Riza Shehu, misionari i hapjes së shkollave shqipe në Zerqan


Riza Shehu, me punën dhe veprën e tij edhe pse punoi e vrapoi plot vrull, pasion e përkushtim, si një misionar i vërtetë, në mësimin e gjuhës dhe hapjen e shkollave shqipe, si dhe çështjen kombëtare shqiptare, mbeti i harruar dhe i pavlerësuar nga regjimi komunist, por edhe pas ’90 me ardhjen e demokracisë?! Kjo heshtje absurde dhe e pajustifikuar, çuditërisht vijon edhe në ditët e sotme, pas 30 vitesh demokraci…

Riza Shehu 1892-1933

‘Porta e madhe’ e familjes së shehelerëve të Zerqanit, ne fillimshekullin e XX, nxorri mjaft pinjollë të saj që vijuan rrugën e të parëve të Teqesë së Zerqanit, Sheh Mustafës dhe Sheh Sulës, në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, për liri e pavarësi të atdheut. Një ndër ta ishte edhe Riza Shehu (nipi i Sheh Mustafës dhe Sheh Sulës), intelektuali, atdhetari nacionalist-demokrat, që punoi e luftoi për hapjen e shkollave shqipe dhe shoqërisë kulturore ‘Bashkimi Demokratik’, në N/prefekturën e Zerqanit.
Riza Shehu lindi më 1892, në familjen e madhe, të shehelerëve të Zerqanit, në një kohë kur Teqeja, në kryesimin e Malit të Grykës së Madhe (Zerqanit), ishte kthyer në një çerdhe në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, për liri e pavarësi të atdheut. Kështu, mjedisi ku u lind dhe u rrit Riza Shehu, ndikoi dukshëm tek ai, për mbruajtjën me ndjenjat atdhetare, nacional-demokratike për liri e pavarësi të atdheut. Mësimet e para në shqip, i mori në vendlindje Zerqan. Më vonë vijoi studimet në shkollën Normale të Elbasanit, që në hapjen e saj, më 1909-tën, duke u bërë kështu një ndër të diplomuarit e parë të kësaj shkolle. Gjatë qendrimit në Elbasan, për formimin dhe shkollimin e tij, u kujdes rilindasi i madh, Aqif Pashë Elbasani, i cili ishte mik i ngushtë, i familjes së shehelerëve të Zerqanit (sheh Sulës). Shkollimi dhe qendrimi pranë familjes së patriotit të madh të kohës, Aqif Pashë Elbasani, ndikuan dukshëm në formimin e Rizait, me edukatën dhe ideologjinë e kohës, ku dhe u dallua për intelektin e tij të spikatur.

Fiqirie Shehu (Likdisha) me gratë e Zerqanit në kursin për zhdukjen e analfabetizmit 1950

Përkushtimi dhe ndihma e Rizait në hapjen e shkollave shqipe në Nënprefekturën e Zerqanit.

