Caje Poleshi, zëri i artë i këngës së pastër shqipe


Ishin fillimvitet ’70-ta kur u riaktivizua shoqëria artistike e Zall Dardhës së Peshkopisë, në të cilën u shquan shumë artistë, këngëtarë e valltarë. Ndër më të shquarit, u përzgjodh adoleshentja Caje Poleshi. Ajo u lind më 6 shkurt të vitit 1957 në një familje me tradita të Zall Dardhës. Talenti i saj u çmua gjatë shkollimit të mesëm në Vlorë, ku kishte filluar të studiojë për mjekësi. Për veçantitë e zërit të saj embëltues, Caja u zgjodh si solistja më e mirë e të gjitha shkollave të mesme. Kështu, u punësua si ndihmës mjeke në Zall Dardhë, ku u aktivizua me grupet artistike të vendit. Menjëherë, në vitin 1978 mori ftesë për t’u paraqitur në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me këngën “O mirë se na erdhe”. Tekstin e punoi Naim Plaku dhe muzikën Përparim Tomçini. Kënga u bë një himn për një kohë të shkurtër, andaj presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroi me urdhrin “Naim Frashëri”. E tillë vazhdon të jetë jehona e kësaj kënge edhe ditët e sotme. Fill pas këtij suksesi, Cajen e punësojnë në spitalin e Peshkopisë ku punoi për 8 vjet. Në ndërkohë, u aktivizua me ansamblin Dibra dhe estradën e Peshkopisë, ku nga viti 1980 për një vit, ka kryer kursin e kantos në Tiranë, me profesorë të shquar të artit shqiptar, si Çesk Zadeja, Luçie Miloti, Naile Hoxha etj. Në këtë kohë, u antarësua në Ansamblin e Shtetit me të cilët merr pjesë në shumë shfaqje artistike. Me ansamblin “Migjeni” mori pjesë në “Dekadat e Majit”, ku u afirmua edhe më gjerë me publikun.
Në vitin 1982 merr pjesë në Festivalin e Këngës së Përpunuar qytetare në Tiranë me këngën “Oj zogo”. Kënga “Oj zogo” është këngë dasme dibrane, e përpunuar nga artisti i popullit Çesk Zadeja, me të cilën Caja mori vendin e dytë. Në vitin 1983, përsëri në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës mori pjesë me këngën “Hanza e Korabit” me tekst të Naim Plakut dhe muzikë të Përparim Tomçinit. Me këtë këngë u akordua me Urdhrin “Naim Frashëri”. Me ansamblin “Dardania” mori pjesë në shumë koncerte në Amerikë e Evropë, ku duartrokitjet ishin të panumërta kur zëri i Cajes pushtonte skenën.
Ka bashkëpunuar me autorët e teksteve dhe muzikologët më të mirë shqiptarë siç janë Çesk Zadeja, Gjok Beci, Naim Plaku, Agim Doçi, Përparim Tomçini, Edmond Zhulali etj. Albumi i realizuar vite më parë rezultoi tepër i suksesshëm, duke pasur shpërndarje të mëdha, ku ishin të përfshira mbi 10 këngë dibrane.
Janë me qindra dhe mijëra daljet skenike të saj nëpër mbarë botën, andaj, muajin e kaluar nga Presidenti i vendit u dekorua me titulli “Mjeshtër i madh” për merita të veçanta në artin e këngës burimore shqipe.
Vlerat e saj janë të shumta, mbi të gjitha ajo ka një zemër aq të madhe, duke rrezatuar vetëm pozivitet te njerëzit.
Talenti i saj i faktuar nga profesorët e saj dhe të gjithë ata që e njohin, i vuri vulë këngës së bukur dibrane të cilën e kultivon për më shumë se katër dekada. Jeton dhe vepron në Tiranë, bashkë me familjen e saj të mrekullueshme.