Rruga e Arbrit – nga ideja, te realizimi


Falënderim e mirënjohje e veçantë i takon Hysen Ukës, që bëri aq shumë sakrifica për t’u realizuar një vepër e tillë.

Hysen Uka, nismëtari i parë për ndërtimin e rrugës Tiranë – Dibër. Në foto pranë Zall Bastarit, 9 shtator 1999. Foto: Avni Sala.

RRUGA E ARBRIT
Kur thua “Rruga e Arbrit”, me siguri të kujtohet dhe një njeri, jo shumë i madh në trup e në fizik, por i madh dhe i rëndë në peshën e mendimit dhe të vizionit. Hysen Uka u dashurua që herët me këtë rrugë, që gati u harrua si një send pa vlerë. Kjo lidhje nis pas vitit 1980, kur Hyseni vazhdonte shkollën e lartë ushtarake në Tiranë. Stërvitjet e shpeshta që bëheshin në dimër dhe në verë, sidomos pas malit të Dajtit, sikur zgjuan në subkoshiencën e ushtarakut të ri një mall dhe nostalgji për atë rrugë. Kishte dëgjuar shumë tregime dhe histori rreth saj, nga njerëz që e kishin shkelur vetë atë, që kishin bërë tregti me kuaj dhe me mushka, mes vështirësish e rreziqesh të panumërta. E kishte vizatuar në memorien e tij dhe tani që po e shihte nga afër, po kuptonte nëse kish pasur një përfytyrim pak a shumë real.
Hysen Uka tregon se marshimet që bënin aso kohe ndaheshin në të shkurtra e të gjata dhe ndiqnin dy drejtime. Zakonisht, ata nisnin nga Zall Herri, vazhdonin në Brar, Ferraj, deri në Shkallën e Tujanit. Më pas, nga Zall Dajti, njëra dilte në Qafë Murrizë, dhe tjetra vazhdonte drejt Qafë Mollës, Shëngjergjit, Linosit dhe dilte në Bizë të Martaneshit.
Shkalla e Tujanit më impresiononte aq shumë, me ato vështirësi të panumërta për ta kaluar. Një gabim apo një rrëshqitje e vogël dhe kafsha e gjorë, bashkë me barrën e saj mund të binte në humnerën prej mbi 100 metrash poshtë. Ndoshta këtë fat mund të kishte dhe njeriu, në përpjekje për të shpëtuar kafshën dhe mallin. Thuhet se aty, në Shkallë të Tujanit, njerëzit kishin lënë një çekiç dhe një daltë. Ai person që pushonte dhe kishte pak kohë të lirë mund të copëtonte paksa shkëmbin me këto dy mjete të thjeshta, duke e zgjeruar rrugën, qoftë dhe me pak centimetra. Ato pak centimetra rrugë të fituara në këtë mënyrë, mund të ishin bekim dhe jetë të fituara.

Fillimet e para
Të gjitha këto kujtime të hershme lanë te Hyseni gjurmë të pashlyera, ashtu si ato shenjat e daltës dhe çekiçit në shkëmb. Në vitin 1995, miku ynë i nderuar, Defrim Methasani largohet për në Tiranë, duke lënë bosh vendin e korrespondentit të Radio Tiranës. Ai i thotë Hysen Ukës të aplikojë në vendin bosh, si njeri shumë i përshtatshëm për këtë pozicion pune. Ndoshta sot, kur janë shtuar mjaft mediat vizive e jo të tilla, kur interneti po pushton gjithnjë e më shumë hapësira të reja, kjo radio nuk e ka më popullaritetin e dikurshëm. Pas prezantimit dhe disa provave që bëri në radio, Marin Karma, djali i aktorit Gjon Karma, që ishte shef departamenti, i jep miratimin për të vazhduar punën. U bënë kronikat e para, – kujton Hyseni, – dhe pak nga pak po ia merrja dorën. Në fakt, dëshiroja aq shumë për të bërë një kronikë për rrugën e vjetër, që kishin përshkruar dibranët dikur. Jo thjesht për lajm dhe nostalgji, por doja që ajo të shërbente si një moment reflektimi, për të ndërtuar një rrugë të re e dinjitoze, që do të lidhte Dibrën me Tiranën.
Më 9 tetor 1995 kronika për rrugën e Dibrës u inçizua dhe u transmetua në Radio Tirana. Zamira Koleci, si një drejtuese me rëndësi e kësaj radioje, në atë kohë, u ndje pak e habitur.
– Po ç’është kjo rrugë Dibre, mo Hysen? A nuk e kanë dibranët rrugën e tyre?
Hyseni i thotë shefe Zamirës se “këtë rrugën ku kalojmë tani, dibranët e kanë marrë hua. Se po të dalësh në sheshin Skënderbej, hapen katër rrugë me emër për në qytete të ndryshme të vendit dhe njëra prej tyre quhet ‘Rruga e Dibrës’. Quhet e tillë, por në fakt, nuk të çon në Dibër, por vetëm deri në Zall-Dajt e fshatrat rreth tij. Ne dëshirojmë dhe do të bëjmë gjithë përpjekjet, që ajo ta meritojë plotësisht këtë emër.”

