70-vjetori i lindjes, publicistika dhe produkti letrar i Mevlud Bucit


Mevlud Buci është padyshim një emër i spikatur i elitës intelektuale dibrane e asaj kombëtare. Më 2 mars 2021 ai feston 70 vjetorin e ditëlindjes. Plot shtatë dekada jetë, ndër të cilat, pothuajse gjashtë të tilla janë të mbushura me ngjarje që kanë lënë gjurmë në personalitetin e tij krijues. Sepse Mevlud Buci nisi të shkruajë e të botojë që në moshën 10 vjeçare kur ishte nxënës i shkollës 7-vjeçare në Lunarë të Katër Grykëve, të cilën e kreu me rezultate të shkëlqyera. Më pas do ngjiste shkallës e dijes si nxënës shembullor në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, në fakultetin e Gjuhë –Letërsisë dhe specializimin për stilistikë dhe letërsi me rezultate të larta, po ashtu të gjitha kategoritë e kualifikimit të mësuesisë. Nga CV e tij mësojmë se në vitet 2011-2013, Mevlud Buci përfundon studimet pasuniversitare në fakultetin e Shkencave Humane të Zbatuara të Edukimit dhe mori gradën për Drejtim dhe Administrim në Arsim.

Karrierë e shkëlqyer profesionale si mësimdhënës e drejtues i talentuar i disa shkollave

Mevlud Buci ka një karrierë të shkëlqyer profesionale si mësimdhënës e drejtues i talentuar i disa shkollave. Plot 46 vite ka shërbyer si mësues i gjuhës dhe letërsisë, si drejtor e nëndrejtor në shkollat, ndër më të mëdhatë e të vështira, në Dibër e Tiranë. Breza të tërë nxënësish e mësuesish të shollave 9-vjeçare e të mesme: “Kadri Abdihoxha”, Qafë Murrë, Selishtë, “Kolë Jakova” në Laknas, “Ataturk” e “Sandër Prosi”, “Sadi Nuri”, Yrshek, e “Murat Toptani” në Tiranë, ku ai ka përhapur dritën e diturisë, e vlerësojnë Mevludin si mësuesin e zellshëm e me talent, për përkushtimin e rrallë dhe profesionalizmin e lartë, si organizator dhe drejtues vizionar. Për këto merita ai është vlerësuar nga institucione, gazeta, revista, fondacione e shoqata të ndryshme me tituj Nderi, Medalje e Mirënjohjeje. Kështu ai mban titullin: ”Mësues i dalluar”, dhënë nga Ministria e Arsimit dhe “Anëtar nderi i Diasporës” dhënë nga gazeta ”Emigranti”.
Më 26 nëntor 2016, mori “Mirënjohje” nga shkolla e Sohodollit të Dibrës, ku dhuroi 700 libra dhe 128 revista shkencore. Më 28 shkurt 2018, u nderua me “Mirënjohje” nga Komuniteti Mysliman për ndihmën në shtypin e vëllazërimin fetar.
Mevlud Buci mban çmimin “Pena Budi”, 2014, akorduar nga revista “Emathia”, Burrel.
Më 30 tetor 2019, nderohet me “Mirënjohje” nga shkolla 9-vjeçare Vranjt, e Kastriotit të Dibrës për arritje në mësimdhënie dhe për botimin e librave të tij.
Më 12 shtator 2020 ka marrë “Çmimin e Karrierës” në konkursin “Muza Budiane 5” (organizuar në shkallë mbarëkombëtare).

