Vendlidja, burim frymëzimi për novelat e shkrimtarit Xhafer Martini


Në prozën e Xhafer Martinit një vend të veçantë zënë novelat (NOVELA, 2012). Në këtë vëllim janë përfshirë shtatë novela, që mbajnë titujt: “Korbin Kosta”, “Luna Kuna”, “Kushërira”, “Të dua, Bela”, “Trashëgimi”, “Bolsheviku i vogël” dhe “Balada e Drenushës”.  Është një mëkat kulturor që këto novela kanë kaluar pa u vënë re, pa u analizuar dhe pa u përgjithësuar për vlerat e larta artistike që kanë. Por kjo është një kohë kur harrohet, përçmohet dhe nuk begeniset e mira, e bukura dhe e vlershmja dhe, përkundrazi, e përçudnuara, e ulta, e zvetnuara të imponohet nëpërmjet ekraneve televizive dhe formave të tjera të propagandës banale. Vetëm me këtë mund të “justifikohet” harresa që i është bërë në përgjithësi këtij autori, sidomos novelave të tij. Xhafer Martini njihet edhe si studiues i nivelit të lartë, njihet edhe si kanunolog, mbledhës dhe kodifikues i “Kanunit të Maleve të Dibrës” (2003) dhe “Kanunit të Dibrës” (2007)  – plotësuar me lëndë dhe interpretim të ri, studiues i kanuneve shqiptare në përgjithësi (“Kanun, Tiranë 2013, f. 463), ku krahasohen në mënyrën më të rreptë shkencore tre kanune: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Dibrës).  Për “Kanunin e Dibrës” kulturologu dhe përkthyesi Virgjil Muçi, në shkrimin “Kanuni, gjigandi i përgjumur”, ka bërë një vlerësim të lartë, por të merituar. Ai, ndër të tjera, shkruan: “Ka disa libra që nuk bien fort në sy, nuk tërheqin vëmendjen e lexuesit të gjerë dhe as të mediave (gazetarët ashtu si laraskat kanë ngasjen të rendin pas sendeve që u lëbyrin sytë me shkëlqimin kallp). Shkurt ngjan sikur këta libra janë përcaktuar të kenë fatin e trishtë, me ose pa të drejtë, të miliona titujve që kalojnë në heshtje, pa lënë gjurmë, ashtu si bashkat e reve në qiellin e korrikut. Por e vërteta është se disa prej këtyre  librave- dhe ai që kemi në duar kësohere “Kanuni i Dibrës” i Xhafer Martinit është njeri syresh,- përmbledhin në vetvete dije e mençuri të mrekullueshme, vlera të rralla që kanë mbijetuar në rrjedhjen e shekujve si pjesë e kulturës dhe e artit oral popullor dhe ngandonjëherë, fatmirësisht, kujtohet dikush t’i mbledhë, t’i sistemojë e kodifikojë në suazën e një libri që shkon e merr peshën e një Dhjate”( Xh.Martini: “Kanun” Tiranë 2013, f. 36 )
Mjerisht, ashtu si thotë autori i mësipërm, pothuaj ka ndodhur me shumë libra të Xhafer Martinit, sidomos me librin “Novela”. Të kthehemi tek novelat. Merita më e madhe e Xhafer Martinit qëndron në faktin që novelat i ka shkruar bukur, me stil elegant, me pasuri fjalori, me thjeshtësi e bukuri, me ngjyra popullore, me subjekte interesante dhe me kompozicione  funksionale. Ka shumë cilësi si mjeshtër i prozës së shkurtër, por unë do të veçoja dy më kryesoret: harmonia dhe kohezioni i brendshëm tek çdo krijim i tij, ai ekuilibër pa të cilin asgjë nuk mund të qëndrojë. Ky libër nuk është prej fletësh të shkruara, por prej vlerash që janë hedhur në letër. Ngjarjet në novela janë shumë interesante, të larmishme. Po ngjarjet në vetvete nuk janë letërsi, nuk janë art. Ato janë jeta, është brumi, i cili duhet gatuar me cilësi pastaj, nëse e vuglarizojmë, duhet futur në furrë që të piqet, por edhe të mos digjet. Veprojnë, pra, njëqind mekanizma, të dukshëm dhe të padukshëm që e bëjnë ngjarjen letërsi, që i japin asaj vlerë përgjithësuese, dhe kjo nuk mund të bëhet po nuk veproi në maksimum dhe me të gjithë “agregatët” laboratori krijues i autorit. Ka bota sot laboratorë (shkencorë) shumë të sofistikuar, por unë do të thosha se laboratori më i përsosur është ai i shkrimtarit të vërtetë, sepse përbëhet prej pjesëve që, në esencë, as nuk i dimë dhe as nuk mund t’i marrim me mend. Ky laborator i gjallë është njeriu-shpirti dhe zemra e tij. Flas për shkrimtarët e vërtetë, ku, pa dyshim, bën pjesë dhe autori i këtyre novelave.
