Banorët e Maqellarës kërkojnë ujë për vaditje


Më shumë se 300 banorë të zonës së Maqellarës kanë nënshkruar një peticion drejtuar Bashkisë së Dibrës me kërkesën e tyre për përmirësimin e situatës së vaditjes së tokave bujqësore. Në këtë peticion banorët kanë ngritur shqetësimin e kahershëm të tyre për mungesën e ujit vaditës, keqmenaxhimin e rezervuarëve dhe burimeve të tjera ujore, mungesën e ndërhyrjes së bashkisë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e veprave ujitëse, dhe keqadministrimin e ujit vaditës.
Bujqit e 22 fshatrave të Maqellarës edhe këtë sezon veror u përballën me vështirësitë në vaditjen e tokës bujqësore, nga ku rendimenti u ul me të paktën 30% dhe cilësia e produktit nuk është në nivelin e kërkuar nga tregu, duke krijuar një ulje të kërkesës së tregut për produktet e tyre. Kjo situatë ka ndikuar që të ardhurat për familjet e fermerëve të jenë më të ulta se vitet e tjera nga bujqësia, të cilët këtë vit i kishin sytë nga prodhimi vendas pasi dhe të ardhurat nga emigrimi ishin të ulta për shkak të krizës së pandemisë ‘Covid19’.
Banorët e Maqellarës ndër vite kanë ngritur shqetësimin e tyre tek organet vendimmarrëse për ujin vaditës, por reagimi i tyre ka qenë heshtja dhe neglizhenca duke u mjaftuar me premtime elektorale të pambajtura, fonde që nuk dihet ku shkojnë, dhe njerëz që marrin pagat pa ditur vendin e punës dhe nga bien liqenet e Maqellarës.
Përballë një situate të tillë, Behar Dema së bashku me një grup nismëtarësh banorë të Maqellarës, ndërmorën një fushatë të gjerë advokimi që kërkesat e banorëve të mos jenë zë i humbur në “koshin e kërkesave” drejtuar bashkisë së Dibrës. Me fakte dhe të dhëna konkrete të mbledhura nga terreni dhe shembuj konkret nga fermerët, ato u rropatën dyerve të bashkisë duke bërë takime me përfaqësuesit më të lartë që punojnë në departamentin e bujqësisë, zyrat e financave, sektorin e vaditjes dhe anëtarë të këshillit bashkiak. Mungesa e dëshirës, neglizhenca, prepotenca, dhe paaftësia e stafit të bashkisë për të dhënë zgjidhje problemit nuk i demoralizuan grupin nismëtarë që të mos rreshtin së kërkuari të drejtën e tyre në mënyra të tjera. Mbështetja e gjerë që kërkesa e tyre ka gjetur te opinioni publik, që në mënyrë të vazhdueshme shprehen me postime dhe mesazhe në rrjetet sociale dhe median lokale, janë një shtysë që Behari dhe grupi nismëtarë ta vazhdojnë nismën e marrë deri në përmbushjen e saj.
“Jemi në të drejtën tonë” thotë Behari, pasi të gjitha kërkesat janë sipas kuadrit ligjor, sipas detyrave funksionale të Bashkisë, teknikisht të zgjidhura me eficencë dhe të realizueshme, dhe me një ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhurat e familjeve të fermerëve, atëherë përse mos përmbushen këto kërkesa? Arsyja është shumë e thjeshtë, që punonjësit e Bashkisë Dibër nuk punojnë dhe fondet shpërdorohen në projekte të mëdha me shumë donatorë apo për dieta e blerje të vogla që përdoren për të kënaqur nëpunësit e vegjël.”
Peticioni i nënshkruar nga 300 banorët, është një dokument që i jep më shumë mbështetje Beharit dhe grupit nismëtarë për të rritur presionin tek autoritet vendore dhe drejtuesit e Bashkisë Dibër, të cilët jo vetëm publikisht por edhe ligjërisht (sipas nenit 19 të ligjit 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore: “E drejta e kërkesës, ankesës dhe vërejtjes”, janë të detyruar të kthejnë përgjigje kërkesave të banorëve të Maqellarës, të cilat përmblidhen në këtë peticion, duke kërkuar Bashkisë Dibër që të marrë këto masa ndërhyrje:
• Të marrë masa për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave vaditës,
• Te ndërhyjë sa me shpejt në pastrimin dhe vënien në eficiencë të te plotë te dy liqeneve në Maqellarë dhe Vojnik aktualisht jashtë funksioni;
• Te marrë masa për mos shkarkimin e ujërave të zeza në liqenin e Vojnikës pasi aty pranë është dhe objekti i shkollës fillore të tre fshatrave;
• Të ndërhyj në mos përdorimin nga ana e fermerëve si ujë vaditës kanalet e zeza të fshatit Maqellarë, duke sjellë ndotje të ujit të pijshëm të dy fshatrave të tjerë kjo e nxjerrë dhe nga analizat e kryera nga Drejtoria e Higjienës Dibër;
• Të garantojë me vendim të këshillit Bashkiak realizimin e pikave të mësipërme.
Për çdo institucion vendorë kërkesat e banorëve të Maqellarës do ishin të realizueshme, aq më pak për Bashkinë, që përveç fondeve nga qeveria qendrore, arkëton edhe fondet nga taksat vendore, duke e vënë edhe para një detyrim moral jo vetëm zyrtar.
Kërkesat e banorëve të Maqellarës janë shumë reale dhe të realizueshme, por ato duan dëshirën e mirë të bashkëpunimit të drejtuesve të Bashkisë Dibër dhe angazhim të punonjësve të departamenteve dhe sektorëve që merren me bujqësinë dhe shërbimet që këto kërkesa të realizohen.
Nisma e banorëve të Maqellarës me mbështetjen nga opinioni publik, dhe media sociale dhe lokale do të detyrojnë që dyert e zyrave të Bashkisë Dibër mos jenë të mbyllura për qytetarët por të jenë vendi ku zgjidhen hallet e komunitetit dhe merren shërbimet më të mëdha publike.
Nisma “Liqenet funksionale ndihmë për Maqellarën” po kërkon që jo vetëm të angazhojë qytetarët në ngritjen e zërit të tyre për të kërkuar ujin vaditës, por edhe punonjësit e Bashkisë të dialogojnë dhe punojnë për zgjidhjen e shqetësimeve të banorëve të saj. Kjo është diçka e re që po ndodh në Bashkinë Dibër, por një shembull i mirë se si banorët duhet të angazhohen që të kërkojnë të drejtat e tyre.
Ky peticion është ndërmarë në kuadër të nismë “Liqenet funksionale – ndihmë për Maqellarën”, financuar nga LëvizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC. Korresp. Rr.A.