Rruga e Arbrit, shirat dëmtojnë rrugën në Gjoricë


Pas përfundimit të Urës së Fshatit, e vetmja vepër e rëndësishmë në ndërtim mbetet Tuneli i Murrizit

Vështirësitë e dala nuk pengojnë planet e kompanisë për të hapur rrugën për qarkullim sipas afateve të premtuara

Shirat e janarit kanë sjellë probleme për rrugën e Arbrit. Në Gjoricë, afër urës së re mbi Drin, ujërat e Zallit të Okshtunit kanë çarë një pjesë të shtratit të rrugës, duke vënë në rrezik shembjen e saj.
Një foto e publikuar në rrjetet sociale ka ngritur problematikat e ndërtimit të rrugës.
Banorët e Gjoricës, përveç gëzimit të ndërtimit të rrugës, kanë ngritur prej kohësh shqetësimet që kanë ardhur nga ndërtimi i saj. Mungesa e kanaleve kulluese gjatë ndërtimit të rrugës kanë çuar në përmbytjen e tokave dhe shtëpive, duke treguar një standard të ulët në punime. Ndërsa shembja e një pjesë të trupit të rrugës gjatë shirave të fundit, ka nxjerrë në pah problematikat që kanë shoqëruar ndërtimin e saj.
Vesel Hoxha, i cili mban gradën e profesorit në fushën e gjeologjisë dhe që ka shërbyer edhe si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke komentuar foton e publikuar shkruan se “të shpresojmë që do të merren masa serioze e do të riparohet segmenti, që rruga të marrë jetë për të mirën e të gjithëve”.
Disa muaj më parë, në një komunikim me gazetën, profesor Hoxha theksoi se disa nga problematikat e rrugës janë shfrytëzimi i materialeve të lumenjve, jo vetëm në Gjoricë, por edhe në lumin e Tiranës.
Gjatë një ekspeditë në terren të një grupi intelektualësh dibranë në pranverën e vitit 2019, profesor Hoxha , duke parë makineritë që merrnin aluvionet e lumit dhe hidheshin në trasenë e rrugës në Gjoricë, nuk pranoi të jepte një vlerësim për cilësinë e punimeve.
“Në të gjithë botën nuk lejohet të shfrytëzohen aluvionet e lumit, aq më tepër për trase automobilistike. Ndaj kjo që po ndodh do të ketë pasoja në të ardhmen”, tha atëherë profesor Hoxha.
Profesor Vesel Hoxha, gjatë një komenti në facebook në lidhje me foton e publikuar, shkruan se “kështu do të ndodhë gjithmonë me ndërtimet, të cilat do të bëhen pa studime gjeologo-inxhinierike të sakta. Kështu ndodhi dhe me Tunelin e Murrizit dhe fundi, populli do të paguaj me taksa edhe paaftësinë e firmave ndërtuese”.
“Njerëzit po merren me debate shterpe nëpër studiot e televizioneve deri në bezdi, ndërkohë që duhet të merren me probleme reale e serioze që lidhen me të ardhmen e jetës së njerëzve. Rrugët ndërtohen me studime e me njerëz të aftë që i dalin për zot punëve dhe garantojnë jetëgjatësinë e tyre”, shkruan Hoxha.
“Me shpresë se tuneli nuk do të shembet, se lumi nuk do të hakmerret dhe se shpati nuk do të rrëshqasë, nuk bëhen punët në të mirë të komunitetit”, shkruan ai.
Segmenti nga Ura e Çerenecit deri në Bllatë, pavarësisht se ka përfunduar dhe ishte hapur për kalimin e mjeteve në fund të vitit të kaluar, u mbyll për qarkullim më 1 janar të këtij viti.
Burime nga kompania ndërtuese, thanë për gazetën se disa individë të papërgjegjshëm e përdornin këtë segment rrugor për gara me makina, me shpejtësi të lartë, duke sjellë rrezik për kalimtarët dhe për vetë shoferët”.
“Në kushtet kur rruga nuk është pajisur me sinjalistikë dhe nuk është certifikuar për qarkullim të lirë të mjeteve nga autoritetet, çdo aksident është me pasoja për kompaninë ndërtuese, kështu që u vendos që të mbyllet qarkullimi deri në përfundimin e punimeve”.
Shqetësimet në lidhje me standardet e ndërtimit dolën edhe gjatë një kronike televizive të Bulqiza TV, e cila pasqyronte përmbytjet në Rrugën e Arbrit në mes të qytetit të ri dhe atij të vjetër të Bulqizës.
“Te mbikalimi i qytetit të ri uji i grumbulluar nga reshjet e këtyre ditëve ka arritur deri në një metër e gjysmë”, raportonte Bulqiza TV.
“Kjo situatë e pazakontë ka penguar qarkullimin e automjeteve duke i detyruar të kthehen mbrapsht pasi e kanë të pamundur ta kalojnë këtë segment rrugor”.
Mirëmbajtjësi i rrugës, Abaz Mera, i tha këtij televizioni se “është e pamundur që grupi i punës të bëjë devijimin e prurjeve të shumta të ujit”. Sipas tij, “tumbinat e rrugës së Arbrit janë të bllokuara.
Meta ia vendosi fajin projektimit dhe ndërtimit të keq të rrugës, ndërsa kërkoi ndihmën e Autoritetit Rrugor Shqiptar për zgjidhjen e situatës. Si rezultat i kësaj përmbytje, Bulqiza TV raportonte se një banesë afër rrugës rrezikohet të shembet si dhe pritet të këtë plasaritje dhe çarje të shtresës së asfaltit që lidh qytetin e ri me qytetin e vjetër.
Gjithashtu, në një segment të kësaj rrugë, pranë Qafës së Buallit ka edhe rënie gurësh në rrugë, duke sjellë rrezik për automjetet.

