Mavrovës dhe më tej drejt Gostivarit; në drejtim të Kërçovës dhe në atë të Strugës dhe të bashkoheshin me forcat kryengritëse të cilat drejtonin nga Qafa e Thanës për të çliruar Strugën e Ohrin.
Kryengritësit, pasi çliruan qytetin e Dibrës së Madhe, më 23 shtator 1913 pa humbur kohë formuan Qeverinë e Përkohëshme Provizore prej gjashtë vetësh, kryesuar nga Sefedin Pustina, e cila në këto momente dramatike u mor me organizimin dhe koordinimin e veprimeve luftarake.
Kryengritja e Shtatorit 1913 ishte fitore politike, ushtarake dhe morale. Si e tillë u shoqërua me ndryshime të tjera cilësore. Kjo krijoi kushtet për shkatërrimin e administratës së ngritur nga serbët dhe ngritjen e administratës së re, me cilësi e obligime të reja. Siç del edhe nga korespondenca e parë e saj me Prefekturën e Elbasanit dhe me kryetarin Aqif Pashë Biçaku, ajo njihet me emrin “Qeveria Provizore e Dibrës”. Ndërkaq Ismail Strazimiri, pak vite më vonë të njëjtën “qeveri” e quan “komision administrativ”, emërtim ky më i pranueshëm.
Qeveria e Përkohëshme e Dibrës ndonëse jetoi pak, afro 10 ditë, në kushte tepër të vështira, kreu një aktivitet të admirueshëm. Një sërë letrash, korespondencash e telegramesh dëshmojnë angazhimin e saj në drejtim të kurorëzimit me sukses të kryengritjes, për ngritjen e përsosjen e pushtetit të lidhur me Vlorën, për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, për problemet social-ekonomike dhe ç’ka është më e rëndësishmja, për të kundërshtuar vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha lidhur me kufijtë. Një sërë dokumente hedhin dritë në faktin se “Qeveria e Dibrës” ose e Sefedin Mehmet Sulejman Pustinës, u lidh me Qeverinë e Përkohëshme të Vlorës në mënyrë indirekte, nëpërmjet Prefekturës së Elbasanit dhe të Aqif Pash Biçakut-prefekt i saj. Nëpërmjet saj ajo i bënte prezent sukseset e kryengritësve shqiptarë dhe shqetësimet e mëdha, të cilat, në më të shumtën e rasteve, shpreheshin në nevojën për armë dhe minicion. Krahas kësaj me ngritjen e administratës së re, ajo insistonte në nevojën që ka për njerëz të zotë, që të dijnë të punojnë, pasi siç theksohej në një telegram, punët më me vështirësi e me rrezik paraqiteshin tani e tutje.
Ndonëse me mundësi tepër të kufizuara, kryesisht për nevoja urgjente pune, u morën masa për rregulimin e rrjetit ndërlidhës me Strugën. Përpjekje u bënë për organizimin e xhandarmërisë dhe të shërbimit shëndetësor, duke kërkuar 2-3 mjek, etj. Duhet pranuar se Qeveria Provizore e Dibrës jetoi afër dhjetë ditë dhe punoi në kushte tejet të vështira. Madje ishin këto arsyet që nuk u mundësuan lidhjet me zonat e tjera të Dibrës dhe me fshatrat që gravitonin në qytet. Vetëm nga një korespondencë e Sefedin Pustinës, kryetar i Qeverisë Provizore (të Përkohëshme) të Dibrës me prefektin e Elbasanit, Aqif Pashën, mësojmë se në Dibër të Poshtëme vepronte një komision i thjeshtë administrativ, por edhe ky siç u theksua më sipër u ngrit si rezultat i përpjekjeve të prefekturës së Elbasanit. Telegrami në fjalë shkruan për nisjen e Elez Isufit me dibranët në Gostivar, në ndjekje të forcave serbe.
Më 1 tetor 1913 në fillimin e kundër ofensivës serbe ndaj Dibrës, veprimtaria e Qeverisë së Përkohëshme të kryesuar nga Sefedin Pustina u bë e pa mundur. Në këtë situatë nga ana e Vlorës u ndërmor një hap taktik, duke porositur Haxhi Vehbi Agollin që të pranonte pushtetin ushtarak serb me qëllim që të mbante në dorë administratën serbe.
Kryengritësit, numri i të cilëve shumë shpejt arriti në 12 mijë veta, vunë nën trysni dhe para dorëzimit garnizonet serbe në Tetovë, Kërçovë e Resnje, si dhe u shtrinë në trevat lindore shqiptare deri në afërsi të Shkupit. Kryengritja e Shtatorit përfshin gjthashtu rrethin e Lumës, ku kryngritësit të drejtuar nga Ramadan Zaskoku e Qazim Lika, çliruan këtë krahinë dhe në harkun kohor 30 shtator deri 4 tetor u hodhën në sulm drejt Gjakovës e në zonën e Prizrenit, ku veprimet luftarake udhëhiqeshin nga Bajram Curri, Hysni Curri, Isa Boletini, Bajram Daklani e të tjerë. Gjatë këtyre luftimeve pati disa qindra të vrarë nga të dyja palët. Kryengritja, aty nga fundi i muajit shtator u shtri dhe në vise të tjera të Kosovës, të krahinës së Drenicës, në rrethin e Mitrovicës, madje edhe në trevën Veriore, në krahinën e Hotit, Grudës, Tuzit dhe Gucisë. Pra në udhëheqje të Kryengritjes së Shtatorit u vu një komision i posaçëm që mban emrin Qeveria e Përkohëshme e Dibrës e drejtuar nga atdhetari Sefedin Mehmet Sulejman Pustina. Gjithë dokumentacioni i kësaj qeverie përshkohet nga kërkesa e bashkimit të këtyre viseve me Shqipërinë. Në thirrjen drejtuar Fuqive të Mëdha më 15 tetor 1913, Qeveria e Dibrës kërkoi nga Europa që “t’u jepte Shqiptarëve të drejtat të rronin të lirë në Atdheun e tyre të njëshëm”.
