Një ditë me nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Hasan Leka”
Nga Zabit Lleshi, Shaqir Skarra


Takim i paralajmëruar

Vite më parë një grup intelektualësh dhe krijuesish nga Shumbati e kishin planifikuar të organizonin një veprimtari me nxënësit dhe mësuesit e shkollës së Shumbatit.
Vajza e vogël e Hasan Lekës, Elona, na nxiti që takimin e dikurshëm ta zhvillonim pikërisht në kuadrin e muajt të letërsisë. Në këtë nismë të bukur nuk ishin vetëm krijuesit e Shumbatit, por edhe intelektualë e biznesmenë që kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle. Pjesë e kësaj veprimtarie u bënë anëtarët e kryesisë së shoqatës “Lidhja e Intelektualëve Dibranë”, midis tyre Musa Riçku, mik dhe shok i vjetër i Hasan Lekës; Shpëtim Cami, Demir Osmani, Hajri Mandri, Shaqir Skarra si dhe bijë të shumbatit e nxënës të Hasanit si Servet Rama, Lavdrim Puci, Sali Shira, Ilmi Murati, Baftjar Kada etj.
Kështu, duke gdhirë 7 tetori, kur ora ende nuk kishte vajtur 6 e mëngjesit, u bënë bashkë të gjithë dhe u nisën tok drejt shkollës nëntëvjeçare “Hasan Leka” Shumbat.
Qielli ishte i ngarkuar me re e mjegull të hollë sa mendonim që nga çasti në çast do të shpërthenin shtrëngata të mëdha por koha gjatë gjithë ditës ishte në favor tonë. Shiu shpërtheu në fund kur u kthyem për Tiranë dhe Dibrën e lamë pas.
Mes bisedave të çiltra dhe tepër të sinqerta arritëm shpejt në qytetin e Peshkopisë, por nuk qëndruam, kishim vendosur që kafen ta pinim në Shumbat.
Shumbati, ndryshe nga shumë fshatra të tjerë, ka lokale dhe dyqane, që dallohen në të gjithë Ujemujën, disa prej tyre luksozë, që zor se i gjen në metropolin shqiptar. Lokali i madh në hyrje të fshatit me pronar Dritan Herra menaxhon edhe një market, ku banorët e fshatit nuk kanë nevojë të dalin në qytet, pasi të gjitha i gjejnë këtu. Shemsi Sulejmani përveç një marketi ka ngritur në katin e dytë një lokal për dasma, fejesa, gëzime e hidhërime, në shërbim të të gjithë banorëve të Ujemujës.
Dritani na priti me ngrohtësi e dashuri, na serviri kafen e mirëseardhjes, duke respektuar traditën e mikpritjes, të trashëguara brez pas brezi.
Shkolla nëntëvjeçare “Hasan Leka” është ndërtesë e re, e ndërtuar në vitet 1984-1985 si projekt për shkollë të mesme të bashkuar e sot ka mbetur thjeshtë shkollë nëntëvjeçare me një numër nxënësish tepër të kufizuar nga braktisja e fshatit nga vetë banorët për shkak të imigrimit brenda dhe jashtë vendit.. Godina e saj, ngritur në një kodër dominuese të fshatit ku tre mëhallat kryesore të fshatit duken si në pëllëmbë të dorës.
Dikur këtu ndodheshin”Lisat e Nurë Nelit”, vend kryesor ku mblidhej fshati për vendime të rëndësishme. Sot nuk janë më, ekziston thjeshtë toponimi.
Shkolla ishte zbukuruar si për festë, kudo rregull e pastërti. Priste ish nxënësit e saj.
Kohë më parë shkolla ishte poshtë digës së liqenit, një ndërtesë e vjetër, totalisht e amortizuar nga vitet që mbarte në kurriz. Nga ajo godinë e vjetër doli një elitë intelektuale dhe krijuese nga Shumbati, ku mund të përmendim Hasan Leka, Selami Xhepa, Hajri Mandri, Shuaip Skarra, Jasim Mandri, Xhevat Fana, Xhavit Sulejmani, Besim Fejza, Rruzhdi Skarra, Gjuri Puci, Naim Mandri, Tofik Skera,Violeta Robi, Leme Visha etj.
Shkolla mban emrin e ish nxënësit të saj, drejtorit, birit të denjë të Shumbatit, intelektualit gjithëplanësh Hasan Leka.
Në kuadrin e muajt të letërsisë dhe arteve, në shkollën nëntëvjeçare “Hasan Leka”, takohen autorë, ish nxënës të kësaj shkolle. Në traditën e mirë arsimdashëse që inspiroi Hasan Leka pas çlirimit të vendit si mësues dhe drejtues i parë i kësaj shkolle. Ajo vazhdimisht ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë kuadro të aftë në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Kolektivi mësues e nxënës na pritën ngrohtësisht, me respekt e bujari si në ditë feste, asgjë nuk mungonte për një eveniment të tillë, ku çdo gjë ishte organizuar mirë dhe bukur.
Kishin ardhur përfaqësues nga bashkia Dibër si: Denisa Basha e Diana Stojku bashkë me nëpunës të njësisë administrative Sllovë.
Në fillim drejtori i shkollës Mario Fejza pasi falenderoi dhe uroi mirëseardhjen të pranishmëve, ua dha fjalën nxënësve:
Një vajzë e re, nxënëse e klasës së nëntë nga Dipjaka, Fidaije Dika moderatore e këtij takimi nuk pati nevojë për pauza e ndërhyrje gjatë gjithë kohës por u tregua aq e aftë sa i mahniti të gjithë me përgatitjen e saj.
Me mjaft interes u dëgjuan interpretime të recituesve të shkollës Kristina Mandri, Olsi Smaçi etj…, si dhe montazhi letrar i grupit artistik të shkollës, përgatitur me pasion dhe profesionalizëm nga mësuesit e kësaj shkolle Xhezmie Kraj dhe Elona Reçi.