Personazhet e novelave janë njerëzit e thjeshtë. Shkrimtari, në këtë drejtim, është popullor, megjithëse fjala “popullor”, -gabimisht në regjimin tonë demokratik dhe për të keqen tonë, – ka konotacion negativ. Me fjalën popull edhe në diktaturë spekulohej në mënyrën të ulët. (Atëherë kjo fjalë mbahej në gojë, me të në ballë bëhej çdo veprim antipopullor; sot nuk përmendet, populli ndahet në “ngastra”, në komunitete. Populli, pra, nuk ka nga t’ia mbajë: me të gjithnjë do të luajnë. Është një vigan i madh që duhet mbajtur i përgjumur, i tromaksur).
Personazhi i novelës “Korbin Kosta”, nga novelat më të bukura,- është një djalë i vogël, pa prindër dhe pa njeri, që gjendet gjysmë i vdekur në një vijë uji të tharë, dhe, si shpëtohet dhe rrethohet me dashuri nga baba Kosta, që ka një lokal të vogël, bëhet një njeri i shkëlqyer që mahnit njerëzit që e njohin me yllin dhe zotësinë e tij. Bëhet i pasur dhe i njohur në gjithë rajonin ku vepron. Pasurohet me djersë dhe me nder. Por Korbinit kjo nuk i mjafton për t’u plotësuar si personalitet. Ai lumturinë nuk e kupton pa dashurinë. Korbini bie në dashuri me vajzën e mrekullueshme, Ujvara Kucbashi, bija e një prej bejlerëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm, që shënon kulmin e aristokracisë së asaj kohe. Feudalizmi, siç e dimë, për shkak të pushtimi turk, nuk u zhvillua në vendin tonë me përmasa reale, por, sidoqoftë, edhe pse i shartuar, herë me vështrim nga lindja , herë nga perëndimi, ai ishte feudalizëm tipik shqiptar, gjithsesi i gatshëm për të mbrojtur qenien e tij. Ja, me këtë fortesë ndeshet Korbini.  Korbini është një farë Rastinjaku shqiptar (një ndër personazhet e romanit “Xha Gorioi” të Balzakut). Natyrisht, Martini është tepër origjinal në subjekt, trajtim, rrethana, në kohë dhe në gjithçka tjetër. Por, kur një vepër të kujton vepra të mëdha, do të thotë se ajo ka vlera. Një nga treguesit e artit të vërtetë është ngjallja dhe harlisja e shoqërimit të ideve, përfytyrimeve, asociacioneve, shëmbëlltyrave. Dy personazhet (Korbini dhe Rastinjaku) kanë vetëm synimin të njëjtë: ngjitjen, por rrugët dhe mënyrat për arritjen e këtij objektivi i kanë të ndryshme. Korbini ka bindjen se vetëm një rrugë të shërben për t’ia arritur asaj që do: rruga e ndershme, me punë dhe sakrifica, me vullnet dhe përkushtim. Rastinjakuti rekomandojnë tri rrugë për t’ia arritur asaj që do: Votreni, një prej personazheve më interesant, një farë filozofi, i thotë se në shoqërinë e lartë mund të ngjitesh vetëm me anë të krimit. Bjanshon, mjeku i pensionit,e udhëheq për në rrugën e nderit dhe të dinjitetit, edhe pse kjo është e gjatë dhe përshkohet shumë ngadalë. Rrugën e tretë ia tregon kontesha Bosen e cila i thotë: duhet t’i flakësh përfytyrimet mbi nderin dhe dinjitetin, fisnikërinë, dashurinë; duhet të armatosesh me cinizëm, të veprosh nëpërmjet femrave mondane, pa iu dhënë seriozisht asnjërës prej tyre. Dhe Rastinjaku këtë rrugë zgjedh. Rastinjaku don të ngjitet dhe të bëj vend në shoqërinë borgjeze, Korbini këtë don ta arrijë në shoqërinë feudale. Por të dy rendet kanë gardianët e vet dhe nuk pranojnë t’u hyjë dikush në domenin e tyre. Shoku më i moshuar i Korbinit, që e ka në vend të babait, Kel Kapureli, e këshillon që të mos bëjë asnjë përpjekje në atë rrugë ku është nisur, se do të pësojë disfatë. Kënaqu me këtë që ke arritur, i thotë Kel Kapureli. Por Korbini është këmbëngulës, ai ka bindjen se edhe nga ana e kulturës mund të arrijë majat e klasës së lartë imituese shqiptare; ai thotë se është i zoti të mësojë shpejt dhe të përvetësojë thellë çdo gjë. Ja dialogu mes tyre:
Çfarë mëson shpejt ti, o bir?
