Shefqet Kaca, njeriu i veçantë


Është përcaktuar dhe pranuar si aksiomë, kanë thënë dhe thonë se, çdo njeri bën gabime dhe ka të meta dhe se, njeri pa gabime e pa të meta nuk ka. Dhe, kjo është një e vërtetë e provuar, por është një e vërtetë relative, jo absolute. Sepse, ndonëse rrallë, shumë rrallë, bile tepër, tepër rrallë, ka edhe njerëz pa të meta. Çdo njeri dëshiron e lakmon që të të mos ketë gabime dhe të meta. Si të gjithë njerëzit e tjerë, edhe unë kështu dëshëroj e lakmoj, të jem njeri pa gabime e të meta. Por, jo! Nuk jam unë njeri pa të meta e gabime, por unë njoh një njeri të rrallë dhe të veçantë, pa asnjë të metë. Nuk e kam njohur tani. E kam njohur shumë herët, shumë kohë më parë, para shumë viteve dhe dekadave, e njoh që në kohën dhe në moshën e fëmijërisë. Nuk jemi nga i njëjti fshat, por na njohu, na lidhi e na bashkoi shkolla, jeta shkollore, që nga klasa e pestë deri në klasën e tetë, në shkollën 8-vjeçare në Lashkizë. Pas kryerjes e përfundimit të shkollës 8-vjeçare, rrugët tona u ndanë. Unë fillova direkt punën mësues në Lashkizë, ndërsa ai vazhdoi shkollën e mesme mjekësore “Jani Minga” në Vlorë. Rrugët tona u ndanë, por nuk u nda, nuk u ndërpre dhe nuk u shkëput lidhja jonë shoqërore, shoqëria jonë e pastër, e çiltër, e sinqertë, shoqëri, që vazhdon edhe tani. Ai është Shefqet Kaca. Që nga mosha e fëmijërisë, kur u njohëm dhe takuam për herë të parë e deri tani, ai ishte, është dhe mbetet njeriu model, njeriu më i veçantë, pa asnjë të metë. Dhe, jo vetëm unë e njoh kështu. Kështu si unë e njohin të gjithë njerëzit në të gjithë fshatrat e Dardhës, por edhe shumë e shumë njerëz në zonat përreth si Lurë, Reç, Sllovë, Çidhën, etj. Dhe, për të gjithë njerëzit, që e njohin, Shefqet Kaca është njeri i veçantë, njeri pa asnjë të metë.
Shefqet Kaca u lind në fillim të pranverës, në fund të muajit të parë të pranverës, më 27 mars 1956, në fshatin Tartaj të Dibrës. Shefqeti, ashtu si gjithë moshatarët e tij të fshatit e zonës, lindi në një familje të varfër. Ai ishte fëmija i parë i dy prindërve model, Vesel dhe Ahmedie Kacës, dy prindër e dy njerëz shembullor, të thjeshtë, të urtë, të qetë, të heshtur, të drejtë, dashamirës, punëtorë, të çiltër, me shpirt e zemër të bardhë, ku buronte vetëm mirësi. Familja e tij, fillimisht e vogël, kishte halle dhe probleme të mëdha, kishte vështirësi të shumta ekonomike. Sigurisht, edhe fëmijët rriteshin me preokupimet dhe hallet familjare, edhe fëmijët mbanin e kishin mbi supe barrën dhe peshën e këtyre halleve të familjes. Dhe, kështu, me halle e midis halleve, me vështirësi dhe midis vështirësive e nisi dhe e filloi jetën fëminore, udhën e jetës së tij, Shefqeti. Që në fillim, që në hapat e parë të jetës fëminore, ai u takua, u ballafaqua, ndjeu dhe përjetoi hallet, problemet dhe vështirësitë e familjes, të cilat e ndoqën dhe e shoqëruan gjatë, deri pas mbarimit të shkollës së mesme. Familja e tij ishte e varfër nga ana ekonomike, por ishte shumë e pasur në vlerat dhe virtytet njerëzore. Dhe, Shefqeti, trashëgoi nga familja e tij këtë pasuri të madhe e të çmuar, edukatën familjare, dashamirësinë, korrektësinë…
Ai trashëgoi të gjitha vlerat dhe virtytet e prindërve të tij. Ishte djalë shumë i urtë dhe me sjellje shembullore, i respektueshëm, korrekt, serioz, etj., cilësi këto, që e shoqëruan gjithmonë, gjatë gjithë kohës, kudo e kurdoherë.
