Ndahet nga jeta prof. Hiqmet Gonxhja, veterani i Inxhinierisë Shqiptare


Prof. Hiqmet Gonxhja, veteran i Inxhinierisë Shqiptare, pedagogu më i moshuar i Universitetit Politeknik të Tiranës dhe përfaqësuesi i shquar i komunitetit dibran në Tiranë, nuk jeton më.
Prof. Hiqmet Gonxhja u nda nga kjo jetë në moshën 94 vjeçare, duke lënë pas një kontribut të madh në fushën e shkencave inxhinierike, publicistike dhe traktateve shkencore. Nga dora e tij janë kryer me qindra studime teknike, të kërkimit dhe zbulimit gjeologjike e gjeofizike, në terrenet më të vështira malore të Shqipërisë. Nga puna e tij si pedagog kanë dalë 110 inxhinierë e teknikë të mesëm topografë, në kurse specializimi pasuniversitare dhe universitare.
Prof. Gonxhja, rrjedh nga familja e arsimtarit të shquar të Dibrës së madhe, Sami Gonxhja, i cili krijoi dhe muzikën e “Marshit të djelmënisë dibrane”, të vitit 1921.
Prof. Hiqmeti do të mbahet mend si njeri me emocion pozitiv, me humor e shoqëror, dhe si i pari kryetar i shoqatës “Bashkësia Dibrane” pas pluralizmit demokratik në Shqipëri, gjatë viteve 1992-1994, ku pati mjaft aktivitete dhe organizime me komunitetin dibran të Tiranës.

***
Prof.Asoc.dr. Hiqmet Gonxhja ka lindur në Tiranë me 21 prill 1928 në familjen e arsimtarit demokrat e patriot Sami Gonxhja.
Është diplomuar në vitin 1947 si teknik ndërtimi në ish Institutin Teknik “Sadik Stavaleci” të Tiranës (sot Instituti “Harry Fultz”), ndërsa në vitin 1953 diplomohet “Shkëlqyeshëm” në degën e inxhinierisë gjeodezike të Institutit të Lartë të Gjeodezisë, Aerofotogrametrisë dhe Hartografisë në Moskë.

Karriera
Inxhinier në zbatim (në terren), gjithsej 10 vjet, nga këto 2 vjet në punimet matëse e rilevuese në minierat e para: Rubik, Derven, Krrabë, Bulqizë, Memaliaj, Mborje-Drenovë.
K/inxhinier i Ndërmarrjes Gjeologjike Tiranë – 8 vjet. Kryetar i ekspeditës topografike – 12 vjet, përkatësisht pranë ish ndërmarrjes Gjeologjike e Gjeofizike të Tiranës, që me 50 grupet e saj inxhiniero-teknike, kryente punime për hartografimin e objekteve dhe zonave, në shkallët 1:500, 1:1000, 1:2000, 1:5000, 1:10 000, për mbështetjen e studim-projektimeve të dokumenteve gjeologo- gjeofizike, kërkimore, zbuluese dhe llogaritje të rezervave të mineraleve të dobishme, kryesisht në terrenet më malore të vendit. Pas daljes në pension (1983), punon pranë Institutit të Studim-Projektimeve Teknologjike Minerare si specialist për projektimin e infrastrukturës rrugore etj., të Fabrikave të Pasurimit (198301989). Në periudhën 1993-2003 (plot 10 vjet) ka punuar inxhinier gjeodet në zbatim për piketimin e pallateve shumëkatësh, të hoteleve dhe si ekspert gjeodet pranë zyrave avokatore dhe Gjykatës së Apelit (Tiranë).

Veprimtaria në zbatim
Ka kryer me metoda të ndryshme (personalisht dhe në grup) punime topogjeodezike për hartografimin në shkallët e lartpërmendura të 35 objekteve dhe zonave të kërkim-zbulimeve gjeologjike, ka ndërtuar bazën gjeodezikë për dokumentimin në pozicionin plano-naltrimetrik të situacionit të puseve të naftës (1954-1955) në zonën e Kuçovës de të Patosit (S = 150 km2), ka realizuar në bashkëpunim me inxhi.markshejderin Petrit Kollaku takimin e saktë në plan dhe në lartësi të pusit vertikal me traverbankun (tunelin) e Kthellës me gjatësi 1200 metra në minierën e Kurbneshit.
Ka zbatuar për herë të parë në vendin tonë metodat e përparuar për matjen e tërthortë të largësive horizontale me bazislatën “Bala – 2 m” dhe me aparaturën elektro-optike, “EOL – 2000”, ma gabimin konstant 1 cm për largësinë deri 2 km.
Është nismëtar dhe zbatues i krijimit të planeve dhe hartave topografike në shkallë të ndryshme me metodën stereofotogrametrike tokësore në sektorin e gjeologjisë, ku ka punuar personalisht 8 vjet në terrenet më malore të vendit, përfshi edhe zonën e alpeve (1976-1983).

