“Besa e dibranit musteqekuq”


Familja e madhe e Ndreut në Sllovë përgjatë viteve gjithmonë ka nxjerrë njerëz që bënë emër në histori. Nuk ishte vetëm Elez Isufi e Sufë Xhelili, Cen Elezi e Dali Ndreu. Jo, sado të errësohet realiteti e vërteta është e vërtetë si dita dhe nuk mund të mbulohet dielli me shoshë.
Jo vetëm unë por i gjithë brezi im ka dëgjuar të flitet shumë për Beshir Sufën, jo vetëm në Sllovë por në të gjithë Dibrën dhe jashtë sinorit të saj. Në fakt ai quhej Beshir Ndreu por si djali i madh i patriotit të madh , heroit të luftrave të popullit tonë për liri e pavarsi, trimit legjendar të Dibrës që i përkiste fisit të njohur Ndreu në Sllovë, Sufë Xhelilit gjithmonë e thirrën në emrin e babës, Sufës dhe i mbeti në popull mbiemri Sufa, ku vazhdon ende të shkruhet e kujtohet si Beshir Sufa.
Dega nga vinte Beshiri ishte një degë e atij trugu të lisit vigan që buloj e u rrit krenar e madhështor, aty, anës së djathtë të luginës së Drinit të Zi, në lëndinat e gjelbëruara të Lisivalles, aty ku lumi merr vrapin për të hyrë në Lumë. Ishte një degë e shëndetshme e atij lisi shpatullgjerë nën hijen e të cilit nënat malësore mëkuan e përkundën djepet e trimave që vërtet bënë epokë jo vetëm në Dibër por dhe jashtë saj, pinjollë të shquar të kësaj dere të madhe e të ndritur që historia i mban në gjirin e saj duke i bërë kështu gjithmonë të pa vdekshëm.
Atë ditë dhjetori kur u vra Sufë Xhelili dhe mbeti i plagosur Elez Isufi nga forcat e reaksionit në Dibër, Beshiri ishte një djalë i ri, i bëshëm,me sy të kaltër që depërtonin deri në thellësitë e shpirtit njerëzor, tamam, tamam si i ati që sapo ishte mbuluar me dheun e ngrohtë të vendlindjes së tij.
Beshiri kishte qëndruar pranë atij burri qysh 15 vjeç kur u bë djalë për pushkë, kishte marrë pjesë në dhjetëra beteja, kishte vrarë me dorën e tij serbët pushtues të vatanit, kishte lëshuar, si i ati, atë piskamën tronditëse e frymëzuese “a besë-a besë”, që ngrinte në këmbë malet dhe mbushte burimet me gjakun e pastër të lirisë.
Në betejën vendimtare të Lanë-Lurës në tetor të vitit 1921, në rrethana tepër të vështira e delikate për kombin, Beshir Sufa qëndroi natë e ditë në krahë të babait të tij të nderuar duke luftuar me guxim të pa shoq dhe në kushte tepër të vështira e duke u rënë kryq e tërthor maleve të Runjës, për t’u siguruar nga ndonjë ndërhyrje e mundshme e forcave tradhtare.
Dhe djali i ri krenohej e madhohej kur burrnia më e zgjedhur dibrane vinin për ngushëllim dhe e ngushëllonin:
-Mos u mërzit, o Beshir Sufa! Të na rrojsh me gjithë vllazni! Të pastë Dibra!
Dhe e vërteta kështu doli në fakt. Beshir Sufa nuk i la gjë mangut të atit për nga karakteri, trimëria, besa e bujaria. Figura e tij po vinte gjithmonë duke u rritur në situata të tjera e kohë të reja por mjaft delikate e shumë të vështira.
Lidhur me figurën e Beshir Sufës ka mjaft rëndësi kompleski i ngjarjeve dhe vetë rrethanave historike në të cilat u lind dhe u rrit. Janë rrethana mjaft komplekse në të cilat preken edhe mjaft çështjet dhe fatet e vendit, preket thellësisht vendlindja e tij Sllova dhe gjithë treva dibrane.