Pas kryerjes së shkollës 8-vjeçare në Lashkizë, Shefqetit iu dha bursa për të vazhduar shkollën e mesme mjekësore “Jani Minga” në Vlorë. Familja e tij nuk kishte ndonjë mbështetje të veçantë politike e shtetërore dhe as ndonjë lidhje miqësore me ndonjë njeri të pushtetshëm, por, ndoshta, drejtësia e familjes së tij e ndihmoi, i hapi rrugën dhe i dha mundësinë që Shefqeti të vazhdonte shkollën e mesme mjekësore, në degën më të zgjedhur e më të preferuar për atë kohë, por edhe për tani. Por, më shumë se sa për Shefqetin, kjo bursë rezultoi shumë e rëndësishme dhe shumë me vlerë për Dardhën dhe dërnjanët, për njerëzit, të cilëve, Shefqeti u ka shërbyer dhe u shërben me shumë devotshmëri, ndërgjegje, përkushtim, me përgjegjësi dhe korrektësi.
Sapo mbaroi shkollën e mesme mjekësore, u caktua të punonte në Lurë, një zonë me hapësirë të madhe gjeografike, me fshatra të shpërndarë, që nga Gur-Lura e deri në Lajthizë të Mirditës, nga Tejmolla, Sumej e deri në kufi me fshatin Mërkurth të Mirditës; me teren të thyer malor dhe me rrugë të vështira. Ishte djalë i ri dhe kishte shumë ëndrra e dëshira, pasion, vullnet dhe optimizëm për punën dhe jetën dhe, për gjithë kohën që punoi në Lurë, jo pak, por plot dhjetë vite, kudo ku shkoi, punoi dhe shërbeu, në çdo fshat, lagje e familje, la gjurmë të çmuara mirësjellje, përkushtimi e shërbimi dhe fitoi e mori vlerësimin e lartë, respektin dhe mirënjohjen e njerëzve dashamirës të Lurës. Pas dhjetë viteve punë të suksesshme në Lurë, transferohet e vjen në vendlindje, fillimisht në ambulancën e fshatit Lashkizë dhe pastaj në qendrën shëndetësore Zall-Dardhë, ku vazhdon të punoj edhe tani, duke mbuluar me punë dhe shërbim të gjithë fshatrat e Dardhës. Për Dardhën dhe dërnjanët ishte shans i mirë, fat dhe fatmirësi, që t’u shërbente një njeri i veçantë, i ndërgjegjshëm, i përkushtuar, korrekt si Shefqet Kaca. Ai kishte dhe ka zemër dhe shpirt të bardhë, është human dhe gjithmonë është treguar i gatshëm dhe asnjëherë nuk është kursyer e shmangur për t’u shërbyer njerëzve, kudo e kurdo, jo vetëm ditën, por edhe natën, në kushte edhe shumë të vështira, në kulmin e vapës së diellit përvëlues e të acarit drithërues, në shi e në borë. Ai është njeri gojëmbël dhe i respektueshëm për të gjithë njerëzit njësoj, pa dallime e preferenca. Po aq sa profesionalisht, ai kuron e shëron shpirtërisht, me fjalën e ngrohtë, me buzëqeshjen e çiltër, me komunikimin e ëmbël e të përzemërt, me durimin e madh, me optimizmin e lartë, duke u dhënë njerëzve të sëmurë dhe familjarëve të tyre besim dhe shpresë. Me punën e tij të palodhur, me përkushtimin që ka treguar dhe me profilin e spikatur njerëzor, intelektual dhe profesional, ai, jo vetëm ka rritur e shumëfishuar vlerat e tij, por ka rrit në shkallën më të lartë vlerat e profesionit të tij. Moralisht ka rritur edhe statusin e tij profesional, duke fituar moralisht statusin e mjekut, të një mjeku human, të një mjeku me përvojë, të një mjeku me përkushtim maksimal. Për këtë arsye, njerëzit preferojnë dhe kërkojnë shërbimin e tij, u binden dhe u besojnë konkluzioneve të tij, pranojnë dhe zbatojnë këshillat, porositë dhe rekomandimet e tij.
