Dibër moj, ti, Dibra ime


Dhjetra vite ma parë, nga vitet shtatëdhjetë, atëherë djalosh i ri e krejt ëndra për jetën, Ferit Ferati e la Sllovën, vendlindjen e tij të bukur dhe u shpërngul përfundimisht në metropolin shqiptar, Tiranë, me punë dhe shtëpi, një ëndërr e shumë prej djemve të Ujemujës në ato vite. Shumë kush foli si nën zë:”Feriti iku, na e ktheu shpinën, nuk do të kthehet më kurrë”. Dhe në fakt kështu ndodhi, Ferit Ferati u arsimua , u punësua, u martua dhe krijoi familjen në Tiranë duke u bërë edhe gjysh, ku jeton ende sot që nga viti 1970, por që kurrë nuk e braktisi vendlindjen e tij. Mburret me krenari edhe në këtë moshë që kurrë nuk u bëra tiranës, por mbeta një dibranë i mirë. Dhe kjo thënja e tij na bind më së miri me librin që sapo ka botuar me një titull mjaft intrigues: “Dibër moj, ti, Dibra ime”.
Në fakt për Dibrën kanë shkruar shumë autor të huaj dhe vendas. Është ndoshta e vetmja trevë e vendit tonë që e ka rrokur pena e studiuesve të ndryshëm. Feriti vjen krejt ndryshe në rrëfimin e tij, krejt ndryshe nga të gjithë të tjerët që kanë shkruar.
Duke lexuar librin e tij bindesh se autori ka njohuri shumë, ka kulturë dhe ka lexuar shumë literaturë të ndryshme për Dibrën dhe dibranët. Librin e ka ndarë në tre pjesë: Historia, etnokultura dhe Ujemuja. Pra, mikrokrahinën e tij të dashur, vendlindjen nuk e la pas dore por në këtë libër i ka kushtuar një vëmëndje të dyfishtë duke u marrë edhe me detajet më të vogla.
Autori nëpërmjet këtij libri është përpjekur të tregojë se e kaluara jonë ka qenë vërtet e lavdishme, pasi ne kemi se çfarë të themi për të parët tanë, ne duhet ti tregojmë botës se në këto troje nuk jemi ardhacakë, por vendali, fqinjët shumë kohë pas nesh, u zgjeruan në tokat tona me luftra të përgjakshme, na coptuan dhe na ndanë. Ne në fakt jemi një Dibër por gjysmën na e morën pa drejtësisht. Nuk kemi pse ta quajmë ndarjen e bërë në Dibër e Poshtëme e Dibër e Epërme, apo siç mundohen ti etiketojnë Dibër e Madhe e Dibër e Vogël.
Jo, historia njeh një Dibër, dhe nëpërmjet librit të tij autori mundohet ti jap lexuesit një Dibër. Libri i Ferit Feratit ka një pasuri të madhe me dokumenta. Ato nuk janë dokumenta arkivore dhe të pa njohura për studiues e lexues. Janë shkrime historike të autorëve të ndryshëm për një problem të caktuar, por edhe monografi të plota të shkruara për historinë tonë të lavdishme. Prurjet janë të njohura, të botuara vite më parë por që kanë qarkulluar lirshëm edhe në vitet e diktaturës.Nëpërmjet këtij libri, autori përcjell trashëgiminë te pasardhësit, duke bërë kështu thirrje për njohjen e vetvetes. Ashtu thjeshtë bën lidhjen e së shkuarës me të sotmen, me sytë nga e ardhmja. Libri ka jetë, se fundja është jeta ajo që përcakton nivelin e njerzimit, stadin e tij. Duke dhënë këtë pasuri të Dibrës dhe në veçanti të Ujemujës, nga ka dhe vendlindjen vetë autori, jep një mesazh që pasardhësit të mos e harrojnë, se ndëshkimi më i madh që mund ti japësh dikujt është harresa.
Njohja me historinë tënde, do të thotë ruajtje e kujtesës, e kjo do të thotë të bëhesh pjesë e popujve historikë, të cilët nuk harrojnë nëpër cilat rrugë të historisë kanë kaluar të parët tanë, për ta mbajtur gjallë jetën, siç dhe nuk harrojnë se pa sakrifica nuk ka vlera.
Në librin e ri të autorit Ferit Ferati ka materiale të bollshme që ndoshta sot do të na duken si një vlerësim i thjeshtë, por pas disa vitesh, vlera do të jetë e shumë fishtë. Pasardhësit do ta kenë më të lehtë të vlerësojnë historinë e të parëve. Në libër parakalojnë personazhe historikë, të njohur por treguar në mënyrë mjaft bukur, me një gjuhë të thjeshtë dhe shumë origjinale.