PRODUKTI LETRAR I MEVLUD BUCIT, MJAFT I PASUR E CILËSOR

Si rrallë kush në Dibër, Tiranë e gjetkë, Mevlud Buci njihet për produktin e tij publicistik e letrar, të konkretizuar në 27 libra me poezi epiko-lirike, fabula, epigrame, fjalë të urta e shprehje frazeologjike, monografi e publicistikë letrare.
Mbi 50 vite, ka shkruar në mjaft organe shtypi, lokale dhe qendrore, mban vlerësime në shtypin publik, ushtarak dhe nga revista shkencore. Ka shkruar me qindra artikuj në revistën”Hosteni” me pseudonimin “Runja”; në revistën “Obelisk”, “Humor shkodran”, “Kunji”, “Mësuesi”, “Humor e satirë”, “Urtësia”, “Gjuha jonë”, “Emathia”, “Arsimi sot dhe nesër”, ”Rreth e rrotull”etj. Për shumë vite ka qenë bashkëpunëtor i Radio “Kukësi” e Radio “Tirana”, si dhe bashkëpunëtor shkencor i Akademisë së Shkencave (Instituti i Folklorit).
Mjaftë produktiv e me krijime cilësore shfaqet Mevlud Buci sidomos në librat “Alegoria e Dibrës-filozofia e shekujve”, “Dritë jete, dritë vlerash” libër publicistiko-letrar me shkrime, skica, krijime për vlerat njerëzore; “Qesh e qaj me lot”, libër me poezi satirike, fabula, tregime, aforizma; “Shenjtëria”, libër liriko-epik, poezi me krijimtarinë e 50 viteve të botuara në shtypin letrar; “Udha e mirësive”, libër me poezi lirike –filozofike,“Metafora e Shpirtit”, libër me një mijë aforizma të krijuara si dhe me dhe në disa libra tjerë të tij.
Ndërkohë ai ka në proces botimi librat: “Molla Bajram Buci (Hoxhë Buci i Dibrës, dritëshenjtori për atdhe e flamur”, (monografi)’; “I përfalem mirënjohjes”, libër monografik; “Përvojë dhe tradita nga mësimdhënia, veprimtaritë dhe arti i drejtimit të shkollës në demokraci”; “Testamenti i përjetësisë”, libër me poema; “Ndrit Kaftalli në at’ Kashnjet” (Libër publicistiko-letrar për kullën e Gjokës, fisin Gjoka dhe traditat e brezave, atdhetarët Ndue Mark Gjoka dhe Llesh Ndue Gjoka).