Krijimi i Shoqatës
Kronika e dhënë në Radio Tirana pati një jehonë të madhe. Hysen Uka kujton ato kohë ëndrrash të mëdha dhe përpjekjet e tij dhe të miqve për ta bërë idenë e rrugës shqetësim të sa më shumë njerëzve. Për këtë duhej shfrytëzuar çdo mjet e mundësi. Një rast i mirë do të ishte dhe “Oda Dibrane”, që pritej të organizohej atë kohë. Krahas shumë artistëve që vinin nga troje të ndryshme shqiptare, kishte dhe gazetarë të shumtë nga Dibra e Madhe, Tetova, Shkupi e më gjerë akoma. Mund të përmendim disa prej tyre, si Nefail Spahiu, Lutfi Turkeshi, Rexhep Torte, Kujtime Kica, Ramadan Telqiu e shumë të tjerë. Do të veçonim këtu Alush Hamitin, një patriot e veprimtar i shquar i çështjes shqiptare. Ai ishte drejtor i shkollës “Liria“ të Shkupit dhe kryetar i shoqatave kulturore artistike të shqiptarëve të Maqedonisë. Ata e morën materialin e kronikës dhe e dhanë pa vonesë në shumë media e konferenca, të organizuara kudo në trojet shqiptare. Një respekt e mirënjohje e veçantë i takon kompozitorit të talentuar dibran, Përparim Tomçinit, që bëri më të mirën e mundshme, jo vetëm në organizimin dinjitoz të këtij eventi, por duke lobuar dhe për çështjen në fjalë.

Hysen Uka, gjatë një ekspedite në Rrugen e Arbërit. Xibër, mars 2021

Pas këtij sensibilizimi të opinionit publik, që ishte me shumë interes, ishte radha të bëhen hapa më konkretë, që kjo ide të bëhej pjesë e projekteve qeveritare. Në atë kohë qeverisjen e vendit e kishte Partia Demokratike. Përpara ishin zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996. Hyseni me shokë e miq dashamirës, dëshironte që çështja e kësaj rruge të paraqitej e të jetësohej në programin e kësaj force politike, që do të paraqitej në fushatë. Hamit Xhaferi, një intelektual i shquar nga Zerqani, ishte një nga dhjetë nismëtarët e parë të formimit të PD-së në Dibër. Ai mund të ishte personi i duhur, që mund ta paraqiste projekt-idenë në mbledhjen e kryesisë së partisë. Në përfundim, ai mbeti i zhgënjyer.
– Nuk më kuptuan, Hysen, – tha ai i mërzitur. Njerëzit akoma nuk e vlerësojnë rëndësinë jetike, që ka kjo rrugë për rajonin e Dibrës e më gjerë.
Ky intelektual i shquar, njohës i mirë i historisë dhe gjeografisë, nuk jeton më, por shpirti i tij të gjejë qetësi, tani që kjo gjë po bëhet realitet.
Të njëjtën gjë Hyseni përpiqet të bëjë dhe në krahun tjetër, ku kryetar bashkie ishte Kadri Rrapi i Partisë Socialiste. Le ta kishin që të dy forcat politike në agjendën e tyre për vitet në vazhdim.
Nuk u mjaftua me këto lëvizje, por më 4 janar të vitit 1996 u organizua një peticion, duke e paraqitur atë te presidenti, kryeministri dhe në media të ndryshme, gjë që u botua dhe tek ATSh – Agjencia Shtetërore e Lajmeve. Bujar Karoshi bëri një shkrim në lidhje me problemin e rrugës te gazeta “Dita informacion”.
Hyseni tregon se gati çdo ditë mblidheshin me miq e shokë te lokali i Petrit Ukës, “Matura 75”. Petriti ishte njeri bujar dhe topograf i shkëlqyer, por dhe ai ndërroi jetë, pa e parë të realizuar dëshirën e tij të madhe. Aty diskutonin se deri ku ka shkuar problemi dhe çfarë hapash të rinj duheshin ndërmarrë. Intelektualë të tjerë dibranë në Tiranë, si Adem Bunguri, Bujar Karoshi, Defrim Methasani, Ali Hoxha, Islam Cani e shumë të tjerë, bënin përpjekjet e tyre, sado të vogla që të ishin ato.

