Amaneti i Murat Koltrakës që s’e tret dheu:


Nga Murat Koltraka

Vendi ynë, ende në tranzicion e në proces të shpejtë transformimi, ka nevojë më tepër se kurrë për fjalën e akademikëve, profesorëve, doktorëve, në të mirën e zhvillimit të vendit tonë. Ndonëse rrallë në shtyp shfaqet mendimi i tyre, ndonjëherë dhe na zhgënjejnë.
Në gazetën ‘Republika‘ të datës 04. 10. 2009 botohet një studim i tre Prof. dr. Pandi Stratoberda, Niko Pano e Alfred Frashëri mbi sistemin hidrografik liqeni i Shkodrës-Bunë-Drin, perspektiva te zhvillimit dhe parregullsitë që ekzistojnë. Shifrat dhe faktet e sjella prej tyre mbi shumëllojshmërinë e shpendëve, të amfibëve, të reptilëve, të molusqeve, gjitarëve e të tjera çështje, janë tregues të një punë serioze, që pasqyrojnë potencialin ekologjik të një ekosistemi, i cili, me të drejtë, duhet mbrojtur dhe për zhvillimin e mëtejshëm të tij duhen mënjanuar parregullsitë që pengojnë.
Duke marrë shkas nga shkrimi juaj, të nderuar zotërinj, deshëm të replikojmë pak me ju, jo për kompetencë shkencore e profesionalizëm, por se ju në punën tuaj jeni treguar tepër të njëanshëm. Ju rekomandoni si të vetmen alternativë për mbrojtjen e ultësirës shkodrane e asaj malazeze, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, pasi, sipas jush, variante të tjera janë të kushtueshëm.
Për rajonin që përmbytet, pasojat që i vijnë atij, ju nuk e keni vënë lapsin në letër, pra nuk u interesojnë. Kjo do të thotë, të shikosh vetëm njërën anë të medaljes, ose është sitë bisedosh me vetveten. Trajtimi i një anshëm i këtij problemi, që përbën kërcënim për një komunitet, prej dhjetëra-mijëra banorësh, me tridhjetë fshatra të kësaj lugine, e të tjerët përreth, vë në diskutim qëllimin e studimit tuaj, motivet që u shtyjnë.
E themi këtë pasi, ideja juaj është të asgjësohet një ekosistem, vlerat te tjera te mëdha te tij, për të mbrojtur një ekosistem tjetër. Ne ju pyesim: A mund të quhet zgjidhje, një justifikim si ai i juaji, që sakrifikoni një, por disa zgjidhje të tjera duke sjellë katastrofë për një komunitet të tërë, pasoja të rënda për Dibrën në tërësi? Ideja juaj të nderuar zotërinj nga ne dibranët lexohet: “Qep një pëllëmbë e shqep një pash”.
Skavica përmbyt luginën e Drinit të Zi në një gjatësi prej 75 km, nga Kukësi në veri, deri në kufi me Maqedoninë në jug, asgjëson potenciale të mëdha etnike, ekonomike, kulturore, historike, ekologjike, te cilat ju nuk i keni studiuar, në një pellg të pasur mbi 160 km2, që për këtë popull kanë një kosto shumë të madhe.
Dibra një etni, një gjak, një gjuhë, me të njëjtat tradita e zakone, me një histori të përbashkët, me1913 u nda më dysh. Ata që e ndanë, nuk përfillën asnjë parim për vendosje, por vulosën vendimin duke marre me vete njollën e turpit gjate tere historisë. Dibra e Epërme padrejtësish tu kaloi sllavëve, Dibra e Poshtme i mbeti Shqipërisë. Kjo gjysmë e territoreve dibrane që i mbeti Shqipërisë, të nderuar zotërinj, a duhet të ndahet dhe një herë nga jugu në veri sipas idesë suaj? Nëse ndodh kështu, Dibra e Poshtme shpërbëhet.
Përmbytja e luginës së Drinit të Zi për mbrojtjen e “Aeroportit” më të madh të shpendëve e të gjallesave të tjera të një rajoni tjetër, për Dibrën në fushën ekonomike do të thotë; deri në 8000 ha tokë produktive më pak nga 12500 ha që ka Dibra gjithsej, deri me 8000 persona të larguar nga puna, pasi në një hektar tokë punësohet një punëtor, 200 mijë rrënjë dru frutorë më pak, 4000 hektarë foragjere, pa llogaritur pyjet, kullotat, material ndërtimi e të tjera. Do të thotë 9000 krerë lopë nga racat më të mira, 25000 krerë të imta më pak, ndërsa në produktet, i hiqen nga menuja popullit të këtij rajoni; 9000 kv mish gjedhi cilësi e parë, 5000 kv mish të imtash, 32000 kv grurë, 70000 kv misër, 1. 600. 000 kv fruta, 180 000 kv qumësht lope, 21. 000 kv qumësht të imtash në vit, perime të freskëta e të thata, e të tjera.
