Kur po shkriheshin akujt


Kryetari Astrit Kuka ishte djali i Ziqe Kukës, një njeri i nderuar në Peshkopi, punonjës gjithë jetën në spital. Ziqja kishte ponuar kryeinfermier, por njerëzit e tjeshtë i thërrisnin:”Doktor Ziqja”. I sjellshëm, i qetë dhe i pangutur, tolerant, një ekonomist shumë i mirë, me Astritin merreshe vesh. Kishte mbetur Astriti në themel të vlerave të familjes. Po kështu, edhe sekretari Fitim Mata, me profesionin ingjinier, i cili mbulonte arsimin dhe kulturën, ishte njeri me kulturë dhe një sens të gjërë mirëkuptimi. Pavarësisht se vinim nga parti opozitare, ne këshilloheshim dhe përpiqeshim të ruanim barazpeshën drejtuese. Pa një stabilitet mes nesh nuk mund të kishte stabilitet social, ekonomik dhe politik poshtë në institucione dhe popull. Për fat të mirë, komiteti ynë pluralist i stabilitetit nuk ishte i përçarë e shamatosur që pastaj të mbetej vetëm dekor dhe në përmbajtje të ishte një shportë me grenëza.
-Atje në Luzni janë bërë lëmsh. A po shkon, se je edhe nga ato anë dhe ua din më mirë gjuhën?Vetëm se kjo është urgjente. Më mori në telefon kryetari i Luznisë, -më thotë Astriti.
Atë pasdite vonë, mora rrugën për Luzni, që kalonte nga Muhurri, anës Drinit. Në anën e djathttë ngriheshin brinja të hirëta, vende-vende mbuluar me dushqe deri në lartësinë e Mollës së Hoxhe. Më tej ishin disa brezare, që kishte çelur ndërmarrja pyjore duke shkulur dushqet. Brezaret kishin ngelur si vija alienësh, ishin kthyer në bokërrima. Sekush kishte nxjerrë idenë për të shpyllëzuar këto vise për t’i kthyer në kullota. As kullota, as pyll. Toka u ça dhe dheu ra në përrua e në Drin. Pikërisht këtu, para disa javësh, një makinë me ndihma humanitare mbushur me miell u grabit. Luznakët e katundeve të epëra i zunë rrugën, e shkarkuan dhe ikën lart me thasët e miellit mbi shpinë.
Gropë më gropë e kanaleve të rrugës të hapura nga shirat e përrenjtë,mbërrij te lagja e parë e Katundit të Ri. Sapo kaloj shtëpitë e Puliçëve, te një shpat pranë përroit, shoh një numër të madh luznakësh burra, gra e fëmijë, si të ishte një panair. Po prishnin stallat e blegtorisë. Lopët i kishin rrëmbyer kush dy, kush një e kush asnjë. Kishin sistemuar anash tjergullat. Vazhdonin të ulnin trarët e çative. Shoferi i ra borisë. Para nesh në xhade kishte zënë rrugën një grua, bashkë me vajzën e saj 12-13 vjeçare. Po tërhiqnin me mundim të madh një peshore hekuri nga ato të mëdhatë, që ishte përdorur te stallat për peshimin e koncentratit për ushqimin e lopëve. Dukeshin si dy milingona me një kokërr të madhe gruri, ngre e rrëzou drejt folesë. Edhe ata po e çonin peshoren në shtëpi duke e tërhequr zvarrë, por tehet e hekurit nguleshin në tokë dhe stërmundoheshin. Atë hekur kishin mundur të kapnin në atë zallamahi bastisëse te stallat.
Mespërmes fshatit dolëm te një shesh, ku ishin zyrat administrative të Luznisë. Edhe aty ishin mbledhur mjaft njerëz. Kalova mes tyre dhe u futa në zyrën e këshillit popullor pluralist. Kryetari Rrem Colja më pa me indiferencë dhe sa lëvizi pak me përtesë kur i zgjata dorën. Ai ishte përfaqësues i PS dhe, me sa duket, pas alarmit që kishte dhënë,priste ndonjë tjetër nga rrethi, jo mua. Njerëzit, që ishin në zyrë, u përvitën disi, por asnjëri nuk doli jasht. Ata i gjeta në një debat të nxehtë, por tani e ndërprenë sherrin dhe po prisnin. Panë dhe makinën jasht dhe menduan se ky do jetë dikush. Pastaj e morën vesh se kush isha.
Sapo nisa të pyesja se çfar kishte ngjarë, një fshatar ia behu në derë:
-I vunë drynin dyqanit. E mshellën!
-Kush e mbylli?-e pyes.
-Pronari i tokës.
-Edhe mulliri nuk punon, e kanë mshelun, -më drejtohet njëri prej atyre, që ishin brenda në zyrën e Rremit.
-Po mullirin përse?
-Kan prerë vijën e ujit.
