Aktualitet nga qyteti i kromit


Minator gjatë montimit të minave dhe ndezjes së tyre për hapjen e forntit të ri të punës, në Minierën e Bulqizës. Foto Ilustruese:Geri Emiri / reporter.al

Bulqizë, minatori 49 vjeçar humb jetën në galerinë e kromit

24 shkurt 2021. Një 49-vjeçar humbi jetën, pasi u zu poshtë prej një masivi gurësh në galerinë e kromit të kompanisë “Kaci shpk” në Zonën D të minierës së Bulqizës. Sipas Drejtorisë Vendore të Poliisë në Dibër, ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:10. ”Në galerinë e një miniere kromi, dyshohet se gjatë punës është aksidentuar dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi F. K., 49 vjeç.”
Minatori që humbi jetën ishte babai i katër fëmijëve, me banim në fshatin Kokërdhak të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.
Vetëm pak muaj më parë në galeritë e kromit në Selishtë të Dibrës humbën jetën 2 minatorë dhe një inxhinier minierash, teksa ishin duke punuar.
Shkak për aksidentet me pasoja fatale në miniera është mungesa e kushteve të sigurisë në punë, pasi prej vitesh në galeritë nuk investohet nga firmat që i shfrytëzojnë. Zona D ku ndodhi aksidenti, është cilësuar në vazhdimësi nga specialistët e minierës si më e pasigurta dhe me numrin më të lartë të aksdienteve të ndodhura në minierën e Bulqizës.
Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM.
Qarku i Dibrës, ku ndodhet miniera e Bulqizës, mban vendin e dytë për numrin e lartë të aksidenteve dhe të fataliteteve në vendin e punës pas Tiranës. Gjatë vitit 2020, Inspektoriati Shtetëror i Punës raportoi se 7 persona humbën jetën dhe 27 të tjerë u aksidentuan në vendin e punës në këtë qark. Pesë prej viktimave ishin minatorë. (bulqizaime.al)

Arrestohet armatori dhe procedohet brigadieri i kompanisë

25 shkurt 2021. Drejtoria Vendore e Policisë në Dibër njoftoi se është arrestuar armatori i subjektit minerar, si dhe është proceduar penalisht brigadieri, pas vdekjes së minatorit 49-vjeçar në Bulqizë.
“Ç. D, 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë armator në një subjekt minerar në zonën D), si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 50 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, thuhej në deklaratën e Policisë.
“Personat e mësipër kanë pasur si detyrim ligjor kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë. “Ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 24.02.2021, në një nga nënkatet e subjektit minerar, është shembur një pjesë armature duke i shkaktuar vdekjen një 49-vjeçari (me detyrë vagonist).”
Materialet për aksidentin i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme. (bulqizaime.al)

Plagoset një minator pas një aksidenti në galeritë e Albchrome

Kompania: Minatori është plagosur për shkak të pakujdesisë.Ai ka frakturë të lehtë të pjesës së sipërme të këmbës së djathtë.
1 mars 2021. Një minator u plagos në galeritë e menaxhuara nga Albchrome në Minierën e Bulqizës. Policia e Dibrës njoftoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12.40 të datës 1 mars, “se gjatë punës është aksidentuar dhe për pasojë ka mbetur i lënduar shtetasi A. Gj”. Burime nga spitali i Bulqizës bëjnë me dije se i plagosuri kishte dëmtime në këmbë, fraktura të thyerjes se kockave dhe është dërguar drejt spitalit të Traumës, Tiranë për ndihmë më të specializuar dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e identifikoi minatorin si Agron Gjeta, dhe tha se ai ishte aksidentuar gjatë punës në sektorin e transportit të brendshëm. “Kërkojmë hetim serioz të aksidentit dhe kushteve të sigurisë teknike. Ky aksident i ndodhur në minierën e Albchrome, nuk është rast i rrallë, as i veçuar. Pavarësisht propagandës për “investime të jashtëzakonshme”, Albchrome është shndërruar nga minierë kromi në minierë aksidentesh”, – thuhet në njoftimin e sindikatës.
Galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin, që është koncensionari më i madh në zonën e Bulqizës. E pyetur nga mediat, kompania tha se minatori ishte plagosur për shkak të pakujdesisë. “Në turnin e parë të punës në nivelin e 17-të të minierës të administruar nga AlbChrome në Bulqizë, gjatë procesit të levizjes së vagoneve, për shkak të pakujdesisë së punonjësit A. Gj, 51 vjeç, me profesion manovrues vagonash (ndihmës elektrovozist), ky i fundit pësoi një lëndim të lehtë”, – thuhet në reagimin e Albchrome.
Kompania Albchrome the se minatori i lënduar ka frakturë të lehtë të pjesës së sipërme të këmbës së djathtë.
Ndërkohë SMBB deklaron se investimet e Albchrome për të rritur prodhimin e kromit, nuk kanë shkuar në linjë me rritjen e sigurisë së minatorët. “Përkundrazi, rritja e prodhimit është rrezik i shtuar për punëtorët dhe koha po e tregon”, thuhet në deklaratën e SMBB.
Përgjatë muajit janar 2021 ndodhën 3 aksidente në minierën e kontrolluar nga Albchrome në Bulqizë.
Bilancit tragjik të aksidenteve në miniera iu shtuan pesë të vdekur dhe 28 të plagosur gjatë vitit 2020, por vetëm gjysma e rasteve u inspektuan dhe hetuan nga AKSEM. (bulqizaime.al)

Dibër, një minator rregjistron në KQZ kandidaturën për deputet në Kuvend

Elton Debreshi, zyrtarizon kandidaturën për deputet në qarkun Dibër. Ai dorëzon në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 1350 firma dhe dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e kandidaturës.

Elton Debreshi, njëkohësisht Kreu i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ka njoftuar regjistrimin si kandidat i pavarur në zgjedhjet e 25 prillit.
Ai do të kandidojë në qarkun e Dibrës. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë dorëzuar 1350 firma dhe dokumentacioni i nevojshëm për regjistrimin e kandidaturës.
“Sapo depozituam firmat e kandidaturës së pavarur për minatorët, për problematikat e minatorëve dhe zonës së Dibrës. Ne jemi djemtë e asaj zone. Më mirë sesa e dimë ne situatën sesi është në Dibër, nuk e di askush nga këta politikanët që rrinë këtej nëpër zyra e resorte.” tha Debreshi për mediat.
Brezi i tretë i minatorit në familje, ai ka thënë se ka 30 vite që statusi i minatorit përdoret në çdo fushatë elektorale, por sapo vijnë në pushtet, partitë nuk interesohen më.
Më 21 dhjetor 2020 Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, dorëzoi në Kuvend peticionin me 10 mijë e 700 firma për miratimin e Statusit të Minatorit.
Qarku i Dibrës ka në total 5 mandate dhe në zgjedhjet e fundit kanë marrë pjesë 73 mijë votues. (bulqizaime.al)