Tafë Dauti i Sllatinës


Kemi shkruar gjithmonë për figura e njerëz që bënë vërtet histori në Dibër dhe jashtë saj , kemi bërë monografi të ndryshme e mjaft portrete të njerëzve të njohur dhe pa njohur por që kemi lexuar, kemi gërmuar në kujtimet e të tjerëve. Dhe pa dyshim që është nisma ma e bukur e pas viteve nëntëdhjetë.
Mjaft figura të njohura por të mohuara e harruara i kishte mbuluar pluhuri i harresës kolektive. E një personazh historik dhe emblematik siç është Tafë Dauti i Sllatinës duhej të ishte shkruar më herët, duhej të ishte vendosur të paktën në altarin e historisë së Ujemujës.
Tafa lindi në fshatin Sllatinë në një familje të njohur për patriotizëm e atdhedashuri , në vitin 1909.
Nëse vërtet shkruhet e flitet se mikrokrahina e Ujemujës është kurora ma e bukur e historisë në Dibër, këtë kurorë nuk e mori vetëm por me figura si Tafë Dauti e qindra e qindra të tjerë.
Për të shkruar për Tafë Dautin e Sllatinës, emblemën historike të krejt Ujemujës nuk ishte në fakt shumë e vështirë, as për vetë autorët të cilët e kishin gjysh, as për ne që dhamë vlerësimet tona. Për Tafën nuk kishim nevojë të gërmojmë nëpër arkiva, të futeshim nëpër skedat e bibliotekave, të takonim miq e shokë.Ai të paktën për brezin tim nuk ishte një emër anonim, një i pa njohur. Shumica shpreh bindjen se kanë patur fatin ta njohin nga afër, ta takojnë, ta urojnë apo ngushëllojnë, të pinë një kafe me të, të bëjnë një bisedë qoftë dhe sporadike. Tafë Dauti i Sllatinës ka jetuar në kohën tonë dhe mes nesh.
Historia , thonë se bëhet me pushkë në dorë, duke dhënë dhe jetën për lirinë dhe pavarsinë e atdheut, thonë se shkruhet me penë. Në fakt historia bëhet edhe me mendje e sofër, e njëri ndër to që bëri histori në të gjithë krahinën e Ujemujës është edhe Tafë Dauti i Sllatinës.
Në ato vite kur vendit i vinte era barot, kur pushka me gjalmë kërciste në male, kur shumica e djemve dhe vajzave kishin rrëmbyer armët e kishin dalë për liri, Tafë Dauti hapi portën e kullës dhe i priti krahëhapur këta trima. Kështu u bë shtëpia e tij në Sllatinë një ndër bazat kryesore të lëvizjes së madhe nacional-çlirimtare.
Dhe jo pak por partizanë të brigadës 18 sulmuese si dhe Shtabi i saj gjetën një strehë të ngrohtë, miqësorë dhe mjaft të sigurtë tek kulla e Tafë Dautit. Partizanë të plagosur, të sëmurë do të kalonin nga kjo kullë bujare e mikpritëse për në spitalin partizan i cili ishte afër si distancë. Jo vetëm mjekime të plagëve të vogla, ushqim, strehim të sigurtë por në kullën e Tafë Dautit partizanët gjetën edhe veshmbathje të cilëve në ato vite u mungonin me shumicë. Udhëheqja e shtabit ka qëndruar me ditë të tëra në këtë kullë bujare në fshatin Sllatinë.
Para, gjatë dhe pas çlirimit sofra në kullën e Tafë Dautit rrinte shtruar, dera e kullës nuk u mbyll kurrë. Priste e përcillte miq të njohur e pa njohur dhe mos harrojmë se ishte një periudhë kohe kur varfëria ishte ulur këmbëkryq në votrat tona, por buka për mikun te Tafë Dauti gjithmonë rrinte shtruar.Vinin udhëtarë nga zona e Kalasë së Dodës, Luma por edhe Kosova. Tafë Dauti rrinte natën deri vonë zgjuar, priste mysafirë ti vinin në kullë. Një natë nëse nuk kishte mysafirë, Tafa mërzitej dhe u fliste djemve se do vinin udhëtarë nga zona e Kalasë së Dodës, Luma por edhe Kosova. Tafë Dauti rrinte natën deri vonë zgjuar, priste mysafirë ti vinin në kullë. Një natë nëse nuk kishte mysafirë, Tafa mërzitej dhe u fliste djemve se diçka nuk shkonte.