-Ç’patën me vijën e ujit?
-Vijën e ujit, zoti nënkryetar, e ndalën, sepse ai, që kishte mullirin i zuri rrugën atij, që vija e ujit kalonte nëpër tokën e tij. Dhe rrugën ia zuri ditën e dasmës.
Emëra nuk përmendi asnjëri.
-Po ju çfar bëni kështu, i keni hapur luftë njëritjetrit?-u drejtohem me vështrim pyetës.
-Bini policinë këtu, të futen në burg ngatërrestarët, merrni masa se jemi keq!
U mendova një copë herë. Luznakët i prisnin fjalën njeritjetrit, Rrem Colen nuk e dëgjonte njeri, as që e kishin në defter. Ndofta edhe fjalët e mia u hynin në njërin vesh dhe u dilnin në tjetrin. I kishte kapur inati me shoqishoqin. U duhej gjetur gjuha, përndryshe,çdo fjalë ishte e kotë.
-Dëgjoni këtu!-e ngrita pak zërin. Heshtën menjëherë. -Kam një propozim edhe unë. Dilni e prishni edhe çatitë dhe shtëpitë dhe pastaj hajdeni te Komiteti në Peshkopi, se do ju biem çadra e të dilni e të jetoni në zhure të Drinit!
Dola, i hypa makinës, dhe u largova atë mbrëmje nga Katundi i Ri i molepsur në ngatërresa të vjetëra. As të nesërmen, as javë më vonë, nuk morëm ndonjë lajm shqetësues nga Luznia. Ishin marrë vesh. Edhe dyqani ishte hapur, edhe mulliri punonte, edhe rruga ishte çelur. Me sa duket, kishin thirrë traditën shekullore të bashkëjetesës dhe ajo i kishte pajtuar e kthyer në rrugën e Zotit.

Kjo detyrë më njohu me shumë njerëz. Një ditë troket në zyrën time Osman Vladi. Dukej që në pamje dhe lëvizje se ishte një burrë i urtë, i qetë. Fliste ngadalë, sikur i peshonte fjalët. Më parë kishte qënë drejtor i shkollës 9-vjeçare.
-Jam kryetari i këshillit popullor të Arrëmollës, -e nisi bisedën. -Kemi një hall të madh, bagëtitë e koperativës i kanë marrë barinjtë dhe do miq të tyre, populli, shumica, nuk kanë marrë asnjë bisht.
-Pse nuk krijuat një komision dhe t’i ndanit?
-E kemi krijuar, por nuk pyet kush komisionin, – më thotë Osmani.
-Çfar kërkon nga unë?
-Të vijë një komision nga rrethi, të ndërhyjë ndofta edhe policia dhe të zgjidhet kjo punë. Njerëzit janë shumë të acaruar, bagëtitë janë djersa e të gjithëve.
-Mirë zoti Osman, do ta shohim se çfar mund të bëjmë, -i them dhe Osmani largohet.
Unë as që u mora me atë gjë. Na binin njëqind lodra në kokë, le të merreshin vesh vetë me njeritjetrin. Por Osmani, edhe pse kishte lodhje të madhe ardhja nga Arrmolla, me orë të tëra më këmbë deri në Reç, erdhi përsëri. E përcolla duke i thënë afërsisht të njëjtat fjalë. Por ai erdhi sërish. Herën e tretë i drejtohem:
-A keni lista kur u krijua koperativa në 1967-tën Osman?
-Jo, nuk kemi, as që bëhet fjalë!Çfarë listash?
-Po, ja, njeri ka futur në koperativë njëqint berra, tjetri shtatë, njeri dy pendë qe, tjetri fare, njeri tridhjetë dynymë tokë, tjetri katër. . . Çdo gjë u zerua në atë kohë, u kalua në barazitizëm, quaje konfiskim. Apo jo?
-Ku don të dalësh, zoti nënkryetar?
-Osman, miku im, vërtet mendon se një ekonomi, që u krijua me padrejtësi, sot,pa asnjë letër të themelimit, do të shkatërrohet me drejtësi?
Osman Vladi më hodhi vështrimin e tij kuptimplotë. As ai nuk erdhi më për këtë punë, as unë nuk dëgjova se si vajti filli i ndarjes së bagëtive në Arrmollë.
Sinan Kadriu erdhi nga Dohoshishti, një fshat ngjitur me Peshkopinë. Dohoshishti ishte sektor i ndërmarrjes bujqësore.
-Sillen lloj-lloj hajdutësh e kopilësh rreth stallave të lopëve, janë tuj na i marrë lopët. Po bëjmë roje vetë, se NB-ja nuk merr frymë kërkund. Kanë mbetur lopët si mall pa zot, – më thotë. Sinani ishte një burrë zeshkan, rreth të 60-tave. Duhet thënë se lopët e Fermës, siç njihej popullorçe NB-ja, ishin lopë race, shumë të mira. Nuk ishin si lopët kockë e lëkurë të koperativave.