Mirësjellja, edukata, kultura dhe toleranca e bëjnë jo vetëm të dëshërueshëm, por edhe të lakmueshëm e të admirueshëm komunikimin me Shefqetin, jo vetëm në aspektin e punës së tij profesionale, por edhe në aspektin e marrëdhënive të përditshme shoqërore. Ai është modeli i njeriut bashkëpunues,, gjithmonë i gatshëm për të marrë përsipër dhe për të bashkëndarë me shokët dhe kolegët çdo punë, shërbim dhe përgjegjësi. Tek Shefqet Kaca, asnjëherë nuk gjeti e nuk pati vend mendjemadhësia, mburrja dhe krenaria cinike. Shefqeti nuk mburret asnjëherë, por Dardha dhe dërnjanët mburren dhe krenohen me Shefqetin, së pari si njeri, por edhe si profesionit i aftë dhe i përkushtuar. Profili njerëzor, intelektual dhe profesional i tij, është modeli më i mirë dhe më i spikatur, jo vetëm për t’u shërbyer njerëzve, por edhe për edukimin e tyre me dëshirën, dashurinë, disiplinën, përkushtimin dhe korrektësinë për punën dhe detyrën. Në shpirtin e tij human nuk ka asnjë peng shpirtëror për ndonjë punë e shërbim të harruar, të neglizhuar, të nënvleftësuar e të bërë keq. Modeli i tij njerëzor dhe profesional është i rrallë dhe i veçantë; i duhen më shumë se kurrë jetës tonë, kohës dhe realitetit tonë, sepse u mungon atyre.
Shefqet Kaca është njeriu, intelektuali, profesionisti dhe specialisti me të gjitha cilësitë pozitive, pa asnjë të metë. Ai, asnjëherë nuk e mendoi, nuk pranoi dhe nuk e provoi, që detyrën dhe profesionin e tij human ta kthente në biznes. Shpirti i tij human shpërndan vetëm mirësi dhe mbjell e jep besim e shpresë. Në profilin njerëzor dhe profesional të Shefqet Kacës, edhe sikur të përpiqesh, të gërmosh e të kërkosh për të gjetur ndonjë të metë, nuk gjen dot, sepse nuk ka asnjë të metë, sepse ai është njeriu shumë i veçantë, pa asnjë të metë. Të shkruash për Shefqet Kacën është shumë e lehtë. Për Shefqetin mund të shkruaj kushdo, sepse për të shkruar për Shefqetin, nuk është e nevojshme të kërkosh, të gjesh e të zgjedhësh fjalë të bukura. Portretin e tij e ka zbukuruar dhe zbukuron puna e tij shembullore, përkushtimi që ka treguar dhe modeli i spikatur njerëzor dhe profesional, që ka krijuar.
Ai jeton i lumtur, sepse puna e palodhur, me ndërgjegje e përkushtim maksimal, i jep atij qetësi dhe rehati shpirtërore. Ne krenohemi me Shefqet Kacën, ndërsa Shefqeti krenohet me familjen e tij të shtrenjët, me prindërit, që e rritën dhe edukuan dhe me fëmijët e tij, që ai dhe bashkëshortja e tij kanë rritur dhe edukuar, njëri nga të cilët, djali i madh i Shefqtit, këngëtari Bledar Kaca ka krijuar profil artistik të mirënjohur dhe shumë të afirmuar.
Shefqet Kaca është çmuar e çmohet, është vlerësuar dhe vlerësohet. Ai ka marrë vlerësime të larta institucionale, por vlerësimin më të madh, dekoratën më të lartë ia ka dhënë populli, njerëzit, të cilëve, ai u ka shërbyer dhe u shërben me shumë ndërgjegje, përkushtim dhe korrektësi.