Fanfara e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli”


1. Një shërbim jashtë profilit

Ishte aty pas mesit të majit 1970. Shefi i seksionit të arsim-kulturës të rrethit më komunikoi se do të shoqëroja, ose siç përdorej në atë kohë, do të isha përgjegjës i orkestrës frymore të shtëpisë së kulturës së rrethit në takimin zonal, që do të zhvillohej më 21-24 maj në Lezhë. Dhe që t’i dilte përpara kundërshtimit nga ana ime, pasi unë aso kohe isha specialist për matematikën në seksion, shefi Shemsi Manjani solli një sërë argumentesh pse 2-3 specialistë dhe 4 metodistët e kulturës nuk do ta kryenin këtë shërbim.

Disa pjesëtarë të fanfarës. Në qendër Shyqyri Vogli dhe Nuredin Mazari

E kisha njohur që në javët e par atë punës sime në seksion këtë cilësi të shefit; ai vlerësonte mbi të gjitha korrektesën dhe saktësinë në kryerjen e detyrave, pavarësisht në se të përkisnin sipas profilit apo sektorit. E kisha provuar këtë në gusht 1969, kur bashkë me një punonjëse të bibliotekës më caktoi të marr pjesë në një seminar për sistemimin e skedimin shkencor të fondeve të bibliotekave, që zhvillohej në Elbasan. Shtrimi me rigorozitet i kërkesave dhe i metodës së kryerjes së kësaj detyre, para udhëheqjes së seksionit, vlerësimi serioz nga ana e seksionit dhe e punonjësve të bibliotekës, bëri që kjo detyrë të merrte udhë. Më vonë, dhe pse isha kryespecialist për arsimin në seksion, do të ngarkohesha shpesh me detyra të kulturës; madje më 1974 kam kryesuar jurinë e rrethit për festivalin e këngës në RTV.
Për orkestrën frymore, që ne e quanim “bandë”, e në fakt ajo ishte fanfarë, dija pak gjëra. Ishte krijuar më 18 shkurt 1969. Për të ndihmuar kishte ardhur pensionisti Shyqyri Vogli nga Kavaja dhe Dine Kasapi (Ferhati) nga Tirana. Kishte punuar me të i palodhuri, kompozitori Tonin Rrota. Ndërkohë, drejtues ishte mësuesi i muzikës, Nuredin Mazari. E kisha parë “bandën” të ekzekutojë në ceremoni solemne e festa dhe shumë pjesëtarë të saj i njihja.
Për t’u njohur edhe me programin e konkurrimit të bandës, atë natë mora pjesë në provat e saj. Provat qenë si të gjithë provat; ndërhyrje dhe vërejtje herë njërit instrument apo bllok instrumentesh, kështu që nuk arrita të krijoj një përfytyrim të saktë për përmbajtjen dhe nivelim e interpretimit të bandës që unë do të kryesoja. Prova gjeneralë do të bëhej të nesërmen. Por unë të nesërmen do të isha në Tiranë, për të blerë biletat e kthimit, të cilat për kushtet e atëhershme të transportit, shiteshin një javë përpara udhëtimit.
Me trupën e orkestrës frymore u takuam në Laç dhe udhëtuam me autobus për në Lezhë.
Dy rrethana ma rënduan gjendjen shpirtërore para se të arrija në Lezhë.
E pyeta N. Mazarin se si vajti prova gjeneralë. – Mirë, më tha; – Kemi përgatitur për konkurrim pesë marshe e melodi orkestrale, kemi dhe 4-5 pjesë të tjera rezervë. Koncerti zgjat rreth 15-20 minuta.
Më zuri një dhembje therëse e kokës. “Si është e mundur – mendoja unë që për 15-20 minuta konkurrim të qëndrojmë gati një javë në Lezhë”. Por, këtë mendim e ndrydha përbrenda dhe nuk ia shpreha askujt.