-A ke ndonjë mendim zoti Sinan se çfar mund të bëjmë?
-Prandaj erdha, ta bisedojmë. Lopët janë edhe pa ushqim. Nuk ka kush merret me ta. Brigada e foragjereve nuk egziston. . . Nuk e di ç’të të them!
-Me ligj Ferma nuk është prishur, -i them.
-Por ligji nuk thotë që lopët të ngordhin për të ngrënë, apo të na i vjedhin. Kemi marrë jonxhë e kashtë nga shtëpitë tona, por kjo punë kështu nuk mund të shkojë gjatë. Unë, që kur u nisa për këtu, erdha me një mendim, -vazhdoi Sinani.
-Hëë!
-Unë them të krijojmë një komision si fshat dhe t’i shpërndajmë lopët nëpër familje. Po qe se Ferma ngrihet më këmbë, lopët aty janë.
-Kështu bëje. U thuaj se ke edhe miratimin tim.
Një të thënë e një të bërë, Sinani e kreu atë punë po atë ditë. Lopët u shpërndanë, stalla e Fermës u zbraz.
Të nesërmen vjen në zyrë sërish Sinani, që në mëngjes. E kishin raportuar dhe e kërkonte prokurori i rrethit për ta proceduar, sepse kishte cënuar pronën shtetërore. Marr në telefon kryeprokurorin dhe i shpjegoj çeshtjen.
-Po qe se duhet, ua sjell edhe me shkrim, -i them.
Lopët shpëtuan. Shumë pak ditë kaluan dhe Ferma mori rrokullimën në përrua. Tufat me lopë në Zall Sinjë dhe Kastriot u rrëmbyen natën dhe përfunduan pa nam e pa nishan. Kjo vinte sipas metodës:”Tërhiq e mos e këput”. Edhe thuhej se NB-ja nuk është prishur me ligj, edhe në fakt ajo nuk egzistonte,ishte fundosur në batak.

Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë në atë kohë, me vendim unanim të deputetëve të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, mori vendimin më 17 korrik 1991 për ndarjen e tokës së koperativave bujqësore për frymë, sipas Komisionit të Ndarjes së Tokave në çdo njësi. Ne, pasi e rrahëm si çeshtje njeri me tjetrin, si Komitet Drejtues i degës vendore të PD në Dibër, ishim kundër këtij ligji. Qëndrimin dhe protestën tonë ia dërguam me një letër edhe kryesisë së PD në Tiranë. Reagimi gojor ishte se ju duhet të zbatoni ligjin. Ne ishim të prerë për moszbatimin e këtij ligji, secili fshatar apo qytetar do të merrte pronën e tij.

Atë pasdite na erdhi një ftesë nga Shyqyri Begu në fshatin Vakuf. Kishte për darkë Azem Hajdarin. Nëpër mbrëmje, një grup me Safet Zhulalin përpara, u gjendëm te oborri i Begut të Vakufit. Shyqyriut i kishte hija mikpritja. Me atë qeleshen e bardhë, që nuk e hiqte asnjëherë nga koka dhe që i shkonte shumë, na heq përpara te oda e miqëve, ku ishte Azemi, i cili ishte ulur në një kolltuk tek. Dukej mjaft i lodhur, barku sikur i kishte kërcyer,ishte shëndoshur. Ndofta nga pagjumësia, nga lodhja, nga gjumi i prishur apo shrregullimi i orarit të ngrënies. Azemi ishte djalë i ri dhe me energji të jashtëzakonshme. Lëvizja dhe prania e tij në atë kohë përbënte ngjarje, ishte në vëmëndjen e të gjithëve.
Nisëm mes nesh një debat për tokën. Azemin sikur po e përkundnim dhe e vumë në gjumë. Me shumë zor i çilte sytë nganjëherë, pastaj i mbylleshin përsëri si me darë. Por erdhi një çast që Lideri i Dhjetorit e shkundi lodhjen, u drejtua dhe u ftillua.
-Dëgjoni këtu!Kush të dojë të rrijë me PD, kush të dojë të shkojë me parti të tjera!Ky është ligji dhe do zbatohet!-tha Azemi sikur të kishte qënë një dëgjues i vëmendshëm gjatë gjithë kohës kur rrinte me sytë mbyllur.
Nuk më erdhi mirë një shpërthim i tillë, sepse foli sikur PD-ja të ishte një ndërmarrje dhe ai drejtori. Por, të gjithë u hoqëm sikur ai nuk tha asgjë. Ndofta ashtu i takonte të thoshte, ndofta e kishte bindje. U ndërrua biseda në gjëra të tjera më shlodhëse. Këtë dinte ta bënte aq mirë dhe me art i zoti i shtëpisë Shyqyri Begu.

