Ibrahim Kaziu, mjeku që rron në mijëra emra dhe zemra


Nga Shaqir Çerpja

Ibrahim Kaziu ishte njeriut human dhe mjeku i përkushtuar, i cili gjithmonë, kudo ku jetoi, punoi dhe shërbeu, la gjurmë të çmuara të dashamirësisë, përkushtimit, korrektësisë dhe punës së suksesshme, duke qenë dhe duke mbetur një model i spikatur dhe shembull për gjithë.

Kush guxoi dhe tregoi?! Kush nuk duroi e tha dhe lajmin e dha?!
Kujt fjala, zëri dhe zemra i ngriu kur i thanë se ka vdek Ibrahim Kaziu?! Kush trillon e thotë se, Ibrahim Kaziu ka ikur nga kjo botë; se ai ka vdek e nuk është më në jetë?! Jo! Jo! Ibrahim Kaziu ka ndërru jetë, por nuk ka vdek, se ai rron në mijëra emra dhe zemra.
Po takoheshin dhe po ndaheshin stinët. Vjeshta po ikte dhe dimri po vinte. Ishte fund vjeshte, fund nëntori ishte. Ishte prag festash, por nuk ishte kohë festash, sepse viti 2020 erdhi dhe po ikte me dhimbje dhe lot. Ky vit i brishtë erdhi dhe ishte i trishtë. Na i zbehu festat dhe i pengoi festimet, i anuloi dasmat, i kufizoi lëvizjet, i trembi ditëlindjet dhe i shumëfishoi ditëvdekjet, i boshatisi shkollat dhe universitetet dhe i mbushi e tejmbushi spitalet, i ngriu buzëqeshjet dhe i mpiu lulet, i përloti orët, ditët dhe muajt, …
Katër ditë, vetëm katër ditë para festave të nëntorit, pushoi zemra e doktorit, njeriut human dhe mjekut të përkushtuar, Ibrahim Kaziu. Lajmi për vdekjen e tij fluturoi si plumbi dhe si plumbi shpoi, plagosi e vrau zemrat e njerëzve, në Dardhë e Dibër, në Tiranë dhe anë e mbanë, jo vetëm Shqipërisë, por edhe jashtë vendit tonë, deri edhe në Amerikë. Edhe hëna u tremb, u dridh e u fsheh, dritë nuk lëshoi dhe nuk ndriçoi atë natë. Por lajmi i trishtë, dhimbja e madhe dhe pikëllimi i thellë nuk u ndalën, por ecën natën, nëpër errësirën e natës. Shkuan kudo ku shkonte lajmi. Në vendlindje, në Dardhë, njerëzit u thanë dhe u treguan pemëve, pemët u treguan zogjve, zogjët u treguan krojeve dhe krojet nuk rrodhën më ujë, por rrodhën lotë. Në Peshkopi, në qytetin e blireve, degët e blireve u tundën e gjethet u shkundën dhe pas lajmit dhe me lajmin shkuan. Prej disa ditësh, pacientët në spitalin rajonal të Peshkopisë vështroni nga korridori dhe prisnin të vinte doktori. Por doktori Ibrahim Kaziu nuk po dukej, po vonohej, nuk po vinte. Po, atë mbrëmje nëntori, lajmi i trishtë i shpërtheu dyert dhe dritaret e spitalit dhe shkoi e vajti në çdo kat, në çdo pavion, në çdo dhomë, tek gjithë personeli, tek secili koleg dhe tek secili pacientë, të cilët qanin me lotë për doktorin, për mjekun e tyre. Shpirti i tyre kishte ngrirë akull. Edhe loti në sytë e tyre ngriu. Edhe lëngu i surumeve ngriu në tubat përcjellës, sepse nuk qanin vetëm njerëzit. Qante gjithë spitali, muret, shkallët, orenditë dhe paisjet.
Ibrahim Kaziu ishte në punë, në krye të detyrës, midis kolegëve dhe pranë pacientëve, duke u shërbyer e duke i kuruar ata. Dhe, aty u takua me virusin, aty e kuptoi sëmundjen, aty e ndjeu dhimbjen, aty e parandjeu rrezikun.