Me mbarimin e shkollës, Rizai u kthye në vendlindje, plot vullnet e dëshirë për materializimin e njohurive të formimit të tij profesional, të marra nga shkollimi në Normalen e Elbasanit, për tu ardhur në ndihmë popullatës vendore, jo vetëm në Grykën e Madhe, por edhe më gjërë, në gjithë N/prefekturën e Zerqanit, në përhapjen e gjuhës e shkollave shqipe, për mësimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre. Mbi shpatullat e ‘normalistit’ të ri, binte një peshë shumë e madhe, pasi duhej të kosolidonte cilësisht shkollën e hapur ndër të parat, më 1893 të Zerqanit, nga xhaxhai i tij, Sheh Sula, por edhe më gjërë, në gjithë zonën e Grykës së Madhe. Hapja e shkollës së Zerqanit, ishte dhe mbetet ndër “dallëndyshet” e para jo vetëm në Grykën e Madhe (Zerqanin), por edhe më gjërë, dëshmohet nga një dorëshkrim i filmuar i Hajredin Shehut, që ruhet në arkivin e shtetit, ku thuhet: “shkolla shqipe në Zerqan është hapur nga Sheh Sula më 1893”. Edhe nga burime të tërthorta, por logjike, na çojnë të besojmë se shkolla e parë shqipe në Zerqan është hapur më 1893 , nga Sheh Sula, natyrisht jo në kornizat klasike të saj. Nga trashëgimia familjare gojore e brezave të kësaj familje te madhe, (mbledhur nga Fadil Shehu), konfirmohet se nxënës i kësaj shkolle ka qenë edhe Osman Shehu, i ati i Rizait, i cili më pas i vijoi studimet e larta në Stamboll për jurisprudencë, siç dhe ndodhte me të gjithë pinjollet e familjes së shehelerëve të Zerqanit, të cilët arsimin e lartë e kanë vijuar në Stamboll.
Natyrisht, osmanët nuk e duruan dot shkollën shqipe në Zerqan dhe ndërhynë për mbylljen e saj. Rihapja e shkollës u bë në 1910 po nga Sheh Sula. Këtë e dëshmon edhe telegram i të dërguarit të Austrohungarisë në Durrës, ku shkruhet: “Më lejoni t’i njoftoj shkëlqesisë tuaj… se Fuat Beu, më njofton se kishte arritur të hapte shkollën private shqipe në Tiranë dhe Zerqan Dibër… Drejtori i shkollës është në dorën e Sheh Sulës. (Lutfi Hanku, Hapja e shkollës shqipe në Zerqan). Pra Sheh Sula e rihapi shkollën më 10 maj 1910, ku dha mësim edhe vetë shehu. Mësuesit e pare ishin tregtari Gjergji Baja, që sherbente në Zerqan dhe Osman Shehu, vëllai i Sheh Sulës, me 20 nxënës: Riza Hanku, Ali Gurra, Ram Ceka, Ismail Kurti, Hajdar Sula etj. Natyrisht shkolla nuk pati jetëgjatësi nga ndërhyrja e pushtuesve për mbylljen e saj.
Po në artikullin: “Hapja e shkollës shqipe në Zerqan”, Lutfi Hanku shkruan: “Hapja e Normales se Elbasanit, ku studioi Riza Shehu, ishte një faktor shtytës ndërgjegjësues, për rihapjen e shkollës cilësore shqipe të Zerqanit. Ky ishte një mision sa i vështirë, aq edhe krenar, për djaloshin e ri, për ta çuar përpara cilësisht shkollën shqipe të Zerqanit, të hapur nga xhaxhai Sheh Sula, si dhe nxënësi e mësuesi i parë i saj Osman Shehu, i ati.”
Me mbarimin e Normales, Riza Shehu, kthehet në Zerqan, plot ëndërra e pasion, për të ardhmen, në shërbim të vendit, për përhapjen e gjuhës dhe shkollave shqipe. Fillimisht i përkushtohet punës pranë Teqesë, ku propogandon plot zell, ndër banorët e zones, për përhapjen e gjuhës dhe shkollave shqipe. Më pas, më 1916-1917-tën, normalisti Riza Shehu, nis punë atje ku dhe i rrihte zemra, drejton shkollën shqipe në Zerqan, duke e rihapur atë, pas mbylljes së bërë asaj në 1910-tën, nga turqit.
“ Në maj 1916-tën u rihap shkolla në shtëpinë e Zenel Cekës, me mësues Riza Shehu, i pari që mbaroi shkollën Normale të Elbasanit, ku ndër nxënësit e parë përmendim; Abaz Disha, Hajdar Sula, Hajrulla Lika, Mustafa Ceka, Ali Bardha, Xhaferr Brata, Xhemal Allushi Imerr Vocrri, Sadik Zogu, Miftar Lika etj. (Lutfi Hanku ‘Hapja e shkollës shqipe në Zerqan.)

Rekrutimi në administratën publike vendore.

