Rruga e Arbrit, Tirana dhe Dibra janë 2 orë larg me pak bakshish


Kjo foto është nga ura e fshatit Fshat në Klos, e cila u bashkua më 25 nëntor 2020, duke e bërë plotësisht të kalueshme trasenë e Rrugës së Arbrit, përjashtuar tunelin e Murrizit, ku vazhdojnë punimet. Kjo urë është një nga gjashtë urat e Rrugës së Arbrit, e dyta për nga rëndësia, pas Urës së Vashës. Ajo është e gjatë 174 metra dhe e lartë 157 metra. Ndërsa Ura e Vashës, me gjatësi 316 metra dhe lartësi 152 metra, përfundoi në prill të vitit të kaluar. Të dy urat janë me konstruksione metalike, me elemente çeliku me karbon të saldueshëm.

Nga Bujar Karoshi

Ndërsa pritej që kjo fushatë elektorale të sillte simbolikisht nisjen e qarkullimit në rrugën e Arbrit, qoftë edhe pjesërisht, duket se nuk do të ndodhë. Një punonjës i kompanisë, që kërkon të mbetet anonim, thonë se punimet po vazhdojnë normalisht, pa ngutje për inaugurime.
Por ndërkohë rruga është e hapur pjesërisht për kalim. Makinat e zyrtarëve lokalë në Dibër dhe atyre në Tiranë, po e përdorin rrugën për kalim për lëvizjet nga Tiranë-Dibër.
Një zyrtar lokal në Dibër tha se e përdorte këtë rrugë për qarkullim vazhdimisht dhe nga Peshkopia vinte në Tiranë për 2 orë.
Ne tentuam ta vërtetonim këtë gjatë të dielës së fundit të marsit, por nuk u lejuam të kalonim mbi urën e fshatit Fshat. Një kamion i kompanisë ishte vendosur kryq në rrugë dhe kishte penguar qarkullimin.
“Unë të lejoj të kalosh, – tha një roje në hyrje të kantierit, – por nuk dihet se kur do të vijnë të lëvizin kamionin”.
Ndërsa morëm rrugën e vjetër për në fshatin e Gurit të Bardhë, nga lart fotografuam një varg makinash mbi urën e Fshatit, të cilët me plot durim prisnin të lëvizte kamioni i vendosur qëllimisht për të bllokuar rrugën..

Pamje nga traseja e rrugës në Xibër-Murrizë

Pamje nga traseja e rrugës në Xibër-Murrizë

Në Xibër hymë në rrugën e re, përmes bajpasit u ngjitëm më Qafën e Murrizit dhe arritëm në Tiranë pas 3 orë udhëtimi.

Rama: Edhe pak durim…

“Edhe pak durim dhe ëndrra 100 vjeçare e dibranëve do të jetë realitet i prekshëm nga të gjithë”, shkroi në profilin e tij në Facebook kryeministri Edi Rama më datë 1 prill. Një video prej 90 sekondash jepte pamje nga punimet te ura e Fshatit që nga nisja deri në përfundimin e saj.
“Për këtë vepër shumë komplekse u desh të hapen fillimisht tuneli 3 dhe 4, që pastaj të ngriheshin themelet e saj.
Me përfundimin e kësaj ure dhe me ndihmën e bajpasit të Murrizit, tanimë i gjithë aksi i rrugës së Arbrit është i lidhur”, shkruan kryeministri në postimin e tij.

Balluku: Rruga është e kalueshme, por afati i punimeve mbaron pas 18 muajsh…

Por ndërsa kryeministri kërkon të kemi durim, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e largon ditën e përfundimit të punimeve.
“Rruga e Arbrit, në kontratën e saj, ka afat përfundimi fundin e vitit 2022, – tha në emisionin “Absolut 4” në A2, Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Njëri nga postoblloqet që ndalojnë hyrjen në rrugë. Me 200 lekë trau mund të ngrihet…

