Në Dibër të Madhe përurohen bustet e Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit


Më 23 shtator 2020 Komuna e qytetit të Dibrës së Madhe organizoi një ceremoni për inagurimin e busteve të dy prej figurave patriotike, ish kryetar të pushtetit vendor në Dibrën e Madhe, Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit. Jo rastësisht ishte zgjedhur kjo ditë, mbasi është datë e shënuar nga më të rëndësishmet në historinë e Dibrës.
Më 23 shtator 2013 kryengritja e popullit të Dibrës triumfoi mbi ushtrinë serbe që kishte pushtuar Dibrën duke hyrë në histori si dita e çlirimit të Dibrës nga pushtuesit serbë.
Qyteti i Dibrës kish veshur petkun e festës. Kudo ndjehej një atmosferë gjallëruese e gëzuar dhe optimiste. Kryefjala e bisedave ishte lufta heroike e dibranëve kundër serbëve, italianëve e gjermanëve, guximi dhe trimëria e Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit, roli dhe kontributi i tyre në luftën për çlirim dhe për forcimin e pushteti të popullit të ëndërruar prej shekujsh.
Në sheshin para Komunës së qytetit të Dibrës në ora 1200 erdhën qindra qytetarë të Dibrës së Madhe, të fshatrave rreth saj, të ftuar nga Tirana, Peshkopia, Bulqiza, pjesëtarë të familjeve Pustina e Lleshi, etj. Ishin të pranishëm dhe kryetari i Këshillit Komunal të Kërçovës z. Aqif Mediu, kryetari i KK të Gostivarit z. Besim Memeti, kryetari i KK të Strugës z. Resul Kaba, kryetari i KK të Tetovës z. Bekim Memeti, kryetari i Kuvendit të Zhelinës z. Liridon Seini, kryetari i qytetit të Shkupit z. Zahir Bekteshi, kryetari i Këshillave të Dibrës i katërzuar z. Adil Adili, kryetari i Qendrës së Skënderbeut Zhupë z. Femi Skënderi, kryetari i këshillit të Bashkisë Peshkopi z. Sokol Sava, veteranë e pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, të luftës, pasardhës të familjeve të Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit, kryetarë të këshillave të fshatrave të Dibrës, etj.
Ishte e pranishme dhe deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj.Almira Xhembulla.
Akademinë e hapi inisiatori i këtij evenimenti, kryetari i Këshillit të Komunës së qytetit të Dibrës z. Bashkim Mashkulli, i cili përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit e kësaj ceremonie. Të pranishmit i përshëndeti dhe kryetari i Komunës së qytetit të Dibrës z. Hekuran Duka.
Ligjëratën për veprimtarinë patriotike, luftarake dhe qeverisjes së Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit në Dibrën e Madhe respektivisht në vitet 1913 dhe 1945-1950 e mbajti Prof. Dr. Nebi Dervishi historian dhe pedagog në Universitetin e Tetovës.
Në emër të familjeve të Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit përshëndetën Agim Pustina dhe Gëzim Lleshi. Ata falënderuan kryetarin e Këshillit të Komunës, kryetarin e Komunës dhe gjithë qytetarët e Dibrës së Madhe për vlerësimin e madh e të merituar që u bënë këtyre dy figurave të rëndësishme historike të Dibrës. Drejtuesit e Komunës bashkë me përfaqësuesit e familjeve zbuluan busttet prej bronxi të përgatitur nga skulptori dibran Fitim Sula dhe derdhur në bronx nga Xhelil Rufati.
Me një ndjenjë krenarie, me vlerësime shumë pozitive që bën Këshilli dhe Komuna e Dibrës së Madhe për të gjithë patriotët që kanë shkrirë energjitë dhe forccat e tyre mendore e fizike në dobi të çështjes kombëtare.Pjesëmarrësit u larguan duke marrë me vehte mbresat më të mira e urimet për sa më shumë veprimtari tjera të kësaj natyre. Komuna dhe kryetari i saj z.Hekuran Duka shtruan një pritje për nder të mysafirëve dhe familjeve të Sefedin Pustinës dhe Aqif Lleshit. Në drekën e shtruar u dhanë kujtime dhe u shkëmbyen eksperienca për t’i çuar më përpara këto veprimtari në respekt të luftëtarëve dhe të rënëve për liri e pavarësi. Kështu ruajmë e forcojmë identitetin tonë kombëtar, edukojmë rininë me ndjenjat patriotike e atdhetare. Pritja kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.
(Korres. Rr.A)