Të gjithë ato udhëtarë që bujtën një natë në kullën e Tafë Dautit, nuk kanë patur kohë të kthehen për së dyti, nuk kanë patur mundësi ta falënderojnë të zotin e kësaj kulle bujare e fisnike, por në biseda të ndryshme me miq e shokë pa tjetër që kanë shprehur vlerësimet më të larta duke e cilësuar si prototip i mikpritjes dhe bujarisë shqiptare.
Sot nuk është nevoja të zgjatemi dhe të bëjmë portretin e Tafë Dautit, fjalët e tepërta siç thotë populli janë fukarallëk.
Portretin e tij e bëri vetë sa ishte gjallë se ishte njeri i veçantë, me virtyte më të larta njerëzore, i zgjuar, bujar dhe fisnik.
Ishte i vetmi në të gjithë mikrokrahinën e Ujemujës që djemtë e tij punëtor dhe mjeshtra në përpunimin e drurit filluan partneritet me vetë ish kooperativën bujqësore, si në djegien e gëlqeres dhe përpunimin e drurit për nevoja të vetë kooperativës bujqësore. Kjo ishte një punë mjaft fitimprurëse për këtë familje të madhe patriarkale e shumë bujare e mikpritëse në Sllatinë.
Djemtë kishin përfituar shumë nga këshillat me mjaft vlera të Tafës dhe në këtë udhë të shtruar vite më parë po ecin dhe sot nipër e stërnipër të Tafë Dautit.
Në ato vite kam qenë i vogël, fëmijë, por ende e kam parasysh portretin e plotë të Tafë Dautit kur vinte në Shumbat, në lagjen time Hurdhë. Një trup i bëshëm, jo shumë i gjatë, me një veshje gjithë sqimë, karakteristike të zonës së Ujemujës; tirq të zinj me gajtana, koparane me kajuke, brez të kuq, këmishë të bardhë me krah të gjerë e mitan. Qafës qosteku i orës së xhepit i dukej që larg e një shkop ma shumë e tundte se sa e mbante për tu mbështetur pasi ishte i fortë fizikisht .
Tafa vinte shpesh në Shumbat, vinte në lagjen time se kishte shumë miqësi në Shumbat. Tek Halit Skarra kishte martuar vajzën, Meleqen. Limanin, Likën, Saminin i kishte nipër. Po kështu edhe tek Idrizi, tek Rufati, tek Xhemali, Tafë Dauti ishte kudo i mirë se ardhur. Atë natë që vinte Tafa në lagjen Hurdhë mblidheshin burrat që para darke dhe e gdhinin gjithë natën me muhabet.
Ndodhte që në të njëjtën natë kishte ardhur edhe një mik tjetër tek Skarret. Në të shumtën e rasteve miku ngrihej bashkë me zotin e shtëpisë dhe shkonin atje ku ishte ulur Tafa. Ndodhte që dy veta në mëngjes ishin grindur, grindje ordinere e primitive, mbanin inat pak por në darkë nëse kishte ardhur Tafa diku, të dy që ishin grindur do të shkonin dhe askush nuk do ta kuptonte se ishin të zënë.
I tillë ishte Tafë Dauti, i zgjuar, me inteligjencë popullore, bujar dhe njeri fisnik. Gjithmonë gjatë gjithë jetës së tij u mundua vetëm të bashkojë njerëz jo të përçajë.
Bisedonte rrjedhshëm Tafa, nuk ndërhynte kurrë kur flisnin të tjerët por as pranonte që t’ia ndërprisnin muhabetin. Nëse e kishte marrë vesh se Tafë Dauti ishte për darkë në Hurdhë do të vinte edhe Mane Kacani nga Fushë-Alia, do të vinte edhe Selë Dika nga Shumbati. Oda do të mbushej plot e muhabeti niste rrjedhshëm.
Më ka ndodhur dhe mua të jem njëherë tek Tafë Dauti. Djali i tij Sufa kishte marrë për grua vajzën e Nuz Lekës. Unë e kisha teze, se dhe unë nip tek Leket në Shumbat jam. Aty pashë nga afër se Tafë Dauti respektin mikut ia bënte njëlloj, si mua që isha fëmijë, si tjetrit që ishte i moshuar, se kur dola, mbaj mend fare mirë se u ngrit në këmbë e më përcolli deri tek dera e jashtme e kullës.
