Poezi nga Nuhi Shehu


LIMJANI

Më ka marrë malli …
Një mall tipik si prej ushtari.
Dhe ai që ma zgjon ndjenjën,
Limjani është i pari.

Nuk dua asgjë … asgjë …
Në këtë mall të trishtë njerëzor ,
Po dua ashtu si Nazim Hikmet
“Të shkoj n’ vendlindje veç një orë.”

Veç atje më shuhet malli
Në të voglin fshat tipik,
Ku formojnë një botë intime;
Këngët,muzgjet,vajzat, shtëpitë …

Atje ke qejf të bredhësh vetëm
Kur të gjithë në gjumë kanë rënë,
Të shohësh yjet se si ndrijnë
Dhe vargje të shkruash nën hënë.

Si një frymëzim poezie
Rron ai në sfond të malit,
Dhe frymë merr brenda meje –
Nga mushkëritë e Korabit.
Tirane 1995

TI JE E GJITHA…

Ti je e gjitha pije e shenjtë
Në gotën e endjes ku të pi qetësisht.
Pa mëshirë qepenat moj do t’i shkallmoj
I dehur me ty barbarisht.

Qepenat kërcasin me gjuhë vajtimtare
Dhimbshëm mbulohet, ah fytyra jote…
Po perçe e metaltë s’i mposht sytë e mi
Për ta ndjerë shikimin e pamjes magjiplote.

Për sytë mëngjesorë etur horizontesh…
Muzgje dhe perçe të tilla s’do ketë.
Kur ti e gjitha plazmuar në mua
Aher’ qepenat do bien përjetë.
22.04.1997

AMBICJE

Jagot janë përhapur në botë shumë.
Ligësht flasin për Otello e Dezdemonë …
Dhe nxisin Makbethet që në gjumë
Dunkanët t’i vrasin natën vonë.

FYTYRËN TËNDE

Fytyrën tënde e dashur,
Relike të ditëve plot shkëlqim.
Si një medaljon të shenjtë e kam varur
Rreth qafës së shpirtit tim.

FILLIM POEME PËR MIFTAR KRASHIN

Hijeshuar kish shtatin me petk hynor!
Prej Zotit pagëzuar me emrin polic.
E deshi jetën e për hir të saj
Të keqen luftoi gjer në sakrificë.

Po në shmang priste pabesia
Fshehur medet përroit të Setës…
Aty ai ndaloi dhe nisi po aty –
Rrjedhën e amëshuar të “Lumit të Jetës”.
BLIRI

Baladat janë të gjata, të trishta
Pothuaj mbarojnë, me nga një varr nën bli…
Agron Tufa

Fytyrëtrishtë shfaqet në balada…
I heshtur, i kyçur – dëshmitar i gjallë,
Për fatin e dashnorëve që treten nën dhé
Nga djali tradhtuar a duel i vrarë.

Me gjethet e blerta mermerin ngadalë
Vargje elegjie me zërin e mekur;
Me zërin e mekur si psallme, si lutje…
Si ngushëllim për varrin me vdektarin tretur.

Nëpër muzg bien këmbana kristali
Dhimbshëm diku, qan një sharki –
Qëndisur jehonat me nuanca malli
Për të riun varr ngritur nën bli.
03.10.1996

TI JE KAQ E BUKUR …

Prej bukurisë tënde
Statujat marrin jetë …
Dhe djemtë po prej teje
Në statuja kthehen krejt.

ÇAST POETIK

Muzg i theksuar në mavinë e detit
I ndjeshëm si lirikë dashurie…
Paqësor e i dridhshëm – shpirt adoleshenti
Me drita vaporesh, stoli nusërie…

Piktorë, poetë, fotografë… hej
Kapeni muzgun që papërsëritshëm ikën!
Mrekullohuni nga ky bujar madhështor,
Me imazhe, emocione, që nuk përsëriten.

Perandoria e natës bie ngadalë,
Valët thërrmohen në bregun e shkretë…
Trishtë fari digjet në pritjen pafund
Për muzgun që s’kthehet, hej medet!
Durrës, 1999

KENGE

Ti je atje pas atij mali
Unë pas qelqit avulluar
Psherëtij dhe hesht ngadalë
Në kafenenë e preferuar.

Thonë se qetësohen shpirtërat
Kur prej qiejsh pikon shi.
Por nuk qenka krejt ashtu
Me mal përpara dhe pa ty.

Do t’i shemb të gjitha malet
Këngën time do shaloj,
Dhe dritë agimesh e ylbere
Dhuratë qiejsh do t’i çoj.

Merre ylberin ngjyra – ngjyra
Në flokë vere si karficë,
Se ti je krijesë qiellore
Paçka se linde në Ilnicë.

Në të largëtin fshat malor
Diku në kufijtë e shtetit
Linde ti për të ngjallur
Shpresën e vdekur të poetit.

Do t’i shemb të gjitha malet
Këngën time do shaloj;
Dritë agimesh dhe ylbere
Dhurate qiejsh do t’i çoj.
28.12.2000