Balluku mbron ligjin: Rrisim prodhimin e energjisë, shpëtojmë nga përmbytja fushën e Nënshkodrës


Balluku: “Përveç prodhimit të energjisë nga vetë HEC-i i Skavicës, nëpërmjet optimizmit të kaskadës së Drinit do të rriten gjithashtu kapacitetet prodhuese për tre hidrocentralet ekzistuese, si dhe do të japë një zgjidhje të mirë, të thellë dhe të menjëhershme për përmbytjet në të gjithë zonën e nënshkodrës”.

Pamje nga fusha e Dibrës, e cila do të përfundojë nën ujërat e Skavicës

“Miratimi i projektligjit i hap rrugë ndërtimit të një nga veprave më ambicioze e më të domosdoshme për sektorin elektroenergjetik në vendin tonë”, tha në parlament ministrja Belinda Balluku, duke mbrojtur ligjin nr. 38/2021, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”.
Balluku tha nga foltorja e parlamentit se kjo është “një ëndërr e madhe, e cila nuk ka gjetur mundësi të realizohet deri më sot, ndërtimi i HC të Skavicës”.
Ajo tha në fjalën e saj se kjo është “një vepër e rëndësishme elektorenergjetike, jo thjesht nga kapaciteti prodhues, por mbi të gjitha, një instrument me rregullator i kasakadës së Drinit, aty ku sot funksionojnë tre hidrocentrale të rëndësishme dhe me shtimin e HC të Skavicës do të kemi një rritje të kapaciteteve edhe të hidrocentraleve ekzistuese”.
Balluku, mes të tjerash, ka vlerësuar se qeveritë e mëparshme e kanë pasur këtë projekt në sirtarët e administratës, por nuk kanë mundur ta çojnë procesin përpara.
Sipas Ballukut, “ tashmë janë kryer të gjitha hapat paraprake me kompaninë Bechtel, bazuar në marrëveshjen ekonomike të firmosur mes Republikës së Shqipërisë dhe shtetit amerikan në tetor të vitit të shkuar”.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se “projektligji ka të bëjë me kontratat në lidhje me projektin dhe ndërtimin e Skavicës, të cilat ne i kemi propozuar të lidhen në dy faza të ndryshme. Kontrata e parë midis KESH dhe Bechtel International, për sa i përket të gjithë fazës së parë paraprake përfshin aktivitetet si matja topografike, studime hidrologjike në mbështetje të zhvillimit të projektimit, studime të inspektimeve gjeoteknike në terren, zhvillimi i strategjisë për realizimin e projektit, rishikimi dhe finalizimi i vlerësimit të ndikimit mjedisor dhe social”.
Gjatë fjalës së saj ajo u ndal edhe në shqetësimet e ngritura nga disa deputetë, përsa i përket sqarimit të nevojshëm që duhet të kenë të gjithë banorët e zonës së Dibrës.
“Kjo kontratë, pra kontrata e parë – tha Balluku, – do të ketë kapituj të tërë të cilat do të thellohen në studimin ambiental të zonës”.
Ajo kërkoi më shumë kohë KESH dhe Behctel International, për të bërë një studim të mirëfilltë mjedisor, i cili do të nxjerrë në pah problematikat dhe zgjidhjen e tyre.
“Nuk është koha sot që të flasin të gjithë për mjegullën që do të krijohet apo për problemet që do të ketë pasi të gjitha parastudimet që kemi bërë deri tani tregojnë që zona do të përmirësohet si nga kushtet mjedisore ashtu edhe për mbytjet e shumta nën fushën e Shkodrës apo dhe në zonat e tjera”, tha Balluku.

Balluku: Kapitulli social i këtij studimi, i cili do të vijë me kontratën paraprake, do të jetë një kapitull i rëndësishëm, ku kompania dhe shteti, do të marrin përsipër të gjithë zgjidhjet e problematikave që do të lindin duke nisur nga shpronësimet, nga kompensimet dhe në çdo hap tjetër që përgjegjësia sociale e një kontrate komerciale përfshin në bazë të ligjit.