Në afërsi të Lezhës, Xhelal Seferi, që punonte në spitalin e Peshkopisë dhe që aktivizohej edhe me grupet artistike amatore të atij institucioni, më tha: “Përgjegjës, unë sonte dua të shkoj në Shkodër. Kam një byrazer atje”. Nuk m’u duk e arsyeshme një kërkesë e tillë, pasi edhe të tjerë nga mbi njëzet pjesëtarët e orkestrës mund të kishin miq e shokë për të vizituar, por ne kishim një detyrë tjetër më kryesore, të përfaqësonim rrethin. Prandaj, me shumë takt iu përgjigja: “Xhelal, mirë e ke menduar që me këtë rast të shohësh edhe byrazerin në Shkodër. Mund të shkojmë edhe bashkë, se dhe unë si ish-gjimnazist në Shkodër kam miq e shokë, por jo sonte pa u njohur me programin”.
– Dakord, përgjegjës, ma ktheu Xhelali dhe më vonë nuk u kujtua më për byrazerin e Shkodrës.
Ky rast më bëri të mendohem për disiplinën e trupës dhe për kompaktësinë e saj. Intuitivisht e ndjeja se suksesi i një trupe artistike kishte si bazë disiplinën e ndërgjegjshme dhe përkushtimin e të gjithëve për arritjen e suksesit. Solla ndërmend tërë pjesëtarët e trupës; Disa, si Lahim Kola, Hiqmet Hoxha, Imer Seferi, Nurçe Mazari, Haki Shehu, Haki Vlesha, ushtari nga Fieri Fatos Harizaj, Myrte Baboçi, Vehap Isaku e ndonjë tjetër, ose ishin punonjës të shtëpisë së kulturës, ose amatorë pranë saj. të tjerë, si i respektuari, ish-mësuesi im i shkollës shtatëvjeçare dhe më vonë koleg në 12-vjeçaren e Peshkopisë, Pëllumb Lala, Qemal Kurtaga, Bedri Shehu, ishin mësues, Medat Vlesha, Burhan Xhembulla, Mehmet Muda, Demir Xhediku e ndonjë tjetër ishin punonjës të respektuar në kolektivat e tyre. Në orkestër ishin dhe dy pionierë, Ilir Jakupi dhe Isak Shehu.
Për këtë të fundit ruaj një kujtim të veçantë.
Ishte viti 1975 kur Isaku maturant kishte fituar vend të parë në Olimpiadën e Parë Kombëtare të matematikës. Në zyrën time, si kryespecialist i arsimit, por që mbuloja dhe lëndën e matematikës për shkollat e mesme, vijnë dy prindërit e Isakut, Adili dhe Nexhmia.
Duam t’na jepni një mendim për të ardhmen e Isakut, – m’u drejtua Adili me zërin e tij të plotë e plot ngrohtësi dhe pastaj më sqaroi se ai dëshironte që i biri të studionte për muzikë, ndërsa Nexhmia për matematikë.
Biseduam shtruar për këtë çështje delikate. Kujtuam se Ajnshtajni i madh iu përkushtua shkencës dhe çlodhjen më të mirë e ndjente duke ekzekutuar në violinë. Por edhe në art si dhe në shkencë, shumë talente janë fikur dhe fashitur, vetëm pse njëherë në jetë kanë pësuar një thyerje të zemrës, apo janë lënduar në sedër.
– Mendimi im, – u thashë në fund të bisedës, – është që Isaku të ndjekë atë degë që e ka vetë me pasion. Dhe Isak Shehu studioi në Institutin e Arteve për muzikë duke u bërë një muzikant virtuoz dhe një pedagog i devotshëm i këtij Instituti.
I mendova të gjitha këto dhe m’u ngroh zemra. Kërkesa e Xhelalit qe diçka sporadike dhe e veçantë. Kolektivi i trupës do të dinte të vlerësonte detyrën e tij.

