A do të kërkojë ndonjëherë Ministria e Punëve të Jashtme një shesh dhe një monument për Skënderbeun në Athinë?!


 

Shtatorja e Skënderbeut në Peshkopi

A do të japë shteti grek një shesh për t’i ngritur një monument Gjergj Kastriotit-Skënderbeut?

Po japim dhjetëra hektarë tokë për varrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë, por pse të mos jepen disa dhjetëra metro katrorë tokë për një monument të Skënderbeut, “Pionier i mbrojtjes së krishterimit” në Athinë?

Pyetje për ATJE dhe KËTU: shtetit shqiptar me institucione të plota dhe tubimeve shqiptare, të vegjël e të mëdhenj, në Athinë dhe më gjerë.:
A është vënë në tryezën e bisedimeve të shumta, ec e jakët për “detin”, “patentat”, “ligjin e luftës”, “toponimet”…një ngjarje e madhe historike dhe një personalitet që nuk ka pse të mos jetë i të “dy palëve”, i “shumë palëve”, “mbarë evropian”, pse jo “botërorë”, më thjesht “e tre kontinenteve”, Gjergj Gjon Kastriotit-Skënderbeu, shikuar në një mendim e veprimtari të përbashkët?
A do ti kërkojë shteti shqiptar shtetit grek një shesh për ti ngritur një monument këtij trimi që me shembullin e tij të madh u dha kurajë popujve nën pushtimin osman, i dha “barut të thatë” kryengritjes popullore greke në revolucionin që nis më 25 mars 1823 ?
Po japim dhjetëra hektarë tokë për varrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë, por pse të mos jepen disa dhjetëra metro katrorë tokë për një monument të Skënderbeut, “Pionier i mbrojtjes së krishterimit”, pse të mos ketë një “VIT TË SKËNDERBEUT” për mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe për grekët që e duan atë si “hero të tyre”?
Një pyetje që më ka mbet në gojë dhe vazhdoj e vazhdoj ta bëj pa marrë përgjigje as andej e as këndej, as nga shteti im, as nga shteti grek dhe as nga tubimet e shoqatave shqiptare, Federata në Athinë e “Nënë Tereza” në Selanik.
Vërtet a do të vijë, ose më thjesht të them, a do ta sjellin Gjergjin e Gjon Kastriotit, kordhëtarin e madh të shekullit të 15-të në një shesh me emrin “Skënderbeu” dhe me një shtatore mbi kalin e tij legjendar me shpatë drejtuar lindjes otomane, në Athinë?
Nuk e sollën në 600 vjetorin e lindjes përveçse nëpërmjet një sesioni përkujtimor organizuar nga një shoqatë shqiptare në emigracion.
Nuk e sollën as në 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar, të Shpalljes së Pavarësisë…
Iku edhe shansi i fundit, 550 vjetori i vdekjes së heroit legjendar që në krye të një populli të vogël në numër, për njëzet e pesë vjet i qëndroi si e sa askush në kontinentin evropian ushtrisë më të madhe të kohës, ushtri që ngadhënjente në Azi, Afrikë dhe Evropë duke dridhë edhe fëmijën në bark të nënës.
Ministria e Evropës dhe e Punëve të Jashtme, sot, më 17 janar 2021“Përkujton 553-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe jep lajmin: Brenda 2021pritet të inaugurohet busti i ri i Skënderbeut, në Hungari, ndërsa vijojnë përpjekjet për të iniciuar ngritjen e të tjera monumenteve në qytete të tjera.”
Në Romë, Paris, Detroit, New York, Prishtinë, Dibër të Madhe, Shkup… Ai, shpatari i madh shqiptar, mendjendrituri i madh, që i tha ndal për më se një çerek shekulli urdisë më të madhe dhe të kobshme të mesjetës, Perandorisë Otomane, është i derdhur në bronc, përveçse në Athinë, përveçse tek fqinji ynë jugor bëmat e të cilit i dhanë jetë qëndresës dhe krahë Revolucionit Grek (1821-1828) për çlirimin nga rrjeta e hekurt otomane.
Tash, pas kaq vitesh betejë historianësh për origjinën e Gjergj Gjon Kastriotit, “përroi” i rrjedhës sllave e helene për origjinën e Kastriotëve mund të themi me bindje se është tharë. “Burimet” që e furnizonin atë nën emra “Georgij” e “Jorgjis” nuk rrjedhin më, përveçse tek ndokush që i ka marrë koka ujë.
Grekët… siç citon studiuesi kosovar, i ndjeri Shkëlzen Raça, në kumtimin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në historiografinë greke të shek. XIX” pjesë e librit të tij voluminoz “Gjurmime në historinë shqiptare” shkruan: në botimin e gjashtë të “Historisë së kombit grek” të Paparigopullos, në përkujdesjen redaktoriale të historianit të njohur atëherë grek, Karolidhit, bëhet e pranueshme prejardhja shqiptare e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.” (f.160)
Kristo Zharkalliu, një njohës dhe studiues i historisë dhe marrëdhënieve historike midis dy popujve në shkrimin polemizues “Disa sqarime, disa përgjigje” (Plus Gazeta Athina 13 janar 2012 f.14) thekson: “Grekët nuk e konsiderojnë Gjergj Kastriotin të tyre dhe le ta quajnë “Jorjios” por megjithatë e nderojnë së tepërmi. Mjafton të themi, se në muzeun historik, në ish Parlamentin e vjetër grek, në hyrje të tij, në mure janë vendosur portretet e heronjve të Revolucionit. Portreti i parë dhe më i madh është ai i Gjergj Kastriotit, ku shënohet vetëm emri i tij pa asnjë shpjegim nacionalist”.
Shpresojmë se me fjalinë e fundit …“ndërsa vijojnë përpjekjet për të iniciuar ngritjen e të tjera monumenteve në qytete të tjera”, MEPJ do ta ketë fjalën edhe për një shesh dhe një monument të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Athinë…
Athinë, 17 janar 2021