Bashkia jonë është me fat që e ka një si Ai…


Ne jemi me fat. Nuk e di si do t’ia kishim bërë në bashkinë tonë pa të.
Në vjeshtë, kur nga malet vijnë rrebeshe, gurë e stuhi, që bllokojnë rrugën e ujërat hyjnë në tokat tona, Ai është aty duke ndihmuar në rikthimin në normalitet. Ndonjëherë hyn edhe në mes të lumit dhe unë kam shumë frikë mos rrjedha e furishme e merr me vete… Unë nuk di si ta falënderoj dhe e nxjerr në Facebook, shoqëruar me një ❤️….
Një natë dimri nuk pushoi bora gjithë natën. Unë ngrohtë isha pranë oxhakut, por vrisja mendjen se si do të bëhej nesër për të shkuar në punë, pasi rrugët do të bllokoheshin; por, kur u zgjova në mëngjes, Ai e kishte hapur rrugën që pa gdhirë… Dhe çuditem: si është e mundur që nuk ngrin nga të ftohtit? Unë e fotografova dhe e hodha në instagram, duke e shoqëruar me një 🙏…
Kur një mikut tim iu shemb shtëpia nga tërmeti, gjithë natën nuk fjeta… Por të nesërmen, kur shkova për ta parë situatën në terren, Ai ishte aty dhe po punonte… Kishte hapur gropën dhe pothuajse ishte gati për themelet… Unë atë që bëj përherë, një foto në Twiter me simbolin 💪…
Në lagjen tonë plasën kanalet e ujërave të zeza. Gjithë natën pa gjumë. Era e keqe hynte në shtëpi dhe nuk ngopeshim me frymë… Por nesër në mëngjes, që pa gdhirë, Ai ishte aty për të ndihmuar në rregullimin e defektit… “Kush do ta ndihmojë të pastrohet”, them me vete dhe e fotografoj, por nuk e hedh në asnjë rrjet social. Është bërë shumë pis dhe nuk duket bukur…
Vitin e kaluar nuk kishim pikë uji në fshat, as për të pirë e as për vaditje… Erdhi Ai dhe na shpëtoi… Ndihmoi në hapjen e kanalit dhe tani uji rrjedh pa pushim drejt tokave tona… Unë bëra atë që bëj përherë: një foto dhe simbolin ✅…
Tani që ka nisur fushata, e shikoj kudo: në rrugë, në ura, në kanale, madje edhe pas kandidatit për deputet… Aktivistët e hedhin në të gjitha rrjetet sociale, por Ai nuk duket i kënaqur. Sidomos kur është me kandidatin për deputet ose me kryetarin e bashkisë, është i heshtur. Është akull i pastër – jo si çdo herë kur e shoh në punë, dhe mua më duket sikur e mbajnë peng. Sepse Atij i hanë krahët për punë…
Nuk e di si do t’ia kishim bërë pa Volvon, eskavatorin e vetëm të bashkisë…😍
Bujar Karoshi