Përjetësisht bashkë


Doktor Mustafa Ndreka vinte nga Grykë Noka e Dibrës, një perlë e Dibrës, sa e bukur, aq dhe me tradita e histori. Familja e tij ishte e madhe, me plot vëllezër e motra, siç ishin dhe shumë të tilla në atë kohë. Aty, në qelizën familjare, shpirti i tij u mbrujt me dashurinë njerëzore, dashuri për familjen, profesionin, për njerëzit e tjerë, për atdheun.
Mustafai i vogël donte të bëhej i vlefshëm për të tjerët, por nuk dinte se si. Koha do ta mësonte e për këtë duhej punë e sakrifica, duheshin njohuri, që ai do ti fitonte hap pas hapi.
Kështu nisi rrugëtimi i jetës, i shkollës dhe i profesionit për djaloshin e ri. Fitoi një bursë studimi në shkollën e mesme mjekësore të Vlorës, që e përfundon shkëlqyeshëm. Tashmë ishte bërë i qartë profesioni i tij, drejtimi i jetës së tij. Dyert e universitetit hapen për të, për ti bërë akoma më të plota njohuritë e marra në shkollën e mesme. Pasi diplomimit me rezultate gjithnjë të shkëlqyera, doktor Tafa shkon në vendlindje. Atje do ti testonte njohuritë e marra, do t’ju shërbente njerëzve, gjë që aq shumë e kishte ëndërruar, si një engjëll i zbritur në tokë për ti shëruar të sëmurët.
Pesë vite në spitalin e Reçit, pesë vite ngarkuar me punë, që vetëm mosha e rinisë i përballon. Ata njerëz në dukje të sertë, ishin aq të dashur, po të depërtoje në shpirtin e tyre. Ishin bijtë e nipërit e atyre njerëzve që ishin kapur fyta fyt me serbin, në mbrojtje të atdheut e familjeve të tyre. Doktor Tafa u kishte dhënë mjaft atyre njerëzve, por dhe kishte përfituar mjaft në këmbim. I dukej se kishte kryer dhe një fakultet tjetër. Por dhe sa të tillë do të kryente doktori në të ardhmen? Gjithë jeta e tij do të ishte një binom i pandarë pune dhe shkolle.
Doktori i ri fiton të drejtën e një specializimi dy vjeçar në Tiranë, në fushën e pediatrisë. Gjatë atyre pesë viteve të para të punës ai kishte pasur shumë punë me fëmijët. Ata ishin më pak të imunizuar, nuk dinin të flisnin e të tregonin problemet dhe sëmundjet që kishin. Por ama kishin pafajësinë e moshës dhe doktor Tafa ishte lidhur pazgjidhshmërisht me këtë grup moshe, më e bukura e jetës njerëzore.
Në mbarim të specializimit dy vjeçar doktori do të kishte dashur të punojë në spitalin e Peshkopisë, aty ku kontributi i tij do të ishte më i madh, ku mjetet dhe infrastruktura spitalore ishte më moderne, por jo. Regjimi i kohës nuk i dha okejin, ndoshta duhej akoma kohë për këtë. Duhej të shkonte në Fushë Alie, ku vdekshmëria foshnjore ishte në një nivel të lartë. Kush më mirë se doktor Tafa mund ta realizonte këtë mision? Ashtu zemërthyer doktori merr rrugët e vendlindjes. Jo se nuk e donte atë, por mendonte se do të ishte më i vlefshëm, në spitalin e madh, ku nevoja ishte imediate. Katër vite të tjerë pas përvojës së Reçit, deri në prag të demokracisë. Doktor Tafa i kishte shtuar akoma më shumë njohuritë në teori e praktikë. Tashmë kishte krijuar dhe familje e kishin ardhur në jetë dy fëmijë të mrekullueshëm, Denisa dhe Darieli.
Shtëpia e tyre ishte afër dhe përballë spitalit. Një oaz qetësie e relaksi veshur me lule të shumta e gjelbërimin e pemëve. Për të tjerët mund të kishte pushim, por jo për doktor Tafën. Atëherë nuk kishte telefona dhe dera e e shtëpisë së tyre trokiste pa pushim. Trokisnin burra, gra, apo fëmijë, në çdo orë të ditës apo natës. Asnjëri prej tyre nuk e pati “luksin” të marrë një përgjigje negative, një jo prej gojës së doktor Tafës. Në jo pak raste dhe gjumi, buka, apo kafeja liheshin përgjysëm, në shërbim të shpëtimit të jetës së njeriut.
