Përtej shikimeve


Artklub në Dibër Madhe me kryetar z. Nebi Samarxhiu ka në gjirin e saj shkrimtarë e poetë të njohur dibranë, që më krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë në letërsinë shqipe.
Edhe plejada e më të rinjve, veçanërisht në poezi, si Delvina Kërluku, Arbëresh Turkeshi etj.
Një ndër poetet e njohura të këti klubi është edhe Alide Lloga, poetja dibrane që jeton e punon në Strugë. Poezia e saj është e ndjerë, me mendim e më mesazh të qartë artistik.
Adile Lloga ka botuar poezi në shtypin letrar në Dibër të Madhe, Tetovë, Strugë e Shkup.
Ajo ka botuar vëllimet poetike “Odeoni i çmendurisë”, “Mes titujve të humbur” dhe në vitin 2020 botoi edhe vëllimin poetik “Përtej shikimeve”, i cili u prit mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Është e përfshirë në disa antologji poetike, mes të cilëve edhe “Na bashkoi poezia – Dibra ime” (2020).
Krahas krijimtarisë poetike, ajo si regjisore ka realizuar edhe disa dokumentarë dhe filma për të rinj, ese filmike, të cilat janë transmetuar në kanalin televiziv TVM2.
Poezitë e botuara më poshtë janë një përzgjedhje e posaçme për gazetën “Rruga e Arbërit” nga Ilmi Dervishi.
Shikimi i trembur

Shuhet një dhimbje?
Shtresuar rri vdekja
e një jete…

shuhet një dhimbje?
Në nota t’arta dëgjohej
… një klithmë

shuhet dhimbja?
(pa)mbarim!

Shuhet…!

A shuhen vërtet dhimbjet njerëzore?!

Trazim kohe

jo në çdo urtësi fshihej uni juaj
jo më kot vdekjet s’rrëmbejnë- s’vrasin
Jetë është jetë…

e Sotmja
e Djeshmja
e Nesërmja
jo më kot u pagëzuan drithërima- shëndetliga
jo më kot duhet të tejkalojmë ujëra-ters
gjysmë zgjëndërr
gjysmë e zhgënjyer
gjysmake frymë
të gjymtë përgjithmonë

(nata mbulon yjet e jetës)
Njeri në mbiqenje të trazuar.

Ata të ikjes

Sytë hareshëm hedhin troket
n’dashuri!

Në sy jete më ishe fshehur
Në dritëz të syve të mij.

Kaherë shtruar-shtruar… ecje.

Syte e tu.
Sy te vegjëlisë, të përjetësisë.
Ata…!

Ka do gjëra në jetë që nuk rreshtim kurrë së dashuruari.
Pas jetës për një jetë

Trungu dergjej në atë dhè,
po në atë dhè dergjej dhe trupi yt

moshës kokën mos ia kthe
e ndër duar ti mos u kthe!

do të dergjej ai trup e në atë trung
ti ik dhe n’dhè le të dergjej trupi yt!

Rrugë nepërkë
Elegji për ato…

Mike e ditës së sotme!
Kaluan shumë kohë që fjalët u kthyen në heshtje.
Ka kohë që buzëqeshja u kthye në heshtje varri…

Sakaq s’tronditet hijëshia e kësaj bote-virgjërake
po aq sa drita në thellësi dishepujsh.
Ku mbeti sinqeriteti i shpirtit, fjalëve?
Në ç’vend t’i kërkoj sytë e asaj kohe?

M’u në mes të dritës
gjithçka rrezëllin terr, o mike!

Në horizonte pranverake vendosur pata qeshur,
këtë e varrosi e shkuara!

Me to u nisën edhe tufat e fjalëve,
puthjeve, qeshjeve, drithërimave, emocioneve,
grindjeve, përkëdhelive…,
me to u nisën edhe zhgënijmet.

S’do kohë as përshëndetja mëngjesore
as dhe klithma n’kryqëzime rrugësh.

Miqësia s’besoj se ekziston në të vërtetë!

Kujtesë kohe

Këmba m’rrëshqet mbi vellon e syve të mi
duartokitjeve të asaj kohe s’ua vura veshin
dhëmbët gjerdanor qeshnin

por këmba do t’më rrëshqet mbi vello të së djeshmes

s’ka hapa
s’ka sy
jo, jo s’ka
nuk ka jo

kjo këmbë seç rrëshqet pa marr pëlqimin tim
ç’tollovi?!

Kujdesi në jetë ta ndriçon rrugën.