Shkencëtari i bimëve mjekësore


Askush nuk do ta besonte se fëmija i dhjetë i një familje të varfër nga fshati Mustafe do të bëhej doktor shkencash dhe një shkencëtar i mirëfilltë i bimëve mjekësore. Zyberi i vogël, më shumë se uri për bukë e ushqime kishte uri për libra, dije e shkencë. Filloi ti ngjisë hapat e shkollimit, duke qenë gjithnjë në tabelat e më të mirëve. Atë vit që mbaroi tetëvjeçaren, në Zall Dardhë u hap shkolla e mesme bujqësore dhe Zyber Gjoni do të ishte një nga nxënësit e parë dhe maturantët e parë. Ai kishte dëshira të mëdha dhe pse mundësitë për t’i realizuar ishin tepër të vogla. Donte të bëhej mjek për të shëruar njerëzit, apo kimist për të realizuar ata reaksione kimike që të linin pa mend, si në laborator, ashtu dhe në botën e gjallë që e rrethonte.
Instituti i Lartë bujqësor i Korçës do të ishte stacioni i radhës për djalin e ardhur nga Dibra. Ishte larg gjërave që kishte ëndërruar. Nuk do të bëhej as doktor dhe as kimist, por kishte bindje absolute se do të hapej dhe një shteg i ri në jetën e tij. Shkolla e mesme që kishte mbaruar, kishte qenë disi larg parametrave të duhur, por shumë shpejt, studenti i ri i plotësoi boshllëqet dhe ishte në vallen e konkurrentëve. Të gjithë profesorët ishin korrektë, por rektori, që i jepte lëndën e mikrobiologjisë, ishte më kërkuesi. Në një nga kolokiumet, krahas notës dhjetë, kishte vënë dhe një shënim: “Ju lumtë! Ju përgëzoj! Keni punuar shumë mirë, Kështu vazhdoni dhe më tej!”
Zyber Gjoni nuk ishte nga ata studentë që kënaqen shumë shpejt. Vlerësimet e të tjerëve ishin shtysë dhe detyrim moral për të punuar më shumë akoma. Në provimin e fundvitit, në po të njëjtën lëndë me rektorin, Zyberi kishte shkruar gati dhjetëra faqe formati, a thua po punonte për një temë doktorature. Ishin këto përpjekje maksimale të Zyber Gjonit, që peshonte pak në kilogramë, por shumë në dije e mençuri, që e detyruan rektorin t’i propozonte për një vend pune si pedagog në universitet. Zyberi nuk pranoi. Ai e dashuronte vendlindjen, Dibrën, me të gjitha ndjenjat e trupit. Asaj donte t’ia kushtonte rininë, kohën, energjinë dhe aftësinë krijuese.

KTHIM NË VENDLINDJE
Ndoshta do ta kishin dërguar në ndonjë nga kooperativat bujqësore të kohës, sikur dikush të mos kishte lënë një shënim shumë pozitiv në sivinë e tij. E kush mund të ishte ky dikushi, tjetër njeri, veç rektorit të dikurshëm, si një engjëll mbrojtës? Për dy tre për qind të studentëve më të mirë, apo siç quhen sot ekselenca, rektorët dërgonin emrat te drejtoria e komisionit të planit të shtetit në Tiranë. Falë këtij rekomandimi, Zyberi filloi punë në ndërmarrjen e grumbullimit të asaj kohe, specifikisht në sektorin e bimëve mjekësore, që kishin një peshë shumë të rëndësishme. Nuk kaloi vetëm se një vit dhe ai u bë nëndrejtor i kësaj ndërmarrje dhe qëndroi i tillë deri në shkrirjen e saj.
