Zhvillimi i arsimit në zonën e Bellovës


Ka 10 vjet, që m’u krijua ideja për të shkruar një libër biografik për zonën time. Nxitjen për këtë ide ma dhanë disa kolegë e intelektualë dibranë, që kanë shkruar libra biografikë për zonat e tyre, si p.sh., për Sllovën, Shumbatin, Sohadollin, Grezhdanin, Maqellarën, Muhurrin apo Zall-Dardhën. Mirëpo nuk është e lehtë të shkruash një libër, sidomos një libër biografik.
Duhet të gërmosh thellë në kujtesën e popullit, në libra historikë, në arkiva apo muze, për të nxjerrë të dhëna e dokumente për të bërë një libër me vlerë.
Shkrimi i librave kërkon mund dhe kohë, qetësi shpirtërore dhe fizike, si dhe muzë për të shkruar. “Koha, – thotë populli, – është flori”. Por është e vështirë të gjendet gjithë kjo kohë për të bashkëbiseduar me njerëzit gojarisht apo në telefon; për të lexuar vepra voluminoze, si “Historia e Dibrës” e profesor Kristo Frashërit, apo librin e historianit Moiz Murra, i botuar para dy vitesh, “Dibra nga antikiteti në monarki” e plot libra të tjerë biografikë e historikë të trevës së Dibrës! Apo për të shfletuar dosjet e panumërta të Arkivit të Shtetit në Peshkopi, ku ka mjaft dokumente e të dhëna me vlerë historike, që, për fat të keq të studiuesve dibranë e njerëzve hallexhinj, kryeministri Rama në pranverën e vitit 2018 e transferoi këtë arkiv shtetëror të rrethit të Dibrës në qytetit e Rrëshenit.
Puna e përditshme shtetërore, ato rutinë të familjes, si dhe ato shoqërore nuk të lënë kohë të merresh me studime e të shkruash libra, por unë i vura qëllim vetes, pasi dola në pension, për ta kryer këtë punë sa të vështirë, aq edhe fisnike. Sapo dola në pension, në prill të vitit 2014 botova librin e parë me titull “Besa e thyer”, me shkrime publicistike, filozofike, analiza e komente ngjarjesh dhe veprash. Pas dy vjetësh botova librin modest me poezi, i titulluar “Malli për nënën”. Nga fundi i vitit 2016 fillova të kontaktoj nga afër dhe në telefon me kuadro të zonës së Bellovës, si: mësues, ushtarakë, mjekë, ekonomistë, inxhinierë etj., për CV-të e tyre si pjesë e librit të ardhshëm biografik për zonën e Bellovës.
M’u deshën mbi dy vjet për të siguruar CV-të e intelektualëve të kësaj zone që do të përfshiheshin në këtë botim, bashkë me fotografitë e tyre. Disa kuadro e intelektualë u treguan të gatshëm dhe entuziastë për të me siguruar këto të dhëna dhe me përshëndesnin për iniciativën e marrë për shkrimin e këtij libri biografik e historik për zonën e Bellovës, ndërsa disa të tjerë, si disa kuadro nga fisi Saraçi të Bellovës, fisi Shahini të Rabdishtit apo fisi Sefa të Zagradit tregoheshin indiferentë dhe mospërfillës për këtë iniciativë timen. Vetëm pas telefonatave të shumta e takimeve me ta, me debate e lutje të shumta kam arritur t’i siguroj këto CV e fotografi, si pjesë integrale të librit.
Të dhënat e tyre m’i sollën nga larg Gëzim Alpion nga Londra, Lutfi Shahu nga Nju-Xhersi, Shazimete Goleci nga Graci i Austrisë, Ermira Saraçi nga Greqia, kurse disa që jetonin në Tiranë zgjodhën të mos i sillnin. Ka ende ndonjë person që e quan veten kuadër, që nuk ka dërguar CV-në e tij apo dhe fotografitë përkatëse, ku nga neglizhenca, ku nga nënvlerësimi i kërkesës për këto të dhëna, punë për ta!
Ky libër nuk përmban vetëm biografinë e 170 kuadrove të kësaj zone të fushave të ndryshme, por flitet edhe për zhvillimin e arsimit në katër fshatrat e kësaj zone, pak gjeografi e histori për zonën që nga koha e Skënderbeut e deri sot, për qëndresën e banorëve të saj ndaj bastisjeve e krimeve mizore të shovinistëve serbë pas shpalljes së Pavarësisë së vendit më 1912, si dhe për kontributin e pjesëmarrjen e zonës sonë në luftën nacionalçlirimtare.
Ndokujt mund t’i duket punë e lehtë të shkruash një libër të tillë, por s’është ashtu. Për të shkruar një libër të tillë duhet kohë, mund, sakrifica, durim dhe këmbëngulje. me është dashur mbi 2 vjet për të siguruar materialin e nevojshëm dhe fotot përkatëse të personazheve të këtij libri, si dhe për të lexuar e studiuar libra historikë të zonës së Dibrës apo dhe për të gërmuar në arkivin e shtetit.
Shpresoj që ky libër biografik do t’u shërbejë kuadrove e banorëve të zonës, sidomos brezit të ri, për të njohur me mirë zonën e tyre të Bellovës, historinë e luftërat e saj për liri e përparim, vuajtjet, vështirësitë dhe sakrificat e njerëzve për të mbijetuar, për t’u shkolluar e për të zhvilluar ekonominë, arsimin, kulturën e shëndetësinë etj.
Vlerësimin për këtë libër do ta bëjë lexuesi.
Dua të falënderoj bijtë e kësaj zone, si kuadrot Safet Saraçi, Selami Xhelili, Luan Saraçi, Vjollca Nesimi, Emrie Haka e Luan Haka, që ndihmuan në sponsorizimin për botimin e këtij libri.
Të më falë ndonjë i ri apo e re që ka mbaruar shkollën e lartë dhe unë s’e kam bërë pjesë të këtij libri nga mospasja e informacioneve të nevojshme, por jam i sigurt se me punën, profesionalizmin, përkushtimin dhe ndershmërinë e tyre ata do të jenë pjesë e historisë së kësaj zone!