Doktor Asllani la pas punën dhe veprën e tij
Nga Osman Xhili


 

Unë përpiqem të shkruaj për njerëzit, kur janë gjallë e shëndoshë, por për ty nuk munda. Kërkoj ndjesë, miku dhe kolegu im, ndaj dua që nëpërmjet këtyre pak rreshtave të shpreh një mirënjohje, jo vetëm timen, por dhe të shumë miqve të tjerë për ato vlera, që tregove në jetë. Nuk le shumë pasuri pas, siç nuk lënë në përgjithësi njerëzit e ditur, por na le një pasuri të një lloji tjetër, shumëfish më me vlera se ajo e para, qe konvertohet në lekë dhe në euro. Na le pas dashurinë për profesionin tonë të nderuar, mënyrën se si duhet të sillemi me njerëzit, me klientët, me kolegët, pse jo dhe me kafshët, pacientët dhe aleatët tanë.

KRYETARI I SHOQATËS SË BLETARËVE

Ti i doje të gjithë llojet e kafshëve, por një dashuri të veçantë shprehe dhe për bletën, këtë krijesë të mrekullueshme, që përmendet dhe në Kuran. Albert Einshtaini i madh thotë se “Nëse bleta do të zhduket nga rruzulli tokësor, njerëzimit i mbetet dhe katër vjet jetë. S’ka bletë, s’ka polenizim, s’ka bimë, s’ka kafshë, s’ka njerëz”.
Jo vetëm e deshe bletën, por ngrite shoqatën e bletarëve, të cilën e udhëhoqe për shumë vite me dinjitet dhe profesionalizëm. Shpesh i bëje bashkë bletarët e Dibrës, për të shkëmbyer eksperiencat, për të kuptuar shkaqet e ndonjë dështimi, për të promovuar të rejat e shkencës dhe medikamentet e reja më efikase, për kurimin e sëmundjeve në bletë. Bashkë me kolegun e palodhur, doktor Bilik Shehun, jeni autorë të një kalendari për bletarinë. Bletarët e rinj nuk kanë përse të pyesin dikë, çfarë duhet të bëjnë në këtë muaj, apo në muajin tjetër, mjafton të konsultohen me këtë kalendër të mrekullueshëm.
Jo vetëm kaq, por ti ndërmore një studim me shumë vlera, për të treguar se ku synonte të arrijë bletaria në Dibër, çfarë majash mund të kapte ajo. Nëse sot kemi gjashtë mijë koshere bletësh dhe 60 ton mjaltë, deri ku mund të shkonte ajo pas disa viteve?
Shpesh studimet e këtij lloji degradojnë në një kopjim të thjeshtë të të dhënave të mëparshme, pra një plagjiaturë e mirëfilltë. Kështu janë mbrojtur doktoratura e plot të tjera të këtij lloji. Ti, miku ynë, doktor Asllani, u përveshe seriozisht, ashtu siç i bëje pa hile, të gjitha gjërat, që të ngarkoheshin.
Po të ishte fjala për numrin e krerët të lopëve, puna do të kishte qenë mjaft e thjeshtë. Hektarët e mbjellë me jonxhë, foragjere e tagjira, do të konvertoheshin në kunjtalë e njësi ushqimore dhe do të nxirrej përfundimi. Por te bleta problemi ishte më i komplikuar. Duheshin bërë studime pararendëse. Kush janë bimët e pemët mjaltëse në Dibër. Sa drunj ka të të tillë, sa kultura të tjera mjaltëse ? Sa blina, sa akacje, sa hektarë me jonxhë, me tërfil, me perime, me livadhe e kullota alpine. Të gjitha këto do të shumëzoheshin me kofiçentin e prodhimit të mjaltit, për të nxjerrë rezervat e këtij produkti të mrekullueshëm, që shëron dhjetra sëmundje. Pas shumë netësh të pagjuma, mund e përpjekje, konsulensa me kolegë, me agronomë, me pylltarë, me bletërritës, e plot kategori të tjera, erdhi përfundimi. Nëse sot kishim gjashtëmijë koshere, numri mund të shkonte në 16 mijë, pra të rritej dhe me dhjetë mijë të tjera. Kjo të kënaqi pa masë. Ti llogarisje që të shtoheshin dhe 200 bletërritës të tjerë me të paktën, nga 50 koshere. Mos të harrojmë që nuk ishte vetëm mjalti në llogari, që nga 60 ton do të shkonte në 160 ton. Me po kaq raport do të shtohej dhe dylli, poleni dhe qumështi i bletës, aq me vlera në kurimin e sëmundjeve të ndryshme.
Natyrisht, ky projekt nuk mund të realizohej brenda vitit dhe me një të rënë të lapsit. Projekti llogaritej të mbyllej për një pesëvjeçar, me një shtesë 20 përqindësh për çdo vit dhe kërkonte punë e përgjegjësi. Duheshin bërë kualifikime të bletarëve, sensibilizim për të mbjellë pemë, blina dhe akacje, duhet dhe përmirësim i infrastrukturës rrugore nëpër male, për të mundësuar shtegëtimin e bletëve në sezon. Të shpresojmë që ky projekt do të të bëhet realitet dhe Dibra gati të trefishojë numrin e koshereve të bletëve, në një të ardhme jo të largët.