Nuk mund të mbeteshe jasht nga vorbulla, që krijoi ligji 7501. Kishte disa me pak tokë, që e kishin qejf këtë ligj. Por ata ishin tepër të pakët dhe po shuheshin dalëngadalë.
Shitoret në katet e para të pallateve të qytetit të Peshkopisë u privatizuan duke i marrë shitësit. Pronarët e tokës dyndeshin në zyrat tona duke kërkuar të drejtën e tyre si pronarë të tokës.
-Kur të dalë ligji, do të kompensoheni, -ishte përgjigja jonë. Mirëpo një ligj i tillë as që dukej në horizont.

Para meje paraqitet një fshatar nga Kovashica e Shupenzës, me mbiemërin Toçi. Lëvizte me duar e me këmbë, dukej mjaft i gajledisur. Hidhte fjalë e batuta për moszbatim ligji, sikur fliste me vete, por me zë të lart.
-Pse ke ardhur?-i them.
-Po ja, ju të PD-së nuk njihni ligjin. . .
-Shko e tako kryetarin, sepse është i PS-së, pse vjen tek unë?
-Vij te ju, se ju po pyeteni, se ata nuk po i njeh kush. . . -filloi Toçi duke folur shpejt e papushim. Ishte mjaft llafazan ose i gojës-të themi, por ky ishte tipi i tij, pak rëndësi kishte.
-Ulu, -i them, -sepse nuk mund të ndahet kanuni mbi kalë.
Toçi ulet.
-Si është puna?
-Tokën që më dha koperativa poshtë shtëpisë ma ka bllokuar një shoq emi si pronari i tokës. Ligji ma dha mua, ai më ka vënë gardhin, vetëm duhet me u vra me të!
-Po shtëpinë?-e pyes.
-Shtëpinë dhe një rryp toke janë në tokën time para kolektivizimit.
-A ke tokë tënden nga babai, që e ke pasur pronë dikur?
-Kam, por ajo është poshtë, te kthesa e rrugës, atje ku është një mulli, afër Okshatinës. Atë tokë le ta marrë kush të dojë, e kam larg. Unë e dua tokën rreth shtëpisë, që ma ka pas dhanë koprativa, por edhe sipa ligjit sot.
-Me që erdhe para meje, unë të këshilloj të shkosh e të marrësh tokën që të ka lënë babai. Secili të marrë pronën e vetë, – i them.
Toçi u hodh më këmbë:
-Kështu thua ti?!
-Kështu them.
-Ke ardhur në këtë karrige për të mos zbatuar ligjet e shtetit?
-Këtë ligjin për të marrë pronën e tjetrit, nuk e zbatoj!-i them.
Toçi iku pa u përshëndetur, duke përplasur derën.
Pas dy javësh, Astriti, kryetari, më pyet te zyra e tij. Unë po qëndroja më këmbë, nuk më kujtohet se për çfar po këshilloheshim.
-A ishte një fshatar nga Shupenza një ditë tek zyra jote?
-Nuk më kujtohet. . .
-Njëri, që kishte biseduar për ligjin e tokës. ..
-Po, . . . më duket ishte nga Kovashica.
-I ka bërë letër kryeministrit Ylli Bufi dhe ai e ka kthyer me një shënim.
-Hahaha!Çfar thotë?
Astriti tërhoqi përgjysëm syrtarin e tavolinës para vetes dhe shletoi letrën,pa e nxjerrë jasht.
-Ai ka thënë. . . ti i ke thënë. . . Ai ka thënë. Ti i je përgjigjur. . . -vazhdoi Astriti të lexonte ankesën e tij te Kryeministri.
-Ky Toçi e paska një të mirë. -i them. -Të gjitha sa shkruan janë të vërteta. Ta shoh letrën?
-Lëre, lëre, -tha Astriti, -nuk ke çfar i sheh.
E kuptova se nuk donte të shihnja shënimin e Kryeministrit.

Te dera e Komitetit jasht ishin një grup fshatarësh.
-Duan takim me zëvendëskryetarin, -më tha nëpunësi i rojes- janë nga Maqellara.
Dola dhe i takova dhe, bashkë me ta, u ngjitëm në zyrë.
-Ne jemi komisione të ndarjes së tokave mes fshatrave Pocest e Katund i Vogël, -mu paraqitën.
-Po e ndani tokën?-i pyes.
-Po e ndajmë, sekush në tokën e vetë.
-Pse paskeni ardhur atëhere?
-Na ka hasur sharra në gozhdë me ndarjen e tokës mes dy fshatrave. Këta të Katundit të Vogël e duan ndarjen për përroi, sepse aty ndahet sektori i koprativs, -thotë një i Pocestit.
-Si ka qënë ndarja e vjetër, para koperativës?-i pyes.
-Nuk ka qënë për përroi.
– Do ta bëni ndarjen atje ku ka qënë kufiri i vjetër mes fshatrave, ky është mendimi im-u them.