“Kapitulli social i këtij studimi, i cili do të vijë me kontratën paraprake, do të jetë një kapitull i rëndësishëm, ku kompania dhe shteti, do të marrin përsipër të gjithë zgjidhjet e problematikave që do të lindin duke nisur nga shpronësimet, nga kompensimet dhe në çdo hap tjetër që përgjegjësia sociale e një kontrate komerciale përfshin në bazë të ligjit”, tha ministrja Balluku.
Sipas saj, “kontrata e parë do të fokusohet në përgatitjen e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave, me qëllim preventivimin e kostove dhe të sasive, dhe shërbimeve të tjera të dakordësuara për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektit në HC e Skavicës”.
Balluku tha se “katër deri gjashtë javë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, Bechtel do të dorëzojë propozimin zyrtar dhe brenda 30 ditëve KESH dhe Bechtel do të negociojnë kushtet e kontratës së parë”.
“Kontrata midis palëve do të nënshkruhet 3 ditë pune pas finalizimit të kushteve, ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do ta dërgojë atë për miratim në Këshillin e Ministrave brenda 3 ditë pune pas nënshkrimit”.
“Kontrata e fazës së dytë është kontrata, e cila ka të bëjë me negocimin për projektin e detajuar dhe ndërtimin e HEC së Skavicës në kaskadën e Drinit nga kompania Bechtel International ose kompani bija, të cilat do të marrin përsipër këtë ndërtim”.
“Kjo fazë, – sipas Ballukut, – përfshin krijimin e një komisioni negocimi të përbërë nga përfaqësues të korporatës elektroenergjike, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe përfaqësues të tjerë që do të caktohen nga vendimi i Këshillit të Ministrave”.
Më tej Balluku foli për afatet e nënshkrimit të kontratave dhe zyrtarizimit të tyre, që mund të kenë qenë të qarta për ligjvënësit, por ato janë “të mjegullta” për qytetarët.
Duke folur për financimin e këtij projekti, Balluku tha se “kontrata e fazës së parë do të realizohet me fonde të vëna në dispozicion nga KESH. Ndërkohë që, për sigurimin e financimit të kontratës së dytë, pra të projektimit dhe të ndërtimit HC të Skavicës, ne po bashkëpunojmë dhe me institucione financiare të huaja siç është Koorporata Ndërkombëtare Financiare e Zhvillimit të SHBA”.
Duke i ftuar deputetët të votojnë ligjin, ajo nuk harroi të theksojë se “përveç prodhimit të energjisë nga vetë HEC-i i Skavicës, nëpërmjet optimizmit të kaskadës së Drinit do të rriten gjithashtu kapacitetet prodhuese për tre hidrocentralet ekzistuese, si dhe do të japë një zgjidhje të mirë, të thellë dhe të menjëhershme për përmbytjet në të gjithë zonën e nënshkodrës”.
Ligji u miratua me 93 vota pro, 3 kundër dhe 7 abstenime.
Ky ligj i miratuar një muaj para zgjedhjeve parlamentare e ka ngjallur paqartësi te banorët që përmbyten nga ujërat e Skavicës, ndaj kjo çështje po merr më shumë vëmendje gjatë fushatës elektorale në Dibër. Të dhënat e deritanishme thonë se ky proces do të shpërngulë nga shtëpitë e tyre mbi 10 mijë banorë, si dhe rreth 40 mijë të tjerë do të preken drejtpërdrejtë. Rreth 34 fshatra do të përfundojnë nën ujërat e Skavicës si dhe liqeni do të ndajë në mes Dibrën.
Ligji, të cilin po e botojmë për lexuesit të plotë, do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
LIGJ Nr. 38/2021 PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË VEÇANTË PËR NEGOCIMIN DHE EKZEKUTIMIN E KONTRATËS ME SHOQËRINË “BECHTEL INTERNATIONAL, INC.”, PËR PROJEKTIMIN DHE NDËRTIMIN E HIDROCENTRALIT TË SKAVICËS
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pikat 1 dhe 2, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË V E N D O S I:

Neni 1 – Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të autorizojë dhe të përcaktojë procedurën e veçantë për negocimin, ekzekutimin dhe miratimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International, Inc.” (në vijim Bechtel), ose një filial të tij, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, bazuar në shprehjen e interesit paraprak të depozituar në ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë.

