Propozim:
Dibra, e Madhja dhe e Vogla, në nevojën për bashkim


E kam jetuar vrullshëm jetën në Dibër, ku linda një ditë maji 1941, ku punova me përkushtim e dashuri, ku brodha nga Llanga në Draj Reç e Mërkurth të Lurës, ku derdha shpirtin tim në shkrime që do të desha ti mbledh një ditë bashkë në libra, ku fiksova në celuloid mijëra e mijëra pamje, njerëz e evenimente historike, ku më se dhjetëmijë prej negativëve kam arritur ti fusë në një arkiv vetjak. Dibra ku ika prej dhunës të forcave të egra që erdhën në pushtet, ka qenë edhe në këtë një çerek shekulli  mërgim, në mendjen time, në shpirtin tim, në krijimtarinë time.

Po jo vetëm ajo, edhe “koka e ndarë” e saj, Dibra e Madhe, qendrën e së cilës e kanë pas në pronësi me troje të lashta paraardhësit e bashkëshortes sime, Sheh Hysen Kuçi, shoqërues i Amdyl Frashërit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 100 vjetorit të saj, pushkatuar nga serbi më 22 shtator 1913 si pjesëmarrës dhe organizator i kryengritjes popullore dibrane…

Kërkimet në shtypin e kohës dhe në arkiva më afruan me Dibrën, ma bënë ëndërr të jetës sime për të shkuar një ditë…

Dhe shkova një ditë maji 1991, si gazetar shoqërues i skuadrës së futbollit “Korabi”…

Dhe shkova një “Ditë Bajrami” masivisht me mijëra dibranë…

Më pritën bashkë me bashkëshorten dhe fëmijët njerëz të një gjaku…

I prita me dashuri e respekt në kthimin e tyre masiv në Peshkopi…

Ajo që nuk do ta harroj kurrë është 13 dhjetori i vitit 1992, Dita e Bashkimit Shpirtërorë të dy Dibrave, vendosja e pikë kalimeve përkatëse kufitare.

Nga ajo ditë nuk ka dhe nuk do të ketë udhëtim “480 kilometra” por vetën “8 kilometra” për të shkuar e për të ardhë nga Peshkopia dhe Dibra e Madhe.

Ajo thënia popullore e “zierjes së jufkave në Peshkopi dhe ngrënia të nxehta me njerëz të gjakut në Dibër të Madhe,” atë ditë u bë realitet.

Atë ditë e përcolla në shtyp në një reportazh që më doli nga shpirti…

Më vjen keq që filmin ku fiksova fotografitë e asaj ditë të shënuar nuk e gjej midis dhjetëmijë negativëve që kam skanuar. Mbase ka humbur përgjithnjë së bashku edhe me shumë negativë të tjerë.

Por ngushëllohem me mbi 100 fotografi që kam fiksuar në ndeshjet e “Dy Korabëve” në Peshkopi dhe në Dibër të Madhe.

 

13 DHJETORI 1992, SI NJË FESTË E PËRHERSHME POPULLORE MBARËDIBRANE

Për mendimin tim 13 dhjetori 1992 mund e duhet të shndërrohet në një FESTË E PËRHERSHME POPULLORE MBARËDIBRANE.

Mbase mund ta quajmë “BASHKIMI DIBRAN”, nisur edhe nga një shoqatë dibrane me të njëjtin emër e vitit 1921, statuti i së cilës gjendet në bibliotekën e Peshkopisë.

Vendimi mendoj se duhet të dalë nga mbledhjet e këshillave bashkiake e komunale të Dibrës (Peshkopi) dhe Dibrës së Madhe (Maqedoni) mbase në një mbledhje të përbashkët pikërisht në pikë lidhjen e dy Dibrave.

Vendimi duhet të gjejë përkrahjen e pushtetit në Shqipëri dhe në Maqedoni për të qenë si detyrim e mbështetje zyrtare.

Vendimi duhet komunikuar në masmedie të të dy vendeve.

Në vijën e kalimit kufitar, pikërisht në lartësi të përroit që ndante dy Dibrat (e që u mbush me zhavorr e tokë të virgjër, një gjë e bukur dhe domethënëse kjo) të vendoset një memorial i lartë që të simbolizojë atë ditë por edhe të flasë me gjuhën e bashkimit përfundimtar të dy Dibrave e të shqiptarëve nën Maqedoni.

Në ditën e caktuar të mblidhen mijëra banorë dibranë të të dy krahëve dhe të kalojnë lirshëm drejt Peshkopisë e Dibrës së Madhe, si një herë e një kohë, si atë ditë të 13 dhjetorit 1992.

Atë ditë të organizohet nga të dy anët “PANAIRI DIBRAN” me prodhime bujqësore, blegtorale, industriale, artizanale etj. dhe mallrat me pakicë të kalojnë në të dy krahët pa doganë.

Atë ditë grupet e përbashkëta kulturore të zhvillojnë veprimtari të gjera kulturore e artistik, në kufi por edhe në pallatet përkatëse të kulturës në të dy qytetet.

Ajo ditë duhet të shoqërohet me një ekspozitë të arteve figurative e fotografike.

Atë ditë në Dibër ose në Peshkopi duhet të bëhet një ndeshje midis dy skuadrave futbollistike respektive.

Atë ditë dy skuadra alpinistësh duhet të ngjiten nga të dyja anët e maleve dhe të takohen në kufi ose në manastirin që ndodhet atje.

Unë do të përgatis një ekspozitë fotografike me pamje nga takimi futbollistik  i “Dy Korab-ëve”.

Po mu krijua hapësirë kërkimi mund të përgatisë edhe një libër kushtuar bashkimit.

Atë ditë të ndahen çmime simbolike për persona që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm të Dibrës mbarë.

Në Këshllanë e  Dibrës së Madhe, në ditën e kryengritjes dibrane kundër serbit, më 22 shtator 1913 janë pushkatuar 5 vetë nga paria e Dibrës. Emrat e tyre janë përmendur nga gazeta “Përlindja e Shqipnies” (“Më parë se të vijnë luftëtarët në Dibër, – shkruan gazeta “Përlindja e Shqipërisë” Nr.13 Vjeshtë e Parë -1913 ushtria serbe burgoi tetëdhet veta nga parësia e vendit, me qëllim që t’i vrasin dhe të nesërmen. Kur u rradhuan për me i plumbos, i arritën Malësorët, andaj s’munden me i vra të gjithë, por veç pesë shpirt.

Këta janë ata që ranë dëshmorë për lirimin e atdheut të vet, të cilëve historia meriton t’i shkruaj emnat e tyne për një kujtim të përjetshëm: Sheh Hyseni, Sadullah Strazimiri, Ramiz beu, Karafil beu, Numan Efendiu. U ndrittë shpirti”) dhe në shumë gazeta të kohës. Për nder të tyre të planifikohet ngritja e një memoriali ku të përjetohen betejat dibrane për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Një shkollë apo institucion në Peshkopi apo Dibër të marrë emrat e tyre.

Këto janë mendimet e mija shkruar “me vrap”. Shpresoj që ata të zgjerohen në procesin e vënies në jetë të nismës.

Koha e shkurtër, koronavirusi mbase për këtë vit nuk mund të bëhet një festë e madhe popullore.

Një festë me përmasa të mëdha duhet të organizohet në dhjetorin e vitit tjetër por hapat duhen nisur pa humbur kohë.

Abdurahim Ashiku

23 shtator 2020