* * *
Në një shpat të pjerrët në veri të Zall-Dardhës deri në kufi me Reçin, jo atje ku ndahet, por aty ku bashkohet Reçi me Dardhën, buzë Drinit, jo shumë larg derdhjes së Veleshicës, rrëzë Manrosit e poshtë Soricës, shtrihet fshati Shënlleshën, ku para disa shekujsh, këtu u vendos fisi Kaziu, një fis i vogël, por me shumë histori, nga i cili kanë dalë burra me zë dhe emër, si Ahmet e Shaban Kaziu, Ali e Murat I. Kazia, etj., të cilët kanë luftuar përkrah Elez Isufit, Suf Xhelilit, etj., por që në konakun e tyre kanë prit dhe përcjell burra të shquar të kombit, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, etj. Por edhe më vonë, nga ky fis kanë dalë njerëz me reputacion, që kanë lënë gjurmë dhe emër, jo vetëm në historinë e Dardhës, por edhe më gjerë, si Rexhep M. Kaziu, Ramazan Kaziu, mjekja pediatre, Huzrie Kaziu, etj. Historinë e këtij fisi e nderon dhe e lartëson deri në admirim, emri i mjekut me personalitet të spikatur njerëzor, intelektual dhe profesional e shkencor, Ibrahim Kaziu.
Në këtë fis të fisëm, më 18 maj 1952 u lind Ibrahim Kaziu, mjeku, i cili, gjithë jetën e tij ia kushtoi dhe ia dedikoi jetës dhe shëndetit të njerëzve, shërbimit ndaj tyre. Ibrahimi u lind në një familje të madhe tradicionale dërnjane e dibrane, me zë dhe emër, me rreth të madh e të zgjeruar fisnor, shoqëror e miqësor; një familje bujare, me sofrën gjithmonë të shtruar, që priste dhe pret e që kishte harmoni, unitet e stabilitet. Familja e tij ishte e zhvilluar, e kulturuar, e përparuar dhe e emancipuar. I ati i Ibrahimit, Xhep Kaziu, në moshë të re ishte partizan në radhët e brigadës së 18-të sulmues, ndërsa pas çlirimit punoi në tregti në Zall-Dardhë, por edhe në ndërmarrje shtetërore, etj. për shumë kohë, për shumë vite me radhë ishte zgjedhur në organet e pushtetit dhe të ekonomisë, jo vetëm të fshatit, por edhe të zonës.
Ibrahimi, pasi kreu dhe mbaroi shkollën fillore dhe 7-vjeçare në Zall-Dardhë, vazhdoi mësimet në shkollën e mesme “Jani Minga” në Vlorë dhe pasi kreu e mbaroi shkollën e mesme mjekësore, u kthye në vendlindje dhe filloi punë e punoi ndihmësmjek në qendrën shëndetësore në Zall-Dardhë. Por punoi vetëm pak kohë, sepse u mobilizua ushtar dhe kreu shërbimin ushtarak.
Ndonëse i rritur në moshë dhe ndonëse kishte kryer edhe shërbimin ushtarak, Ibrahimi nuk hoqi dorë nga dëshira e madhe dhe ëndrra e tij e zjarrtë për të vazhduar studimet e larta. Dhe nuk u dorëzua. Këmbënguli, luftoi, fitoi dhe vazhdoi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Pas përfundimit të studimeve të larta, tashmë i pjekur dhe i formuar si intelektual dhe me përgatitje të lartë profesionale dhe shkencore, rifilloj punë përsëri në qendrën shëndetësore Zall-Dardhë, jo vetëm si mjek, por për shumë vite edhe përgjegjës i qendrës shëndetësore Zall-Dardhë, ku përveç ambulancës, kishte dhe funksiononte edhe maternitet me shtretër dhe ushqim, shërbimi dentist, farmaci, etj. Shpirti i tij rinor, i mbushur dhe ushqyer nga dëshira për sukses dhe progres dhe ai, i ri, i gjallë, energjik, entuziast, optimist, me pasion, vullnet, me përkushtim dhe këmbëngulje, punoi me të gjithë forcat për t’u shërbyer njerëzve, jo vetëm të sëmurëve në spital, por edhe në shtëpi, në çdo familje në nëntë fshatrat e Dardhës. Përveçse specialist i aftë dhe kompetent, ai ishte njeri i dashur e dashamirës, i thjeshtë, modest, tolerant, i kulturuar në komunikim e shërbim, korrekt me njerëzit, me kolegët, pacientët, shokët … Përveç shërbimit korrekt dhe cilësor, prania e tij u jepte të sëmurëve dhe familjarëve të tyre edhe kurajo, forcë, besim dhe shpresë. Me punë dhe nëpërmjet punës, ai fitoi respektin dhe mirënjohjen e të gjithë njerëzve.
Ndërkohë që punonte mjek dhe përgjegjës i qendrës shëndetësore në Zall-Dardhë, Ibrahimi u njoh me mësuesen e dalluar, Femije Dacin nga Shupenza, me të cilën u lidh dhe u martua dhe krijuan një familje model.
Pas disa vitesh në Zall-Dardhë, në vitin 1985 Ibrahimi transferohet në Shupenzë, ku punoi dy vjet mjek në spitalin e Shupenzës. Sigurisht, puna e tij në Zall-Dardhë dhe në Shupenzë ishte evidentuar dhe vlerësuar nga institucionet dhe organet kompetente në rreth dhe, nga Shupenza, Ibrahimi dërgohet për specializim dyvjeçar për phnemoftiziatër. Pas specializimit, caktohet me punë në spitalin e Peshkopisë, fillimisht përgjegjës i dispancerisë. Përveçse mjek në spitalin e Peshkopisë, ka kryer edhe detyra të ndryshme, si shef pavioni, tri herë ka qenë drejtor i spitalit rajonal të Dibrës, ka qenë edhe drejtor i shërbimit parësor të Dibrës. Në tri legjislatura ka qenë kryetar i Urdhërit të Mjekut për prefekturën e Dibrës. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit bashkiak të Peshkopisë dhe mësimdhënës i jashtëm në shkollën e mesme të infermierisë në Peshkopi. Në fund të jetës e të karrierës së tij ishte edhe nëndrejtor i spitalit rajonal të Dibrës.
Mjeku Ibrahim Kaziu një jetë, gjithë jetën e tij, ia kushtoi dhe ia dedikoi jetës dhe shëndetit të tjerëve, shërbimit ndaj tyre. Edhe pse doli në pension, ai nuk e ndërpreu punën, sepse njerëzit kishin nevojë për shërbim dhe spitali kishte nevojë për mjek, sepse nevoja për mjek ishte shtuar e mjekët ishin pakësuar. Dhe vazhdoi të punonte me atë pasion, përkushtim, këmbëngulje dhe korrektësi, si edhe më parë. Por, veçanërisht gjatë vitit 2020, shërimi në spital nuk ishte punë, por ishte luftë. Luftë e gjatë, luftë e fortë, luftë e ashpër. Luftë me virusin dhe rrezikun e padukshëm, por kudo e gjithkund të pranishëm. Ibrahim Kaziu punonte dhe luftonte duke u shërbyer njerëzve, të kuronte e të shëronte të sëmurët, duke qenë i vetëdijshëm për rrezikun që mund t’i vinte e mund të kishte për vete, për shëndetin e tij.
Dhe, në fillim të nëntorit diçka shqetësues ndjeu, diçka serioze kuptoi, diçka të rëndë e të rrezikshme parandjeu… Dhe, nga dita në ditë ishte më i lodhur, më i këputur, më i pafuqishëm derisa një ditë nuk pati fuqi as t’i telefononte nënës dhe ta përshëndeste e ta pyeste për shëndetin. Mjeku Ibrahim Kaziu, i cili, gjithë jetën u kishte shërbyer pacientëve, nuk ishte më mjek, por si pacientët e tij, edhe ai vetë u bë pacient. Personeli dhe pacientët, të mërzitur, të shqetësuar, të trembur dhe të frikësuar, më shumë me shenja se sa me zë, merrnin dhe jepnin lajmin se doktori Ibrahim Kaziu ishte prekur nga virusi. Dhe, harruan veten dhe shëndetin e tyre dhe me shpirt e me zemër luteshin për doktorin dhe uronin që ai të përmirësohej, të shërohej dhe t’u shërbente përsëri pacientëve, t’i kuronte dhe t’i shëronta ata.