Profesore Sania, bashkëshortja e doktor Tafës tregon një rast të vitit të largët 1988. Ishte vjeshtë, një stinë ku era dhe shiu i linin vendin njeri tjetrit, apo shpesh dhe bëheshin bashkë. Gjethet e pemëve kishin humbur freskinë e dikurshme dhe binin një nga një. Një stinë e bukur, plot fruta, por dhe me shumë viroza e alergji të ndryshme. Dy fëmijët e çiftit ishin me kollë e temperaturë. U jepnim çaj dhe shurup dhe herë pas here u vinim termometrin. Shumë pak ndryshim kishin, ndaj e parashikonim një natë të vështirë. Kur ora po e kalonte nëntën, u dëgjuan trokitje në portë. Menduam se ishte era që frynte, por jo, trokitjet u bënë më të forta. Doktori hapi derën dhe dy burra u futën në sallon. Kishin një fëmijë të sëmurë në shtëpi dhe kërkonin doktorin të shkonte me ta.
-Nuk e sollëm këtu doktor, – tha njëri prej tyre, që me sa dukej qe babai. – Para pesë vitesh, këtu në spital ndërroi jetë djali i parë, ndaj dua të vish te shtëpia. Doktor Tafa mbeti në mëdyshje për një pjesë kohe. Nuk e dinte se sa kishte qenë ky segment, kur je nën presionin e kohës dhe duhet të marrësh vendime të mëdha. Nuk kishte lidhje kë të zgjidhte, jetën e fëmijëve të tij, gjendja e të cilëve mund të komplikohej në çdo çast, apo ti përgjigjej ftesës së atyre burrave , që e shihnin si shpëtimtar me sytë e tyre lutës? Tu thoshte që kam fëmijët e mi të sëmurë, ndoshta nuk do ta besonin. Fëmija e personit përballë ishte vetëm tre muajsh. Po nëse ai nuk shkonte dhe fëmija ndërronte jetë, a kishte më dinjitet njerëzor për ti dalë përpara? Kur e mori vendimin ca bula djerse i dolën në ballë.
Ashtu sfidant e altruist, si gjithmonë kishte zgjedhur tu shërbejë të tjerëve. Fëmijët e tij do ti linte nën kujdesin e të shoqes dhe infermieres së turnit. Doktori mori çantën e zezë, futi ilaçe e ndonjë serum në të dhe u nisën. Dera u mbyll dhe tre burrat u mbështollën nga errësira, që vështirë se çahej nga një fenerë dritëpakët që ata kishin marrë me vete. Në orën gjashtë të mëngjesit doktor Tafa u kthye në shtëpi. Dukej i lodhur e i pagjumë, por gëzimi që kishte shpëtuar fëmija ishte më i rëndësishëm për të. Menjëherë pyeti për fëmijët tanë dhe kur i pa disi më të qetë u lumturua akoma më shumë. Kjo ishte vetëm një grimcë nga ata mijërat që pati në jetë doktor Tafa e po ti bashkosh mund të bëhet një roman, aspak i trilluar e me fantazi, por mëse real, i shkruar me heroizëm e sakrifica të panumërta.
Vitet kalonin dhe doktor Tafa më së fundi pati luksin të punojë në spitalin e Peshkopisë. Tashmë ai kishte fituar një përvojë të vyer, falë praktikës e trajnimeve të shumta. Dibra kishte nevojë për infermierë e mami dhe doktori u vendos të ishte drejtor i këtyre kurseve e shkollave për specializimin e tyre, por njëkohësisht dhe në rolin e mësimdhënies. Profesionalizmi, aftësitë komunikuese dhe ndershmëria spikatën dhe njëherë akoma, duke shtuar pikë të reja në sivinë e doktorit që mbushej e mbushej .
Detyra dhe eksperienca të reja e presin akoma doktor Tafën. Shef shërbimi në poliklinikën e spitalit, inspektor i shëndetësisë në prefekturën e Dibrës e më pas drejtor i DSHP Dibër. Bilbil Hoxha, një nga bashkëpunëtorët e tij të dikurshëm, thotë se nuk mund të gjeje asnjë të çarë dhe asnjë mangësi në personalitetin e këtij njeriu të mrekullueshëm. Kudo fjalë të mira, kudo përkushtim, kudo vlerësime maksimale, për njeriun që sakrifikonte veten në shërbim të të tjerëve.
Vite më pas transferohet pranë A.R.Sh. së në Tiranë, si mjek pediatër për shkolla, kopshte e çerdhe. Ju përgjigj pa hezitim një kërkese për të punuar 6 muaj në Tropojë, dhe pse larg familjes, dhe pse tashmë mosha kishte ecur disi. Por tropojanët nuk e lëshuan për gjashtë muaj, e mbajtën gati dy vjet, duke përfituar shërbimet cilësore të doktor Tafës, këshillat e tij të vyera, fjalën e tij të ngrohtë.
Vitet ecnin pa u ndalur. Do të vinte një natë dimri e vitit 2010, kur zemra e tij pushoi. Ishte vetëm 57 vjeç, kur akoma shumë mund të jepte, kur akoma shumë jetë të tjera mund të shëronte. Ai kishte qenë vërtetë një qiri, që u kishte dhënë jetë të tjerëve duke konsumuar të tijën.