Hasan Leka, iluminist

Hajri Mandri bëri një panoramë historikut jo vetëm të shkollës, të jetës dhe veprës së Hasan Lekës, por edhe të udhës së tij të bukur krijuese, ndër të tjera tha:
“Hasan Leka në librin e tij me kujtime “Në rrjedhë të jetës”, si një iluminist i etur gjithmonë për dituri, ndër filozofët e parë të Dibrës, ka dhënë një pasqyrë të gjallë të vetë individit që kalon në fakt nga fshati në qytet, nga varfëria tek jeta në metropol, nga prapambetja në fshatin dibran, tek rektorati e bota akademike, nga fëmijëria e tij që përbën kohën e vështirë, tek pjekuria intelektuale që përbën spiralen dhe thelbin e filozofisë pragmatiste të tij.
Midis idealistit të frymëzuar dhe njeriut të zhgënjyer qëndron Hasan Leka, protagonist i librit autobiografik, i cili për nga dendësia e aktivitetit të tij,mbetet një personalitet me vlera individuale për nga qëndrimet dhe morali që e kanë udhëhequr gjithmonë në jetë.
Hasan Leka ishte një iluminist i etur për dituri dhe këtë etje e përçonte në përpjekje konkrete për të ndriçuar mendjen dhe për të pasuruar dijen si mësues dhe edukator, duke e përcaktuar si kredon dhe rrugën e tij më të dobishme. Ai ishte një humanist i thellë në marrëdhëniet e tij me bashkëfshatarët dhe njerëzit e familjes dhe të gjakut, një model edukues për shoqërinë, pasi ai mbështetet në skrupuj moralë dhe të pandryshueshëm, duke ndihmuar brezin e ri të Shumbatit për shkollim, por edhe në veprimtari krijuese e atë të përditshme.
Brezat i janë mirënjohës për veprën e tij. Si krijues, ai shkroi tregime në një rrëfim mjeshtëror, me një leksik shqiptar të ëmbël, e fraza që rrjedhin natyrshëm, gjë që tregon për kulturën e lartë gjuhësore dhe letrare të tij.
Në fund bëri edhe një analizë të gjitha botimeve të djemve të Shumbatit që kanë botuar ndër vite, pastaj përmendi dy monografitë për Shumbatin, shkruar nga Shaqir Skarra, sidomos “Borxhin ta ktheva vendlindje”, një monografi kjo e plotë për vendlindjen, për traditat historiko-kulturore të Shumbatit, vëllimet me poezi e dramat të shkruar po vetë nga Hajriu, botimin e monografisë së Venishtit shkruar nga Lavdrim Puci e Shaqir Skarra, bashkë me librat e botuar nga Dukagjin Hata, Dilbere Dika, Shega Murati, Mirela Skarra, Qazim Hata etj.
Në emër të shoqatës “Lidhja e intelektualëve dibranë” përshëndeti sekretari i saj prof. Shpëtim Cami, i cili duke e njohur nga afër Hasan Lekën foli pak mbi jetën dhe veprimtarinë e tij krijuese në periudhën që ai ishte sekretar i kësaj shoqate.
Ndër të tjera, ai shtoi: Lidhja e Intelektualëve dibranë u tregua e gatshme dhe është e nderuar të jetë në krah të Elonës, për të mbështetur organizimin e Ditës së Librit, në kuadrin e muajit të letërsisë, pikërisht në këtë shkollë e cila mban emrin e babait të saj dhe ish-kolegut tonë, Hasan Leka.
Si universitari i parë i këtij fshati, ish-nxënës, mësues dhe drejtor i kësaj shkolle, doktori i shkencave, Hasan Leka, do mbahet mend gjatë për kontributin, urtësinë dhe mençurinë e tij.
Tek Lidhja e Intelektualëve Dibranë, unë sot mbaj detyrën që mbante dikur biri juaj dhe miku jonë Hasan Leka. E kam për nder që eci në rrugën e tij, shembulli i të cilit më ka frymëzuar dhe frymëzon çdo ditë për punë të mira ashtu siç rrezatonte ai mirësi dhe paqë.
Janë të paktë njerëzit e larguar nga fshati që shkruajnë për origjinën nga erdhën. Ndër këta të paktë është Hasan Leka, që mendonte e shkruante vazhdimisht dhe jo vetëm kaq. Në çdo bisedë me miq e shokë, me kolegë e të njohur hidhte idenë e vizitave ne vendlindje për të zgjuar tek brezi i ri dashurinë për letërsinë, artin dhe historinë.