Nisur nga nevojat e kohës për burime njerëzore, në administratën publike të kohës, ku kishte mungesë të theksuar kuadrosh të shkolluar, bëri që Rizai, të rekrutohet në administratën publike, ku u emërua sekretar komune në N/prefekturën e Zerqanit. Përkushtimi edhe ndaj kësaj detyre nuk ja zbehu kurrsesi vullnetin në përhapjen e gjuhës dhe shkollave shqipe. Ndaj ai në asnjë moment nuk e ndaloi punën në këtë drejtim, që tashmë dukej se ishte kthyer në një mision për të. Pozicioni i punës në n/prefekturë, jo vetëm që nuk e pengoi në këtë drejtim, por përkundrazi e ndihmoi atë. Në përmbushje të punës së tij, ai nuk harroi në asnjë moment, të propogandonte në trevën e n/prefekturës me argumenta, rëndësinë e domosdoshme të hapjes së shkollave shqipe. Në këtë drejtim e ndihmonte edhe shembulli i Zerqanit, që spikaste në këtë drejtim, si zonë mjaft arsimdashëse. Kështu në këtë periudhë, në Zerqan mësues punoi një tjetër pinjoll i shehelerëve, Qamil Shehu, vëllai i Rizait. (Duhet përmendur se trashëgimia e mësuesve të kësaj familje, ka vijuar deri edhe mbas çlirimit të vendit, më 1944, ku punuan mësues edhe Bardhul e Pëllumb Shehu, përkatësisht djali i Rizait e Qamilit, duke plotësuar kështu skemën; baba-djemtë – fëmijët e djemëve). Gjatë kësaj kohe, ka punuar e ndikuar për hapjen e shkollave shqipe, jo vetëm në Zerqan, por në gjithë trevën e n/prefekturës. Ku si pasojë edhe e këtij ndikimi e bashkëveprimi të ngushtë me patriotin Hoxhë Muglica, u arrit që të hapeshin shkolla shqipe në zonën e Gollobordës si, Trebisht, Ostren i Vogël, Steblevë, Klenjë, Lejçan etj. Të gjitha këto shkolla ndërtoheshin privatisht me punë vullnetare nga banorët e këtyre fshatrave.

Formimi dhe kryesimi i shoqatës kulturore “Bashkimi Demokratik” në N/prefekturën e Zerqanit nga tetor 1922 deri në dhjetor 1924