PPROFESORE SANIA

Ajo tashmë sapo ka dalë në pension dhe sërish i shkon mendja tek viti i largët 1984. Ishte viti, kur sapo qe diplomuar dhe dallgët e jetës e kishin përpirë, në përpjekje për të krijuar identitetin e saj. Kishte mbaruar në Shkodër për gjuhë e letërsi, në djepin e kulturës e të dijes. Do tu mësonte vogëlushëve gjuhën e bukur e të ëmbël, vargjet e Naimit, do t’u fliste për rilindasit e mëdhenj, do tu fuste në gjak dashurinë për librin, që më vonë të bëheshin dhe vetë shkrimtarë e krijues.
Filloi në shkollën e Sohodollit për tre vite e shumë shpejt e sheh veten si drejtoreshë në shkollën e Arrasit. Ishte vetëm 27 vjeç dhe kishte një kolektiv që dominohej nga burrat. Por ajo diti t’ia dalë mbanë , falë tolerancës, falë komunikimit njerëzor. Fitoi një eksperiencë që do ti duhej e do ti vlente gjithë jetës.
Pesë vjet të tjera jep mësim në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti”,tamam aty ku lindi e mori jetë epopeja e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Ajo i mëkoi mekëto histori të bukura e të lavdishme dhe nxënësit kurrë nuk i harruan rrënjët e tyre të ngulura thellë në këto troje. Tetë vite të tjera shërben si zv.drejtoreshë në shkollën 9 vjeçare “Selim Alliu” të qytetit të Peshkopisë, për tu larguar më pas, bashkë me familjen në Tiranë.
Ishte mbyllur një kapitull në vendlindje me plot mbresa, kujtime e arritje jo të pakta, me të cilat çdo kush do të ndjehej krenar. Ajo kishte kryer një sërë kualifikimesh e angazhimesh të tjera, jashtë procesit mësimor. Ishte trajnuar për metodat e reja të mësimdhënies, pranë organizatës “Save the children”. Ishte trajnuar për braktisjen e fshehtë të nxënësit dhe kishte fituar disa miniprojekte. Ishte angazhuar në zgjidhjen e problemeve të dhunës ndaj grave e fëmijëve, duke qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të tyre. Ku ishin krijesat e dobëta, do të ishte dhe ajo për ti mbrojtur.
Profesore Sania nuk mbeti vetëm në suazën e mësimdhënies, por u ngjit në një stad akoma më të lartë, si krijuese. Për vite me radhë ishte bashkëpunëtore aktive e gazetës “Dibra”. Në vitin 1997 sheh dritën e botimit libri i parë i saj me poezi, i titulluar “ Ëndrra të vrara”. Më pas shkruan “ Një buqetë për grup moshat” dhe vetëm para një viti, një tjetër libër me poezi, i titulluar “Të jesh grua”.
Jo më pak i vogël ishte kontributi i profesore Sanies në Tiranë. Punoi si mësuese gjuhe e letërsie në shkollat “Loudans”, “ Qazim Turdiu” dhe “ Kongresi i Lushnjes”. Nga viti 2010 dhe për shtatë vite në vazhdim shërbeu si drejtoreshë e kopështit privat “ Fluturat”.
Ne vetëm i cekëm shkurt këto stacione të jetës së saj, por secili prej tyre ka mbresat, kujtimet, historitë, gëzimet e trishtimet e veta specifike. Me siguri, profesorja me dellin e saj poetik, do ti sistemojë e do të na i japë në formën e një romani, që do të ketë shumë mesazhe për brezat e rinj.