Edhe personaliteti i Aqif Lleshit ishte synonim i sfidave të brezit më të rinj. Është personalitet me vlera atdhetare me batica e zbatica dhe njëri prej figurave të shquara të dibranëve në vitet 40-50 të shekullit XX-të, e cila figurë duhet analizuar me objektivitet. Aqif Lleshi u lind dhe u rrit në familjen e Lleshajve, të njohur për kontributet në dobi të çështjes shqiptare. Në lëvizjen kombëtare u përfshi që në moshë të re, në kohën e Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë, duke u shqetësuar për coptimin e trojeve shqiptare dhe padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar. Në vitet e luftës së dytë botërore (që nga 1942) u rrjeshtua në rradhët e LANÇ-së me shpresë se shqiptarët do të heqin qafe shtypjen serbe dhe pushtetin nazifashist në trojet shqiptare.
Aqif Lleshi iu kundërvu politikës së Beogradit për shkak të nëpërkëmbjes së të drejtës për vetvendosje dhe të vendimeve të Konferencës së Bujanit (31.12.1943, 1-2.01.1944).
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Aqif Lleshi do të zgjidhet së pari kryetar i Këshillit të qytetit të Dibrës, mandej kryetar i Rrethit të Ohrit, si dhe deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë dhe në Kuvëndin Federativ.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore 1945, trevat Lindore e Verilindore, përsëri ngelën jashtë shtetit amë, Shqipërisë dhe në kuadër të shtetit jugosllav. Ozna dhe pushteti ushtarak vendosin mbi jetën e shqiptarëve dhe mbi të ardhmen e tyre, pse ato ishin dora ekzekutuese e planit antishqiptar. Komandat dhe oznat serbe malazeze ishin zbatuese të urdhrave të Beogradit, Podgoricës dhe Shkupit.
Deputeti i krahinës së Rekës nga fshati Beliçicë, Zhivko Brahovski e qartësoi kryetarin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Dibrës, Aqif Lleshin, lidhur më këtë shfarosje i cili koshte reaguar ashpër: “Kemi urdhër nga Llazar Kolishevski, bile edhe më lart që në rradhët e shqiptarëve duhet të bëjmë një pastrim të mirë. Elementët e zotë duhet të pastrohen qysh tani…”
Rritje të presionit të shqiptarëve në trevat lindore e verilindore pati dhe pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Më 28 qershor 1948 u shpall Rezoluta e Byrosë Informative, më të cilën kërkohej që ushëheqja e Jugosllavisë t’u bindet urdhërave e kërkesave që vinin nga Moska. Meqënëse këto kërkesa KQ i PKJ-së nuk i pranoi, pasoi izolimi i plotë i Jugosllavisë nga ana e nënshkruesve të Rezolutës.
Shqipëria u bashkua me Rezolutën e Byrosë Informative prandaj marrëdhëniet ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë u ndërprenë menjëherë. Kjo pati rrjedhoja shumë të rënda dhe e keqësoi më tej pozitën e popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera etnike. Pushteti jugosllav shfrytëzoi rastin për të intensifikuar shtypjen dhe terrorin mbi shqiptarët. Vala e re e arrestimeve dhe e likujdimeve fizike e politike të shqiptarëve u intensifikua me pretekstin se ata ishin me Byronë Informative dhe i shërbenin shtetit amë – Shqipërisë. Gjatë kësaj fushate u dënuan 436 veta, prej të cilëve shumica përjetuan terret e burgut famëkeq të Goli Otokut si Qemal Agolli, Xhaferr Kodra, etj. Në shenjestër u vunë sidomos pjesëmarrësit e Konferencës së Bujanit, si dhe veprimtarë që luftonin për të drejtat kombëtare të popullit shqiptar si: Rifat Berisha, Xheladin Hana, Nexhat Agolli që u vra në prill të 1949, etj.
Në pozitë të vështirë ra edhe Aqif Lleshi i cili kishte një bagazh me veprimtari luftarake e politike që nga Kryengritja e Shtatorit 1913 dhe sfidat jetësore që pësoi kjo figurë, internimet, lufrat e veprimet politike, deri te aktiviteti i tij i LANÇ, si dhe pengesat e mëdha që ai si kuadër politik, deputet Republikan e Federativ, kryetar i Rrethit të Ohrit dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Dibrës së Madhe (nëntor 1945-shtator 1950), si dhe shumë atdhetarë të tjerë që e patën pësuar nga politika e Beogradit dhe ndjekja në çdo hap e UDB-së, e detyruan kryetarin e parë të Komunës së Dibrës pas Luftës së Dytë Botërore, Aqif Lleshin deri te akti i arratisjes së tij me gjithë familjen në Shqipëri më 4 shtator 1950.
Vendimi i Këshillit të Komunës së Dibrës për t’i hedhur në bronxë dhe për t’i përjetësuar dy figurat e dalluara të historisë së Dibrës:
Sefedin Pustinës – kryetarit të Qeverisë Provizore të Dibrës e formuar më 23 shtator 1913 dhe Aqif Lleshit kryetarit të parë të qytetit të Dibrës të zgjedhur menjëherë në nëntor të 1945 që drejtoi qytetin deri më 4 shtator 1950, është një punë e mençur dhe e qëlluar, sepse këto dy personazhe kanë lënë gjurmë në historinë e qytetit të Dibrës e më gjërë në gjysmën e parë të shekullit të XX-të.
Prof.dr.Nebi Dervishi, historian në Universitetin e Tetovës