“Rruga e Arbrit ka edhe 18 muaj për të vazhduar punimet dhe ka ecur shumë më shpejt nga çfarë është parashikuar. I vetmi problem për Rrugën e Arbrit është tuneli i Murrizit, duke qenë se është hasur në një formacion të vështirë, ka shumë rezerva ujore dhe kjo është një nga problematikat që tuneli i Murrizit nuk po përfundon. Pjesa tjetër e rrugës tashmë është e aksesueshme dhe shumë banorë të Dibrës kalojnë mbi të, pavarësisht se nuk është e hapur zyrtarisht.”.
Kjo deklaratë e ministres Balluku bie ndesh me deklarimet e saj të mëparshme.
Gjatë një analize vjetore mbi infrastrukturën të mbajtur më 21 tetor 2020, ministrja Balluku pati deklaruar se “mes rrugëve që duhen përfunduar gjatë 2021 është Rruga e Arbrit, e cila do të përfundojë përpara afatit të parashikuar”.
Një vit më parë, prill 2020, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të shoqëruar nga presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion”, Rrok Gjoka, dhe inxhinierë të autoritetit rrugor shqiptar, zhvilluan një vizitë në Klos, nga ku panë nga afër urën e re të Vashës të përfunduar. Në kronikën e transmetuar më 28 prill 2020 në faqen e Facebook-ut të kryeministrit dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tregohej ecuria e punimeve deri në atë periudhë, problematikat e shfaqura, si rezultat edhe të pandemisë, por që nuk do ta rrezikojë hapjen e rrugës për lëvizjen e trafikut.
“Nga 70 kilometra rrugë gjatësi që ka Rruga e Arbrit dhe nga 6 tunele janë përfunduar 5 nga këto tunele dhe më shumë se 54 kilometra tashmë janë të përshkueshme”, deklaroi atëherë ministrja Balluku. “Jemi në fazën e hedhjes së asfaltit gjatë muajit maj për gjithë pjesën ku është shtruar traseja dhe janë mbyllur të gjitha detajet e trasesë. Punimet kanë ecur mirë, pavarësisht se ndodhemi në muajin e 22, fiks në mes të kontratës (kontrata parashikon 44 muaj punime), punimet kanë ecur dhe janë shumë të avancuara, edhe përtej grafikut të parashikuar që kemi pasur”.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur disa vonesë në punime, për shkak të pandemisë dhe materialeve që vinin nga jashtë, por zyrtarisht nuk ka pasur asnjë ditë ndërprerje të punimeve. Kjo situatë solli vonesa në urën e fshatit Fshat dhe atëherë presidenti i kompanisë që po ndërton rrugën, Rrok Gjoka, i tha atëherë kryeministrit Rama dhe ministres Balluku se punimet e urës pritet të përfundojnë në gusht-shtator të këtij viti (2020). Dy krahët e urës së Fshatit në Klos u lidhën në fund të nëntori 2020.
Kujtojmë se më 17 qershor 2018, gjatë ceremonisë zyrtare të nisjes së punimeve në Klos, Presidenti i Kompanisë Gjoka pati deklaruar se “pavarësisht se në kontratë punimet janë parashikuar të zgjasin 44 muaj, punimet ato do të mbarojnë për dy vite” (qershor 2020-shënimi ynë).

Vëzhgimi në terren:Ja situata e punimeve

Pavarësisht se deklarata e ministres Balluku duket pak pesimiste në afatin e përfundimit, situata në terren duket më shumë optimiste.
Segmenti 1, i cili fillon në dalje të Tiranës, me gjatësi 1.153 km është përfunduar dhe asfaltuar. Segmenti 2 , nga Ura e Brarit deri në Zall Bastar, me gjatësi 5.46 km është hapur plotësisht dhe është asfaltuar pjesërisht. Një pjesë te Shkalla e Tujanit, rreth 2 km, deri te tuneli është e paasfaltuar dhe punimet aty janë në gjendjen që kanë qenë para nisjes së punimeve.
Segmenti 3, nga Zall Bastar deri te dalja e Urës së Vashës, sipas projekt idesë është me gjatësi 23.188 km. Në këtë segment janë hapur 4 tunele, është ndërtuar një nga urat. Asfalti është shtruar plotësisht deri te dalja e tunelit në Xibër, përfshirë bajpasin 9.5 km, ndërsa pjesa tjetër është në fazën e fundit të punimeve para asfaltimit.
Një punëtor i kompanisë ndërtuese tha se tuneli është hapur në anën e Tiranës rreth 800 metra, ndërsa në anën e Xibrit rreth 1 km.

Pamje nga traseja e rrugës së asfaltuar në Bastar

Segmenti 4, nga dalja e Urës së Vashës deri në Bulqizë, me gjatësi 9.715 km është i paasfaltuar. Punimet në këtë segment kanë shumë pak ndryshime që nga viti 2011.
Segmenti 5, Bulqizë-Ura e Çerenecit, me gjatësi 20.12 km, i përfunduar në vitet 2009 dhe 2011, nuk ka asnjë ndërhyrje. Ky segment nuk është pjesë e kontratës së punimeve.
Segmenti 6, qe lidh Urën e Çerenecit me rrugën Maqellarë-Pika kufitare Bllatë, me gjatësi 9.111 km është përfunduar dhe asfaltuar. Në këtë segment ka nisur qarkullimi, por nuk kanë mbaruar akoma rifiniturat e fundit dhe vendosja e sinjalistikës.
Segmenti 7 (D), është rruga Maqellarë-pika kufitare Bllatë, e cila ka përfunduar me asfaltim. Ky segment është i standardit C3, më i ngushtë se pjesa tjetër e rrugës. Edhe në këtë segment nuk janë vendosur sinjalistikat, si dhe ka punime të pakryera për sa i përket trotuareve anësore. Segmenti 8 (K) është degëzimi dalje Ura e Vashës – Klos me gjatësi 3.092 km. Në këtë segment, i cili do të bëjë të mundur lidhjen e Klosit me Rrugën e Arbrit, punimet nuk kanë nisur akoma.