Kur lexon librin “Pacienti ynë i veçantë”


Nga Destan Rama

Ndodh që sa herë që del në dritë një libër i ri, lexuesit bëhen kureshtarë dhe duan të dinë: ç’libër është ky? Ç’temë trajton? Ç’synon t’i përcjellë lexuesit? Kështu ndodhi edhe me librin “Pacienti ynë i veçantë”, i shkruar nga prof. dr. Ahmet Kamberi.
Dr.Ahmeti është djalë i fshatit Peladhi (Dibër), një emër i nderuar ky, që vjen nga legjenda e kohës së Skënderbeut. Vjen nga një familje atdhetare që dijen e kishte në gjak. Ishte e para familje ku hyri abetarja e pare shqip, e sjellë nga gjyshi i tij, Sadik Kamberi, në mes të bukës nga Stambolli. Abetarja qarkulloi derë më derë në gjithë fshatin dhe Grykën e Madhe.
Pikërisht këtu lindi, u rrit dhe u edukua prof. dr. Ahmet Kamberi. I ngjiti shkallët e dijes një e nga një dhe sot është një mjek i nderuar, një burrë fisnik, një person publik, që e njeh gjithë Shqipëria dhe më tej. Ka kryer detyrën e Ministrit të Shëndetësisë (shkurt 1987- shkurt 1991). Unë e konsideroj si privilegj, por edhe si detyrë , që më jepet mundësia të shpreh mendimet e mia për vlerat e librit.
Pasi lexova librin, them me bindje të plotë se ky i ka shërbyer ndriçimit të plotë të një periudhe të caktuar kohore, e cila perceptohet sot krejt e deformuar.
Qëllimi i librit është që autori të rrëfejë punën që ka bërë ai dhe kolegët e tij të ekipit mjekësor të “Pacientit” në ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të tij.
Nëpërmjet punës së tij dhe të kolegëve të ekipit, autori rrëfen të vërteta historike, të cilat nuk njihen. Shumëkush mundet të mos e ketë ditur se na paskësh qenë krijuar një Ekip Mjekësor për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të udhëheqësit të fuqishëm të shtetit shqiptar, i cili në kohën e vet, adhurohej nga populli dhe partia në krye të së cilës ai ishte.
Këtij ekipi i kërkohej që ‘Pacienti’ të ishte i shëndetshëm dhe funksional. Gjendja e shëndetit të tij ishte sekret shtetëror, ndaj edhe ekipi i tij mjekësor duhej të funksiononte në përputhje të plotë me këtë detyrim. Për këto, e themi me plot gojën, se ai nuk ishte një pacient si gjithë të tjerët, jo në kuptimin mjekësor të fjalës, por në kuptimin e personalitetit të tij të fuqishëm, për shëndetin e të cilit, udhëheqja e lartë politike e shtetit kërkonte të bënte kujdesin maksimal për të: ishte “Pacient i Veçantë”.
Nëpërmjet shfletimit të faqeve të librit lexuesi do të njihet me mënyrën e organizimit të ekipit, me anëtarët e tij, që ishin një ekip mjekësh të përzgjedhur, si edhe me punën që bënin ata për ruajtjen e shëndetit të ‘Pacientit’. Po kështu, nëpërmjet rrëfimit të autorit, të marrëdhënieve të mjekëve me të, lexuesi do të gjykojë edhe për natyrën e tij si njeri. Ai kishte një natyrë të qetë, i përzemërt, nuk shprehte kurrë pakënaqësi me mjekët dhe se kur ishte në humor të mirë, kënaqeshe me të kur bisedoje.
Me mjaft kureshtje dhe habi, gjatë leximit të librit, mendoj se do të priten nga lexuesi rrëfimet e autorit për disa incidente të tij me udhëheqës të lartë të asaj kohe, po gjithashtu mendoj se ai (lexuesi) do të dijë të depërtojë edhe në zhvillime të veçanta të asaj kohe.
Në libër autori na tregon se mjekët që i shërbyen atij, nuk e treguan zotësinë e tyre vetëm me ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të tij. Ata, secili në mënyrë vetjake, dhanë një kontribut të vyer në ngritjen e nivelit shkencor e klinik të kujdesit mjekësor të vendit tonë.
Gjatë leximit të librit, lexuesi do të mësojë se autori mënyrën e të rrëfyerit e ka zgjedhur në vetën e parë dhe si i tillë ai na ka rrëfyer për punën e tij, rolin e tij, vështirësitë dhe peripecitë që i kanë dalë përpara gjatë kryerjes së detyrës.
