Një homazh për mësuesin dhe oficerin Rushdi Spata


Rushdi Xhetan Spata nga Blliçja, Çidhën, Dibër, ish-mësues mbi 20 vjet në periudhën e monizmit dhe ish-oficer i forcave të rendit publik pas viteve ’90 deri sa doli në pension, pra person publik, ndërroi jetë në fund të gushtit 2020, në moshën 71 vjeçare nga “Corona virusi -19” duke na shkaktuar një hidhërim të madh jo vetëm familjes dhe të afërmve të tij, por edhe të gjithë neve, shokëve dhe ish-kolegëve të tij, me të cilin kemi pas punuar dhe për të cilin ruajmë kujtimet më të mira.
Me Rushdi Spatën jam njohur për herë të parë kur kemi punuar së bashku një vit të tërë, në vitin shkollor 1969-1970, kur ai filloi për herë të parë detyrën e mësuesit në shkollën 8-vjeçare të Sinës, e cila nga që kishte vetëm dy klasë (të pestën dhe të gjashtën) ende nuk e kishte statusin e drejtorisë më vete, por ajo varej nga drejtoria e shkollës 8-vjeçare të Grykë-Nokës, ku unë isha drejtor, edhe për shkollat e Sinës dhe të fshatit Mustafaj. Rushdiu në atë kohë ishte një djalë njëzet vjeçar, i cili sapo kishte përfunduar studimet e larta në degën e matematikës në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër dhe po hidhte hapat e para në jetë. Përgatitja e tij shkencore dhe metodike ishte e përsosur. Si mësues ishte korrekt. Por ajo që unë tash plot 50 vjet rresht nuk e kam harruar për mirë dhe që nisur edhe nga proverbi latin “verba volant, scripta manent” (fjalët i merr era, fluturojnë, zhduken nga kujtesa, kurse e shkruara mbetet), dua ta theksoj e ta përmend për mirë edhe këtu që t’ua bëj të njohur edhe bashkëkohësve si dhe brezave të ardhshëm, që ta kenë si model, si shembull për mirë, një akt të Rushdiut, sa burrëror, po aq të guximshëm, nga i cili dalin në pah cilësitë më të mira të karakterit dhe të qëndrimit parimor në zgjidhjen e një problemi të caktuar, konkretisht sa vijon:
Në shkollën 8 vjeçare të Sinës, në vitin shkollor 1969-1970, përveç dy klasave në sistemin e ditës (kl.V dhe kl.VI) ndiqnin mësimet në sistemin e shkollës së mbrëmjes pa shkëputje nga puna dhe tri klasa (kl.V, VI, VII) me nxënës punëtorë kooperativistë. Por në fund të vitit shkollor, në qershor 1970, në shkollën e mbrëmjes nuk ishte realizuar programi mësimor as në masën 50% të orëve vjetore, sepse brigadieri i arave, njëherësh dhe sekretar i organizatës bazë të fshatit Sinë, pra si funksionar partie, për egon e vet personale që të fitonte lëvdata nga eprorët e vet, për sasinë e orëve të punës në brigadën e tij, i detyronte punëtorët në punë jo vetëm tej orarit tetë orësh, por ata që ndiqnin shkollën e natës dhe nuk i lejonte të ndiqnin shkollën e natës, përfshirë këtu edhe vetveten e tij, edhe pse një veprim i tillë ishte në kundërshtim me ligjet e shtetit, ndaj për të mos ua djegur nxënësve vitin mësimor kurse mësuesve orët suplementare të shkollës së natës, unë, si drejtor i zonës, mora miratimin nga seksioni i arsimit për t’i marrë nxënësit në provim me qëllim që atyre t’u njihej viti shkollor në formën e korrespondencës. Ndërkohë që po zhvillonim provimet me nxënësit e natës, njëri prej nxënësve të natës, F.P, mu pranë dritares së klasës ku po zhvillohej provimi, nga jashtë, po thërriste me zë të lartë duke ironizuar me vetveten: “Librat në librari, e ne merr klasën në Sinë!” (me nëntekstin se ne jo vetëm që nuk kemi ndjekur rregullisht shkollën, por nuk kemi pasur as edhe tekste shkollore përkatëse).