Një fletëpalosje e hartuar nga Hysen Ukanë vitin 1999 mbi disda të dhëna dhe përfitime që vijnë nga ndërtimi i rrugës së Arbrit.

“Viti i mbrapshtë 1997, si për çdo fushë tjetër dhe për rrugën e Arbrit i bllokoi disi përpjekjet. Pas kësaj kohe në Peshkopi vjen SNV – një organizatë joqeveritare holandeze, me drejtues Mette Vernoi, shumë dashamirës për të ndihmuar shoqërinë civile. “Ne na duheshin në atë kohë të përgatisnim disa postera për rrugën dhe u drejtuam te kjo shoqatë”, – kujton Hyseni.
“Duhet të formalizoheni, – na thanë ata. – Ne nuk mund të ndihmojmë njerëz anonimë”. Ne, deri atëherë e quanim veten si grupi nismëtar i Rrugës së Dibrës dhe më datë 25 nëntor 1998 krijuam shoqatën “Nisma Dibrane – Shoqata për zhvillim e kulturë”. Ajo kishte në themel nismën për realizimin e idesë së rrugës, por do të ishte e hapur për çdo nismë tjetër zhvillimore, në të mirë të Dibrës dhe më gjerë akoma. Kryetar zgjodhëm arkeologun Iljaz Kaca.
Fill pas kësaj, të ndihmuar nga SNV, u përgatitën gati 2500 postera, që u vunë në gjithë Dibrën, por dhe në Tiranë. Në të shkruhej: “Rruga e Dibrës (Arbërit), çelësi i të ardhmes tonë” dhe më poshtë ishte skanuar harta, që tregonte se nga do të kalonte ajo.
Historia e kësaj rruge është e gjatë, shumë e gjatë. Ajo vazhdon me ekspeditën që u bë në gjurmët e kësaj rruge, me takime të pafundme të drejtuesve të kësaj shoqate, derisa në vitin 2004 u fut në strategjinë kombëtare të infrastrukturës. Në vitin 2005 ajo u miratua zyrtarisht dhe një vit më vonë, në vitin 2006, filluan punimet.

Udhëtimi ynë

Nexhbedin Shehu – prefekt i Dibrës dhe Ahmet Çaushi – ish Myftyu i Dibrës, gjatë një vizite te Ura e re e Vashës.