Neve, si lexues, na trokasin fort në ndjenjat tona rrëfimet dhe përshkrimet reale të pasqyruara me një nivel të lartë letrar dhe me një drejtshkrim të përsosur. Këto ia rrisin vlerën librit. Ka shumë momente që bashkëbiseduesit shprehen në mënyrë të figurshme e të zgjedhur në të folurën e tyre. Nuk ka sesi të mos ndjesh emocione të forta, kur lexon librin e të dalin si në ekran të gjitha rrëfimet që flasin për një epokë historike të së kaluarës.
Për mua, ky libër do të mbetet një vepër monumentale historike e pavdekshme. Do t’u rrëfejë brezave që vijnë për atë periudhë të asaj epoke historike
Prof. dr. Ahmet Kamberi

Lindur në Peladhi, Dibër. Anëtar i Ekipit Mjekësor dhe i njësisë së kardiologëve të shërbimit të pandërprerë të Pacientit që në krijimin e tij në vitin 1976 e deri në vitin 1985. Studimet për mjekësi i filloi në vitin 1956 në universitetin “Zemelweiss”, Budapest, Hungari. Por për shkak të kryengritjes së tetorit të atij viti i vazhdoi dhe i kreu në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë në vitin 1961. Nga viti 1961 deri në vitin 1971 punoi në spitalin e Peshkopisë. Klinicist i specializuar për sëmundjet e brendshme (1967-1969). I vetëformuar si kardiolog, transferohet në vitin 1971 në Klinikën Speciale nga spitali i Peshkopisë, me cilësinë e kardiologut. I specializuar në Stokholm, Suedi për kujdesin koronar intensiv. I specializuar në Paris, Francë si diabetolog. Hartuesi i të parit protokoll në Shqipëri për mjekimin e infarktit akut të miokardit. Zbatuesi i monitorimit ambulator me Holter ritmi edhe në pacientët jashtë Klinikës Speciale. Themeluesi i Kabinetit të Provës Ushtrimore në biçikletë ergometrike pranë shërbimit të kardiologjisë në Spitalin Klinik nr. 1, Tiranë. Zbatuesi i kësaj prove në të sëmurët me sëmundje të arterieve koronare, si edhe në ata me infarkt akut të pandërlikuar të miokardit brenda javës së tretë të sëmundjes, mbështetur në protokollet e metodikat shkencore të përpiluara prej tij- përkatësisht në vitin 1980 dhe 1983. Pas shpërbërjes së Ekipit shërbeu si drejtor i Klinikës Speciale. Më pas, ministër i Shëndetësisë (1987-1991). I zgjedhur zëvendëskryetar i Komitetit të 39-të të OBSH-së për Rajonin e Europës në vitin 1989 në Paris. U lirua nga detyra e ministrit më 31 janar 1991, sepse qe kritik ndaj qeverisë për paaftësinë e saj në zgjidhjen e problemeve që ishin ngritur nga protestat kundër regjimit dhe sepse dy ditë para lirimit të tij kishte kërkuar dorëheqjen e saj. Deputet në Kuvendin e parë pluralist të Shqipërisë në vitin 1991 dhe kryetar i Komisionit Kuvendor për të drejtat e njeriut dhe të pakicave etnike. Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë (1991-2008). Ka gradën shkencore doktor dhe titullin shkencor profesor në kardiologji. Bashkautor i librit “Sëmundjet e Zemrës”. Ka shkruar mbi nëntëdhjetë artikuj të botuar në revista shkencore, mjekësore brenda e jashtë Shqipërisë; pesëdhjetë e katër referate e kumtesa në konferenca e kongrese mjekësore. Anëtar themelues i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë dhe President i saj (2004- 2007). Themelues i Revistën Shqiptare të Kardiologjisë dhe kryeredaktor i saj (2002-2004). Anëtar i Shoqatës Europiane të Kardiologjisë (ESC). Koordinator i kësaj Shoqate për Shqipërinë (2005-2010). Anëtar i Komitetit të Vlerësimit të Abstrakteve të Kongresit të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë (2010 – 2018). Mban titullin FESC për merita profesionale (Fellow of European Society of Cardiology); mban Urdhrin Flamur i Kuq i Punës i “Klasit II” dhe i “Klasit I”, si edhe titullin “Nder i qarkut të Dibrës”. Doli në pension në shtator 2008 dhe vazhdon punën në profesion të lirë.

Ah, ju daibranët!
Kujdesin për pjesëtarët e familjes, Pacienti e vlerësonte shumë. Nuk ishte për shpërblime materiale, por i jepte shumë rëndësi shprehjes së mirënjohjes.
Në mbrëmjen e 9 shkurtit 1980, gjatë kohës që isha në shërbim, shkova të shikoja Nënë Naxhijen. Pas pak minutash që kisha shkuar aty, erdhi edhe Pacienti. U ngrita menjëherë dhe bëra të dilja.
-Jo, jo! – ia bëri ai, rri doktor!