Ky është vetëm hapi i parë i hedhur këto vitet e fundit nga qindra biznese të mesëm e të vegjël që ushtrojnë, aktivitetin në këtë rajon, kur mundësitë për të ardhmen janë shumë herë më të mëdha. Ndërtimi i Skavicës të nderuar zotërinj, zhduk nga harta e Shqipërisë një nga ”Perlat“ më të bukura e më të pasura në tërë territoret shqiptare, produktete saj në përmasa kolosale, konkurruese në tregun ndërkombëtar për cilësinë e lartë të tyre vite më parë, zhduk “ Hambarin” e Dibrës e për rajonet përreth, me ekzistencën e të cilit është e kushtëzuar jeta e popullit të këtij rajoni nga prehistoria deri në ditët tona.
Pra ndërtimi i kësaj vepre për Dibrën do të thotë; më pak prodhime, më pak të ardhura, më pak dibranë në këtë rajon historik, më shumë ditë pa diell, më shumë ndotje të ambientit, më shumë rrezik për shëndetin e jetën e njerëzve e jo të shpendëve, amfibëve e të tjera gjallesave, që ju u kushtoheni në studimin tuaj. Ideja juaj të nderuar zotërinj, detyron mijëra banorë të lënë trojet e tyre etnike, pa qenë fajtor, ndërpret jetën njerëzore në këtë luginë pas më se 8000 vitesh jetë, të cilën nuk arritën ta ndërpresin luftërat në këtë rajon historikisht të trazuar, epidemite, as katastrofa të natyrës.
Ideja juaj mbi Skavicën fundos përgjithmonë vlera të pazëvendësueshme historike me rëndësi jo vetëm rajonale, por, sidomos kombëtare. Në pellgun e Drinit të Zi, edhe pse ky rajon bën pjesë në një krahinë të brendshme malore, jeta ka filluar që në neolitin e hershëm, njëherësh me vendbanime të para në rajone të Adriatikut e të Mesdheut me një popullsi vazhdimisht të dendur dhe njeh vetëm vazhdimësi. Në këtë pellg, arkeologët, deri tani, kanë evidentuar 40 qendra arkeologjike, shumë prej tyre në nivele shumë të ulëta, që i përmbyt çdo variant i ndërtimit të kësaj vepre, vendbanime historike të virgjëra, që përfaqësojnë çdo epokë, në të cilën ka kaluar shoqëria njerëzore në më shumë se 8500 vite jetë.
Zotërinj të nderuar: E tërë kjo pasuri e madhe historike, kulturore, shpirtërore, jo vetëm ekologjike e transmetuar nga brezi në brez ne mijëra vite, a duhet të fundoset përjetësisht nën ujë që mbi të rëndojë veç peshës së ujit edhe errësirës së përjetshme dhe pesha e harresës?Çdo objekt arkeologjik ka jo vetëm vlera materiale, por sidomos vlera kulturore shpirtërore. Çdo gjeneratë i transmeton diçka vitale nga vetja, brezit pasardhës. Ç’do të thotë, të nderuar zotërinj, të fundosë shpërjetësisht nën ujë një trashëgimi kaq të pasur të transmetuar në breza për mijëra vjet, ta fshish nga kujtesa e një populli dhe për brezat që do të vijnë për mbrojtjen enjë ekosistemi tjetër?
Këto thesare janë vetëdija historike e një populli vital, janë të shenjta, për ta nuk ka çmim, ata as nuk mundte blihen, as te shiten për interesat e të tjerëve. Nuk mendojmë të ketë ndonjë vend ku intelektualët e vet t‘u rekomandojmë pushtetarëve të atij shteti, të asgjësojnë thesare të tilla të historisë për të mbrojtur ekosistemin e një rajoni tjetër, gjallesat e tij, qoftë edhe për arsye më madhore.
Përfaqësojnë prehistorinë në Luginën e Drinit të Zi, vendbanimet e mëposhtme si: “Kronza” e Blliçes, “Burimi” në zonën e Maqellarës, qëi përkasin neolitit të hershëm, ndërsa “Blliçja”, “Çetushi” “Topojani”, “Salbatra e Sule”, “Topuzet”, “Çukui Lekës” “Zall – Sina”, “Meja e Qytetit”ne Zall Dardhë e të tjera janë vendbanime prehistorike te mëvonshme.
Në këtë rajon përfaqësohet kultura qytetare ilire me tre qytete ilire, 1)në Zall – Dardhë, 2) ne Gjire të Përnezhës ne Fushë – Alie dhe 3) ne Gradec ne nivele shume të ulëta, qe çdo variant i Skavicës i përmbyt. Studiuesi latin Tit Livi shkruan (shek IIp. e. s. ) se në luginën e Drinit të Zijanë 14 qytete e kështjella ilire të penestëve (ende të palokalizuara).
Më të përmendurat për luginën e Drinit te zi ne Dibër janë; “Uskana” qyteti i dyte pas Durrësit për nga madhësia në tërë trevat ilire, Draudaku, Oenea e famshme si qyteza më e fortifikuar të cilën prof. dokt. Kristo Frashëri, Apolon Baçe dhe studiuesit dibranë e lokalizojnë në fshatin Çidhën e Poshtme, pjesë e këtij rajoni.