Pa asnjë debat të mëtejshëm, për pesë minuta, gjithshka mbaroi. Fshatarët dolën krahas njeritjetrit duke qeshur, pinë një kafe bashkë në qytet dhe shkuan në Maqellarë e mbaruan punë qetë-qetë. Vijat e ndarjes i kishin të gatshme në kujtesën e brezave.

Salla e kinemasë u mbush me mbi dyqint agronomë nga koperativat bujqësore, që nga Golloborda, Fushë Bulqiza e deri në Kala të Dodës e Reç. U zhvillua një takim udhëzues për ndarjen e tokës sipas ligjit 7501, si do të inventarizoheshin pemët e NB-së dhe të kalonin në përkujdesje të fshatarëve, por do të mbeteshin pronë e NB. Kishte ardhur nga Ministria e Bujqësisë zëvendësministri Koço Kote me një ekip specialistësh.
Kur mbylla tubimin, u thashë të pranishmëve në sallë:
-Tani porositë i dëgjuat, ruani raportet e vjetëra me pronën.
Një mërmërimë i pushtoi të gjithë si një erë që tund lisin, agronomët sikur u shkundën. Toka po ndahej sipas kufinjëve të vjetër dhe jo për frymë duke përzier pronat e njeritjetrit sipas ligjit 7501. Këtë diskutim e kisha bërë edhe me zotin Koço, por ai e kishte bërë rrugën nga Tirana hypur në kalin e ligjit 7501. Koço Kote ishte zëvendisministër i PD-së.
-Bëjmë ndonjë vizitë në ndonjë fshat, takojmë ndonjë koperativist, njihesh me mendimet e tyre. . . edhe dalin njëherë nëpër Dibër, -i them zëvendësministrit.
Nisemi për Muhurr. Ishte një ditë e vranët shtatori, shiu kishte pushuar. Në qendër të Muhurrit kalojmë një urë teli mbi lumin Murrë dhe zbresim te parku me plepa kanadezë. Nuk gjetëm lokal hapur dhe po rrinim më këmbë duke kundruar plepat gjigandë dhe ujërat e turbullta e të bollshme të Drinit e Murrës, që bashkoheshin më poshtë. Pas pak vërejmë dy fshatarë, që po vinin drejt nesh në një udhë të hollë. Aty i sillte rruga, sepse do të kapërcenin në urën e telit. Ishin të moshuar, por të mbajtur. Plaku përpara u shmangej pellgjeve të shiut nëpër plepa. Mbante shkopin në dorën e djathtë, të cilit i mëshonte fort. Në dorën e majtë kishte futur mes gishtave një llullë, që e thithte herë pas here duke nxjerrë shtëllunga tymi. Fliste me zë të lart duke u ndalur e kthyer nga tjetri, i cili kishte një qeleshe të bardhë në kokë. I njoha, ishin Bajram Prençi dhe Isni Hoxha, banorë të lagjes matanë Murrës, Lagja Hoxhe.
U përshëndetëm me ta.
-Ky zotëria është zëvendësministri i bujqësisë Koço Kote, kishte qejf të shihte Dibrën dhe unë e solla në Muhurr, -u them.
-Qoftë shëndoshë!Mirë shumë paska ba!-foli me zë të lartë Bajrami, si të fliste para ushtarëve. Kjo ishte natyra e tij, kishte një zë të lart kumbues dhe fliste me ton.
-Ky zotëria don me ju pyet se si po shkon puna e ndarjes së tokës për frymë sipas ligjit, që ka nxjerrë qeveria, -vazhdova shpjegimin tim.
-Si asht ajo për frymë?
-Po ja, të ndahet toka barabartë dhe ta marrësh pjesën tënde aty ku të të bjerë. . .
-Si ku të më bjerë???!!!
-Atë e cakton komisioni.
-Si e kishte emërin ky zotnaja?-më pyet Bajrami.
-Koço Kote.
-Nigjo, or Koçe!Unë këtu në këtë lagje kam tokë më pak se të gjithë. Dua vetëm tokën teme, asnjë metër më shumë. Të vijë kush e të futet në tokën teme, -tha Bajram Prençi me zë të lartë, që dëgjohej deri matanë te rruga përtej lumit, duke vënë gishtin tregues te tëmbthi anash kresë -duhet të më biesh me një plumb këtu e t’ më dalë këtu dhe. . . të jetë plumb Dum-Dum!E more vesht?Shko, or Koçe, dhe ua thuaj edhe atyre nalt!
-Zoti Koço, – ndërhyra me takt, -prandaj ju pyet.
-Edhe unë iu përgjigja. Shnet!-tha Bajram Prençi dhe, bashkë me Isni Hoxhën, u largua duke e ngulur shkopin më fort në tokë e duke thithur llullën më shpesh.