Mësoj frëngjisht, po t’i vihem, mësoj të vallëzoj, mësoj të sillem si duhet, ashtu si sillen ata me njeri-tjetrin. Nuk u lë gjë mangut atyre. Prejardhjes nuk kam si t’ia bëj. Ajo nuk mësohet. Po të tjerat i bluaj.
Prejardhja është kryesorja, jo gjuha e huaj dhe vallëzimi. Në shtëpitë e të pasurve ka edhe mësues vallëzimi, muzike dhe për gjuhë të huaja, janë mjeshtra të mëdhenj, me kulturë të madhe. Po a e di si trajtohen? Pak më mirë se shërbëtorët që janë gdhë, që nuk dinë as të shkruajnë, as të lexojnë. Nuk të bëjnë të vetin ata kurrë…
…Ta zëmë se mësove në mënyrë të përkryer frëngjisht dhe të vallëzosh. U gjet edhe një njeri që të solli një ftesë dhe ti hyre brenda në sallat luksoze. Në saj të bukurisë, të veshjes e të tjera cilësi që nuk të mungojnë, ti le një përshtypje shumë të mirë tek të pranishmit, që të duartrokasin. Zonjat dhe zonjushat të shikojnë me admirim se je djalë i bukur. Por, si të kalojë ai entuziazmi i parë, vetvetiu do të pyesin: Kush është ky djalosh? Si hyri këtu? Nga erdhi? Thonë se është i gjetur në një vijë are gjysmë i vdekur! Jo, moj, nuk ka mundësi. Ja, ta them unë,ashtu e kanë gjetur, kopil hesapi, nuk dihet i kujt është… Dhe zonjës që të quan kopil, i dridhet erashka në dorë nga zemërimi. Në të vërtetë i dridhet ngaqë është e shëmtuar dhe ti nuk ke ndërmen t’ia hedhish sytë. Ato e marrin vesh, e nuhasin përse ti ke shkuar në mbrëmjen e tyre, dhe bëhen të tëra bashkë, plaka e plakaruqe, pipëza e pipiruqe, të shëmtuara dhe të mbetura pa u martuar, të të kundërvihen me ashpërsinë dhe arrogancën më të madhe duke të thënë: përjashta rrjepacak i dreqit! Bukuroshja Ujvara, me zemër nuk e aprovon sjelljen e marrokeve, por nuk është në gjendje të të mbrojë dhe tërhiqet e turpëruar, bën sikur nuk të njeh, të mohon, të fyen, të përbuz, se edhe për të, si për gjithë të tjerët, peshon klasa, më shumë se gjithçka tjetër.(Novela, f. 52)
Dhe në të vërtetë kështu ndodh: ai vetëm në imagjinatë të shkrimtarit hyn nëpër pallatet e tyre dhe sundon me sharmin dhe bukurinë. Në të vërtetë nuk e lanë të hyjë. Dhe kush qe pengesa e parë: ajo, që e dashuronte, Ujvara Kucabashi. Ajo ia pranon ledhet, dashurinë, fle edhe me të. Por fshehtas. Ajo në të vërtetë nuk ka as moral e as familje që t’i mbrojë. Veten dhe familjen ajo “i sakrifikon”, por,ama, klasën e saj, rendin e saj, kalanë e fortë tradicionale të feudalizmit e mbron. Deri këtu, i thotë ajo Korbinit, më tej nuk shkohet. Ideja e novelës nuk mbetet tek dy personazhet. Ajo fluturon dhe vjen edhe në kohën tonë, në botën tonë, në jetën tonë: të mbrojmë atë që e kemi arritur, pavarësisht nga mënyrat dhe mjetet që përdorëm për këtë qëllim. Duhen sofistikuar mjetet me të cilat duhet të luftojmë për të ruajtur gjendjen ekzistuese. Nuk kemi serum tjetër, nuk kemi vaksinë tjetër kundër “kolerës”.Novela të bën të mendosh. Korbini është një Rastinjak, (personazh i Balzakut), që borgjezia e asaj kohe nuk e pranon. Por Martini as që e ka pasur ndërmend një gjë të tillë. Është novela me pasurinë e saj që të ngjallë asociacione, shoqërim idesh, përfytyrime dhe shëmbëlltyra të pafundme. Është e pasur dhe jo vetëm pse të jep kënaqësi, por edhe të pasuron.