Dhe erdhi drejt meje, më dha dorën dhe më përqafoi. Si u ulëm, ai m’u drejtua:
-Doktor, të falënderoj shumë për kujdesin që ke treguar për Nënën.
-Kam bërë detyrën, shoku Enver, -ia ktheva unë.
-Jo, jo. Nuk ke bërë vetëm detyrën. E di unë cila është detyra. Ke bërë shumë më shumë. Prandaj edhe i meriton falënderimet…
Pa e mbaruar ende ai fjalën, ndërhyri nënë Naxhija:
-Domethënë paska bërë punë të mirë ky doktori, -tha ajo me një ton pyetës.
-Po, – ia ktheu Enveri, – prandaj edhe po e falënderoj.
-Po pse nuk i bën dhuratë një kostum atëherë, -vazhdoi ajo.
-Doktori nuk punon për t’u shpërblyer me kostume, se pastaj nuk do të kishte raft që t’ia nxinte. Fjala e mirë dhe falënderimi nuk kanë nevojë për t’u sistemuar nëpër rafte. Nuk zënë vend fare. Por ato të nxisin të bëhesh edhe më i mirë.
Kur ti i dhuron doktorit një kostum, e ke shpërblyer punën e tij materialisht dhe këtu mbyllet vlerësimi i tij. Por, kur ti e falënderon atë dhe i shpreh mirënjohje të thellë, ti i mbetesh përgjithnjë mirënjohës dhe e bën atë të ndihet i nderuar. Sa më shumë falënderime të mbledhë ai prej atyre që u shërben, aq më i nderuar do të ndihet ai dhe aq më shumë respekt do të tregojë shoqëria për të.
-Ka edhe një mënyrë tjetër për ta nderuar atë, për të gjitha ato që the ti, -këmbënguli Nënë Naxhija.
-E, cila na qenka kjo?, – pyeti Enveri gjithë kureshtje.
-Ja, -tha ajo, – t’i japësh një dekoratë. Kjo nuk është një shpërblim material, ashtu si thua ti, apo jo?
Enveri qeshi me të madhe dhe iu përgjigj:
-Po dekoratat nuk i kam unë. Ato i ka Haxhi Lleshi.
Por, nënë Naxhija, nuk ishte nga ato që dorëzoheshin lehtë. Ajo vuri gishtin tregues të dorës së majtë në kapakun e poshtëm të syrit dhe duke e tërhequr atë poshtë, ia ktheu me një buzëqeshje të hollë ironike:
-T’i thuash ti Haxhiut dhe ai të mos të dëgjojëëë?!…
Enveri ia plasi përsëri të qeshurit dhe iu kthye asaj duke tundur gishtin tregues:
-Ah, ju daibranët… Ç’jeni ca lokalistë ju… Ti edhe doktorin e do daibran, edhe këngëtarin daibran e do, atë, Haziz Ndreun. Atë Fejziun tim ti nuk e do fare…
Pa e lënë të mbaronte fjalën, nënë Naxhija ia ktheu, tërë seriozitet e si me inat:
-Hiç nuk ta dua atë Fejziun tënd. Mbaje për vete atë, të rroftë…
Qeshëm të gjithë. Enveri më shumë se të tjerët. Unë kërkova leje dhe u largova. Më mbeti e fiksuar kjo bisedë dhe e kam kujtuar shpesh me njerëzit e mi të afërm. Nënë Naxhija ishte një e moshuar e admirueshme, por duhej të dije të silleshe me të.
Tre muaj më pas ajo do të bënte një infarkt akut miokardi. Nuk pranoi kurrsesi të shtrohej në spital dhe mua m’u desh të organizoja shërbimin aty në dhomën e saj, në katin e parë të banesës së Enverit. Fillimisht ecuria e sëmundjes kaloi pa ndërlikime serioze, por në fund të javës së dytë, kur ajo e kishte marrë vetën plotësisht nga infarkti dhe po i kthehej jetesës së saj të zakonshme, ajo pati një hemorragji të madhe në stomak, ra në komë dhe nuk mundi të mbijetojë. Enveri vinte 3 deri 4 herë në ditë për ta shikuar. Natën e fundit, kur ajo ishte në komë, pak orë para se të vdiste, ai u ul në shtratin e saj, i mori dorën me të dyja duart e tij, më pyeti nëse do të mund ta kapërcente atë gjendje dhe kur mori përgjigjen time negative, me një keqardhje të dukshme më tha:
-Ka qenë një grua shumë e mirë dhe shumë e mençur.
Pas një copë here Nëna vdiq. Ai u kthye edhe një herë në dhomë. Qëndroi pak minuta në këmbë pranë saj, i vuri dorën në ballë, u kthye nga unë, duke më vënë dorën në shpatull, më falënderoi dhe ashtu i ngrysur doli.