Në udhën drejt përshkrimit të veprimtarisë historike, në mënyrë inteligjente kalon edhe mjaft ngjarje të rëndësishme e ndonjë edhe më pak të rëndësishme dhe të pa nevojshme.
Fundja siç thotë i madhi Faik Konica:”Për të gjykuar mirë një njeri në histori, duhet ta gjykojmë jo mbas mendimeve të kohës së sotme, por mbas kohës ku ai vetë u rrit, u suall e rrojti”.
Me mjaft interes për lexuesin e studiuesin janë jo vetëm ngjarjet e kronikat historike por dhe ritet, doket, zakonet e njerëzve të thjeshtë. Pra të gjitha këto i gjen në monografi të shkruar bukur e me mjaft dashamirësi nga autori.
Kur lexon librin e Ferit Feratit të dalin para ngjarje të mira e të hidhura, begati, kurbet, luftë, heronj e dëshmorë. Duke u futur nëpër këto shtigje, lexuesi vendas ndjehet mirë, se njeri ndjehet mirë, kur paraardhësit e tij, vetë apo bashkëkohësit kanë bërë diçka të vlefshme për lirinë, për vatanin.
Duke lexuar këtë libër, rrjesht pas rrjeshti, pasazh pas pasazhi e kapitull pas kapitulli, bindesh plotësisht se autori ka bërë vërtet një punë serioze, me pasion e përkushtim, për të na përcjellë historinë e vendlindjes sonë të dashur të cilit i ka mjaftuar vetvetja për të mbijetuar dhe përcjellë mesazhe nëpër kohë, gjer në ditët tona.
Dibranët në përgjithësi e Ujemujasit në veçanti i shikojmë në këtë libër si luftëtarë të angazhuar në vite me radhë, në të gjitha luftrat e kundër çdo lloj pushtuesi, nga koha në kohë e nga brezi në brez, portagonistë, fise, figura, tradita, kode zakonore, ngulmimet e hershme e gjer në ditët tona.
Në shpalimin e gjithçkaje shpirtërore, që nga kultura e mikpritjes, gjer tek ushtrimi i riteve, zakoneve e traditave të ardhura nga brezi në brez, dibranët, sipas autorit janë krejt e veçantë, dinë të respektojnë vlerat, dinë të ndërtojnë jetën dhe të shijojë bukur mirësitë e natyrës dhe universit.
Në këtë këndvështrim kuptimshmëria e rrëfimeve të Ferit Feratit në këtë libër janë të ngrohta, të vizatuara lehtë dhe të spërkatura me nuanca të imëta nostalgjie e malli çfarë është më se e natyurshme për një që largohet nga vendlindja në moshë të re e kthehet tashmë në moshën e tretë, ku sivjet mbushën plot 77 vjeç me kujtime malli, mbresa, studime historike drejt rrënjëve të vendlindjes të cilat janë rrënjët e tij dhe të gjithë ne të tjerëve, që jemi pjesë e tyre, pjesë e një sage krenarie dhe dashurie, njerëzore me emrin e madh Dibër.
Gjithsesi është një libër që ta ka anda ta lexosh e rilexosh. Autori me penën e tij, me stilin mjaft të thjeshtë që libri kuptohet e lexohet nga të gjitha moshat, rrok një gamë ngjarjesh e ndodhishë, të njohura e pa njohura më parë, futet në histori, në etimologji popullore, etnogjenezë të fiseve, gjuhësi, në dituri, në kulturë, arsim duke na dhënë kështu një pamje po thuajse të plotë për këtë trevë me vlera kombëtare.
Ky libër duhet të jetë një libër për të gjithë, për dibranët e për Ujemujën kudo që ndodhen, në vendlindjen e tyre, të rrënjëve e degëve, apo në treva të tjera të atdheut, urbane e rurale qofshin, në emigracionin e vjetër a të ri, në diasporë e gjetkë…Ia vlen ta kenë si libër tavoline të gjithë ata që duan të njohin më në gjerësi e më në thellësi historinë, nëpërmjet dyerve, fiseve, fshatrave më në zë, histori e përgjithshme kjo, ku rri me aq natyrshmëri e dinjitet historia e Dibrës, e Ujemujës, e Sllovës, përcjellë nga autori Ferit Ferati.
Shaqir Skarra