publikohet letra / KE tërhiqet nga mbështetja për Skavicën


Në fillim të janarit 2021, Komisioni Europian ka njoftuar se do të anulojë asistencën teknike për projektin e hidrocentralit të Skavicës, pasi qeveria shqiptare ka vendosur që ta heqë atë nga lista e prioriteteve prioritare të Planit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor të Komisionit Europian.
Revista “Monitor” ka publikuar një letër të Colin Wolfe, drejtori i Kornizës së Investimeve e Ballkanit Perëndimor (WBIF), pjesë e KE-së, i ka dërguar Znj. Simona Bovha Shefe e Divizionit CPCM të Bankës Europiane të Investimeve (BE) dhe për dijeni edhe ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca.
Në letër thuhet se“Pas vendimit të Qeverisë Shqiptare për të ndjekur projektin e investimeve jashtë WBIF dhe për ta tërhequr atë nga lista e projekteve prioritare të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, ne kemi marrë vendimin për të anuluar ndihmën teknike nga 1 Janari 2021”.
Shkresa vijon duke thënë se “Unë e kuptoj që autoritetet shqiptare po tregojnë interes për të marrë rezultate të prodhuara nga asistenca teknike deri në fund të vitit të kaluar. Sidoqoftë, unë do të këshilloja me forcë ndarjen e ndonjë informacioni, pasi ato nuk janë miratuar nga BERZH-i, si institucioni financiar për këtë projekt, as nga DG NEAR ose nga Banka Europiane e Investimeve. Për më tepër dhe e rëndësishmja, shumë dokumente ende nuk janë finalizuar dhe prandaj mund të përmbajnë akoma çështje materiale që duhen adresuar. Duke qenë se asistenca teknike ka të bëjë me projektin për një digë në shkallë të gjerë, çdo problem që del nga kjo situatë mund të ketë potencialisht pasoja serioze”.
Korniza e Investimeve në Ballkanit Perëndimor (WBIF) është një institucion i ngritur nga Komisioni Europian në bashkëpunim me disa institucione financiare ndërkombëtare. WBIF ka bërë publike më parë të dhëna mbi Hidrocentralin e Skavicës.
“Për të rritur sigurinë e energjisë dhe për të zvogëluar rrezikun e përmbytjeve në rrjedhën e sipërme të kaskadës ekzistuese të hidrocentraleve në lumin Drin i Zi, janë rekomanduar dy HEC-e të rinj: HEC-e me 50 MW në Katundi i Ri dhe 120 MW HEC në Skavicë”, shkruhet në dokumentin e publikuar nga WBIF.
“Në vitin 2017, WBIF ka aprovuar një grant prej 1.5 milion Euro për zhvillimin e studimit të fizibilitetit dhe vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social për ndërtimin e HEC Skavica, një digë shtesë, dhe një hidrocentral prej 132 MW, në rrjedhën e sipërme nga HEC-i ekzistues Fierza”.
Sipas WBIF, ky investim do të sigurojë 132 MW energji të rinovueshme, do të rrisë sigurinë e furnizimit me energji elektrike me G 450 GWh / vit dhe do të zvogëlojë rrezikun e përmbytjeve në 10,000 ha. WBIF parashikonte një financim prej 247 milionë e 500 mijë euro për ndërtimin e Skavicës. Nga të cilat 40 milionë euro do të duhej ti financonte qeveria shqiptare dhe 206 milionë euro do të siguroheshin përmes një kredie të BERZH.
Sipas dokumentit të publikuar nga WBIF, nga ndërtimi i Skavicës do të përfitojnë 70,000 familje nga prodhimi i energjisë elektrike. Rreth 1 milionë banorë do të përfitonin nga masat e mbrojtjes nga përmbytja, 10,000 ha tokë rurale e bujqësore do të shpëtojnë nga përmbytjet e parashikuar në projektet fillestare. Numri i përgjithshëm i përfituesve llogaritej në 2.1 milionë banorë.
B.K