Kongresi i Lushnjës më 21-31 janar 1920, që njihet si një ngjarje e madhe e rëndësishme e historisë së kombit tonë, padyshim që ishte një ngjarje me rëndësi të veçantë, pasi u miratua akti themelor kushtetues, për pavarësinë e plotë të Shqipërisë.
–  Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, Dibra përfaqësohej nga Ramiz Daci, Dine Maqellara dhe Dine Dema. Në këtë kabinet Ahmet Zogu ishte ministër i brëndshëm. Nisur nga fakti se Ahmet Zogu ishte nga Mati, pretendonte se në qarqet parlamentare, përfaqësonte edhe Dibrën, pasi Mati bënte pjesë në Prefekturën e Dibrës. Por nëse Dine Dema dhe Dine Maqellara e pranonin përfaqësimin e Dibrës nga Ahmet Zogu, Ramiz Daci e kundërshtonte këtë. Lindi kështu konflikti i parë mes Ramiz Dacit dhe Ahmet Zogut. Në këtë luftë politike të nisur, krijohen dy grupime politike në Dibër. Njëri që përfaqësohej nga Dine Dema dhe Dine Maqellara dhe tjetri nga Ramiz Daci, Elez Isufi, Dan Cami, Isuf Xhelili, Destan Puca, Mehmet Duriçi, Riza Shehu, Ramiz Alliu etj. I pari u lidh me Ahmet Zogun dhe i dyti me Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, Hamit Toptani, Avni Rustemi, Hasan Prishtina etj. Një situatë e tillë çoi në krijimin e dy rrymave në Dibër, njëra konservatore e lidhur me Ahmet Zogun dhe tjetra e dyta, nacional- demokratike, të lidhur me Bajram Currin, Fan Nolin, Avni Rustemi, Luigj Gurakuqi, etj. Rizai në këtë situatë të krijuar, nuk qendroi indifferent, por u lidh dhe bashkëpunoi me grupimin e dytë nacional-demokratik së bashku me kushëririn e tij, Hajredin Shehu. Në vitet 1921-1924, vendi përfshihet në ngjarje të shumta me karakter demokratik. Kështu në tetor 1922, Avni Rustemi krijon në Tiranë shoqërinë demokratike “Bashkimi”. Krijimi i kësaj shoqate kulturoro-demokratike, si në gjithë vendin, pati ndikimin e saj edhe në Dibër. Riza Shehu gjatë kësaj periudhe, tregohet mjaft aktiv në mbështetjen e kësaj shoqate, kjo edhe për faktin se ajo drejtohej nga Avni Rustemi, shoku i tij i shkollës në Normalen e Elbasanit. Nis kështu të propagandojë me të rinjtë dhe banorë të Grykës së Madhe dhe Bulqizës, idetë dhe platformën e kësaj shoqërie. Ndërkohë forcon lidhjet edhe me përkrahës të tjerë të saj, nga gjithë Prefektura e Dibrës si dhe më gjërë. Një veprimtari e tillë intensive sensibilizimi për njohjen me programin e kësaj shoqate, krijoi terrenin për ngritjen e saj edhe në N/prefekturën e Zerqanit.
Ja çfarë shkruan Kristo Frashëri, në librin Historia e Dibrës, fq. 378; “…Në fillim të vitit 1923 në territorin e prefekturës së Dibër, u krijuan tri degë të Shoqërisë “Bashkimi” , me seli në qendrat e tri n/prefekturavet të saj; në Peshkopi, Zerqan dhe Burrel. Njoftimet mbi këto tri degë, i kemi nga kujtimet që ka lënë në dorëshkrim, Sami Gonxhe (shok shkolle i Rizait, në Normale, shën, im), një arsimtar, anëtar i organizatës “Bashkimi”, që në themelimin e saj. Secila degë drejtohej nga një këshill me një kryesi prej tri vetash, – kryetari, sekretari, këshilltari. Në degën e Peshkopisë, kryetar u zgjodh Taf Agolli, sekretar Sami Gonxhe, këshilltar Haki Sharofi. Në Zerqan kryetar Riza Shehu, sekretar Osman Muglica, këshilltar Mustafa Krajka. Më vonë vendin e Taf Agollit, i cili u thirr në Tiranë si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të “Bashkimit”, e zuri Sami Gonxhe. Anëtarë të Këshillit të Peshkopisë qenë: Menduh Kodra, Selim Jegeni, Rremzi Tërshana, Ismail Metuli, Emrullah Shehu, Tefik Hysa, Myftar Shemsiu, Ejup Xhidra. Në Zerqan: Vahid Kormaku, Isa Demiri, Riza Muharremi, Dile Voci, Hamit Muça etj”.
Ja çfarë shkruan Ilir Puca, në shkrimin e botuar në gazetën Bulqiza me titull: ”Gryka e Madhe në zhvillimet demokratike prill 1920-dhjetor 1924: “Sami Gonxhe, i cili ka qenë anëtar i Shoqërisë Bashkimi dhe sekretar i degës së kësaj shoqërie për Peshkopinë, që në themelimin e saj, pohon: – “Me porosi të Avni Rustemit, u ngarkova të krijoj degë të reja, të kësaj organizate në ish Prefekturën e Dibrës, që përfshinte, Peshkopinë, Zerqanin dhe Burrelin. Duke qenë mësues në Peshkopi shkova edhe në Zerqan e Mat dhe brënda një kohe shumë të shkurtër arrita të afroja elementët më të shëndoshë përparimtarë e democrat…për t’i organizuar në rradhët e shoqërisë :Bashkimi”. Nga zgjedhjet në N/prefekturën e Zerqanit, Riza Shehu u zgjodh kryetar, Mustafa Krajka(Dervishi) sekretar, dhe anëtar; Destan Puca nga Sopoti, Vahid Kormaku, Sadik Kamberi nga Peladhia, Hid Fiku nga Godvia, Isa Demiri, Riza Muharremi, Dile Voci, Mehmet Duriçi nga Bulqiza, Hamit Muça, Liman Alliu nga Strikçani, Jakup Cani, nga Sofraçani etj.
–  Zabit Lleshi, në librin e tij, “Jakup Cani i Sofraçanit”, fq. 66, shkruan: Jakup Cani, bashkë me Riza Shehun, Osman Moglicën, Vahid Kurmakun, Destan Pucën, Dan Alliun, Ali Gurrën, Sali Metën, Bajram Zenelin, Ramiz Alliun, Sadik Kamberin, luftuan për zbatimin e programit të Shoqërisë Bashkimi, themeluar nga Avni Rustemi, në vitet 1922-1924. Në këto vite pati zhvillime te vrullshme politike në vendin tonë, të cilat Riza Shehu, i përcolli me shumë vëmendje e përkushtim. Rizai, së bashku me kushëririn e tij, Hajredin Shehu, dukshëm ishin rreshtuar krah opozitës parlamentare të intelektualëve atdhetarë nacionalistë..