Neni 2 – Struktura e kontratës
1. Kontrata me Bechtel-in ndahet në dy faza:
a) kontrata e fazës së parë, e cila përfshin aktivitetet paraprake të punës që do t’i mundësojnë Bechtel-it të paraqesë një propozim tek autoriteti kontraktues për kontratën e fazës së dytë dhe të ndihmojë autoritetin kontraktues e Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë në sigurimin e mbështetjes financiare për projektin; dhe
b) kontrata e fazës së dytë, që konsiston në projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
2. Kontrata e fazës së parë përfshin realizimin e veprimtarive të mëposhtme:
a) matje topografike dhe studime hidrologjike në mbështetje të zhvillimit të projektimit;
b) studime dhe inspektime gjeoteknike në terren;
c) zhvillimin e strategjisë për realizimin e projektit;
ç) rishikimin dhe finalizimin e vlerësimit të ndikimit mjedisor e social;
d) përgatitjen e projektit teknik, përfshirë përzgjedhjen e furnitorit të turbinave, me qëllim preventimin e kostove dhe të sasive; dhe
dh) shërbime të tjera të dakordësuara për të mundësuar ecurinë e zhvillimit të projektimit të hidrocentralit të Skavicës.
3. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kryen oponencë për veprimtaritë e fazës së parë të paraqitura nga Bechtel-i vetë dhe/ose me anë të institucioneve përgjegjëse shqiptare. Shpenzimet për mbulimin e kontratës së fazës së parë mbulohen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Neni 3- Procedura e negocimit të kontratës
1. Kontrata e fazës së parë dhe kontrata e fazës së dytë nënshkruhen nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare në cilësinë e autoritetit kontraktues. Ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë mbikëqyr gjithë procesin nga firmosja e marrëveshjes deri tek ekzekutimi i saj.
2. Procedura e negocimit për finalizimin e kontratës së fazës së parë zhvillohet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe fillon brenda 5 (pesë) ditëve nga dita kur Bechtel- i dorëzon pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare propozimin zyrtar për kontratën e fazës së parë.
3. Propozimi zyrtar i Bechtel-it dorëzohet 4 (katër) deri në 6 (gjashtë) javë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas nenit 5 të tij. Palët negociojnë dhe dakordësojnë kushtet e kontratës me Bechtel-in brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga fillimi i negociatave në përputhje me këtë pikë ose një periudhë më të gjatë të dakordësuar bashkërisht nga Bechtel-i dhe ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë. Në rast se palët nuk mund të finalizojnë kontratën e fazës së parë brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë ose afatit të zgjatur me dakordësinë e përbashkët, negociatat për kontratën do të konsiderohen të mbyllura, pa asnjë kosto të shkaktuar ndërmjet palëve.
4. Procedura e negocimit për fazën e dytë të kontratës zhvillohet nga Komisioni i Negocimit, i krijuar me vendim të Këshillit të Ministrave, me përfaqësues të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë dhe ministrive të tjera të linjës ose organeve të tjera sipas përcaktimit në këtë vendim. Vendimi i Këshillit të Ministrave miraton krijimin e Komisionit të Negocimit gjatë ekzekutimit të kontratës së fazës së parë, por jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga dita e dorëzimit të propozimit zyrtar të Bechtel-it për kontratën e fazës së dytë pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë, propozim ky i cili përfshin programin dhe kalendarin e punëve, si dhe kushtet tregtare të kontratës. Komisioni i Negocimit fillon punën menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për krijimin e tij, i cili përcakton anëtarësinë e Komisionit të Negocimit, kompetencat, objektin e punës dhe procedurën e vendimmarrjes.
5. Komisioni i Negocimit negocion dhe dakordëson kushtet e kontratës me Bechtel-in për fazën e dytë lidhur me projektimin e ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditësh nga krijimi i tij, në përputhje me pikën 3 të këtij neni, ose brenda një afati më të gjatë të dakordësuar bashkërisht nga Bechtel-i dhe ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë.
6. Anëtarët e Komisionit të Negocimit sigurojnë të gjitha pëlqimet dhe miratimet e brendshme nga ministritë e strukturat përkatëse përpara se drafti përfundimtar i negociuar i kontratës për projektim e ndërtim dhe raporti i negociatave t’i paraqitet autoritetit kontraktues për nënshkrim. Në rast se palët nuk mund të finalizojnë kontratën brenda periudhës së përcaktuar në pikën 5 të këtij neni, ose brenda periudhës së zgjatur me dakordësinë e përbashkët, Komisioni i Negocimit përgatit dhe paraqet pranë autoritetit kontraktues dhe ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë procesverbalin për ecurinë e negociatave dhe përfundimin e tyre.
7. Komisioni i Negocimit të kontratës mund të asistohet nga një konsulent i përzgjedhur nga Avokatura e Shtetit, sipas procedurave të përcaktuara për këtë qëllim për Avokaturën e Shtetit.