Kronika jetësore e Beshir Sufës është mjaft e gjërë dhe e lidhur fort me kontekset e zhvillimeve shoqërore që kalonte vendi.Ai pa dyshim mbetet një personalitet, cili la shenjën e tij prej burri atdhetar, i mençur, i pjekur, me njohje të gjëra dhe aftësinë për ti kuptuar me mjaftë inteligjencë zhvillimet e befasishme që në periudhën e tij ishin mjaft të befasishme në mjedisin politik shqiptar. Pamvarsisht “kurtheve” në të cilat koha kishte zënë dhe zinte mjaft nga njerëzit e rëndësishëm të vendit, Beshir Sufa ka shkëlqyer me pjekurinë dhe qëndrimet që ka mbajtur, duke qenë dhe njeri nga njerëzit më të rëndësishëm të Ujemujës, megjithatë goditja do të vinte pikërisht andej dhe nga e priste.
Qysh në vitet ’30, kur vëllai i tij më i vogël, Dali Ndreu, u përfshi në qëndresën antizogiste dhe më vonë në lëvizjen Çlirimtare pas pushtimit fashist të vendit, ai u bë një ndër veprimtarët më të shquar të kësaj lëvizjeje mbarëpopullore.
Shtëpia e tij në Sllovë u bë qendra e mobilizimit të forcave ngadhënjimtare kundër fashizmit italian dhe, më vonë, atij të pushtimit nazist gjerman, djepi i lëvizjes Çlirimtare për tërë krahinën e Ujemujës dhe më gjërë. Me autoritetin dhe vlerat njerëzore që trashëgonte, me besimin që kishin dibranët te fjala e tij e, sidomos, për besën shqiptare që nuk e tradhtoi kurrë, ai gëzonte një respekt dhe përkrahje të gjithanshme duke grumbulluar rreth kësaj lëvizjeje djemtë më të mirë e më të vendosur të të gjithë Ujemujës.
Beshir Sufa që në fillim të Lëvizjes vihet në krye të forcave vullnetare çlirimtare për tërë krahinën. Aq trim sa ishte, po aq i dashur dhe i dhimbshëm ishte për tërë banorët cep më cep të Dibrës. Janë të panumërt ata që sot e asaj dite i mbajnë mend shumë mirë bamirësitë e tij për t’i shpëtuar nga vala e egër e komunizmit, që shpesh herë shpërthente duke rrëmbyer në vorbullat e saj djem krejt të pa fajshëm .
Sa e sa shtëpi nuk i dogji kjo flakë përvëluese, vetëm sepse kishte hyrë në mes Beshir Sufa, që i thoshin ndryshe dhe “besa e dibranit musteqekuq”. Forcat vullnetare të komanduara prej tij me një disiplinë e ndërgjegje të lartë ndihmuan në zgjidhjen e shumë problemeve që kishte populli në ata vite të sapo dala nga lufta, sidomos në shpërndarjen e furnizimeve që vinin nga Fronti i Lindjes, në emergjencat civile dhe në ndihmat që u shpërndaheshin familjeve në nevojë.
Beshiri ishte njeri i veprimit. Fjalët e tij ishin të pakta, por zinin vend si guri i rëndë në themelet e kullave, puna dhe veprimtaria e tij ishte e madhe.
Ishte njeri i punës, sepse veten e tij s’e quajti kurrë komandant, por një shërbyes për ta ndihmuar këdo e kurdo. Kështu e ka njohur Dibra Beshir Sufën dhe i tillë mbeti tërë jetën sa qe gjallë.