Çdo njeri tjetër në vendin e tij do të kishte privatizuar një pjesë të aseteve të ndërmarrjes dhe do të niste kësisoj ortekun e pasurisë, për tu llogaritur tek vipat e Dibrës. Por kjo mënyrë veprimi e pasurimi nuk i shkonte për shtat Zyberit, kulturës dhe edukatës së tij familjare. Ata vërtetë kishin qenë të varfër, por të ndershëm. Kështu pra, tranzicioni e gjeti Zyber Gjonin pa asnjë dyshkë në xhep, me një asistencë 25 mijë lekë të vjetra në muaj.
Një ditë, rreth 25 vite më parë, shkon në Tiranë dhe krejt rastësisht, takon një shok shkolle, që kishte ngritur një kompani të grumbullimit e përpunimit të bimëve mjekësore. Pasi pinë kafet dhe u çmallën, shoku e pyet Zyberin, se me se merrej dhe ku punonte. Zyberi ngre supet dhe i tregon për asistencën, që nuk i dilte as për nevojat minimale të familjes.
-Përse nuk del privat? – e pyeti shoku.
– Nuk kam para,- përgjigjet Zyberi, me sinqeritet.
Shoku i thotë se mund ta ndihmonte si fillim dhe Zyberi mund t’ia shlyente me kalimin e kohës. Ashtu u bë. Nuk vonoi shumë dhe Zyberi ngriti një kompani të vogël, që e emërtoi”Medi Plant Dibra 94” dhe kështu filloi historia e kësaj kompanie që po i ngjit hapat ngadalë, por mjaft të sigurta. Vetëm pak ditë pas krijimit të kompanisë, Zyberi shkon tek zyrat e përkrahjes sociale dhe u thotë atyre që ti hiqnin asistencën, pasi kishte filluar aktivitetin privat. Punonjësit e zyrës hapën sytë fort nga ajo që dëgjuan. Mund të ishte rasti i parë, që një njeri të kërkonte vullnetarisht shkëputjen e pagesës, kur shumë të tjerë e lakmonin, pa e merituar dhe pa pasur nevojë.

MIK I FERMEREVE TE DIBRES
Thamë që në fillim se një nga profesionet, që donte të bëhej Zyberi, ishte mjekësia. Donte të kuronte sëmundjet dhe plagët e trupit të njerëzve. Në fakt, ai arriti shumë më tepër se kaq, filloi të mjekojë plagët e shpirtit njerëzor. Filloi të luftonte varfërinë, duke shtuar sadopak buzëqeshje në fytyrat njerëzore. Ai e quan kompaninë e tij një sipërmarrje sociale, për të reduktuar varfërinë. Më tej Zyberi bën një krahasim të bukur, kur e quan atë si “postblloku” i parë për azilkërkuesit. Nuk janë pak, por mbi njëmijë familje që nxjerrin bukën e gojës, duke mbledhur bimë mjekësore dhe i shesin tek kompania që drejton Zyberi. Gra, fëmijë, pleq, grupime këto jo shumë të fuqishme, që përpiqen të ndihmojnë familjet e tyre, duke mbledhur, tharë e shitur bimë mjekësore. Ka fshatra të tërë,si Lura, Ilnica, Rabdishti, Popinara, Selishta, Lukani e ndonjë tjetër, ku të ardhurat nga bimët mjekësore, përbëjnë zërin kryesor të fitimit në familjet e tyre.
Zyberi i sheh njerëzit që merren me grumbullimin e bimëve mjekësore, jo si çirakë, por si partnerë seriozë, që punojnë si një familje e vetme. Kjo e bën Zyberin të hedhë sytë tej në drejtim të projekteve , që u vijnë në ndihmë fermerëve. Para dy vitesh në Melan u implementua një projekt i kultivimit të mëllagës, që dhe pse filloi me vonesë dha rezultate të kënaqshme. U mbollën 8-9 dynymë me këtë kulturë dhe u mblodhën mbi 7 kuintalë mullagë, duke i shtuar arsenalit të bimëve mjekësore të kultivuara dhe një mundësi tjetër. Të ardhurat nga kultivimi i bimëve mjekësore e kalon dy deri në tre herë prodhimin e marrë nga misri, gruri jonxha e kultura të tjera të traditës.