Në atë çast unë ndërpreva provimin dhe bëmë një mbledhje me dy mësuesit e asaj shkolle, njëherësh anëtarë të komisionit të provimit, para të cilëve u shtrova këtë alternativë:
“A e ndëgjuat ironinë e F.P? Ligji është i tillë që nëse kalojnë klasën mbi 50% të nxënësve , juve ju paguhen orët suplementare që keni bërë gjatë vitit, por nëse mbeten në klasë mbi 50% të nxënësve, atëherë juve ju “digjen”, nuk u paguhen orët suplementare që keni bërë në shkollën e mbrëmjes. Ndaj para nesh shtrohet kjo alternativë:
Ose të mbajmë qëndrim parimor, të jemi objektivë dhe ta ruajmë dinjitetin tonë moral dhe integritetin intelektual e profesional, duke mos u bërë as liberale dhe as inatçi, por të kalojë klasën kush ta meritojë me të drejtë;
Ose të tregohemi liberale, të humbim nderin dhe dinjitetin tonë personal moral dhe integritetin intelektual e profesional dhe të bëjmë lëshime dhe ju të merrni “pare e marre” për pasojë edhe unë jam i detyruar të vij pas jush, sepse unë nuk dëmtohem ekonomikisht si ju!”
Pas një heshtjeje prej disa minutash nga dy të pranishmit, meqenëse, mësuesi që ishte më i vjetër në detyrë, njëherësh dhe përgjegjësi i shkollës, të cilit i takonte të merrte fjalën i pari, ai nuk po fliste, atëherë heshtjen e theu mësuesi i ri, i vitit të parë në detyrë, 21 vjeçari Rushdi Spata, duke zgjedhur alternativën e parë si vijon:
“Ora e fundit e shkollës së natës mbaronte në orën tetë të darkës ose në orën njëzet siç thuhet zyrtarisht. Dhe unë kur nisesha nga Sina nisesha pas orës tetë të darkës, gjatë dimrit, nëpër shi e dëborë, në baltë e në lladosë, kur arrija në Blliçe, ora kishte kaluar dhjetë e darkës (ose njëzet e dy), por paret e mia do t’i hedh mu ke kamarja e urës dhe ato shkofshin teposhtë për Drini, prandaj do të kalojnë klasën vetëm ata që do ta meritojnë!”
Për atë vendim dhe qëndrim të drejtë dhe heroik, bile historik, pas përgëzimit të çastit nga ana ime me urimin: “Paç faqen e bardhë!” më pas vijuam provimet rregullisht. Si përfundim, nga të tri klasat e mbrëmjes vetëm një nxënës, i ndjeri Kasem Kadriu, meritoi kalimin e klasës së shtatë në provimet e qershorit, ndërsa të tjerëve, në lëndët me cikël të hapur, d.m.th me vijimësi në vite, në gjuhë shqipe dhe në matematikë, u krijuam mundësinë që të merrnin klasën në riprovimet e vjeshtës. Reagimi i ish-brigadierit, njëherësh dhe sekretar i org.bazë të Partisë së Punës në pushtet, për Sinën, qe i shpejt tek Instruktori i Partisë për Lokalitetin disa ditë më pas. Kur ma shtroi ankesën Instruktori i Partisë. Përgjigja ime qe si vijon: “Megjithëse kanë kaluar mbi 10 ditë, dhe për aq kohë mund të përgatitesh për më shumë se një lëndë, etj, por ti shko në Seksion të Arsimit dhe ngre një komision provimi në Peshkopi, por me një kusht: që përpara se ai ose cilido nga ankuesi që do të paraqiten në provim, unë t’ju dorëzoj juve diplomën time të Universitetit, ndërsa ai ose ato të dorëzojnë tek ju teserën e Partisë, me kushtin që nëse ai ose ata do të meritojnë kalimin e klasës, atëherë diploma ime do të digjet, ndërsa në rast të kundërt dokumenti i tij apo të tyre të mbeten në kasafortën tuaj, të Komitetit të Partisë!”
Edhe pse vlerësimet tona, të komisionit të provimeve për nxënësit e shkollës së natës të Sinës ishin të pakontestueshme, bile ishin dashamirëse, sepse qëllimi ynë ishte t’u jepnim mundësinë që në lëndët me cikël të hapur në vijimësi, nxënësit të përvetësonin programin mësimor gjatë verës, gjë të cilën disa vjet më pas, po njeri nga ata nxënës njëherësh edhe anëtar partie që ishte pjesëmarrës në ato provime, i ndjeri Shaban Tafa, disa vjet më pas, kur po vazhdonte shkollën e mesme bujqësore të mbrëmjes në Fushë-Çidhën, ai më ka deklaruar shprehimish:
“Ali! Kur na ngelët për vjeshtë në provimet e klasës së shtatë në shkollën e mbremjes në Sinë, të kam urryer me gjithë shpirt! Por tani që po vazhdoj shkollën e mesme, vetëm tani po e kuptoj se e paskam pas gabim, prandaj tani që po më jepet rasti, të kërkoj ndjesë dhe të falenderoj me gjithë shpirt, sepse po të mos ishit bërë ju shkak që ne të studionim gjatë asaj vere për të përvetësuar programin e mësimit, atëherë kurrësesi nuk do të kisha arritur që të vazhdoja shkollën më tej”.