2. Takimi me profesor Kranten

Lezhjanët kishin marrë masa të admirueshme; njerëz të seksionit që na pritnin, madje një do t’na shoqëronte gjatë gjithë kohës së qëndrimit atje. Trupa u sistemua sipër në kodër të qytetit, në një konvikt, një vend shumë piktoresk e i gjelbëruar, ndërsa ne përgjegjësat në një hotel në sheshin e qendrës së qytetit. Ky veçim nuk më pëlqeu, kështu që të nesërmen vajta dhe fjeta te shokët.
Nuk vonoi e më thirri për t’më takuar dirigjenti i mirënjohur, artisti i Popullit, Mustafa Krantja, asokohe përgjegjës për muzikën në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, nën kujdesin e të cilit zhvillohej ky aktivitet.
Mustafa Kranten s’e kisha takuar asnjëherë, megjithatë nuk qe i panjohur për mua. Kur në fillim të viteve ’60 kisha qenë student në Universitet, kisha ndjekur rregullisht jetën artistike të kryeqytetit. Ndonëse student i varfër, dhe në TOB bileta shitej me dyfishin e çmimit, në krahasim me institucionet e tjera, unë atë e frekuentoja rregullisht. Nuk e besoj t’më ketë kaluar pa e parë premierë opere apo baleti, koncert simfonik apo qoftë edhe koncert recital i një artisti lirik apo instrumentisti. Ishin vitet kur një plejadë e tërë artistësh të rinj të talentuar ishin kthyer nga studimet nga konservatorët më në zë të Europës Lindore dhe, duke u afirmuar dhe vetë, i dhanë një hop cilësor zhvillimit ë kësaj gjinie të artit muzikor e skenik.
Dirigjenti kryesor ishte Musta Krantja. Në drejtimin e orkestrës ai mua më dukej i qetë, i gjithëpushtetshëm e që vendoste rregull e harmoni në botën misterioze të tingujve.
Teatrin e Estradës e frekuentoja vetëm kur këndonte Vaçe Zela, Pasi humori vulgar asnjëherë s’më ka tërhequr. Asokohe Vaçe Zela ishte studente e Artit Dramatik, studime të cilat i braktisi për t’iu kushtuar këngës. Dhe zëri i saj nuk kishte nevojë të përsosej më tej, pasi ai ish përsosuria vetë. Teatrin dramatik e preferoja dhe e frekuentoja, ndërsa ansamblin e këngëve e të valleve me rrallë, sepse ai e freskonte shumë pak repertorin e tij, një apo dy herë në vit.
Me emocione, sikur të veja në provim, vajta para profesor Krantes. Por ai, që kishte si “seli” të tij njëfarë zyre në shtëpinë e kulturës, më hoqi si me dorë emocionet dhe ndrojtjen. “E, Dibra, erdhët. Rrugë e gjatë, u lodhët pak”. Unë, i çliruar nga emocionet, iu përgjigja se nuk e kemi ndjerë rrugën, pasi ishin të gjithë të rinj, kishim madje në përbërje të trupës edhe dy fëmijë. Kjo e fundit i bëri përshtypje, por vura re se edhe i pëlqeu. Duke e nuhatur këtë, unë i shpjegova punën që bënte shtëpia e pionierit me talentet e reja, por pa u zgjatur, me qëllim që të përfitoja sa më shumë prej tij.
– Sa më shpejt të zbulohen talente dhe sa më mirë të punohet me ta, aq më i sigurt është afirmimi i tyre – më tha ai dhe me një ton tepër miqësor më shpjegoi se si mund të realizohej kjo në shkollë, detyra që unë i ndoqa me skrupulozitet gjatë shtatë viteve që punova në seksion të arsim-kulturës.
– Më kanë informuar se keni një përbërje dhe nivel të mirë ekzekutimi të fanfarës-vazhdoi ai. – Shokët pensionistë që kanë ardhur për të ndihmuar dhe vetë drejtuesit tuaj të muzikës kanë punuar mirë. – Ashtu është – iu përgjigja unë, dhe përmenda ndihmesën e dhënë nga Shyqyri Vogli, të cilin unë nuk e njihja, pasi qe larguar nga Peshkopia, para ardhjes sime në seksion në korrik të vitit 1969, por e njoha këto ditë.
Pas kësaj bisede, profesori më njohu me programin, më porositi që të mbaj kompakt grupin, gjë që unë vetë e kisha parasysh, dhe nuk harroi të më porosiste, që për çdo problem që do të kisha, të vija ta takoja në çdo kohë.
Kur dola nga “zyra” e profesorit, tashmë jashtë kishte rënë nata. Qyteti i gjelbëruar vezullonte nga dritat e zbukurimet të bërë enkas për aktivitetin.
3. Një “koncert” recital
i paplanifikuar