* * *
Ambulanca fluturonte drejt Tiranës, por edhe sëmundja ecte me shpejtësi në trupin e doktorit. Të rënda e të vështira, shumë të rënda e shumë të vështira ishin orët, ditët dhe netët në spitalin amerikan në Tiranë. Doktori-pacient përballej dhe luftonte me vdekjen, ndërsa familjarët, bashkëshortja e tij, Femija, vajza e mirë, Mira dhe djemtë Elvini dhe Eugeni nuk kishin fuqi të ushqenin shpresat e njëri tjetrit. Thuhet se shpresa vdes e fundit, por edhe shpresat e tyre ishin lodh e dobësuar. Dëshira dhe shpresa nuk rrinin e nuk ishin bashkë, ishin ndarë dhe ishin larguar nga njëra-tjetra.
Atë ditë të martë fundvjeshte dielli po perëndonte. Ashtu si dielli i asaj pasdite vjeshte, edhe doktori po numëronte çastet e fundit të jetës dhe nga çasti në çast zbehej, dobësohej… Po perëndonte dhe po shuhej jeta e tij. Dhe, atë pasdite të 24 nëntorit 2020, zemra e tij u ndal. Pushoi zemra e doktorit Ibrahim Kaziu, njeriut human dhe mjekut të përkushtuar, i cili, gjithmonë, kudo ku jetoi, punoi dhe shërbeu, la gjurmë të çmuara të dashamirësisë, përkushtimit, korrektësisë dhe punës së suksesshme, duke qenë dhe duke mbetur një model i spikatur dhe shembull për gjithë. Emri i tij është si një diell, që ndriçon në mendimet dhe kujtimet e njerëzve, buzëqeshja e tij është bashkuar me ngjyrat e ylbereve dhe është hapur mbi petalet e luleve, zëri i tij është bërë melodi e këngë në shpresat e pacientëve, … Ai nuk ka vdekur dhe nuk vdes. Se, Ibrahim Kaziu rron në mijëra emra dhe zemra…