“Luna Kuna” dhe “Bolsheviku i Vogël” janë dy novela pothuaj të afërta për nga tematika dhe problematika, por që kanë zgjidhje të ndryshme. Janë dy vajza nga populli i thjeshtë, Luna Kuna dhe Elba, që në saj të bukurisë dhe të freskisë që kanë, thyejnë kornizat e kohës dhe depërtojnë në dyer të mëdha. Hyjnë si shërbëtore. Deri këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Nuk kanë asnjë meritë veç bukurisë së tyre. Por novelat shtjellohen në atë mënyrë sa tregojnë se ato vajza të thjeshta nga populli, nuk kanë vetëm bukurinë fizike, por edhe bukurinë shpirtërore, ato bëhen “sunduese” në kuptimin moral dhe estetik; fryjnë si erëra të freskëta, sugjerojnë frymë tjetër, ajër të pastër, oksigjen për mjediset e amullta ku jetojnë. Të dyja nuk kanë sukses, të dyja në fund dështojnë, por me mënyra të ndryshme. Në të dyja novelat buron ideja se të pasurit dhe të varfërit, meqë jetojnë në skaje të ndryshme të jetës, e kanë shumë vështirë të afrohen e të miqësohen. Përpara barrierave shoqërore, përmes dyerve të hekurta që nuk hapen, e ka të vështirë të depërtojë edhe dashuria. Këto tema nuk janë thejshtë “dashuri “ të shërbëtoreve me zotrinjtë e tyre, janë më shumë dhe të çojnë tek ata marrëdhënie shoqërore, tek ato manovrime politike që bëjnë klasat e pasura për të mbrojtur pozitën e vetë shoqërore. Këtë ato e bëjnë jo vetëm me luftë, me forcë, kur është e nevojshme, por, në radhë të parë, me refuzimin shpirtëror, që u bëjnë atyre “që janë jashtë dhe duan të hyjnë brenda”. Nuk duan ndryshimin, këtë e urrejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Tani fortesa gjigante e tradicionalizmit nuk sulmohet nga jashtë dhe me forca të vetmuara si tek “Korbin Kosta”, por sulmohet nga brenda, me forca të organizuara dhe të vetëdijshme. Bolsheviku i vogël është një farë Levini shqiptar, tek ai janë mishëruar tiparet e një beu të ri që don të dalë mbi klasën e vet, qëllimi të cilit është të përmirësojë sadopak jetën e bujqve të tij, t’u krijojë kushte sa më të mira që të japin edhe rendiment më shumë dhe të paguhen më mirë. Por bejlerëve të tjerë, sidomos atyre më të mëdhenjve, nuk u pëlqejnë reformat, ato “përkëdheljet”, siç i quajnë ato, që ky Bep Koltrani, u bën bujqve të vet. Për ta ky është “Bolsheviku i Vogël” që ka marrë rrugë të gabuar dhe don t’u hapë sytë bujqve se mund të jetohet më mirë e të tjera. Ky nuk u ka ndarë tokën fshatarëve, pra, sistemit nuk i është vënë kazma në themel. Bepi nuk shkon aq larg; ai, realisht, nuk ka dhe nuk mund të ketë, ide revolucionare. Por klasa të cilës ai i përket, nuk do as “arnime” të sistemit, nuk do as rekuzitë, nuk do as makjazh, se, po të ndodhin gjëra të tilla, drejtësia e tij vihet në dyshim. Vetë baxhanaku i tij, shkon dhe e kritikon ashpër Bepin dhe i thotë të ndërrojë udhë. Kur Bepi i thotë se në çiflikun e tij mund të bëjë ç’të dojë, përgjigjja i vjen e ashpër sipas logjikës së çifligarëve të marrë në tërësi:
Çifliku është yti, por rendi nuk është yti, sistemi nuk është yti, politika që bëjmë nuk është jotja, vlerat që mbrojmë nuk janë tuat. Pra, siç e shikon, nuk ke të bësh thjesht me çiflikun tënd, por me shumë gjëra të tjera  dhe shumë çifligje të tjera. (Novela, fq. 292)
Bep  Koltrani e pëson prej klasës së tij. Të gjitha rendet kanë qenë të pamëshirshëm. Ata kanë luftuar deri “në fishekun” e fundit, siç thuhet, për të mos ia lënë vendit rendit tjetër. Ne e shikojmë se si po lufton rendi kapitalist sot për të penguar një rend të ri (i cili ne nuk e dimë si do të jetë), ne e shikojmë se sa pa moral dhe pa drejtësi luftojnë të pasurit për të mbrojtur veten.