Riza Shehu, pjesë e delegacionit dibran në varrimin e Avni Rustemit

Më 20 prill 1924, në kushtet e acarimit të situatës politike, vritet Avni Rustemi, një prej liderëve të opozitës parlamentare dhe pjesmarrës në intrigat ndaj Zogut, Më 1 maji 1924, në Vlorë bëhet varrimi i Avni Rustemit, ku mori pjesë edhe Riza Shehu, si pjesë e dërgatës së tri shoqërive të “Bashkimit”, të prefekturës së Dibrës. Këtë e dëshmon Kristo Frashëri, i cili në librin e tij, Historia e Dibrës, fq. 381, shkruan: “… tri qendrat e organizatës “Bashkimi” dërguan në emër të demokratëve, të prefekturës së Dibrës, delegatë për të marrë pjesë në varrimin e trupit të Avniit në Vlorë, një delegacion prej pesë vetësh… Haki Stërmilli, Taf Agollin, Sami Gonxhen, Riza Shehun dhe Tahir Koçin, kryetar i degës së Matit”.
Pjesmarrjen e Rizait, në varrimin e Avni Rustemit, e konfirmon edhe Ilir Puca, po në shkrimin e botuar në gazetën Bulqiza. Varrimi i Avni Rustemit, kthehet në një manifestim kundër Ahmet Zogut, i cili më vonë çoi në revolucionin e qershorit të 1924..

Revolucioni 1924, Ahmet Zogu në kullën e Previzëve në Zerqan.

Revolucioni i 1924, bëri që më 10 qershor, qeveria e Iliaz Vrionit, të japë dorëheqjen e detyruar. Më 12 qershor , Zogu, me një pjesë të mbështetësve të tij, u largua drejt Jugosllavisë, per mbështetje për tu rikthimin në pushtet. Në këtë rrugërim të tij, ai së bashku me eskorten që e shoqëronte bujti një natë në Zerqan, tek kulla e Ymerr Previzit, duke anashkaliar kështu Teqenë e Zerqanit, ku vite më parë kishte buajtur ideologu i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Abdyl Frashëri.. Kjo shmangie e Teqesë së shehëlerëve të Zerqanit, natyrisht ngjalli kërshëri e dilemma të shumta tek banorët e zonës dhe më gjërë.. Kjo edhe për faktin se Sheh Sula, ishte njohur në lidhje të ngushta e miqësore me xhaxhain e Zogut, Riza Pashën. Në lidhje me këtë ngjarje. Fadil Shehu, në librin “Zëri i Brezave” shkruan:
“…Gjatë largimit të Zogut nga Tirana për në Jugosllavi, qendroi një natë në Zerqan tek Previzet, ku thirri edhe Hajredinin (Shehu shënimi im), por ky nuk shkoi. Këtë anashkalim që i bëri Teqesë së Zerqanit, Zogu e justifikoi me thënien se: “Po të digjet kulla e Përvizëve, nga kundërshtarët e tij, e ndërtoj për 6 muaj, kurse po të digjet teqeja e Sheh Sulës, se ndërtoj dot”. Nga kujtimet gojore të familjes së shehelerëve të Zerqanit, mbledhur nga Fadil Shehu, mësohet se atë natë në kullën e Përvizeve, Ymerri në bisedë e sipër i është drejtuar Zogut:
“A të përzunë nga Tirana o Ahmet Zogu?
-Po, por shpejt do të rikthehem përsëri o Ymerr Previzi”, – i përgjigjet ai.
Në këto rrethana Hajredin Shehu, së bashku me kushëririn e tij Riza Shehu, lidhen me revolucionin e 1924. Teqeja, veçanërisht Rizai, në detyrën e kryesimit të shoqërisë demokratike “Bashkimi” edhe pse propogandoi në masën e vullnetarëve të zonës, idetë demokratike të revolucionit të qershorit, mbajtën qendrim të matur dhe të ekuilibruar. Kështu, Teqeja e Zerqanit, në asnjë rast, nuk është përfshirë në lëvizje e aksione të armatosura antizogiste, si në revolucionin ashtu edhe në kundër revolucionin e 1924.

Pushimi nga puna, me rikthimin e Zogut në qeveri.

