Tosum Xhemali, pasioni për muzeumet


Maqellara është ndër trevat e shquara të Dibrës. Ajo ka një histori të pasur me veprimtari patriotike gjatë kohëve të vjetra e deri në Luftën e Dytë Botërore (ajo e luftës Nacionalçlirimtare). Nga gjiri i popullit të Maqellarës kanë dalë patriotë emri të cilëve i ka kaluar kufijtë e Dibrës dhe Shqipërisë siç janë Iljas Pashë Dibra, Ismail Strazimiri, Ramiz Dibra, Ramiz Varvarica (heroi i popullit), Nazif Grazhdani, Sadulla Strazimiri, Nazmi Rushiti (heroi i popullit) e deri tek Mentor Qoku, më të rinjtë Xhelil Gjoni, Sali Stafa, Rakip Dançe, Musa Rama, Verdi Kadria, Drita Strazimiri, deputetët Dine Maqellara, Gani Strazimiri, Abdulla Baftjari, Kimete Goxhi, Ilir Gjoni, Agron Qoku etj. Kontributi në luftën për liri e pavarësi, në zhvillimin e ekonomisë e kulturës e ngritën më lart emrin e mirë e të merituar të Maqellarës dhe vetë Dibrës.
Maqellara ka tradita të trashëguara brez pas brezi siç janë patriotizmi, besa, bujaria, humanizmi etj. Ajo është veçanërisht arsimdashëse. Lufta dhe përpjekjet për arsim e shkollë shqipe në Maqellarë kanë filluar në gjysmën e dytë të shek. XIX. Veprimtaritë në këtë kuadër u zgjeruan në fillim të shek. XX. “Në vitin 1905 të gjithë fshatrat e Maqellarës bashkë me fshatrat Hame, Spas, Shullan nën Kryesinë e Vehbi Dibrës në atë kohë Kryemyfti i Manastirit u bë një mbledhje, ku u vendos të hapen shkolla shqipe në katunde të grupueme. Në Maqellarë sipërmarrës për shkollës ishte Xhemal Varvarica. Më 1908 përfaqësuesit e katundeve të Maqellarës iu drejtuan qeverisë turke me një kërkesë për hapjen e mësimit shqip. Hasan Sharofi na mësonte në turqisht dhe shqip” (Ali Gjoni, kujtime nga në Muzeun historik të rrethit të Dibrës”).
Pas shpalljes së pavarësisë arsimi në Maqellarë njohu zhvillime të reja. Shkollat ashtu si në gjithë rrethin e Dibrës për shkak të pushtimit serb 1917-1921 u mbyllën.
Mungesa e mësuesve e pengoi hapjen e shkollave në të gjitha fshatrat e Fushës së Shehrit. Zhvillime të vrullshme arsimi njohu pas çlirimit në Maqellarë. Shumë të rinj arsimdashës si mësues morën përsipër të zbatojnë një varg reformash në fushën e Arsimit.
Kështu Haki Pahumi, Shefki Shehu – Mësues i Merituar, Skënder Pahumi – Mësues i Merituar, Neki Osmani, Baudin Strazimiri, Xhevat Shehu, Ramazan Ilnica, Shahin Lazri, Qamil Sula, Shaban Strazimiri, Demir Osmani, Ivzi Muça, Skënder Keshi, Tosum Xhemali etj.
Ata bashkë me qindra mësues të tjerë kanë meritën për zhvillim masiv e cilësor të arsimit në Maqellarë. Shkollat e Maqellarës u bënë një shembull i mirë ndër shkollat e rrethit, por edhe në shkallë vendi. Midis tyre u shqua Tosum Xhemali, jo vetëm si mësimdhënës, por edhe në punën për pasurimin e muzeve, mbledhjen e njohjen e traditave, hartimin e pasurimin e historikëve të fshatrave, pasurimin e dosjeve të dëshmorëve e patriotëve të zonës etj. Tosum Xhemali lindi më 7 korrik 1935 në Fushë të Vogël në një familje fshatare autoktone që merrej me bujqësi. Megjithëse kishte tokë për shkak të mungesës së ujit, mekanikës bujqësore, farërave nuk i siguronte mjetet e jetesës. Në breza familja e Tosumit ka përkrahur luftërat për liri e pavarësi në mënyrë të veçantë luftën Nacionalçlirimtare (1939-1944).