Tradita vazhdon…

Shkolla e Shumbatit u hap 75 vjet më parë, më 1945. Ajo ka krijuar traditën dhe eksperiencën e saj për edukimin, veprimtaritë kulturore-artistike, edukimin me traditat patriotike etj. Kjo u pa edhe gjatë këtij momenti të bukur historik me rastin e muajit të letërsisë, të rralla në shkollat e vendit. Ne ndjemë nga afër dëshirën e madhe dhe vullnetin që kishin nxënësit për të mësuar. Për ata nxënës të mirë, të urtë e mjaft të edukuar primare ishte libri, jo telefoni dhe interneti. Të gjithë ishin të përgatitur, të gjithë recituan bukur dhe kuptuam se tradita e bukur në shkollën nëntëvjeçare “Hasan Leka” Shumbat ende vazhdon.
Skënder Kuta, ish mësues i kësaj shkolle, vlerësoi kolegët dhe nxënësit për arritjet e shkollës dhe uroi ta mbajnë me nder emrin e merituar të Hasan Lekës. Ashtu siç ka nxjerrë ndër vite intelektual të kompletuar, kjo shkollë do të mbetet një fidanishte e sigurt për të nxjerrë kuadro që do të drejtojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë në vendin tonë, biznese të fuqishme në ndërtim e infrastrukturë, shembull në veprimtarinë prodhuese shoqërore dhe humane.
Moderatori i këtij aktiviteti, Dr. Hajri Mandri, i dhuroi shkollës librat poetikë “Prag Mijëvjeçari” dhe “Zjarret e ditëveres”, vëllimet me studime letrare dhe ese “Refleksione estetike”, “Trajtesa letrare dhe pedagogjike” botuar vitet e fundit, që pasurojnë bibliotekën e mësuesit. Pesëdhjetë libra dhuroi Shaqir Skarra.
Demir Osmani e pasuroi fondin e bibliotekës me 30 libra për sigurinë rrugore dhe edukimin e fëmijëve nëpërmjet kujdesit e kulturës për mjedisin.
Administratori i shoqërisë “Puci Sh.P.K” Lavdrim Puci, dhuroi për shkollën një kompjuter, një printer multifunksional dhe një fotokopje. Lavdrimi i premtoi drejtorit dhe përfaqësuesit të bashkisë të bëjë rrethimin e shkollës në një të ardhme të afërt.
Ilmi Murati dhuroi për nxënësit mjete mësimore, fletore e stilolapsa.
Aktivitetit po i vinte fundi por nxënësit ende nuk po largoheshin. Dikush kërkonte një autograf, dikush një libër e dikush një foto.
Vonë u larguam me mbresat e kujtimet më të bukura për shkollën, me dëshirën dhe premtimin për t’u kthyer përsëri.
Elona së bashku me bashkëshortin e saj mjekun Artur Turdiu kishin organizuar një pritje në qytetin e Peshkopisë për të ftuarit dhe një pjesë të kolektivit mësuesve që u morën me përgatitjen e këtij evenimenti. Veprimtaria vazhdoi me kujtimet për historinë e fshatit Shumbat, për njerëzit e tij punëtorë e arsimdashës, për Hasan Lekën dhe kontributin e tij në Lidhjen e Intelektualëve të Dibrës, si një model për vullnetin, humanizmin, por edhe për edukimin e fëmijëve të tij me dashurinë për njerëzit, fshatin, Dibrën dhe atdheun.
Në qytet filloi të binte mbrëmja, ne u larguam drejt Tiranës, duke marrë me vete dashurinë e banorëve, të fëmijëve të Shumbatit, duke asistuar në një veprimtari të pasur edukative dhe kulturore.