KRENAR PËR TRADITAT DHE ORIGJINËN

Mësuesi, poeti, publicisti e radiokronisti i talentuar Mevlud Buci ka të drejtë legjitime të krenohet me origjinën dhe traditat e vendlindjes së tij. Ai është stërnip i Hoxhë Bucit (Molla Bajram Bucit) i cili njihet në histori si sekretar i Lidhjes së Prizrenit, shok i Iliaz Pashë Dibrës, zotërues i 7 gjuhëve të huaja. Me babanë e me të birin, Hoxhë Buci u vra për atdhe në shtator 1913, me të birin Mustafanë e Hoxhë Bodinin, në malin e Petralës (Petrino) në mësymjen e dytë kundër serbëve. Kulla e Bucit, historikisht, ishte bazë e patriotëve të Dibrës e më gjerë. Xhaxhai, Bajram Buci (I Riu) ishte luftëtar i lirisë qysh në njësitin e parë të çetës së Dibrës; shtëpia ishte bazë e luftëtarëve të lirisë të Dibrës, Matit, e më gjerë.
Mevlud Buci është nip i kullës atdhetare të Manukëve të Luznisë: Hazis e Demir Manuka, burrave të shquar e mentarë: Rrem, Destan, Naim, Sakip, Fetah, Maliq, Seit e Veli Manuka. Më 1920, dajat qëndrestarë e shndërruan kullën në kala qëndrese ku, në rrethim, u vra edhe komandanti serb, gjeneral, -thotë muza popullore.
Besnik i origjinës dhe traditës, Mevlud Buci, ndoshta si rast unikal në historinë e lëvizjeve masive të tri dekadave të fundit, pasi jeto e shërbeu për afro 25 vite në shkolla të ndryshme të Tiranës, si drejtor e zëvendësdrejtor, rikthehet për të banuar e jetuar në kullën e tij të vendlindjes në Lukanin malor të Katër Grykëve të Dibrës, fshati që ka si mburojë Runjën hijerëndë e kreshnikë 2048 metra mbi nivelin e detit., Me bashkëshorten e tij shembullore, Shahen, këtu i gëzohen gjithçkaje, ajrit të pastër që rigjeneraon mushkëritë e tyre, freskisë së maleve, zërit të bilbilave dhe unitetit të atyre pak banorëve që kanë vendosur ta vazhdojnë jetën në këtë fshat me histori të lavdishme, në zemër të maleve. Këtu frymëzimi i tij është i pashtershëm. Në atë votër të ngrohtë familjare ia merr këngës me çifteli dhe valles, si dikur kur debutonte shkëlqyer në festivalet folklorike lokale e kombëtare.
Pëlqimet e tij mbeten: Dashuria për njeriun, traditat, folklorin, misteret e psikikës e të pedagogjisë, mjeshtëria dhe takti në mësimdhënie dhe drejtimin arsimor. Këto pasione të tij i gjejmë të shprehura edhe në vëllimin e tij më të fundit poetik “Shenjtëria”, në parathënien e të cilit, poeti dhe kritiku i mirënjohur letrar Qazim Shehu, duke e vlerësuar Mevlud Bucin si poetin e ngjyrave të vendlindjes, të dashurisë dhe patriotizmit brilnat, ndër të tjera shprehet se: Vëllimi poetik më i ri i Mevlud Bucit shenjtëron, përmes një verbi të sinqertë e plot ndjenjë vendlindjen; vendlindjen si natyrë me male, gryka, përrenj, shkëmbej, thepa, kreshta, lëndina, lule; vendlindjen përmes një zëri epik, me traditat, luftërat për liri, kullat, qëndresën dhe mbijetesën, për të ngritur lart virtytet e malësorit, të cilat u shenjtëruan nëpër shekuj dhe mbajtën gjallë karakterin e etnisë; poeti shenjtëron e shpalos dashuri, mall, përkushtim dhe mirënjohje edhe për sa njerëz të cilët i ka njohur, njerëz të thjeshtë po edhe të përmendur”.

BOTIME TË AUTORIT MEVLUD BUCI

1. “Krushqia e korbit”, satirë
2. “Udha e mirësive”, poezi
3. “Metafora e Shpirtit”, aforizma
4. “Thirrje njerëzore”, poezi
5. “Drita hyjnore”, publicistikë
6. “Krushqia e korbit”, ribotim
7. “Foleja e shqiponjës”, poezi për fëmijë
8. “Koha thërret”, satira
9. “Fletorja e artë Sandër Prosi”, publicistikë
10. “Ylbere mençurie”, aforizma
11. “Selim Brahja i Saukut-shenjtor i lirisë”, publicistikë
12. “Metafora e shpirtit”, aforizma
13. “Diplomat diplomacia”, satira
14. “Dritare fisnikërie”, publicistikë
15. “Fjalor me shprehje dhe njësi frazeologjike nga Dibra”
16. “Prova shenjtërie”, publicistikë
17. “Myftinia e Dibrës dhe Ruzhdi Lata”, studim
18. “Bukuria e universit të besimit”, studim
19. “Alegoria e Luznisë dhe gjuha e zogjve”, monografi
20. “Një jetë në pavdekësi”, publicistikë
21. “Qëndrestarët e flamurit”, studim
22. “Udhët e fisnikërisë”, publicistikë
23. “Alegoria e Dibrës-filozofia e shekujve”.
24. “Dritë jete, dritë vlerash”, publicistikë
25. “Qesh e qaj me lot”, poezi satirike
26. “Mexhit Capa dhe krahët e fisit”, publicistikë
27. “Shenjtëria”, lirika

NË PROCES BOTIMI:
• “Molla Bajram Buci”, monografi.
• “I përfalem mirënjohjes”, monografi.
• “Përvojë dhe tradita nga mësimdhënia, veprimtaritë dhe arti i drejtimit të shkollës në demokraci”.
• “Testamenti i përjetësisë”, poema
• “Ndrit Kaftalli në at’ Kashnjet”