Kur po ngjiteshim kthesave të kodrinave të buta për në Peshkopi, mu kujtua një episod nga krijimi i koperativës në Maqellare. Ngjarja përkon pothuaj në simetri me ndodhitë për prishjen e koperativës tani pas tridhjetë e pesë vjetësh në Muhurr. . . .
Në një mbledhje të popullit, nga ata të nxehtat për futjen në koperativë, ku bënte hije dajaku, operativi i sigurimit me emrin Hajro, i drejtohet me tërsëllimë fshatarit Habe Kërkuti:
-Do të futesh se s’bën në koperativë, nuk ke nga ia mban, të cilësojmë kulak, ngule në tru, ore Zhabe!
-Bëni çfar të doni, nuk hi në koprativë, merre vesh, or Hale!-iu përgjigj Habe Kërkuti.

Ishte mezi i vjeshtës. Shira, mbledhje, sherre, tym, pasiguri, kërcënime, thasë të zbrazur në krahë, thirrje, protesta, letra që i merrte era.
-Ka një mbledhje në Qeveri. Jam pa qejf, me grip, po marr antibiotikë. Jam ftohur më duket, a po shkon ti?-më tha kryetari Astrit Kuka.
Me një “Fiat” të kryetarëve që nga koha e komunizmit, mora rrugën për Tiranë. Në timon ishte Xhaja, siç njihej nga të gjithë. I kujdesshëm dhe fjalëpak, Fadil Melani e kishte këtë sjellje që nga ajo kohë kur duhej të mbyllje gojën. Udhëtohej këndshëm me Fadilin, ishte njeri i humorit dhe miratues e i papeçatur. Kishte qejf fërnetin dhe vetë thoshte se, pa një dopio fërnet, nuk e shoh mirë rrugën.
U futa në ndërtesën e Kryeminstrisë për herë të parë në jetën time. Pas disa kontrolleve, koridoreve, kthesave e labirintheve, hyra në sallën e mbledhjeve. Zura vend nga bishti i një tavoline stërmadhe në formë të shkronjës U, e cila mbyllej me një tavolinë tjetër ku rrinin tre drejtues të mbledhjes. Në të dy anët ishin renditur ministrat e Qeverisë së Stabilitetit. Kryetarët e Tiranës, Elbasanit dhe Dibrës ishin të thirrur në mbledhjen e Qeverisë këtë rradhë për të raportuar për punën.
Në qendër zuri vend kryeministri Ylli Bufi. Me trupin drejt, dy krahët e lëshuar përpara mbi një dosje, me fytyrën në formë trekëndëshi, gojën e vogël buzëmbledhur dhe veshët e liruar nga flokët e prerë shkurt, me trupin e hollë me bel dhe flokët kaçurrela pak të ngritura si me hark në maje të kresë, silueta e kryeministrit më ngjante si një qyp me dy vega,i nxjerrë nga rrënojat e qytetit antik të Apolonisë në Fier.
Anash tij, në krahun e majtë, rrinte zëvendëskryeministri Zyhdi Pepa. Me një fytyrë zeshkane në të errët, kostumin e zi, kokën katrore dhe flokët e të zeza të shpupurisur dhe me një xhufkë të bardhë thinjash në anën e majtë, ai dukej si një korb i kartaleshur i përplasur mes ferrash.
Në anën e djathtë qëndronte zëvendëskryeministri Gramoz Pashko, i cili rrinte kokulur dhe shfletonte e paloste sa në të majtë e sa në të djathtë të tij fashikuj letrash, sikur nuk ishte në mbledhje, por në një tavolinë shtypshkronje. Me fytyrën e bardhë dhe gojën e madhe me buzë të prera, me ballin e lart dhe veshjen e çelët, ai dukej si një perandor romak i mundur në betejë dhe që priste egzekutimin me moskokëçarje.
-Kanë ardhur ata nga rrethet?. . . Mirë, të mbarojmë njëherë me ata, pastaj do kalojmë në marrjen e disa vendimeve si Qeveri, sipas rendit të ditës, që ministrat e kanë përpara. Me rrethet kemi dy analiza:Masat për ngrohjen me dru zjarri, sepse jemi në prag dimëri, dhe ndarjen e tokës sipas ligjit 7501. Fillojmë nga Tirana. Fjalën e ka zoti Malasi, – e hapi mbledhjen Ylli Bufi.
Kryetari i Tiranës Tomorr Malasi foli shkurt për disa çeshtje, paraqiti gjendjen e vështirë për drutë e zjarrit. Kaloi diskutimi i tij me ndonjë pyetje dhe pa debat. Po kështu dhe Elbasani.
-Ju të Dibrës!-ma dha fjalën mua Kryeministri.
Nisa të shpjegoj, pak me emocion, se drutë e zjarrit i kemi të siguruara, sepse dy ndërmarrje, atë të Përpunim Drurit dhe Parkun e Mallrave i kemi në punë.