Rikthimi në krye të qeverisë i Zogut, më 24 dhjetor 1924, bëri që shumë nga kundërshtarët e tij politik, veçanërisht të atyre që ishin perfshirë me armë në largimin e tij, të përfshiheshin nga fshesa e hakmarrjes, e përshkallëzuar kjo ,nga pushimet nga puna e deri në burgosjen e tyre.. Fillimisht viktimë e kësaj hakmarrje, ra edhe Riza Shehu, të clin e larguan nga puna edhe pse ai nuk ishte i përfshirë me armë për largimin e Zogut, por ishte thjesht një kundërshtar politik i tij. Ndonëse u pushua nga puna, veprimtarinë në shërbim te gjuhës dhe shkollave shqipe, nuk e ndaloi për asnjë moment. Lidhjet e krijuara në krye të shoqatës “Bashkimi”, nuk i humbi në asnjë moment. Për çdo ditë në ‘selamllëkun’ e Teqesë, ku mblidheshin burra nga e gjithë zona e n/prefekturës, propagandonte për gjuhën dhe hapjen e shkollave shqipe, të cilat kishin nisur të shtohen.. Kjo periudhë kohore, i shërbeu mjaft atij, pasi ishte vendimtare në realizimin e synimeve të tij, për t’iu kushtuar plotësisht punës, në misionin fisnik për përhapjen e gjuhës e shkollave shqipe dhe mjaft problemeve të tjera, që kishin të bënin me çështjen kombëtare shqiptare. Aktivitet ky që zhvillohej e propagandohej dendur dhe fuqishëm në Teqenë e Zerqanit. Bashkëpunoi e krijoi lidhje të forta, në këtë drejtim me patriotin Hasan (Hoxhë) Moglica, nga Okshtuni, Ramiz Alliu nga Strikçani, Dile Voci nga Bulqiza, Haki Sharofi, Haki Stërmilli, Dibra e Madhe, Dalip Karaj Bulqizë, Mersim Dema Homesh, Baba Sufa në Bllacë, Hamit Hoxha dhe Osman Muglica Okshtun, Destan Puca, Jakup Cani etj. Natyrisht kjo ishte dhe mbetet periudha kur ai punoi intensivisht, me të gjitha fuqitë mendore, morale e fizike, për përhapjen e dijes dhe kulturës, në të gjithë trevën e N/prefekturës së Zerqanit. Puna dhe misioni i tij në këtë drejtim, favorizohej dukshëm, falë edhe lidhjeve e njohjeve që ai kishte krijuar gjatë ushtrimit të detyrës së sekretarit të nënprefekturës, duke gëzuar respekt nga banorët e zonës..

Rikthimi funksionar në administratën vendore

Zerqani, qendër e Malit të Grykës së Madhe dhe n/prefekturës me të njëjtin emër, ishte dhe mbetej një zonë mjaft e rëndësishme influente për qeverinë e Zogut, jo vetëm në Grykën e Madhe, por edhe më gjërë në gjithë Prefekturën e Dibrës. Ndaj për ta patur atë nën kontrollin e tij, Zogut, i duhej t’i rivlerësonte marrëdhëniet me Teqenë e Zerqanit, kryesuese Grykës së Madhe. Nisur nga kjo, Zogu me diplomacinë e tij, nuk vonoi, por veproi duke rikthyer dy pinjollët e Teqesë, Hajredinin dhe Rizain, funksionarë të lartë në administratën vendore.
Kështu Hajredini, emërohet sekretar dhe Rizai nëpunës i gjendjes civile, në N/prefekturën e Zerqanit. Gjatë kësaj periudhe për tu theksuar, mbetet si gjithmonë veprimtaria e tij, në ndihmë të hapjes së shkollave shqipe. Kështu veç hapjes së shkollave shqipe në zonën e Gollobordës, siç dhe kemi përmendur në fshatrat Trebisht, Ostren, Okshtun, Lejçan, ndihmon në çeljen e shkollave në Homesh, Bllacë e Zogje, etj. Në punën e tij, vlerësohet dukshëm në qarqet e administratës vendore dhe qendrore, duke bërë që ai të shikohet me sy të mire për punën që bënte. Kështu erdhi edhe ngritja e tij në detyre, ku në vitin 1928, Rizai emërohet krahinor (kryetar) komune në Kastriot dhe qendër Peshkopi. Emërimi në këtë detyrë i Rizait, në Dibër të Poshtëme, nuk ishte i lehtë, madje i vështirë. E vështira qendronte në faktin se një pjesë e mirë e parisë së Dibrës së Poshtëme, ishin përfshirë me armë në lëvizjen e 1924, për largimin e Zogut nga qeveria. Duke e ditur këtë, Rizai edhe pse në moshë të re, bën një lëvizje të zgjuar, inteligjente e shumë “diplomatike”.