Lezha gjithnjë më ka bërë përshtypje dhe më ka lënë mbresa të pashlyera. Si qytet, ai ishte i vogël, i gjelbëruar dhe tërheqës. Por nëpërmjet lavdisë së saj Lezha, në përfytyrimin tim merrte përmasa të mëdha; me kryet në Kala mbi kodër (Kala, të cilën e vizitova atë ditë), për shpatulla kishte malet gri të qëndisura me të blertë dhe te këmbët i gulçonte deti… Nuk e di pse e përfytyroja kaq të madhe Lezhën, mbase këtë ndjesi më ngjallte te Mjeda me binomin e poemave heroike “Lisus” dhe “Scodra”.
Por ishte një arsye tjetër më madhore që më bënte të mendoj kështu: Historia e lashtë e Lezhës lidhej me periudhën më të lavdishme të historisë së Shqipërisë. Në Lezhë Skënderbeu dy herë organizoi besëlidhjet e mëdha mbarëkombëtare brenda një çerek shekulli, aty dha dhe frymën e fundit, i pushoi së rrahuri zemra dhe u varros trupi i tij. Sa herë kaloja nëpër Lezhë, sikur ndjeja diçka nga shpirti i Skënderbeut, i cili më dukej se endej i gjallë në hapësirë. Për këtë arsye, ndjeja se në Lezhë sikur gjendej dhe rrihte zemra e kombit tonë të sakatosur nga rrebeshët e shekujve, pra aty ishte gjoksi i Atdheut dhe Adriatikut përballë me valët e tij të shkumëzuara, s’ish gjë tjetër, veçse tufanët e egra të kohërave.
Me këto mendime kisha dalë në sheshin përballë shtëpisë së kulturës.
Më befasuan tingujt e një kënge dibrane, të kënduar nga një zë tenori dhe të shoqëruara me fizarmonikë. U afrova andej nga vinin tingujt. Në një cep të sheshit, i rrethuar nga një grumbull kureshtarësh që sa vinte e shtohej, këndonte Xhelal Seferi… këndonte një këngë të lashtë nizamësh.
– Ku ta ketë marrë fizarmonikën, mendova unë jo pa shqetësim; se në një shoqëri ku çdo gjë është e organizuar dhe e planifikuar, iniciativa private, qoftë dhe në interpretimin e një kënge në rrugë, lehtësisht mund të keqkuptohej ose mund të bënte qesharak para njerëzve.
Duke u afruar, vura re se rreth Xhelalit nuk kishte vetëm fëmijë, por edhe të rritur, që pas çdo kënge, e duartrokitnin me dashamirësi dhe thirrnin “Tjetër, tjetër”. Dhe Xhelali këndoi këngë për Nëntë Malet e Dibrës, për Isuf Murrën e Elez Isufin, e deri për djemtë e Dibrës, që në luftën e fundit, pushtuesve ua bënë këmishën e zezë, të kuqe. Ndërkohë, unë i qeshë afruar Xhelalit dhe i pëshpërita: “Të lumtë goja, Xhelal. Por mjaft më për sonte, se ora po shkon dhjetë”. – Dakord, përgjegjës, ma ktheu ai, dhe iu drejtua spektatorëve. Ndërsa duartrokitje vazhdonin akoma: – Faleminderit shumë. Tani me leje, se u bë vonë. E kemi me vete në dorë, – shtoi ai një shprehje që asnjëri nga lezhjanët nuk e kuptoi. Ishte shprehje që i respektuari, drejtori i Shtëpisë së Kulturës Peshkopi, Adil Shehu, e përdorte kur deshtë t’i tërhiqte vëmendjen ndonjë amatori të shtëpisë së kulturës, i cili thyente orarin. Me këtë shprehje ai u kujtonte që të shihnin orën që mbanin në dorë për të qenë korrektë në punë.
Duke u larguar, Xhelali më tregoi se fizarmonikën ia kishin dhënë në shtëpinë e kulturës Lezhë.
– Po si more guximin të dalësh të këndosh para lezhjanëve, që kanë një folklor të pasur dhe interpretues të zotë – e pyeta unë.
– Desha t’u tregoj atyre se ka ardhur Dibra në Lezhë, – ma preu shkurt.
Ndërkohë, unë me heshtje mendoja se iniciativa e Xhelalit, ndonëse qe afër marrëzisë, në një pikëpamje tjetër qe shumë kuptimplotë dhe jo vetëm një sukses i tij. Nëpërmjet këngëve të Xhelalit, lezhjanët po njiheshim me ngjarjet që kanë ndodhur në Dibër, që është në shpinë të Atdheut. Dhe dihet se qentë dhe armiqtë synojnë pjesët e trupit që mbrohen më me vështirësi, siç janë shpinë e njeriut dhe e Atdheut. Prandaj, luftërat që ka bërë Dibra për mbrojtjen e Atdheut kanë qenë gjithsesi tragjike dhe heroike, por dhe që kanë mbetur më të heshtura në historinë tonë kombëtare. Xhelali, më tepër me brendinë e këngëve se sa me mjeshtërinë e interpretimit, u tregoi lezhjanëve, një pjesë të historisë së Dibrës, e cila pa bujë e zhurmë, gjithnjë ka mbajtur peshë nga më të rëndat në kthesat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

(vijon numrin e ardhshëm)