Ishte nder dhe kënaqësi për ne të kishim një ftesë nga prefekti i Dibrës Nexhmedin Shehu, për të bërë një vizitë në Rrugën e Arbrit. Ishte ditë e enjte. Përveç prefektit, në grupin tonë të vogël ishin dhe Ahmet Çaushi, ish myftiu i Dibrës, si dhe Hysen Uka, një ndër nismëtarët kryesorë të kësaj rruge. Nëse më parë dhe lajmet e pjesshme për rrugën ishin me recetë, tashmë shumë njerëz po e thonë krejt natyrshëm, se kanë qenë në Tiranë nëpër Rrugën e Arbrit.
U nisëm diku nga ora dhjetë, duke iu shmangur rrugës së vjetër nga Shupenza, por duke ju afruar Gjoricës, mbi argjinaturën e Zallit. Risitë vazhdojnë akoma, pasi për herë të parë nuk kaloja në qafën e Buallit, por u futëm në tunelin poshtë saj, duke vazhduar në luginën e bukur të Planit të Bardhë. Ndoshta rruga e re do t’i sillte një frymëmarrje asaj lugine dhe atyre banorëve, që aq shumë kishin vuajtur në shekuj.
Vetëm pak minuta më vonë ishim në hyrje të Urës së Vashës. E madhe dhe hijerëndë, ajo bashkon dy brigjet e luginës së Matit, duke kënaqur syrin e vizitorit me pamjet mbresëlënëse. Fillesat e lumit të Matit duken nga qindra metra lart, si një gjarpër, që zgjohet në pranverë dhe rrëshqet sipas një drejtimi të caktuar. Thonë që mali me mal nuk piqen, kurse njeriu me njeriun takohen. Ja që sot, në kohërat moderne, kur sheh këtë urë që ka bashkuar maja shkëmbinjsh, duket sikur dhe kjo shprehje është zhvlerësuar.
Kemi arritur në fshatin Fshat të Klosit. Aty është ngritur dhe kantieri i punës. Barakat e punëtorëve, të rregullta e të pastra, edhe pse të përkohshme, të ftojnë për një vizitë të shkurtër. Gjen aty punëtorë e specialistë nga gjithë Shqipëria, nga Dibra, Burreli, Gjirokastra e Vlora, duke punuar së bashku, në një miqësi e harmoni për t’u admiruar. Kuzhinieri i kantierit, një djalë babaxhan nga Vlora, është miqësuar me të gjithë. Ata nuk e thërrasin në emër, por i thonë me përkëdheli, Labi. Na qeras me kafe dhe na uron një udhëtim të mbarë.
Kam dëgjuar mjaft për kalanë e Petralbës, që ndodhet në këtë fshat dhe do të donim shumë ta vizitonim, por sot nuk e përfshijmë në agjendë këtë atraksion turistik.
Sërish tuneli tjetër, i përcjellë nga një urë e bukur dhe kemi arritur në fshatin Shkallë të Xibrit. Miku im i nderuar, doktor Selman Kurti është pikërisht nga ky fshat. Ai tregon se dhe këtu ka një kala ilire, e ndërtuar disa shekuj para erës sonë, pra mbi 2000 vjeçare. Gurët e saj janë në përmasa 1.5 metër në gjatësi e gjerësi, kurse një prej tyre, që quhet guri i Nuses i ka përmasat dy me dy. Duheshin tridhjetë burra për të lëvizur njërin nga gurët, tregon doktor Selmani, që ka punuar në rininë e tij të hershme me një grup specialistësh nga Tirana, për të restauruar kalanë në fjalë.
Afër shtëpisë së doktorit, në këtë fshat, ndodhen të tjera vendbanime ilire, të quajtura Troje. As për këto vizita nuk kemi kohë. Shpresoj, në ndonjë radhë tjetër, të marrim profesorin e nderuar, Adem Bungurin, për të na folur e për të na dhënë më shumë detaje, rreth këtyre vendbanimeve të vjetra, për të cilat duhet të kujdesemi më shumë.
Vazhdojmë udhëtimin dhe lumi i vogël, Lezedër, na shoqëron në një pjesë të mirë të rrugës. Po i afrohemi Qafës së Xibrit dhe aty punëtorë e specialistë janë në përpjekje për të hapur tunelin nga të dy anët e tij. Është pengesa e fundit dhe pas këtij momenti Rruga e Arbrit do të bëhet përfundimisht e dibranëve, gjë të cilën e kanë shpresuar në shekuj. Hodha dhe njëherë sytë tej në të majtë, atje ku ndodheshin Guri i Bardhë dhe Xibërhane. Babai im, si dhe shumë të tjerë në atë kohë, kushedi sa herë kishte kaluar me kuaj, nëpër ato rrugë e shtigje, duke bërë tregti në Tiranë. Me bukë e pa bukë, në dimër e në verë, pa shpresë se një ditë gjërat do të ndryshonin.
Kalojmë në Qafën e Xibrit nëpërmjet bay-pass-it dhe tashmë jemi në krahun tjetër, ku fillojnë të shfaqen fshatrat e Tiranës. Bastari, Zall Dajti, Shkalla e Tujanit dhe Brari. Kemi shkuar kështu deri në hyrje të Tiranës, por qëllimi ynë nuk ishte të futeshim atë ditë në kryeqytet. Morëm rrugën e kthimit, shumë të kënaqur, për atë që kishim parë, për atë që kishim shijuar, për atë që shpresonim se po bëhej realitet. Ishim pak të lodhur dhe restoranti i bukur i Shkallës së Tujanit na afroi ushqim, kafe dhe pamje të bukura.
Falënderuam Zotin e Gjithësisë, më tej prefektin me shërbimin e tij special dhe uruam që sa më shpejt të kalojmë zyrtarisht në Rrugën e Arbrit. Normalisht, falënderim e mirënjohje e veçantë i takon Hysen Ukës, që bëri aq shumë sakrifica për t’u realizuar një vepër e tillë.