Me territore të kësaj lugine janë të lidhur ekzistenca dhe historia e Kastriotëve. Këtu janë vendlindja dhe vendbanimi i Pal Kastriotit, i Gjonit, i heroit tonë kombëtar dhe hero i rilindjes evropiane, (sipas disa studiuesve), Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Në këtë luginë buzë Drinit të Zi më 29 Qershor 1444 u zhvillua beteja e “Torviollit” e cila përfundoime shpartallimin e plot te ushtrisë turke, jehona e të cilës u dëgjua në tërë kontinentin evropian, ngjalli shpresa shpëtimi për popujt në robëri, për të cilën Skënderbeu u vlerësua shumë dhe mori mesazhe urimi nga disa kancelari evropiane te kohës.
Me historinë e Kastriotëve lidhet vendi me toponimin “Kodra e Pareve”. Disa studiues mendojnë se ka qenë tempull i Kastriotëve. Ka mendime se këtu mund të ketë lindur Skënderbeu. Këtë objekt e përmbyt dhe varianti më i ulët i ndërtimit të kësaj vepre. Në këtë pellg ndodhet Sina e Pal Kastriotit, fshat ku nis dalja e Kastriotëve në skenën e historisë, ndodhet Kastrioti, fshati i krijuar dhe i banuar nga Gjon Kastrioti. Këtu kaloi vitet e para të jetës heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“Skavica” fundos varret e të parëve tanë, zhduk një toponomi mjaft të dendur me emra ilir, emra te tjerë te lidhur me emra fortesash, betejash, objektesh e pronash të Kastriotëve.
“Viset e Çidhnës”, janë vise të Skënderbeut, shkruan Barleti.
Fundoset “Ura e vjetër e Reçit”, kryevepër arkitektonike në ndërtimin e urave, Katedralja e Shën Lleshit, (rrënojat) më e madhja në Ballkan me kapacitet mbi 2000 vende, ku zhvilloi punimet Kuvendi i dytë ndërkrahinore i Dukagjinit, më1602.
Fundoset “Ferra e Pashës” buzë Drinit të Zi që ka shërbyer si “Seli”e fisnikërisë së “Nëntë Maleve” historike të Dibrës për rreth pesë shekuj. Këtu janë marrë vendime historike sa herë ky rajon është kërcënuar, ose është sulmuar nga pushtues të huaj.
Fundoset shtëpia e “Riza Lushës” kumë 1920 u krijua “Qeveria e Arrasit”. Në këtë shtëpi u krijua shtabi që udhëhoqi kryengritjen dibrane për çlirimin e Dibrës nga pushtuesit serb.
Pa u zgjatur më tej të nderuar miq, ky rajon meriton të shpallet zonë muzeale e vlerave të mëdha historike. Në shërbim të idesë sonë mbi paprekshmërinë e këtyre burimeve të historisë, citojmë një pjesë nga gjeniu i jashtëzakonshëm Shekspiri cili shkruan: “Nuk mund të pretendosh se e njeh një komb edhe sikur të jesh pjesë e tij, nëse nuk din historinë e prejardhjes së tij”.
Për historinë e Dibrës volume të tëra nuk mjaftojnë, është me rëndësi kombëtare të nderuar zotërinj, si e tillë është dhe e juaja.
Në vendin e këtyre thesareve të historisë duhet investuar, jo për fundosjen e tyre në errësirë te përjetshme, por që të zbulohen, të dalin në dritë, që të mos heshtin, por të flasin dhe të presin vizitorë nga vendi e bota.
Kush mohon historinë e një kombi ka mohuar ekzistencën e tij. Dikur, për një ide të tillë, për luginën e Kolorados në Amerikë i nderuari presidenti amerikan i asaj kohe Linkoln këshillonte: “Lëreni luginën e Kolorados, të bukur ashtu siç e ka dhënë Zoti”.
Studiuesit tanë nuk duhet të bëjnë studime të njëanshme, qe pushtetarët tanë të mos e njohin realitetin ashtu siç është.
Ju të nderuar zotërinj, kërkoni t’i shkulni themelet asaj përmendoreje madhështore, që Dibra ngriti gjatë tërë historisë, aq të lartë sa shikohet në Kosovë, në Shkodër, në Durrës, në Vlorë, në Janinë, kudo ku flitej gjuha e bukur e shqipes, pasi në këto vende prehen të qetë martirë dibranë, që dhanë jetën në mbështetje të bashkëkombësve të tyre sa herë kaluan stuhi të historisë në këto anë.
LËRENI LUGINËN E DRINIT TË ZI, TË BUKUR SIÇ E KA DHËNË ZOTI, ZOTËRINJ TË NDERUAR!

Marrë nga libri i Abdurahim Ashikut
“Po Dibrës! Jo Skavicës” (Njerëz që i dua-4), Botimet M&B, Tiranë 2010, faqe 106-113.