Si për çdo familje kur lindi Tosumi (lindja e një djali) prindërit gëzoheshin sepse shtohej një luftëtar, një krah pune që mbështeste familjen për përballimin e punëve të lodhshme në bujqësi. Pas çlirimit kishin ardhur kohë të reja, ishin hapur shkollat, kërkoheshin mësues, kuadro për zhvillimin e ekonomisë. Reforma arsimore i dha mundësi Tosumit të vazhdojë shkollën. Pas mbarimit të 7-vjeçare u aktivizua në luftën kundër analfabetizmit. Lutfi Skuka në atë kohë Kryetar i Këshillit të fshatit e bindi Shaqirin për ta dërguar djalin 6 muaj në një kurs kualifikimi për mësues, mbasi kishte dalë me rezultate të mira në mësime. Mësuesit kishin dhënë opinionin e tyre për edukatorin e ardhshëm.
Pas kursit fillon menjëherë punë në Maqellarë si mësues në ciklin fillor. Maqellarasit janë njerëz me vullnet e shumë punëtorë. Këto cilësi ishin skalitur në karakterin e të riut Tosum Xhemali që tashmë i kishte dalë zot profesionit të ri siç ishte ai i mësuesit.
Shkolla e Maqellarës kishte krijuar traditën e saj në fushën e mësimdhënies. Tosumi u rreshtua me mësuesit e vjetër e me përvojë. U dallua për punë të mirë e përballoi edhe kërkesat në rritje për kualifikimin e tij shkencor e pedagogjik. Seksioni i Arsimit e dërgoi 2 vjet (1962-1964) në Gjimnazin e Punëtorëve në Tiranë, të cilin e mbaroi me sukses.
Rikthimi në shkollën e Maqellarës u shoqërua me të drejtën për të vazhduar shkollën Pedagogjike të Elbasanit pa shkëputje nga puna, detyrë që e përmbushi në një kohë relativisht të shkurtër. U kompletua si mësues i shkollës fillore tashmë me kualifikimin e duhur për të realizuar detyrat e shkollës që shtroheshin para mësuesve. Shkolla, dashuria për punën e profesionin, këmbëngulja, ndërgjegjja ishin shinat ku eci për më shumë se 30 vjet Tosum Xhemali.
Ai nuk dha mësim vetëm në shkollën fillore. Më 1974 u ngrit në shkollën 8-vjeçare si mësues i historisë e gjeografisë. U shfaqën mundësi e angazhime të reja. Dolën në pah energjia dhe pasioni për historinë, njohja me traditat, ngritja e pasurimi i muzeumeve të fshatrave, ku mësues Tosumi mund të themi e përballoi më së miri dhe me sukses.
U dallua si mësimdhënës për edukimin e nxënësve me frymën patriotike duke shfrytëzuar patriotizmin e Maqellarës të shprehur brez pas brezi në luftën për liri e pavarësi. Këtë e realizoi jo vetëm me metodën e shpjegimit e vëzhgimit por edhe nëpërmjet vizitave në vende historike, arkeologjike etj. Ai fitoi respektin e nxënësve dhe trupit pedagogjik shkruan në kujtimet e tij Skënder Keshi për kolegun Tosum Spahiu.
Krijoi miqësi e lidhje të reja me mësues e historianë, patriotë e veteranë të vendlindjes. Mbajti lidhje të vazhdueshme me Muzeun Historik të rrethit, arkeologë etj. Ai i shfrytëzoi këto lidhje jo vetëm në punën si mësimdhënës, por edhe për të vlerësuar më mirë historinë e trevës së Maqellarës, kontributin e saj qysh në lashtësi e deri në ditët tona.