Reagimi im qe: “Qëllimi ynë për rastin konkret ishte që ne t’ju nxisnim që ju të studionit për të përvetësuar programin mësimor, për të mirën e të gjithë nxënësve. Po t’ju kishim dashur të keqen, atëherë do t’ju kishim vlerësuar të gjithëve me të gjitha notat dhjeta dhe nuk do të kishim asnjë përgjegjësi. Por, nëse do t’ju kishim dhënë klasën pa meritë, do të kishim bërë një krim, sepse krimi më i madh në arsim për një mësues është kur ai bën vlerësime subjektive, të pamerituara, në të dy senset e masës, si në rastin pozitiv, kur i jep notën pa meritë, aq më tepër në atë negativ, kur i mohon hakun (të drejtën, meritën) tjetrit.”
U zgjata pak për sa sipër për të theksuar se akti i lartpërmendur i Rushdi Spatës, kur tha “… Paret e mia shkofshin teposht për Drini mu te kamarja e urës!”, fjalët e tij kanë një kuptim filozofik me “peshë specifike” shumë të madhe:
Së pari, një qëndrim parimor i tillë i prerë, dhe pa u menduar gjatë, aq më tepër nga një djalë vetëm 21 vjeçar, nuk mund të ishte i rastësishëm. Me atë qëndrim e mendim të pjekur, ai argumentoi se geni i tij ishte trashëgimi e një fisi të përmendur për mirë, për atdhetari e mençuri jo vetëm në Çidhën, siç është fisi Spata, njëri ndër pesë pleqtë ose pesë “konaçet” e Çidhnës, por edhe më gjerë, në të gjithë Dibrën;
Së dyti, të mohosh e të sakrifikosh shpërblimin e punës një vjeçare në arsim, nuk është gjë e vogël, aq më tepër kur në atë kohë vlera e një ditë pune në kooperativën bujqësore arrinte në 30 lekë të vjetra, ndërsa në arsim me po aq sasi parash vlerësohej një orë mësimi suplementare në shkollat e asaj kohe. Mohimi dhe flakja e shpërblimit të mundimit të punës një-vjeçare, ishte një sakrificë shumë e madhe në aspektin ekonomik dhe për gjithë familjen. Në këtë aspekt nuk duhet harruar se vlera reale, fuqia blerëse në mallra e disa dhjetra mijëra lekëve të asaj kohe, në kohën e sotme do të barazohej me vlerën e disa milionëve. Prandaj duhet pas parasysh se një sakrificë të tillë jo kushdo mund të bënte as atëherë dhe as sot.
Së treti, që të mbahej një qëndrim i tillë si ai, është edhe një argumnt trimërie për personat pëkatës, sepse në rastin konkret të ndeshesh me kuadro drejtues të partisë, të cilëve u cënoheshin jo vetëm interesat materiale, por edhe egoja e shumë e shumë kuadrove duke filluar, së pari nga ish brigadieri, i cili njëherësh dhe sekretar i organizatës bazë të Partisë në pushtet, të cilit i kishin ngritur kultin vetvetes deri në atë shkallë sa që e konsideronin vetveten deri në “Perëndi”, mbi ato që i kishin nën komandë etj, si në rastet kur shkelnin ligjet, nuk zbatonin as edhe ligjet e shtetit, si në arstin konkret kur brigadieri nuk lejonte kooperativistët për të shkuar në shkollë, edhe pse veprimi i tij ishte në kundërshtim flagrant jo vetëm me ligjet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por ai veprim i tyre ishte dhe në kundërshtim flagrant edhe ligjet e shtetit të asaj kohe, në kundërshtim me politikën arsimore të Partisë së Punës për arsimin e masave. Pra Rushdiu ishte i qartë dhe i ndërgjegjshëm për të gjitha pasojat që mund të kishte pas atij qëndrimi, por atij nuk iu dridh as qerpiku i syrit dhe nuk i përfilli fare pasojat e mundshme, edhe pse ai ishte i ndërgjegjshëm për “cenin në biografi”, qoftë nga dajat, apo edhe nga fisi Spata, i mirënjohur për atdhetari e nacionalizëm, kur ai mbajti atë qëndrim parimor, si një pinjoll i genit të fisit të vet. Prandaj pikërisht për atë krenari dinjiteti të lartë të Rushdiut dhe për mosnënshtrimin e tij ndaj ish-drejtuesve lokalë injorantë të asaj kohe, e transferuan më pas Rushdiun në zonat më të thella të Dibrës si në Lurë, Arrën-Mallë etj. Ndërsa pas viteve ’90 pas ndryshimit të sistemit politik Rushdiu u angazhua si oficer në Forcat e Rendit të Policisë së Shtetit derisa doli në pension të pleqërisë.