Ashtu si shumë shërbime të tjera, ashtu si shumë patriotë të nderuar dhe me vlera të mëdha njerëzore u harruan shpejt, u mohuan dhe u përbuzën nga një hakmarrje çmendurie për të joshur tekat e elitës që po vinte në pushtet pas gjithë atij gjaku të derdhur. Ndoshta, familja Ndreu është ndër më të goditurat e më të përgjakurat nga diktatura komuniste në tërë Shqipërinë, për të cilën mendoj që është me vlerë për kohën që ajo të njihet më gjerë dhe për atë të shkruhet më gjatë.
Sot nuk do të mjaftonin faqet e kësaj gazete të shkruhej me detaj vrasjet, burgosjet, internimet emigrimet e detyruara, konfiskimet e shumta që iu bënë kësaj familje të nderuar jo vetëm në Dibër por në të gjithë Shqipërinë. Shpata e diktaturës ra rrufeshëm mbi këtë familje fisnike që kishte derdhur gjak kundër pushtuesve të huaj e tashmë po derdhte përsëri gjak por për hatër të pushtetit që po instalohej në vendin tonë.
Shumë rëndë u godit familja e atdhetarit, heroit të luftës anti serbe Sufë Xhelili dhe nga kjo valë që vinte si llavë e kuqe edhe në Sllovën e largët nuk mund të bënte përjashtim as djali i madh i Sufës, Beshir Sufa.
Në vitin 1945 kur Shumbati u bë nënprefekturë Beshirin do ta gjejmë komandant për mbrojtjen e vendit, detyrë të cilën e kreu me përpikmëri.
Edhe pse ishte një periudhë mjaft e vështirë për vendin dhe detyrë e përgjegjësi e rëndësishme që kishte marrë mbi supe fitoi një respekt dhe simpati jo vetëm në Shumbat por në të gjithë krahinën e Ujemujës.
Në fakt deri tani kishte qenë rritja, dhe shkëlqimi i personalitetit të Beshir Sufës por tani do të fillonte zbritja e tij me shpejtësi, goditja e madhe dhe fatale jo vetëm për të por për të gjithë familjen e tij të madhe patriarkale.
Figura komplekse siç është aju e Beshir Sufës kërkojnë një hapësirë dhe qasje të gjerësishme për ti sjellë të plota, ku mjaft dëshmitarë okularë tregojnë se për këtë personalitet të madh kombëtar është shkruar fare pak, me mos thënë fare. Figura, veprimtaria, profili dhe autoriteti i këtij burri të Dibrës nuk mund të shikohen jashtë kontekstit të gjerësishëm të vendit në përgjithësi dhe të vetë Dibrës në vçanti, me vetë ngjarjet, zhvillimet, opinionet më shumë ngjarje dhe ndodhi gati gati në ekstrem që ndodhën në ato vite në Dibër. Pa dyshim që Beshir Sufa la shenjën e tij,është formuar me këto ngjarje dhe zhvillime por ishte dhe njeri ndër aktorët kryesor ku domosdo shkëlqeu dhe u rrëzua si një meteor.
Në vitin 1947, fill pas mbarimit të Luftës, për të kënaqur oreksin e Beogradit burgoset Beshir Sufa, ish-komandant i forcave vullnetare në Dibër, djali i trimit Sufë Xhelili, që kishte luftuar një dekadë të tërë me shovinistët sërb së bashku me djemtë e tij. Lirohet për pak kohë dhe në vitin 1956 ndodh gjëma e madhe për tërë familjen e tij dhe për tërë familjen e madhe të Ndreut në përgjithësi.
Vëllai i tij Dali Ndreu, një ndër gjeneralët e parë shqiptarë dhe udhëheqësi kryesor i Luftës Çlirimtare, arrestohet me të shoqen e tij një ditë vere tek po pushonin të shkujdesur në baçet e Beshirit në Sllovë, i rrethuar nga disa vizitorë të farefisit të tij.