Në kullën e Kaloshit

Ja çfarë ka lënë në trashëgiminë gojore të familjes, i ndjeri Ibrahim Shehu, i biri i Rizait:
“Baba, para se të marrë detyrën në Kastriot dhe qendër Peshkopi, ka buajtur në sarajet e bejlerëve të Kaloshëve të Kandrit, Murat dhe Selim Kaloshit. Natën e parë ulet në kullën e Muratit, i cili në prezantim me të ardhurin pyet:
– Nga e kemi këtë mikun e ardhur?.
– Nga Teqeja e Zerqanit, ishte përgjigjia.
–Nga Teqeja e Zerqanit?! – pyet i çuditur Murati! – Çohu or mik dhe hajde ulu këtu në qoshe të oxhakut, pasi këtu të takon.
Në vijim të bisedës, Murati e pyet babën:
-Çe mirë të kë sjellë?
– Më kanë caktuar kryetar komune këtu në Kastriot, – i përgjigjet baba.
– Mirë qenka ba – ja kthen Murati.
– Mirë është ba, por unë nuk mund ta marr këtë detyrë, pa izmin (lejen) tuaj, ndaj dhe kam ardh, – i thotë baba.
– E ke lejen teme, or djali i Teqes së Zerqanit, – i thotë Murati.
– Faleminderit shumë, por kam edhe një kërkesë të fundit, ja kthen baba.
– Fole or çun edhe kërkesën e fundit që ke, – i thotë Murati.
– Kërkoj të më japish leje që nesërmbrëma të shkoj edhe ke Selimi (Kaloshi, vëllai i Muratit), për të marrë edhe pëlqimin e tij.
– Eh or çun, qenke shumë i zgjuar për moshën që ke. – Po të shkosh edhe ke Selimi, – ja kthen Murati”. Dhe kështu bani, shkoi dhe mori edhe izmin e Selimit.
Pranimi i Rizait nga Kaloshët, e ndihmoi shumë atë, në ushtrimin e detyrës, duke ja lehtësuar së tepërmi atë, pasi Kaloshët kishin mjaft influencë në Dibër të Poshtëme, ku kryekomunarë para Rizait kishin dështuar, pikërisht nga mosmarrveshjet me ta. Ndaj kjo urë komunikimi që vendosi Rizai me ta, e ndihmoi shumë atë. I vrullshëm, plot pasion e dëshirë, në ushtrimin e detyrës, krijoi lidhje të forta besimi tek banorët, për zgjidhjen me drejtësi të problemeve të shumta që ata kishin. Bashkëpunoi ngushtësisht me këshillat e pleqëve dhe popullin e trevës, për zgjidhjen e problemeve që ata kishin, duke fituar kështu respektin e besimin e tyre.
Ndërkohë, shpirtërisht, gjatë ushtrimit të detyrës, nuk u largua për asnjë çast nga misioni i hapjes së gjuhës dhe shkollave shqipe, duke ndikuar e nxitur, hapjen e tyre në zonë. Deri vonë ndër vite, emri i Riza Shehut, është përmendur nga të moshuar në zonën e Kastriotit, plot respekt e dashuri për të.
Në mungesë të rrugës automobilistike, vajtje-ardhjet Zerqan-Peshkopi, i përshkonte me kale shale, si në ditë të mirë ashtu edhe të keqe me shi, erë e dëborë. Pikërisht në këto udhëtime ai mori edhe një të ftohur të rëndë, nga e cila u nda edhe nga jeta në vitin 1933, në moshë të re vetëm rreth 40 vjeç. U varros në Zerqan, tek Teqeja e Alhankevet, i përcjellë për në banesën e fundit, nga një kortezh shumë i madh mortor për nga pjesëmarrja. Sipas trashëgimisë gojore ndër breza në krahinën e Zerqanit, është thënë se “një pjesmarrje mortore si në vdekjen e parakohshme të Riza Shehut, ku kortezhi përcjellës vijonte pa shkëputje nga Teqeja e Sheh Sulës deri tëk Teqeja e Alhankevet, rreth 1 km largësi, deri më tani nuk është parë.
Riza Shehu, me punën dhe veprën e tij edhe pse punoi e vrapoi plot vrull, pasion e përkushtim, si një misionar i vërtetë, në mësimin e gjuhës dhe hapjen e shkollave shqipe, si dhe çështjen kombëtare shqiptare, mbeti i harruar dhe i pavlerësuar nga regjimi komunist, por edhe pas ’90 me ardhjen e demokracisë?! Kjo heshtje absurd e dhe e pajustifikuar që çuditërisht vijon edhe në ditët e sotme, pas 30 vitesh demokraci, duhet të bëhet një këmbanë alarmi, për vlerësimin e figurave të tilla, që jetën dhe veprimtarinë e tyre, si misionarë të vërtetë, ja kushtuan përhapjes së gjuhës dhe hapjes së shkollave shqipe, si dhe çështjes Kombëtare Shqiptare.