Ne e shikojmë se demokracia është kornizë pa vepër brenda, është fjalë pa përmbajtje, se pozita dhe opozita nuk janë kundër njëra-tjetrës; ne kuptojmë se edhe sot ka vështrim ideologjik të gjërave, sepse, për shembull, nuk mund ta përmendim togfjalëshin “analizë klasore”, por në fakt klasat ekzistojnë: të pasurit që e kanë rrëmbyer pasurinë kombëtare “në mënyrë demokratike”, “me lejen e votën e të varfërve”, prandaj, sipas tyre, nuk kanë të drejtë të revoltohen, të ngrihen, të kundërshtojnë për një jetë më të mirë. Novela ka interferencë të madhe, valët e saj të padukshme fryjnë në gjitha nivelet. Novela është filozofike dhe filozofia këtu është shkrirë me jetën, nuk është një filozofi abstrakte, prodhuar nga shkollat dhe teoritë abstrakte. Gjithçka buron nga jeta. Xh. Martini e kupton shumë mirë rolin e artit, e kupton se ajo që duhet thënë, duhet thënë shumë bukur, por ai ka edhe mendimin tjetër se nuk mund të thuhet kurrë bukur ajo që nuk ka rëndësi, ajo që nuk ka peshë. Nuk ka pasë kurrë letërsi të madhe me tema të vockla. Mjaft po angazhohet arti kamercial të shkëlqejë veshur me varak, por nuk ka për t’ia dalë.
Novelë interesante që tregon se sa i thellë është shpirti i njeriut dhe se në fund të këtij shpirti është prona- që del bashkë me shpirtin, – është ajo me titull “Trashëgimi”. Nuk thonë kot se “kur humb mallin, ka humbur shpirtin”. Shpirti i njeriut është interesi i këtij njeriu i mbështjellë me lëvozhgën e nderit, dinjitetit, bujarisë, kulturës e sa e sa “lëvozhga” të tjera që mund të grisen lehtësisht dhe mbetet cullak ai i egri-shpirti. Novela ka pak personazhe:secili prej tyre tregon një pjesë të ngjarjes, aq sa i takon në strukturën e veprës, për të dhënë pastaj të tërën. Kompozicioni është i përsosur. Edhe fëmija trembëdhjetëvjeçar ka vendin e vet në tregimine  ngjarjes, madje një vend shumë të rëndësishëm, delikat. Ky djalë i ri ka nënën, Jella, babain, Frank Xhedini, xhaxhain, Axhemin, dhe tezen, motrën e nënës, Dalla. Ja, kjo është familja. Këto janë personazhet e novelës. Secili tregon pjesën e vetë në vetën e parë. Tregimet alternohen dhe plotësojnë njeri – tjetrin. Kjo mënyrë është e njohur, por Martini e bën me aq mjeshtëri se nuk mendojmë aspak për “truket” letrare që janë përdorur. Ngjarjen na duket se e tregon shkrimtari.
Axhemi, që kishte marrë rrugët e botës disa vjet me radhë, më në fund, papritur, kthehet  në shtëpi. Për disa rrethana, motra e Jellës, Dalla, mbetet pa u martuar edhe pse është e re dhe e bukur. Vjen për të jetuar në shtëpi të Xhedinëve, tek e motra. Ngjarje nuk ka në novelë, ka vetëm një problem për të zgjidhur: kush do ta trashëgojë pasurinë e Frank dhe Jella Xhedinit, djali i tyre i vetëm, ky trembëdhjetëvjeçari, apo do të martohet edhe Axhemi dhe atëherë nuk i dihet sa trashëgimtarë do të ketë? Midis motrave, Jellës dhe Dallës, zhvillohet edhe ky dialog:
“Dalla, budallaçkë më quan mua ti? – e pyeti nëna.