Arrestimi i tij u bë me bujë të madhe dhe nuk kaluan veç pak ditë dhe vala e dëbim-internimit mori me vete familje të tëra nga fisi Ndreu. Familja e Beshirit dhe e vëllezërve të tij, si edhe ajo e Xhetan Ndreut e të tjera u internuan në Shtyllas të Fierit ku do të qëndronin deri në vitin ’90 duke punuar si argatë në arat e krypura e moçalishtet plot mushkonja të kënetave të Myzeqesë. Këtu e kaloi gjysmën e jetës së tij edhe Beshir Sufa deri sa vdiq larg vatrës së tij të dashur e të nderuar në vitin 1989, në moshën 94-vjeçare, ky burrë trim dhe i mençur, luftëtar i provuar në zjarret e luftrave për liri, një plak i hijshëm e fisnik, me një çehre që të impononte përherë respekt e dashuri, shtatdrejtë si lisi i kreshtës, me një humor të këndshëm.
Ai që e kishte kaluar jetën në luftë, me pushkë krahut e kollanin e fishekëve brezit, aty, në lëmishtet e Shtyllasit e shihje çdo ditë në mëngjes me shatë e drapër në dorë, në mes të arave duke derdhur djersën e ballit, pa iu ankuar askujt, gjithmonë i freskët dhe tërë shpresë e optimizëm për jetën, gjithmonë i qeshur dhe i dashur me këdo.
Mbrëmjeve dhe në kohë pushimi Beshiri ishte gjithmonë i rrethuar nga miqtë e shokët e shumtë që kishte. Qazim Bllaca, Astrit Delvina, Osman Kazazi, Drita Kosturi, Xhafer Vokshi, Sami Hysi, Faik Selenica e plot të tjerë ishin miqtë e tij të shumtë që e rrethonin përherë me dashuri e përkujdesje dhe e çmonin për vlerat që kishte. Megjithëse situata mjaft e vështirë kurrë nuk e braktisën as miq e bashkëfshatarë e bashkëmoshatarë nga Sllova. Bënë si bënë dhe erdhën edhe ata por ama tinëz në Shtyllas të Fierit, erdhën dhe u takuan e çmallën me Beshir Sufën, pinë kafe e qëndruan së bashku si dikur në bahçen e tij në Sllovë.
Ëndërronte shpesh Beshir Sufa, ëndërronte se një ditë do të vinte pranvera, do të kthehej ashtu siç kthehen dallëndyshet në folen e tyre, donte shumë të kthehej një ditë në Sllovë, aty, tek shtëpia dhe pronat e tij, aty ku kishte lënë rininë e tij dhe një pjesë të madhe të zemrës së plagosur, të shikonte për të fundit herë vendet nga kishte shëtitur e kishte luftuar, të dëgjonte këngën e fundit të atij bilbilit të dikurshëm që vinte nën pullazin e shtëpisë së tij, dhe, mes luleve të qershisë, sa zbardhte agimi, ia niste asaj melodie që vetëm ai di të këndojë.
Mjerisht, ëndrra e tij u pre një ditë vere pa perënduar ylli i komunizmit dhe pa lindur akoma drita e demokracisë dhe ndërroj jetë i përvëluar e i djegur nga malli për vendlindjen e tij të dashur dhe të shtrenjtë.
Qëndrimi i tij në internim është një kapitull tjetër interesant i jetës së këtij burri, që flet e na mëson për qëndresën madhore të njeriut përballë vështirësive njerëzore, është një faqe e ndritur e jetës së tij që e lartëson Beshir Sufë Xhelilin, po aq sa rinia e tij përkrah një babai me emër e zë, e ngre në piedestalin e trimave që edhe dinë të luftojnë, edhe dinë të qëndrojnë me nder në rrethana të jashtëzakonshme, edhe dinë të vdesin me qerpik të papërlotur kurrë. I tillë ishte dhe i tillë mbeti Beshir Sufa, trimi, bujari, vizionari dhe bestari mustaqe kuq.