Të dhëna arkeologjike mbi disa fortifikime të periudhës së Skënderbeut në rajonin e Dibrës


Nga prof. Adem BUNGURI
Instituti i Arkeologjisë 
Akademia e Studimeve Albanologjike

Një aspekt i rëndësishëm i punës studimore për të hedhur më shumë dritë mbi epopenë skënderbejane, është vendosja e korrelacioneve adekuate midis burimeve historike dhe atyre arkeologjike. Kjo gjë kërkon kryerjen e kërkimeve arkeologjike në kalatë, fortifikimet apo strukturat e tjera, që kronologjikisht i referohen periudhës në shqyrtim. Edhe pse është fjala vetëm për një periudhë 25 vjeçare (1443-1468), pra kohësisht mjaft e kufizuar dhe në terma arkeologjik vështirë e identifikueshme, çelësi i zgjidhjes, është studimi më i thelluar i burimeve arkeologjike dhe gjeografisë historike, si dhe bashkëpunimi midis studiuesëve të arkeologjisë dhe atyre të historisë mesjetare. Ky bashkëpunim është i nevojshëm, veçanërisht kur bëhet fjalë për monumente arkeologjiko-historik, kronologjikisht të lidhura me periudhën e Skënderbeut dhe bëhet i domosdoshëm edhe për faktin, se në studimet historiografike është shfaqur edhe ndonjë pikëpamje subjektive dhe voluntariste, që buron si nga mungesa e këtij bashkëpunimi ashtu edhe nga njohja e pamjaftueshme e terrenit. Kërkimet arkeologjike mbi fortifikimet e Skënderbeut kanë qenë të kufizuara vetëm në disa kala të kësaj periudhe apo struktura brenda tyre. Në periudhën 1964-2018 gërmime arkeologjike janë kryer në qytetin e Stelushit (1964-1966), qytetin e Lissosit (1968-1970), në kalanë e Krujës (1977-1980), në kalanë e fshehtë të Skënderbeut në Daulë të Kurbinit (1983-1985), në kalanë e Matricës në Rubik (2016) dhe janë kryer punime pastrimi të sistemit fortifikues të kalasë së Petralbës (Gur i Bardhë) nga Institutit i Monumenteve të Kulturës.

Pamje e kalasë së Koxhaxhikut

Objekt i këtij punimi janë rezultatet e vrojtimeve sipërfaqësore të kryera nga autori në disa nga fortifikimet e kësaj periudhe, topografikisht të lokalizuara në rajonin e Dibrës. Ai synon jo vetëm paraqitjen para opinionit shkencor të këtyre rezultateve, por edhe korrigjimin e ndonjë mendimi voulntarist që nuk i përgjigjet të vërtetës historike. Që në fillim duhet të vemë në dukje konstatimin tonë mbi përputhjen e plotë të përshkrimeve të Barletit me topografinë e kalave të Skënderbeut në terren, aq sa shpesh mbetesh i mahnitur nga detajet dhe saktësia e tyre. Kalatë dhe strukturat fortifikuese që lidhen me periudhën e Skënderbeut në rajonin e Dibrës, janë: Kalaja e Koxhaxhikut (Zhupë-Dibër), Kështjella e Modricit (Dibër), Kalaja e Skudrinës (Rekë-Dibër), Kalaja e fshehtë e Skënderbeut në Çidhën të Poshtme, Qyteti i Stelushit (Qafë-Murrë) në kufirin midis Dibrës dhe Matit, Qyteza e Valikardhës (Bulqizë) dhe Kulla e Skënderbeut (Vajkal-Bulqizë). Sipas vlerësimit kronologjik ato ndahen në dy kategori:
a. Fortifikime më të hershme prehistorike, antike të vona dhe mesjetare, gjegjësisht të periudhës së Skënderbeut.
b. Fortifikime të lidhura ekskluzivisht me periudhën e Skënderbeut.
Në kategorinë e parë përfshihen: Kalaja e Koxhaxhikut, Kalaja e Skudrinës, qyteza e Valecardës, qyteti i Stelushit, ndërsa në kategorinë e dytë kështjella e Modricës, kalaja e fshehtë e Skënderbeut në Çidhën të Poshtme dhe kulla e Skënderbeut në Vajkal. Në këtë punim do të trajtohen shkurt disa prej monumenteve të mësipërm.
(Studimin e plotë mund ta lexoni duke shkarkuar versionin në PDF)