Këtë vit po përpiqet të thithë projekte ndërkufitare për kultivimin e bimëve mjekësore nga fermerët e interesuar. Çmimet që afron Zyberi për njësi të bimëve të grumbulluara, janë ndër më të mirat e tregut. Fermerët likuidohen menjëherë për mallin e sjellë. Ka pasur raste kur çmimi i produktit në treg është rritur, pasi është grumbulluar dhe Zyberi u ka dërguar njerëzve lekë shtesë, duke u shtuar gëzimin dhe respektin për të.

MIK I MADH I BIMËVE DHE NATYRËS.
Shfrytëzimi pa kriter i bimësisë dhe populacioneve të saj, ka bërë që sipërfaqja ku rriten bimët mjekësore të zvogëlohet nga viti në vit dhe për pasojë dhe prodhimi që merret prej saj. Në këtë situatë Zyberi ngre alarmin për të shpëtuar florën dhe faunën, bimët dhe bimësinë. Të mendojmë pak dhe për brezat e ardhshëm, duke u lënë dhe atyre një trashëgimi të pasur. Ka plot raste, kur njerëz të paformuar presin blinin për t’ia vjelur më kollaj lulet, presin dëllinjën e zezë, për t’ia vjelur kokrrat më rehat, duke bërë që të shteren rezervat për vitin në vazhdim. Ka plot raste që shkulen rrënjët e aguliçes, apo ndonjë bime tjetër. Këtyre praktikave të dëmshme duhet tu jepet fund njëherë e mirë.
Zyberi bën me fermerët vazhdimisht kurse e seminare trajnimi. Aty fermerët marrin njohuritë bazë si të bëjnë vjeljen e bimëve mjekësore, pa i dëmtuar ato, si t’i thajnë e t’i magazinojnë, për të rritur cilësinë e prodhimit dhe për të shtuar paratë në xhepat e tyre. Zyberi porosit vazhdimisht që korrja e këtyre bimëve të mos bëhet rrafsh me tokën, apo kur vilen lulet dhe kokrrat të lihet deri në 30 për qind e tyre pa hequr, duke siguruar vazhdimësinë për vitin tjetër. Ndonjëherë Zyberi e bllokon grumbullimin e rrënjëve të bimëve medicinale, kur kjo rrezikon zhdukjen e tyre. Madje, ai propozon dhe një moratorium disavjeçar për grumbullimin e bimëve të rrezikuara, siç mund të jenë rrushi i ariut, sanza (gentiana lutea), salepi, rrënjët e aguliçes dhe ndonjë tjetër si këto.
Veç kësaj mase, rëndësi merr kultivimi i disa bimëve mjekësore, siç përmendëm rastin e mëllagës. Vitin e kaluar u sollën në Dibër me projektin e kompanisë“ Agroherbal” 130 mijë rrënjë aguliçe falas dhe u shpërndanë tek fermerët e interesuar. Fare mirë mund të kultivohet dhe shtogu, që deri tani është trajtuar si një bimësi spontane. Në një seminar trajnues në Austri, Zyberi sheh blloqe me shtog të kultivuar. Vlera e lartë e lulesës dhe kokrrave, si dhe shtimi i lehtë me copa e bëjnë bimën e shtogut shumë të lakmuar në tregun e bimëve mjekësore. Ajo mund të shërbejë dhe për të luftuar erozionin në toka jo produktive. Po kështu mund të mendohet shtimi i trandafilit të egër dhe plot bimë interesante si këto.
Zyberi po boton dhe një libër të ri, kushtuar bimëve mjekësore, më të kompletuar se ai që ka botuar më parë. Në të është derdhur gjithë përvoja dhe eksperienca e tij e grumbulluar në dekada. Çdo njeri mund të gjejë aty diçka që i intereson, në mos për efekt të grumbullimit të këtyre bimëve, të paktën për ta përdorur si mjekim alternativ në jetën e përditshme.