PËRJETËSisHT BASHKË

Kur profesore Sania takoi për herë të parë doktor Tafën, iu duk se gjeti gjysmën tjetër të qenies së saj. Kishte qenë me një krah e tani i kishte të dy dhe kështu do të fluturonin së bashku në kohë e hapësirë. Të dy i kishte krijuar Zoti për të shëruar njerëzit, doktor Tafa për të shëruar trupin dhe ajo për të shëruar shpirtin njerëzor. Ardhja në jetë e fëmijëve e bëri akoma më të ngrohtë folenë që kishin krijuar.
Denisa e Darieli po rriteshin pak nga pak, silleshin mirë e mësonin shkëlqyeshëm, duke i bërë krenarë prindërit e tyre. Fotot e tyre kishin zënë vend në këndet e klasave ku mësonin, te tabela e më të dalluarve. Kështu ecën së bashku motër e vëlla, për tu ndarë vetëm nga profesionet që morën në jetë. Denisa studioi për psikologji, duke arritur me shumë meritë gradën e doktores së shkencave. Fati e njohu me Elvisin, me të njëjtin profesion dhe krijuan një familje të mrekullueshme me dy fëmijë po të tillë. Darieli ndoqi degën e administrim biznesit dhe tani punon te gjigandi i telefonisë “ Vodafon”.
Vazhdojnë plot energji në rrugën që u trasuan prindërit e tyre, duke i pasuar si modele të jetës. Por, dhjetë vite më parë, kur ata ishin akoma studentë, shpirti i babait të tyre fluturoi lart në qiell. Menduan se do tu mungonte, por jo.
Doktor Tafa është gjithnjë pranë familjes. Kudo nëpër shtëpi ka një pjesë të tijën, një dhuratë, një libër, një ditar, një fotografi. Në memoriet e tyre është trupi i tij, fytyra e qeshur, këshillat e vyera, duart që përkëdhelin. Profesore Sania ka shkruar disa poezi për bashkëshortin e saj, doktor Tafën. Ka dashur ta portretizojë, ta gdhendë në vargje, që të mos i ikë më e të jenë përjetësisht bashkë.

Shkëputur nga libri i autores Sanie Ndreka “Të jesh grua”

In memorie 4

Ka shekuj, bota është krijuar,
Kështu ka qenë, kështu do të jetë
Ku amanet një peng i madh
Ka për të mbetur në këtë jetë.

Gjithë jetën tënde ke dhuruar
Veç përkushtim e dashuri
Por ky dreq fati është i shkruar
Nga hera bën dhe ironi

Gjithë jetën tënde ke shëruar
Mrekullisht, engjëj fëmijë
Po ja që fati kaq tinzar
Ndonjëherë është dhe fat i zi.

Nëse një fjalë të fundit do më thoje
Këtë mundesha veç ta di
Apo m’i the gjatë gjithë jetës,
Ashtu siç dije vetëm Ti.

E di ç’kam humbur, mirë e di,
Ka bota gra e burra plot
Ar, smerald, margaritar.
Por unë kam humbur një thesar.

Që jeta ka dhe një fund
Kush lind, fort mirë këtë e di
Të na mbeten të shtrenjtat kujtime
Dhe dashuri në përjetësi!