Ç’thua, motër!? Si t’i nxë goja këto fjalë?Nuk je vetëm motër për mua, por gjithçka. U prishe me prindërit për shkakun tim, se më mbajte mua, kur ata më dhanë shkelmin. A mund ta harroj këtë gjë?
Kështu duhet të jetë, por ti përpiqesh të më hedhish hi syve.
Mos fol kështu për hir të Zotit!Nuk të ecën Dalla në hile ty edhe sikur të kem mundësinë, por as që  e kam.
Këtë që them, ti e ke, dhe po e bën shumë mirë.
Fol hapur, se më plase, – i tha Dalla.
Ti bën gilivili me Axhemin.
Nuk është e vërtetë, por, edhe sikur të jetë, ç’të keqe ka? Ka mjaft motra që i kanë burrat vëllezër.
Ti, kur hyre në këtë shtëpi, u zotove se nuk do të martohesh. Nuk të mora grua për Axhemin. Megjithatë, martohu kur të duash, se nuk na duhesh për ndonjë punë, por jo me Axhemin.
Po përse?
Axhemi krisi e iku kur i duhej shtëpisë. Tani vjen dhe ulet në mundin e djersën time e të Frank Xhedinit si të ishte në mall të vet. Andej nga ka bredhur, ka bërë krime dhe poshtërsi. Na kanë ardhur fjalët, mos të kujtojë se nuk e dimë. Por, sidoqoftë, për një copë bukë e për një jatak nuk nxjerrim jashtë askënd e jo më Axhemin. Por jo të martohet e të bëjë fëmijë, të lërë trashëgimtarë, që ta ndajnë tokën e mallin me djalin tim. Jo, këtë nuk do ta lejoj kurrë.
Mirë, moj Jella, ta zëmë se është kështu si thua ti, – i tha Dalla. – Ta zëmë se ke të drejtë, por a mund ta mbajsh ti Axhemin të martohet me një grua tjetër e të bëjë fëmijë, shumë fëmijë, sa të dojë?!
Po qe se Axhemi kërkon të martohet, e nxjerrim që tani nga shtëpia. I japim nja tre-katër dynymë tokë dhe u paftë hajrin. E dimë se do t’i shesë dhe do të shkojë t’i pijë tek mejhaneja e Mer Qorrit.
Ra një heshtje e shkurtër, pasta nëna foli prapë:
Nuk kam kundërshtim të shkosh me Axhemin, se je ende e re dhe të themi atë që është, nuk mund të rrish pa burrë. Por, ja, ashtu fshehtas. Ne do të bëjmë sikur nuk dimë dhe nuk shohim gjë. Në daç vepro kështu si thashë, në daç martohu, nuk prish punë, veç fëmijë të mos bësh.
Mirë, moj motër, ta zëmë se pranova këtë që thua ti, por si të shkosh me një burrë, do të bësh edhe fëmijë. Kësaj si ia ja ban ti?
Këtë e rregulloj unë. Kemi një mik në qytet, doktor Xhufin…..” (NOVELA, f. 214-215).
Novela tregon se sa e tmerrshme është prona. Është fjala për pronën e vogël, e cila,megjithatë, ka aftësinë t’i fusë njerëzit në grindje dhe ata janë në gjendje që me mënyrat më barbare, siç tregohet në këtë novelë, të mbrojnë “të drejtën” mbi të. Prona e madhe i bën njerëzit një palë skllavopronarë, një palë skllevër. Skllavi nuk është vetëm ai me pranga në duar. Një njeri që ka pasuri i detyron ata që nuk kanë veçse krahët, të punojnë tek ai në kushtet që ua dikton ai vetë. Nuk ke nga shkon, siç shprehet Niçja, ose si vemje e shtypur prej të tjerëve ose të bëhesh i aftë të shtypësh të tjerët. Por edhe njeriu pa pronë, siç e dëshmoi socializmi, nëse mund ta quajmë, (megjithëse një rend nuk jeton pesëdhjetë vjet, por pesëqind a një mijë), nuk krijoi një njeri më të mirë se kapitalizmi. Nga do të shkojë njeriu? Çfarë të bëjë që ai të mbetet njeri? Ja kësaj pyetje i përgjigjet novela dhe ajo thotë se njeriu nuk ka nga të shkojë- është shkatërruar moralisht dhe kot shpikën teori shpëtimtare për të. Por kjo përgjigje del edhe kur lexojmë novelën: “Të dua Bela”, që pasqyron ngjarje dhe jep personazhe që jetojnë në socializëm. Tani njeriu është bërë bishë.Tani nuk mund të kërkosh më njerëz se nuk ka. Varfëria është e tejskajshme. Në një livadh që nuk ka rënë kurrë shi dhe nuk ka parë ujitje, mbijnë vetëm ferra. Shkrimtari në këtë novelë ka një personazh mësues. Ky është djali i një “të pushkatuari nga partia”, i cili, edhe pse ka shumë aftësi dhe do ta meritonte të ndiqte shkollën e lartë, e dërgojnë mësues në një fshat shumë të varfër që pak vite më parë është djegur nga shtëpia e parë deri tek e fundit nga partizanët. Ky shkon shtëpi për shtëpi për të regjistruar nuset e reja dhe vajzat që e kishin kaluar detyrimin arsimor(se ajo periudhë