Një parantezë: Nisur nga këshilla kur’anore në vargjet e para të sures “ABESE” (Ai u vrenjtë) e cila fillon me një qortim për Profetin tonë Muhamedin (a.s) me fjalët “Ai që u vrenjt dhe ktheu kurrizin, kur i erdhi pranë një i verbër për ta pyetur për diçka”, në një moment kur Profeti (a.s) ishte duke biseduar me një person jobesimtar nga paria e Mekës, të cilin donte ta bindëte për të përqafuar Islamin, pra, përderisa Allahu i Madhëruar ka kritikuar edhe Profetin tonë H.Muhamedin (a.s) për një gjest kaq të vogël, për ne, të papërfillshëm, atëherë, është e natyrshme të konkludohet se ç’mund të thuhet për ne, njerëzit e thjeshtë?! Nënteksti filozofik i kësaj këshille kur’anore, thënë më qartë, është konkluzioni se nuk ka njeri të pagabueshëm në këtë jetë. Pra, nisuar nga ky këndvështrim, për të përcaktuar e klasifikuar një njeri nëse ai i përket kategorisë së njerëzve të mirë, apo kategorisë së të këqinjve, ne duhet të nisemi së pari, nga kriteri i nijetit, i qëllimit të veprimeve të tij, nëse ai ka pas qëllim me veprimin e tij për t’i bërë mirë apo keq tjetrit, pavarësish nga rezultati i veprimit, edhe nëse ai mund të përfundojë me rezultat të kundërt nga dëshira e autorit të veprimit;
Së dyti, duhet të nisemi edhe nga sasia e veprimtarisë së personit: nëse shumica e veprimtarisë së një personi ka qenë e mirë, duhet ta llogarisim në kategorinë e njerëzve të mirë.
Mbështetur në sa sipër dhe për aq sa e kam njohur unë Rushdi Spatën, nisur edhe nga profesioni i tij i mësuesit dhe i oficerit të rendit për mbrojtjen dhe zbatimin e ligjeve të shtetit ligjor nga masat, pa dyshim që gjithë veprimtaria e tij profesionale ka qenë në shërbim të mësimit dhe të edukimit të brezit të ri dhe më gjerë me njohuri shkencore dhe me ruajtjen e zbatimin e ligjeve shtetërore e njerëzore e rendit Rushdi Spatën në kategorinë e njerëzve të mirë. Veç sa sipër, edhe sikur të mos kishte bërë asgjë tjetër të mirë, por qoftë edhe vetëm për aktin e tij historik të lartpërmendur: “Paret e mia shkofshin teposhtë për Drinin…”, Rushdi Spata, e meriton të renditet ndër ata burra që historia do ta përmendë për mirë. Ndaj edhe lutja ime për Rushdi Spatën është: “I përjetshëm qoftë vetëm për mirë kujtimi i tij!”
Aktin e ish-mësuesit Rushdi Spata: “Paret e mia shkofshin për Drini!” duke e krahasuar me gjendjen aktuale se në ç’derexhe është katandisur figura e mësuesit si ajo në rastin e kronikës në gazetën “Fjala” të datës 28 shtator 2020, fq.6-7, me titull: “Universitetet Publike” dhe me nëntitull: “Profesorët e korrupsionit, sezoni i provimeve apo sezoni i mitmarrjes”, ku ndër të tjera theksohet:
“Universitetet publike në vendin tonë janë kthyer në burime korrupsioni ku gjatë sezoneve të provimeve këto institute, të cilat duhet të shërbejnë për dhënien e dijeve dhe formimin e studentëve kthehen në biznes. Edhe pse këto vitet e fundit shumë pedagogë janë arrestuar apo janë vënë nën hetim për mitmarrje, sërisht nuk është bërë i mundur frenimi i këtij fenomeni negativ. Por kush janë pedagogët e arrestuar ndër vite dhe sa para merrnin ata për dhënien e një note kaluese? …”
Apo me fenomene të tjera më skandaloze si ai i publikuar në kronikën “Ç’kemi asaj Dibre” në gazetën “Rruga e Arbërit” të muajit shtator 2020 fq.2, ku mësojmë:
“Viti shkollor filloi dhe në këtë rast u zbulua se rrogën më të mirë e merr mësuesi që jeton në … në Londër…”
Me këtë rast nuk do ta tepronim aspak, por e meriton plotësisht që t’u propozojmë organeve kompetente që në kujtim të aktit të Rushdi Spatës t’i ngrihej një bust m’u përpara Ministrisë së Arsimit, shoqëruar me një pllakë me mbishkrimin “Paret e mia shkofshin për Drini!”