Në fushën pedagogjike
Është aktivizuar si pedagog titullar i jashtëm i Degës (Departamentit) të Gjeodezisë pranë Fak. të Inxh. së Ndërtimit për mbi 25 vjet, përfshi edhe udhëheqjen e dhjetra studentëve diplomantë, përpilimin e shumë reçensave dhe konsultimin e miu 100 projekt-diplomave për pjesën ekonomike-organizative.
Ka kontribuar si instruktor kryesor, pa shkëputje nga detyrat funksionale, për përgatitjen e rreth 110 teknikëve topografë në 7 kurse speciale 9-mujore (1954-1970) për plotësimin e kërkesave emergjente të Shërbimit Gjeologjik dhe sektorit të naftës.
Z. Gonxhe ka përfaqësuar shërbimin gjeodeziko-hartografik shqiptar në konferencën ndërkombëtare të këtij profili në Budapest (1958) dhe në Drezden (1960).

Në fushën e botimeve
Ka botuar 2 tekste mësimore universitare (452 faqe), 7 Udhëzues tekniko-metodikë për përdorimin e brendshëm (rreth 200 faqe), 26 artikuj të botuar në revista e gazeta të ndryshme.
Përveç disertacionit prej 75 faqesh, është autor dhe bashkautor i botimit te 3 monografive (me rreth 900 faqe).
– Historiku i organizimit dhe i zhvillimit të punimeve topogjeodezike gjatë periudhës 40 vjeçare në sektorin e Gjeologji-Gjeofizikës (1955-1995).
– Portreti gjeodeziko-hartografik i Shqipërisë (b/autor dhe redaktor kryesor).
– Ndihmesa e shquar e ish nxënësve të Shkollës Teknike dhe mësuesve të tyre për zhvillimin e vendit në luftën për çlirim dhe demokraci.
Gjithashtu është b/autor i librit të normave unike të prodhimit në punimet topogjeodezike në shkallë republike, i miratuar me vendim të posaçëm të qeverisë moniste në vitin 1960 (100 faqe) dhe b/autor i Manualit për teknik gjeologë (350 faqe). Tre vitet e fundit ka shkruar 2 monografi me rreth 700 faqe, ku njëra prej të cilave mban titullin: “Njohuri thelbësore mbi gjeologjinë, hartografi – gjeodezinë dhe matematikë – gjeometrinë e aplikuar”, i paracaktuar për lexuesit jo specialistë dhe veçanërisht për mësuesit e matematikë-gjeometrisë.
Kjo monografi është e para e këtij lloji, veçanërisht në literaturën gjeologjike dhe në atë të matematike-gjeometrisë.
Risia e kapitullit të matematikës qëndron në njohuritë konkrete që jepen për llogaritjen dhe zgjidhjen e ushtrimeve m ë tipike analitike, jo në sistem koordinativ gjeodezik, por në sistemin kartezian.
Kjo monografi është botuar nga Botimet M&B, 2019, 303 faqe.
Në arshivën teknike të Qendrës Gjeofizike të SH.Gj.Sh. janë depozituar mbi 30 relacione e raporte teknike të z. Hiqmet Gonxhe si autor dhe b/autor, q ë po ti shtohen edhe llogaritjet gjeodezike voluminoze të dokumentuar, bashkëshoqëruese, ato do të zinin qindra faqe. Rreth 1600 plane dhe harta topografike të shkallëve të ndryshme që i përkasin fondit të hartografimit të qindra objekteve dhe zonave të kërkim-zbulimeve gjeologjike, mbajnë nënshkrimin garantues të z.Gonxhe, në cilësinë e udhëheqësit teknik të Shërbimit Topografik të sektorit gjeologjik gjatë një periudhe 20 vjeçare.
Për meritat dhe përkushtimin në detyrat e ngarkuara, është dekoruar me 5 medalje, (2 nga të cilat si veteran i Luftës Antifashiste) dhe 2 Urdhra Pune.