Riza Shehu në kujtimet e fëmijëve

Fiqirie Shehu (Likdisha): Isha e vogël, 5-6 vjeçe, kujtoj shumë mire kur baba vinte me kalë shale nga Peshkopia. Kalë i zi jo shumë i madh, që ecte revan (me të katra, siç thuhej atëherë), me bishtin që i prekte tokën. Thuhej se kishte ardhur nga Misiri. Dhe se e bante rrugën Peshkopi- Zerqan, për 3-4 orë. Menjëherë sapo vinte, në trastën e tagjisë, i vinin peta sheqeri të kohës, në vend të misrit. Nuk harronte edhe sheqerkat për ne fëmijët sa here vinte, si dhe nuk harronte të na pyeste për shëndetin dhe vëllezërit më të mëdhenj se unë për mësimet në shkollë.
Skënder Shehu, i biri: E kujtoj si mjaft serioz dhe autoritar, por dhe mjaft i dashur me ne fëmijët. Vinte nga Peshkopia për çdo fundjavë dhe ne fëmijët e prisnim me mall, për tu takuar me të. Në këto rrugëtime, e shoqëronte Ferit Murra, nga Shupenza, me të cilin ishin byrazera. Feriti në këto shoqërime, në çdo fundjavë i dilte para tek Ura e Topojanit dhe e përcillte deri tek Ura e Kamberëve. Dhe në çdo fillimjave i dilte para tek Ura e Kamberëve dhe e shoqëronte deri tek Ura e Topojanit. Duket se në këto ecejake Peshkopi-Zerqan, dhe anasjelltas, si në kohë me diell ashtu edhe në kohë të keqe me shi, erë e deborë, mori një ftohje të rëndë, e cila i mori edhe jetën parakohe, kur ishte rreth 40 vjeç, në kulmin e moshës.
Ibrahim Shehu, i biri, në bisedat e tij për të atin, kujtonte shumë prej miqëve dhe shokëve të tij të shumtë, si ata të shkollës, ashtu edhe ata të punës. Lidhjet shoqërore dhe miqësore të babës, tregonte Ibrahimi, ishin të shumta. Ndër kryesorët përmendëte: Ferit Murrën, Dile Vocin, Sami Gonxhen dhe Abaz Lalën, me të cilët kishte byrazerllëk. Dile Voci, ka qenë nuni (ai që të merr flokët së vogli) i vëllait, Bardhulit. Deri vonë kemi ruajtur letër-këmbimet e babës me krerët e shoqatës “Bashkimi” si Avni Rustemi, Bajram Curri, Sami Gonxhe, Luigj Gurakuqi etj., të cilat humbën kur ndërtuam shtëpinë e re.
Bardhul Shehu, i biri, e kujtonte pak, pasi ishte shumë i vogël kur ai u nda nga jeta. Por gjithmonë thoshte se më tepër e kujtoj si vegim kur vinte me kalë nga Peshkopia, kur ne fëmijët vraponim më tepër për të parë kalin e zi, që kishte një të ecur të veçantë, jo si kuajt e tjerë. Tjetër mbaj mënd se më prekte nga flokët që i kasha të verdha.