-Mirë, mirë, për drutë. Por ju jeni shumë keq me ndarjen e tokës sipa ligjit 7501. Para dy javësh bëmë një seminar në Rrëshen me zonat veriore e verilindore, ku ishte shoku Zyhdi. Që nga ajo kohë ju nuk keni bërë asgjë. Jeni rrethi më problematik në vend! -ndërhyri Kryeministri.
-Ne tokën e kemi ndarë, zoti kryeministër, ju këtu bëni mbledhje sa të doni, ne kemi mbaruar punë me ndarjen e tokës, – i them.
Antarët e kabinetit qeveritar i përshkoi një mërmërimë habie. Thëniet e mia ishin jasht çdo pritshmërie për ta dhe pa asnjë dorashkë apo etikë.
-Si e paskeni ndarë?!-foli Ylli Bufi duke përplasur buzët e mbledhura dhe hedhur vështrimin çuditshëm mbi mua.
-E kemi ndarë secili në pronën e vetë.
Ndërhyri Zyhdi Pepa:
– Zoti kryeministër, këta as nuk e vënë ujët në zjarr për zbatimin e ligjit, nuk duan t’ia dinë se ka shtet apo jo, janë qeveri më vete!
– Ore, jeni në vete ju?-vazhdoi Ylli Bufi. -Nuk mund të lejojmë këtë situatë, do ndani tokën sipas ligjit.
-Edhe Europolin të bini, toka është ndarë!-u them disi me ngërç në të folur, sepse ishin hedhur të gjithë si skifterë me vështrimet mbi mua dhe ndjehesha i vetmuar.
-Ka mësuar edh fjalën Europol!-mërmëriti Zyhdi Pepa.
Ra një heshtje pa rrugëdalje.
-I kujt partie je ti?-më pyeti Ylli Bufi.
-Nuk kam ardhur këtu si përfaqësues i ndonjë partie, por si drejtues i komitetit ekzekutiv, -ia ktheva. Ylli uli kokën dhe u shfry si qumështi i grafulluar kur i hedh ujë të ftohtë.
Gramoz Pashko vetëtimthi u shkëput nga letrat dhe mu drejtua:
-Pse edhe ju nuk hyni në grevë urie si komiteti i Matit për tu bërë zonë e lirë ekonomike?Të futeni edhe ju!Siç ka paralajmëruar edhe Puka se edhe ata do të hyjnë në grevë urie!
– E kuptova ironinë dhe sarkazmën e Gramozit, por heshta, nuk doja t’ia ktheja me të njëjtën monedhë. Pasi ishte shpallur Zonë e Lirë Ekonomike Kavaja me Vendim Qeverie, kishin vërshuar kërkesa edhe nga rrethe të tjera, sipa asaj përralës “Vrapo djali i nënës se ngele pa hise!”. . Një pjesë komitetesh egzekutive pluraliste, në mënyrë qesharake, ishin futur në greva urie dhe ishte krijuar një gjendje absurde. Njerëzit përplaseshin atje zyrave për bukën e gojës dhe njëmijë halle të përditshme, drejtuesit vendorë kishin mbyllur dyert dhe rrinin në greva urie. Neve në Dibër, as që na kishte shkuar mendja për një gjë të tillë. Gramozi ishte i xhindosur me të drejtë.
-Edhe ju mbylluni në grevë që të duket se po lufoni për popullin!-vazhdoi.
-Ne, zoti Gramoz, nuk është se kemi bërë ndonjë studim për leverdinë ekonomike të zonës së lirë. . . -fillova të mërmëris.
-Po ja, të futeni edhe ju me shokët,në grevë urie!
-Zoti Gramoz, pse nuk e fut ti gjithë Shqipërinë në Zonë të Lirë Ekonomike dhe, automatikisht, të futemi edhe ne si Dibër?!-u revoltova me sarkazmën e tij të zgjatur.
-Eeeeee praaaa!Këtu është puna, por kush na pranon se???!!!Nuk të pranon kush!-e mbylli ndërhyrjen Gramozi me një si kakarisje.
-Zoti Ylli, kemi biseduar edhe më parë bashkë, e thashë dhe më parë. Këta të Dibrës janë të papërgjegjshëm, nuk merresh vesh me këta!Propozoj që, pasi të shqyrtojmë vendimet që kemi për të marrë sot në këtë mbledhje, në fund të marrim një vendim qeverie për shkrirjen e Komitetit Pluralist të Dibrës, dhe, në bashkëpunim me forcat politike atje, të ndërtojmë një komitet tjetër nga e para dhe të fillojmë ndarjen e tokës. Të krijohet një ekip qeveritar që të shkojë menjëherë në Dibër!-foli tepër i revoltuar Zyhdi Pepa.