DOKTORATURA
Kishte kohë, që Zyber Gjoni po mendonte të punojë për një temë doktorature e prapë ai nuk nxitohej. Në fakt, ai kishte mbi 40 vjet që punonte për një gjë të tillë, që atëherë kur jeta e tij u lidh në pakthim me bimët medicinale, aq të dashura e aq të dobishme. Drejtuesi i punës shkencore i propozoi një temë të lehtë, që Zyberi të mos lodhej shumë, por hasi në kundërshtimin e tij. Zyberi nuk ishte mësuar t’ia falnin gjërat, donte t’i fitonte me meritë, siç kishte bërë tërë jetën e tij.
Rrushi i ariut( Arctostaphylos uva ursi), ishte një bimë mjekësore, jo shumë e njohur, por mjaft e përhapur. Vlerat e shumta shëndetësore të kësaj bime e kishin ngacmuar shumë shkencëtarin e palodhur. I tha profesorit se doktoraturën dëshironte ta bënte pikërisht me studimin teorik e praktik të kësaj bime. Profesori e kundërshtoi fort.
-Mos i hyn kësaj pune, se do të dështosh! – i tha miqësisht. Më tej, si për ta bërë më konkrete arësyen, i tha se për këtë bimë vetëm dy tre rreshta janë të shkruara nëpër librat, ku trajtohen bimët mjekësore. Në fund, kur pa vendosmërinë e Zyberit, u dorëzua. Eksperienca e tij e gjatë e kishte mësuar se ku do ta kërkonte. Korabi, Rabdishti, Sllatina e ndonjë vend tjetër, do të ishin vendet ku do të ngrinte eksperimentet. Për ta bërë sa më të saktë, ai ngriti jo një eksperiment, por shtatë të tillë me të paktën 50 bimë secili. E hetoi bimën deri në detaje, për rrënjët, gjethet, kërcellin e kokrrat, kur lulëzonte, kur piqej, kur duheshin mbledhur gjethet e kur kokrrat dhe çdo të dhënë tjetër, që mund t’i interesonte. U bënë analiza biokimike për përqindjen e Arbutinës dhe përbërësve të tjerë. Natyrisht shfrytëzoi dhe literaturë, aq pak sa mund të ishte shkruar për këtë bimë. Bëri mjaft analiza në laboratorin e tij, apo në të tjerë, kur i tij nuk i kryente dot analizat. Rezultatet ishin tejet interesante. Rrushi i ariut ishte një dezinfektant natyror i shkëlqyer dhe pa efekte anësore. Gjethet e tij kishin veprim diuretik, tonik dhe adstrigjent në fshikzën urinare dhe në veshka. Ekstraktet e kësaj bime gjenden në mbi 200 lloje produktesh mjekësore në Gjermani.
Dibra eksporton çdo vit rreth mbi 100 ton gjethe të tharë të kësaj bime, dy tre herë më shumë se Maqedonia. Kur profesori dhe gjithë komisioni panë dhe dëgjuan temën e përgatitur me shumë kujdes, krahas notës maksimale, i thanë që doktoratura ishte realizuar në mënyrë shumë dinjitoze.
Në të gjitha këto arritje Zyberi nuk është i vetëm. Ai ka ndihmën maksimale të bashkëshortes, që shquhet për marrëdhënie korrekte me gratë fermere. Djali i Zyberit punon mjaft mirë, krah babait dhe është çertifikuar për bimët mjekësore organike. Vajza e tij është një studente ekselente e mjekësisë, duke realizuar kështu ëndrrën e hershme të babait të saj. Është kjo një familje model, një familje që rrezaton dritë, humanizëm, sinqeritet e vlera të larta njerëzore.