Neni 4 – Nënshkrimi dhe miratimi i kontratës
1. Autoriteti kontraktues dhe Bechtel-i nënshkruajnë kontratën e fazës së parë brenda 3 (tri) ditësh pune nga data e finalizimit të kushteve të saj. Kontrata e fazës së dytë nënshkruhet nga autoriteti kontraktues brenda 3 (tri) ditësh pune nga data e finalizimit të kushteve të saj nga Komisioni i Negocimit.
2. Ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë i paraqet për miratim Këshillit të Ministrave kontratën e nënshkruar lidhur me fazën e parë të projektit brenda 3 (tri) ditësh pune nga nënshkrimi i saj. Data e hyrjes në fuqi të kontratës për fazën e parë të projektit [shtë data e hyrjes në fuqi e vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kontratën.
3. Në rastin e kontratës për fazën e dytë të projektit, ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë përgatit dhe dërgon në Këshillin e Ministrave projektligjin për miratimin e kontratës brenda 10 (dhjetë) ditësh pune nga nënshkrimi i saj, në përputhje me pikën 1 të këtij neni. Kontrata për fazën e dytë të projektit miratohet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe hyn në fuqi në datën e hyrjes në fuqi të ligjit të miratuar nga Kuvendi.

Neni 5 – Realizimi i projektit
1. Zbatimi i kontratës për fazën e parë të projektit fillon menjëherë pas hyrjes në fuqi, në përputhje me nenin 4, të këtij ligji. Kjo kontratë përcakton shërbimet e detajuara që kryen Bechtel-i gjatë fazës së parë. Produktet e fazës së parë, sipas pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë.
2. Kontrata e fazës së dytë për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës zbatohet në përputhje me kushtet e saj menjëherë pas hyrjes në fuqi së saj në përputhje me nenin 4 të këtij ligji.
3. Bechtel-i mund të caktojë një nga filialet e tij për të nënshkruar kontratën me autoritetin kontraktues, me miratimin e këtij të fundit. Një “filial”, sipas kësaj pike, ka kuptimin e një shoqërie nën kontrollin direkt ose indirekt të Bechtel-it.
4. Pas miratimit të kontratës me Bechtel-in për projektimin dhe ndërtimin e HEC-it të Skavicës, ministri përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë krijon një njësi të veçantë për zbatimin e këtij projekti. Ministri cakton kryetar dhe anëtarë të njësisë së zbatimit të projektit ekspertë inxhinierë, juristë dhe ekonomistë, që ndjekin zbatimin e kontratës së bashku me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Paga e kryetarit dhe e anëtarëve caktohet nga ministri, duke marrë për bazë pagën e drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Neni 6 – Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R I
Gramoz RUÇI

Miratuar në datën 23.3.2021