Lamtumirë Nderi i Kombit, Agim Krajka!


Më datë 1 mars 2021, u nda nga jeta përfaqësuesi i shquar i komunitetit dibran të Tiranës, Agim Krajka, Mjeshtër i muzikës dhe Nderi i Kombit.
Agim Krajka lindi në Kavajë më 3 maj 1937, nga një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i apasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë babai i tij Rifat Krajka. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionerit ku filloi të merrej seriozisht me të. Ne dhjetorin e vitit 1959, nën udhëheqjen e dirigjentit G. Avrazi, punoi për 2 vjet për themelimin e orkestrës së RTSH, deri në vitin 1961, duke dhënë disa vepra të arta në fushën e kompozicionit. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë (sot Universiteti i Arteve). Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, në fillim si instrumentist e më pas si kompozitor e drejtues orkestre.
Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90. Që nga kënga e famshme “Lemza”, e kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961; “Djaloshi dhe shiu”, kënduar po nga e madhja Vaçe Zela në Festivalin e Dytë në RTSH në vitin 1962.
E veçantë për atmosferën familjare dhe që mbahet mend nga të gjithë është “Kënga e Gjyshes”, e kompozuar në vitit 1962 dhe e kënduar nga këngëtare Vaçe Zela.
Thirret në Ansamblin e Shtetit si firzamonicist. Ka patur fatin të punojë me korifenjtë e muzikës klasike shqiptare si: Çesk Zadeja, Tish Dahija, Tonin Harapi, Hamide Stringa. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1968 dhe pas një turi artistik një vjeçar në Kinë (1968-1969) me Ansamblin e Valleve të Shqipërisë vazhdon punën si dirigjen. Gjatë periudhëes 1970-1991, me punën e tij si dirigjent dhe kompozitor në Ansamblin e Shtetit, janë realizuar dhe shkruar rreth 500 këngë, valle popullore si dhe pjesë të ndryshme instrumentale të valleve epike dhe lirike popullore. Agim Krajka ka një kontribut të veçantë në muzikën e filmave në kinematografi, duke shkruar muzikën e filmave “Çifti i lumtur”, “Zonja nga Qyteti”, “Shoqja nga fshati”, “Njësiti gueril”, “Udha e shkronjave”, “Në pyje me dëborë ka jetë” etj. Në vitet 1980 janë shkruar dhe kompozuar dy muzikë baleti nga dora e Agim Krajkës të vënë në skenë nga artisti Skënder Selimi. Gjatë kësaj kohe janë shkruar rreth 70 uvertura të spikatura të muzikës së lehtë shqiptare. Ai është nderuar me mbi 17 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e RTSH të vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga Irma dhe Eranda Libohova.

Titujt dhe vlerësime për artistin Agim Krajka:
• Në vitin 1984 iu dha titulli “Artist i Merituar”
• Është vlerësuar gjatë viteve për punën e tij me çmimet si mjeshtër i Klasit të Parë, dhe me pas i Klasit të Dytë, si dhe urdhërin “Naim Frashëri të Klasit të Parë” në vitin 1986.
• Në vitit 2001 shpallet nga Presidentit i Republikës si “Ambasador i Kombit”
• Në vitin 2007, me dekret të Presidentit të Republikes, i jepet titulli “Mjeshtër i Madh”
• Në vitin 2009, me Vendim të Këshillit Komunal të qytetit të Gjakovës në Kosovë, shpallet “Krenaria e Qytetit të Gjilanit”.
• Në vitin 2011, me vendim të Këshillit të Komunës Dibër e Madhe, Maqedonia e Veriut, shpallet “Nderi i Qytetit të Dibrës”.
• Në vitin 2019, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta, dekorohet me titullin “Nder i Kombit”.
Saimir Shatku