Tosumi ka dhënë një ndihmesë për ngritjen e muzeve të fshatrave. Unë kam qenë koleg me Tosumin si mësues, si anëtar i shoqatës së historianëve të rrethit. Kam bashkëpunuar me Tosumin kur isha në muzeun e rrethit. Mund të dëshmoj për punën e palodhur të mësuesve të Maqellarës e veçanërisht të Tosumit për hartimin e historikëve të fshatrave, pasurimin e tyre me materiale, dokumentare e relikeve historike. Tosum Xhemali ka dhënë ndihmesë të rëndësishme si mësues historie në pasurimin e Muzeut të zonës shkruan gazeta “Ushtima e Maleve” më 22 shkurt 1984.
Lidhje e bashkëpunim siguroi edhe me bërthamën arkeologjike të rrethit lidhur për gjetjet arkeologjike të zonës siç ishin ata të Allajbegisë (Burim), Kërçisht, monumentet e vjetra të kulturës që për Maqellarën nuk janë pak. Në fushën e traditave, muzeve, krijoi një traditë të re që për fat të keq sipas informacioneve që kemi, u arkivua e mbeti në arkivin e rrethit e atë të muzeut historik.
Tosumi ishte një njeri i qetë, fliste pak e dëgjonte shumë. Shpeshherë fliste me heshtjen e tij. Komunikonte me të gjitha moshat respektohej gjithnjë prej tyre. Bashkëvendasit e shihnin mësuesin si njeriun e drejtë human e shumë njerëzor. Po kështu kolegët. Arsimtarët e Maqellarës kanë patur një kolektiv shumë punëtor, kompakt e mjaft miqësor. Pa dyshim Tosumi kishte rolin dhe ndikimin e tij. Mbante lidhje me prindërit që përbënte një nga sukseset e punës së tij. Në historikun e Arsimit të Maqellarës Tosum Xhemali ka zënë një vend të rëndësishëm jo vetëm si mësimdhënës. Ai punoi disa vjet për masivizimin e shkollës, përparimin e saj, rritjen e kulturës në fshat, edukimin e rinisë, për punë e përparim shoqëror.
Ishte veprimtar shoqëror shumë aktiv, – na thotë Demir Osmani. Për më shumë se 20 vjet ka punuar si kryetar i Frontit Demokratik të Maqellarës. Asnjëherë ekstremist, përkundrazi tolerant, punonte për pajtimin e mosmarrëveshjeve, mbështeste të renë, gëzohej kur njerëzit kishin harmoni dhe ishin të lumtur.
Maqellara i respektonte njerëzit jo vetëm në gjallje. Përcjellja e njerëzve për në banesën e fundit është traditë e saj në shekuj ndoshta më mirë se kudo në Dibër. Tosumi bashkë me kolegë e kuadro të brezit të tij në këto raste përgatisnin një fjalë lamtumire për të ndjerin duke ngushëlluar familjarët dhe të afërmit. Kjo tregon edhe një herë për vlerën dhe kulturën e lartë morale që manifeston populli i Maqellarës për respektin ndaj veprimtarisë jetësore të qytetarëve në shërbim të familjes, vendlindjes e Atdheut.
Tosum Xhemali u nda nga jeta më 31 maj 2018 në moshën 83 vjeçare. Trashëgoi 9 fëmijë. Dëshmitar i luftës kundër analfabetizmit dhe kontribuues i luftës kundër tij, 3 nga bijtë e Tosumit, Pëllumbi, Astriti dhe Lumturia mbaruan arsimin e lartë, gjashtë të tjerët arsimin e mesëm.
Gjatë 2 brezave familja u rrit me 24 frymë, me 16 nipër e mbesa, 6 prej tyre me arsim të lartë në degët Mjekësi, Juridik, Hoteleri, Turizëm, Ekonomi biznes etj.
I madh e i vogël, të gjithë ato që e njohën Tosumin do ta nderojnë e respektojnë mësuesin jo vetëm si një edukator, por edhe si një gjurmues popullor i pasionuar me muzeumet.