BRUÇELOZA NË DIBËR

Studimi për rritjen e kapaciteteve në bletari, nuk ishte i vetmi për doktor Asllanin. Madje gjithë jetën e tij ai mbeti një studiues i vemendshëm. Vëzhgonte rastet e reja, bënte krahasime, konsultohej me kolegët, me literaturën e re, për të nxjerrë konkluzionet e duhura. Një nga sëmundjet që e shqetësonte më shumë doktor Asllanin ishte Bruçeloza, pasi veç dëmeve në kafshë, ajo prek dhe njerëzit.
Në vitin 1925 rasti i parë në Shqipëri u zbulua në Gjirokastër dhe dhjetë vite më vonë u takua në Tiranë, Korçë dhe në qytete të tjera. Në qarkun e Dibrës kjo sëmundje u has për herë të parë në vitet shtatëdhjetë në Zalla Reç dhe në Ostren. Në vitin 1994 në Kala të Dodës rezultoi një person i prekur me bruçelozë. Për këtë arësye u krye një gjurmim në 14800 krerë të leshta, ku rezultuan 592 krerë, ose shkallë infeksioni prej 4 përqind. Më vonë në vitin 2004, kur u krijuan qarqet, u bë dhe gjurmimi në shkallë qarku. Që nga kjo kohë e deri në vitin 2012 u bënë kontrolle e gjurmime, duke rezultuar sëmundja e pranishme në 18 komuna, ose 51,4 përqind, por duhet theksuar që rastet kanë qenë sporadike.
Studimi është i gjerë dhe me shumë të dhëna të tjera, por meqë ka anë të shumta teknike,për më shumë do t’i paraqesim në një libër kushtuar historikut të veterinarisë.

NË KUJTIMET E MIQVE TË TIJ

Kamber Faruku, gazetar dhe shkrimtar i njohur dibran, ka patur lidhje miqësore me doktor Asllanin. Tregon një rast të ndodhur dekada më parë, kur doktor Asllani ishte në vitin e parë të punës. Një kalë i familjes së gazetarit ishte shpuar në krahëror, një pneumotoraks, që rrezikonte kafshën për ngordhje. Një mjek veteriner tjetër nuk e mori përsipër, kurse doktori i ri e mori në dorë situatën. Me një ndërhyrje kirurgjikale dhe disa ditë mjekim, u bë e mundur që kali të shpëtojë e të vazhdojë punën normalisht. Një tjetër rast i po kësaj familje, disa vite më vonë. Një dele ishte shpuar në kavitetin abdominal nga brirët e një lope dhe zorrët ishin gati përjashtë. Sërish doktor Asllani i bën qepjet e duhura dhe delja bëri dy qingja një vit më vonë.
Gazetari i nderuar, e kujton mikun e tij, Asllan Xhanin dhe si një sportist të dalluar në rininë e tij. Një sulmues shtatshkurtër, por shumë teknik, organizator për takime e spartakiada mes fshatrave.
Një nga personazhet legjendare të veterinarisë, doktor Rami Gjymyshka, ka mjaft kujtime për mikun e tij. Ai tregon se janë njohur që në fillim të viteve ‘80.
Që atëherë e deri në vitin 1997, doktor Asllani ka drejtuar shërbimin veterinar të Dibrës. Ai, jo vetëm drejtoi me kompetencë, por dhe me ndershmëri, pa abuzuar me fondet shtetrore. Në vitin 1994 shkoi vetë në Kala të Dodës për disa ditë, duke ndjekur gjurmimin e krerëve pozitivë për bruçelozë. Ai shquhej për batutat dhe humorin e hollë.
Shumë e shumë njerëz kanë mbresa e kujtime të bukura për doktor Asllanin. Maks Hajrullai, Osman Begu, dikur drejtorë bujqësie të qarkut, por edhe Bilik Shehu, Lirim Begu, Gëzim Tuka e çdo njeri që e ka njohur. Doktor Asllani ka lënë pas një familje të mrekullueshme, tre fëmijë me shkollime të larta, që do ta përcjellin më tej punën dhe veprën e tij.