Denisi, blegtori i ri, me ide të reja dhe punë arrin suksesin


As vetë ai nuk e kishte menduar se do të bëhej një blegtor i tillë, aq i pasionuar. Jo se i mungonte fuqia dhe vullneti, por mendonte që fuqinë dhe energjinë e tij do ti kanalizonte në një drejtim tjetër. Fare mirë mund ti bashkëngjitej babait të tij, bletarit të shquar Haxhi Miftarit, në udhën e bukur që kishin nisur dekada më parë. Nuk kishin pak, por gati 500 koshere, që ishin nder dhe krenari për familjen Miftari.
Gjithçka nisi si një lojë fillimisht, si punë tregtie. Djaloshi bleu ca viça me një çmim të leverdisshëm, i mbajti pak kohë dhe i shiti me një çmim po të tillë. Mori një parti tjetër malli e kështu me radhë. Më pas bleu ca të imta, duke bërë të njëjtën gjë me to. Të gjitha këto përpjekje krijuan te Denisi dashurinë për kafshët, ndjenjë të cilën ai e kishte pasur vetëm për bletën, me të cilën qe rritur. Por, një rrugëtim i tillë, shtroi para tij një detyrë tepër urgjente, ndërtimin e një stalle, ku do të strehonte blegtorinë.
Nuk ju desh shumë kohë që ta shihte veten me një stallë të tillë me sipërfaqe totale mbi 100 metër katrorë. Kështu vazhdoi disa vite. Zgjerimi i përmasave të aktivitetit, shtronte si detyrë zgjerimin e kapaciteteve strehuese. Stallës së parë iu shtuan kështu dhe 100 metër katrorë të tjerë, duke e dyfishuar sipërfaqen. Pak kohë më vonë u ndërtua një objekt tjetër, ngjitur me të parat, por tashmë duke e shtuar ndjeshëm sipërfaqen. Bëhej fjalë për një objekt me përmasa 42 metra gjatësi me 5 metra gjerësi, pra mbi 200 metër katrorë të tjerë, duke e çuar në gati 500 metër katrorë sipërfaqen e strehimit të blegtorisë. U duk se e gjithë kjo hapësirë do ta ngopte përfundimisht syrin e djaloshit, por jo, nuk ishte ashtu. Vitin e kaluar u ndërtua një tjetër objekt i ri, tashmë në krahun tjetër të atyre ekzistuese. Të tre përmasat, gjatësi, gjerësi dhe lartësi ishin kombinuar hijshëm, duke dhënë një rezultante prej mbi 220 metra katrorë, vetëm në katin e parë, pasi i dyti do të shërbente për mbajtjen e bazës ushqimore gjatë dimrit. Ashtu si çdo gjë, që e ka një limit të caktuar dhe odiseja e ndërtimeve mbaron këtu. Nuk do të ketë më rritje të kapaciteteve strehuese, përveç ndërtimit të avllive, apo mureve rrethuese për objektet, që do të kishin shumë funksione për blegtorinë e mbarështuar. Dikush që se ka parë fermën blegtorale, krijon idenë e disa objekteve jo funksionalë, por në fakt, rezulton se të gjitha këto paskan qenë një projekt i mirëstudiuar në mendjen e Denisit dhe i zbatuar hap pas hapi, në kohë.

Blegtoria që mbarështon

Folëm për kapacitetet strehuese të blegtorisë dhe unë që i kam parë gati të gjitha në Dibër, them se në këtë drejtim, nuk ka të barabartë me të. Treguam që historia nisi me viça për mish dhe Denisi nuk ka hequr dorë akoma prej tyre. Nuk ka një numër konstant të trajtimit të tyre. Ai fillon që nga numri njëzetë dhe mund të shkojë deri në pesëdhjetë dhe më shumë akoma. I merr zakonisht me një peshë, diku te 170 kilogramë, për i shitur me një peshë afër 400 kilogramë, pas pesë, apo gjashtë muajsh. Pak jonxhë, vetëm kashtë e tagji e bollshme, janë të mjafta për të plotësuar një racion të plotë ushqimor, në sasi e cilësi. Vetëm misër mund të shpenzohen diku tek 10 kuintalë për një viç.
Por me kalimin e kohës, Denisi provoi të mbarështojë dhe të imtat. Për pak kohë i kishte pasur vetëm si objekt tregtie të shpejtë, por dy tre vitet e fundit vendosi që të mbante një tufë të mirëfilltë me 150 krerë. Në stallë, gjatë vizitës time, gjeta vetëm qengjat pasi delet ishin në kullotë. Ata mbarështoheshin tek objekti i ri, i ndërtuar një vit më parë. Mjedisi i bollshëm, i pastër dhe higjenik, si dhe kondicioni i qengjave të lindur deri tani, tregonin për pasionin dhe seriozitetin e punës së djaloshit. Grazhdet e dhenve i kishte marrë në Durrës. Të bukura, të forta dhe të lëvizshme, ata ishin mjaft funksionale, si pjesë e rëndësishme e mbarështimit të blegtorisë. 180 krerë qengja të lindur ishin deri tani, kur kishin ngelur akoma dhe pak dele për pjellje, pra numri total, mund të shkonte në 200 krerë qingja. Denisi tregon se rreth 30 krerë prej tyre kanë një peshë mbi 30 kilogramë dhe janë gati për tu shitur në treg.
Kishte pak kohë, që fermeri i ri i kishte hedhur sytë tek dhia alpine, derisa krijoi një tufë të vogël, prej 50 krerësh. Pjellja tek ato, sapo ka filluar, duke shpresuar që çdo gjë do të shkojë mbarë. Inventarit total të blegtorisë i shtohet dhe ndonjë lopë, apo kalë, për të kuptuar se tashmë ai ka fituar goxha eksperiencë dhe është plotësisht i aftë, të menaxhojë dhe ngarkesa të tilla, që janë për tu admiruar.

Baza ushqimore

Normalisht, që ky numër jo i vogël i kafshëve të mbarështuara, krahas strehimit, të plotësuar më së miri, kërkojnë një seriozitet në të ushqyer. Denisi ka në përdorim gati 200 dynymë sipërfaqe toke. 50 dynymë i ka të mbjellë me jonxhë, ku vetëm një bllok i vetëm ka 35 dynymë. Përveç jonxhës ai e pëlqen dhe tërshërën, si kulturë bujqësore. E korr at në fazën e kallëzimit dhe e bën balla me mjetet e tij mekanike. Ai bën gjithsej deri 4000 balla, me 20 kilogramë secila prej tyre. Veç tyre, Denisi mbjell dhe 15 dynymë hasëlle, për ti pasur si ushqim për qengjat në pranverë.
Në dispozicion të sigurimit të bazës ushqimore është një repart i kompletuar mekanik, që ai vetë e përdor. Në përbërje të tij janë dy traktorë, dy kamionçina, korrëse dhe lidhëse dhe mbledhëse bari, pa llogaritur plugje, freza, brena e të tjera të këtij lloji, që shërbejnë për përgatitjen e tokës për mbjellje.
Në fillimet e tij, dikush mund të qe shprehur se Denisi vetëm i ka dëgjuar zërin blegtorisë, por tashmë çdo gjë është bërë e qartë për këdo. Blegtori i ri e ka trasuar rrugëtimin e tij të jetës, përmes një biznesi, që e dashuron dhe i fali vitet e tij më të bukura. Nga zemra na del një urim i sinqertë për njeriun e punës, për të patur sa më shumë suksese e të ardhura për familjen e tij.