është). O Zot, çfarë varfërie! Fshatarët jetojnë nëpër kolibe, se asnjeri nuk ka mundur të ndërtojë shtëpi edhe pse kanë kaluar tetë vjet nga djegia e tyre. Jetojnë në kasolle përdhese, të qelbura për nga ana e pastërtisë, sepse kanë edhe ndonjë lopë në odën e vetme ku jetojnë. Kemi të bëjmë me shtëpi ahër, ose ahër shtëpi. Varfëria është uluritëse. Ja, ky është populli, vizatuar me mjeshtëri prej shkrimtari realist. Qeveri ka, por ajo është për t’i marrë këtij populli të varfër vetëm taksat që janë shumë të larta. Komunistë dhe organizatë bazë ka, por ajo është për të zhvilluar luftën e klasave. Shoqëria është ndarë në klasa: jo në ato klasa që pretendonte marksizmi, por në ato që ishin në realitet: në njërën anë populli i varfëruar,i shtypur, pa asnjë të drejtë dhe, në anën tjetër, xhahilat e katilat, prej tek korrieri i fshatit që “ishte pjesë e superstrukturës” e deri tek ata atje lart, lart fare… Jeta është banalizuar deri në atë masë sa shtypja e egër është kthyer në një farsë tragjikomike. Fshatarët janë tamam si ai që ka ngecur në një batak shumë thithës që, ku me shumë mundime, nxjerr njërën këmbë prej tij për të çarë përpara, këmba tjetër fundoset edhe më shumë. “Mbytja“ në këtë batak do të vijë kur vendi të kolektivizohet, çmenduria dhe vallja makabre e çmendurisë do të vijë kur vendi do të tufëzohet. Tani ku ta gjesh atë njeriun me vese të pronës private njëqind vjet më parë (si ngjarjet e novelës “Trashëgimi”), ata ishin prapë lule në krahasim e monstrat e sotme.
Novela është shkruar në vitet e demokracisë (2009). Tani ka klasa, por ata janë në një shpërpjesëtim aq të zhdrejtë sa nuk ka asnjë ekuilibër, asnjë pikë orientimi e referimi për të dalë nga vorbulla e të keqes, asnjë rreze që të tregojë se në fund të tunelit ka dritë. Tani ka një grup njerëzish që janë bërë miliarderë, oligarki financiare ose thuaje si të duash. Ky grup kur “hyri në demokraci” ishte brekgrisur. Pjesëtarët e këtij grupi janë në solidaritet dhe në mbështetje të njeri-tjetrit; në anën tjetër, është 90 për qind e popullit fukara që nuk ka punë e nuk ka bukë. Ndarja nëpër parti është përrallë: ndajnë të pasurit pushtetin dhe zonat e ndikimit, pjesëtohen të varfërit që të mos jenë bashkë dhe të mos kenë forcë goditëse. Të pasurit janë të gjithë në një parti, të varfërit të gjithë në një parti. Të pasurit kanë qeverinë e shtetin në dorë, kanë ushtrinë, policinë, shërbimin informativ, gjyqtarët, prokurorët, hetuesit, kanë lidhjet me jashtë, bekimin e ambasadorëve e të gjithë atyre që hyjnë e dalin në Shqipëri secili për të dhënë mend e për t’u hequr më i mençur se të tjerët. Tani lufta e klasave zhvillohet midis të pasurve që përbëjnë pakicën dhe të varfërve që përbëjnë shumicën. Të pasurit, domethënë qeveritarët, partiakët, pushtetarët, oligarkët, miliarderët, gangsterët, banditët, në këtë luftë përdorin propagandën e shfrenuar të medias e cila njëzet e katër orë në njëzet e katër, me qëllim shplarjen e truve të shumicës, pasqyron deri në çmendi krimet, vjedhjet, vrasjet në familje, ndarjet, grabitjet, ngjarje nga më të turpshmet dhe më absurdet ku biri i pret nënës kokën dhe ia ve në hu tek dera e madhe, ku babai përdor si grua bijën, ku njëmijë një të zeza përhapen dhjetëra ditë e net me radhë, në pritje të ngjarjeve të reja po kaq tronditëse dhe po kaq absurde sa ato që kanë ndodhur deri sa të lindin “dhurata” të tjera për median, më të këqija e më të zeza se të parat. Kjo është sot jeta e shqiptarit. Shqiptari i sotëm është shkurajuar fare. Ai nuk ka më atdhedashuri, krenari kombëtare, dinjitet kombëtar, se ia kanë marrë, ia kanë përlyer.  Këto i thonë novelat e Martinit. Dhe në fund, pyes veten: kujt i duhet kjo letërsi?Pse duhet ta përhapë e ta publikojë media atë? A duhet të presë njeriu drurin ku ka vënë këmbët? Prej këndej del që media, shtypi, ata që kanë nën kontroll çdo gjë,mbajnë nën kontroll edhe letërsinë e vërtetë. Jemi në logjikën e gjërave, nuk kemi dalë prej tyre.