“Rruga e Arbrit do të përfundojë brenda pak muajsh”
Pavarësisht problematikave të shfaqura, duket se qeveria dhe kompania ndërtuese janë të angazhuara që të vazhdojnë me intensitet punimet, në mënyrë që rruga të hapet për qarkullim në pranverë.
Kryeministri Edi Rama, në një vizitë në Korçë tha se “rruga e Arbrit do të përfundojë brenda pak muajsh”.
Po të njëjtin pohim kanë dhënë edhe përfaqësues të Partisë Socialiste dhe të qeverisë gjatë debateve televizive.
Një punonjës nga kompania ndërtuese tha për gazetën se, “pavarësisht kushteve të vështira të motit, punimet po vazhdojnë me ritme të larta”.
Ura e Fshatit Fshat u bashkua në fillim të Janarit dhe punimet për betonizimin e saj dhe rregullimin e trotuareve anësore po vazhdon normalisht. Gjatë muajit mars do të bëhet edhe asfaltimi i saj.
Po ashtu, asfaltimi i rrugës ka nisur nga Tiranë (ish-shkolla e qenve në Tufinë”, aty ku nis rruga deri te Tuneli i Murrizit, i cili është në ndërtim.
Punimet kanë vazhduar edhe në veprat e tjera të artit, kryesisht në tunele, duke kryer proceset e betonizimit, sistemit të kanalizimeve, ndriçimit etj.
Kompania ndërtuese, gjatë një postimi në faqen e saj në Facebook më 31 dhjetor 2020, shprehet optimiste në lidhje me vazhdimin e punimeve.
“Viti 2020 ishte një vit i mbrapshtë për njerëzit në të gjithë globin. Por ndërsa jemi në fund të këtij viti, të gjithë duhet të pranojmë faktin që me çdo vit që kalon, duhet të lëmë pas kujtimet e “hidhura”. Kështu që tani, ndërsa “përqafojmë” vitin e ardhshëm 2021, le të jemi të gjithë pozitivë dhe të gëzuar e me aspirata për të ardhmen. Duhet të punojmë fort për të arritur ëndrrat dhe ambiciet tona”, shkruante një postim në faqen zyrtare në facebook “Gjoka Konstruksion”, shoqëruar me një video prej 90 sekondash nga punimet në Rrugën e Arbrit.
Segmenti nga Tirana në Qafë të Buallit, afërisht 38 km, pritet të përfundojë me një shtresë asfaltikë në fund të marsit dhe fillim të prillit të këtij viti.
Punimet në Tunelin e Murrizit, 3.8 km, janë duke vazhduar, por përfundimi i saj pritet të zgjasë në kohë.
Lëvizja e makinave pritet të fillojë përmes by-passit që kalon në Qafën e Murrizit, rreth 9 km, në mesin e muajit prill, disa ditë para zgjedhjeve parlamentare. / Korrs. Rr.A.