Tafën do ta gjeje kudo, jo vetëm në odën dibrane ku bëhej muhabeti por edhe në arat me grurë e misër, edhe në mbledhjet e fshatit, edhe na dasma e hidhërime, edhe atje ku kishte grindje e konflikte. Tafa ndodhej kudo dhe mundohej me fjalën e tij ti pajtonte, ti bashkonte të gjithë. Ky ishte misioni i tij e sot me plot bindje mund të themi se Tafë Dauti i Sllatinës ishte një Anton Çetë për Ujemujën.
Tafë Dautit i takojë para viteve nëntëdhjetë të vizitonte Turqinë, ku pa nga afër një realitet krejt ndryshe. Takoi atje mjaft shqiptar të emigruar në vite të hershme, pa se si shumë prej tyre e kishin harruar gjuhën e bukur shqipe, i kishin harruar doket dhe zakonet shqiptare. I erdhi keq Tafës, ua tha aty në takime që bëri me shqiptar të emigruar në viset turke, ua tha me dhimbje se nuk ka si vendi ynë, nuk ka si gjuha jonë.
Tafa u kthye në atdhe i mbushur me mllef dhe mërzi. E para u lëndua se shqiptarët kishin harruar gjuhën, ishin larguar shumë nga doket dhe zakonet e bukura shqiptare. E dyta pa një realitet krejt ndryshe në Turqi. Atje nuk vdisnin njerëzit për bukën e gojës siç trumbetohej me forcë tek ne, jo, kishte bollëk, kishte rritje ekonomike, kishte një jetesë krejt ndryshe me ne, por Tafa e mbylli gojën e nuk foli fare për arritjet e vendit turk, nuk tregoi asgjë edhe pse shumë veta kërkonin të dinin më shumë.
Tafë Dauti e njihte fare mirë alegorinë por kurrë nuk e përdorte për të ngacmuar mikun.Vetë kontaktet e takimet që kishte patur me njerëz të zgjuar nga Luznia, Çidhna, Reçi e Dardha kishin ndikuar që edhe Tafa të bëhej një profesionist në përdorimin e Ujemujës, por ndryshe nga shumë të tjerë që ngacmonin mikun në konak. Sa herë fliste Tafa të gjithë dëgjonin dhe askush nuk ndërhynte se bisedat dhe tregimet e tij kishin interes tek të tjerët , sidomos tek më të rinjtë që herë-herë ishin të shpërqendruar.
Bisedat e tij ishin krejt ndryshe, nisnin rrjedhshëm, ëmbël dhe muhabeti zgjatej e zgjatej sa të pranishmit e gdhinin natën e gjatë të dimrit.
Tregonte mjaft bukur histori reale, të vërteta që kishin ndodhur në kohë e periudha të ndryshme. Kishte një kujtesë që mund të them se ishte një arkiv i gjallë. Gabime bëjmë në jetë, dhe sot shpreh bindjen time se pse sa ishin gjallë këto arkiva, pleq të zgjuar nuk kemi ditur ti shfrytëzojmë.
Thesarin që kishin na e morën me vete. Jo që nuk deshën të na e japin, por nuk ishim ne të zotët që t’ua vilnim.
Tafë Dauti vdiq në Sllatinë në më 9 shtator të vitit 1990, ku sivjet mbushi plot 30 vjet nga ndarja nga jeta.Vdekja e Tafë Dautit i kaloi përmasat e Ujemujës. Erdhën ditën e ceremonisë së varrimit nga të gjitha zonat e Dibrës dhe Lumës.
Atë ditë në qendër të Sllovës u ul edhe një helikopter që vinte nga Tirana. Kishin ardhur Haxhi Lleshi, Prokop Murra, Milo Qirko, Xhelil Gjoni për ti dhënë lamtumirën e fundit Tafë Dautit të Sllatinës. Nuk e kishin humbur bukën, mikpritjen dhe bujarinë që u kishte dhënë në ato kohë të vështira.
Kur shkruhet sot për figura të njohura si Tafë Dauti i Sllatinës pa dyshim që është nismë e bukur. Të paktën le të njihen brezat e ardhshëm me figura të tilla patriotike, atdhetare dhe humane.