-Dakord, shoku Zyhdi, -tha Ylli dhe u drejtua nga tavolinat në anë,ku rrinin sekretarë dhe juristë:-Përgatisni vendimin ta miratojmë në fund të mbledhjes. Kjo seancë mbyllet këtu. Kalojmë në çeshtje të tjera të rendit të ditës. Shokët e rretheve janë të lirë.

-Si ia kalove në mbledhje?-më pyeti kryetari kur u ktheva.
-Ia nxora fundin, ia hoqa dyshemesë edhe ato dy dërrasa, që pati!-i thashë. Dhe ia shpjegova fije e për pe.
-Eh, dreqin!Tu kishe thënë se do ta rregullojmë, se kështu e duan ata, -tha Astriti.

Nuk zgjati shumë dhe na njoftuan se një ekip nga Kryeministria vjen në Dibër. Ishte fund nëntori, një kohë e zymtë dhe e ftohtë dimëri. Një ekip qeveritar zbriti me helikopter në fushën sportive “Korabi” dhe erdhën drejt e në sallën e mbledhjes, ku po prisnim, sipas porosisë që na ishte dhënë. Ishin të pranishëm të gjithë antarët e komitetit ekzekutiv të stabilitetit si dhe përfaqësues të partive politike.
Ekipin qeveritar e kryesonte zëvendëskryeministri Zyhdi Pepa. E shoqëronin ministri i bujqësisë Nexhmedin Dumani, ministri i tregtisë së brendshme dhe turizmit Agim Mero dhe disa ministra të tjerë.
-Me vendim Qeverie është shkarkuar komiteti ekzekutiv pluralist i stabilitetit i Dibrës për neglizhencë dhe moszbatim me dashje të ligjit 7501 për tokën, -tha Zyhdi Pepa dhe lexoi Vendimin e Qeverisë.
Në sallë ra një heshtje e thellë. Ky ishte një njoftim krejt i papritur për të gjithë.
-Prandaj janë këtu edhe shokët e partive politike, të krijohet një komitet i ri pas konsultimeve dhe të mblidhemi sot ose nesër ta strukturojmë dhe ta miratojmë pastaj në Qeveri e të fillojë punën menjëherë, -vazhdoi Zyhdiu.
Asnjë nuk po fliste. Dikush kishte ndonjë bllok shënimesh përpara, dikush ndonjë copë letër, ndonjëri asgjë.
-Tokën e kemi ndarë, nuk duam ndihmë nga Qeveria, -ishte në thelb përgjigja jonë.
-Qofshi faqebardhë që erdhët, sepse na ka ardhur në maje të hundës!-e nisa diskutimin unë.
-Mirë i kemi shokët, nuk kemi të tjerë, – tha Elmas Lala nga dega e PS-së.
-Zotërinjtë kanë punuar mirë, -foli Safet Zhulali nga dega e PD-së.
Në një mendje ishin edhe kryetari i PSD-së Kujtim Leka dhe ai i PR-së Durmish Shehu.
Ekipi qeveritar ngeli si gomari në duhan. Ngulnin këmbë Zyhdi Pepa me shokë se është marrë një vendim qeverie, por, si mund të zbatohej ky vendim, kur nuk pranonin partitë politike për të sjellur njerëz të tjerë në drejtim?
Mjeku Rahim Xhika, antar i komitetit nga PS, vjen me vonesë në mbledhje dhe ulet në fund të sallës dhe nis e ngacmohet me batuta me ata, që kishte pranë. Pas disa debatesh, vonë fare, merr vesh se këta paskan ardhur nga Tirana për të shkarkuar komitetin ekzekutiv të Dibrës e për ta zëvendësuar me një tjetër. Ai edhe vetë ishte antar komiteti.
Ngrihet doktor Rahimi më këmbë i revoltuar dhe i drejtohet Zyhdi Pepës:
-Kush je ti, që dashke të bësh këtë punë?
-Jam zëvendëskryeministër, kam vendim qeverie, -thotë Zyhdiu.
-E din ti se këtu je në Dibër?A e sheh se kokën e kam të zbardhur?Edhe ti e ke një pullë të bardhë, por nuk je menduar mirë kur je nisur për këtu. Ktheu nga ke ardhur!-i thotë Rrahimi dhe ulet. Në sallë shpërthyen të qeshura. Zyhdiu me Nexhbedin Dumanin e ndonjë tjetër në presidium filluan të çuçurisnin me njeritjetrin. Mbledhja nuk kishte kuptim të vazhdonte më.
Po atë ditë moti të zymtë, helikopteri u ngrit në qiellin me re dhe u kthye në Tiranë. Më 6 dhjetor 1991 qeveria e Ylli Bufit u rrëzua. Ajo, realisht, u rrëzua që në mbledhjen e komitetit ekzekutiv të stabilitetit në Dibër. Ishte një qeveri e pafuqishme, e përkohshme, pa identitet. Nuk mund të merrte asnjë vendim, mbështetej në kërraba partishë.