Ngjarjet e të gjitha novelave pothuaj kanë si vend zhvillimi vendlindjen e autorit. Ka një vatër dëshirash ky autor që e ka përcaktuar herët dhe qartë dhe nuk i ndahet. Është në domenin e vet, në trojet e veta. Atje, në vendlindje merr temat, problemet, peizazhet, personazhet, vuajtjet, gëzimet,  hidhërimet, fisnikërinë, urrejtjen, dashurinë, gjuhën,kulturën, dasmën, morten, kanunin, folklorin, historinë, trashëgiminë, tradicionalen,modernen, mënyrën e jetesës, atje i merr të gjitha e të gjitha…përgjithmonë. Është shkrimtari i atij vendi, i asaj treve që herë e quan Çernajë, herë Drinas, herë Breglumas, herë Përtejdrinas, por që është i njëjti vend: Fushë Alia e fshatrat përreth, është Çidhna një hapësirë pak më e madhe, por gjithsesi vetëm disa fshatra.Këtu është vatra e dëshirave të shkrimtarit. Martini nuk e ka për të metë pse ka një zonë kaq të kufizuar ku zhvillon krijimtarinë e tij. Madje edhe studimet i ka për këtë zonë. Këtu ai ka qëmtuar alegorinë, gjakmarrjen, Kanunin, këtu e kanë burimin dhe përmbajtjen të gjitha librat e tij. Kështu kanë vepruar edhe kolosë të mëdhenj. Balzaku kishte Parisin. Një qytet, por i mjaftueshëm për të dhënë vepra gjeniale. Ndonjë tjetër, mund ta ketë tematikën dhe problematikën sa në Siberi e Kamçatkë, aq edhe në Tibet e Himalaje, sa në Gadishullin e Pirenejve, aq edhe në atë të Apenineve. Kadare, si shembull, ka tema dhe personazhe nga të paktën tre kontinente, ka një perandori të madhe letrare. Por forca e Kadaresë nuk qëndron tek madhësia e perandorisë, por te vërtetësia e bukuria me të cilën e jep. Balzaku nuk është i vogël, pse ka vetëm një qytet ku sillet dhe mbështillet. Çështja është tek mjeshtëria. Ata janë mjeshtra të mëdhenj në të shkruar. Martini e ka edhe më të ngushtë zonën e veprimit: ai madje edhe lumin nuk e ka krejt të vetin, por vetëm atë pjesë që kalon përbri fshatit të tij, ka një copë tokë që e quan cekë,pak kodra, fushën që nuk është shumë e madhe. Por ama në këto vise ai njeh çdo gurë e çdo dru, si thuhet, njeh edhe një fije bari, ndjen të gjitha aromat, njeh të gjitha lulet, të gjitha krojet, ndien dridhjen e çdo flete dhe dallon këngën e secilit zog.
Edhe personazhet i ka nga ky vend. Janë fshatarët, të vuajtur dhe të hequr keq, të lodhur dhe të munduar, patriotë dhe të ndershëm, që kanë luftuar shumë për këtë vatan, kanë përballuar hordhitë osmane dhe hordhitë serbe. Janë ndier kurdoherë krenarë sepse e dinin pse jetonin dhe pse luftonin. Nuk kishin shtet, kishin kanun. Ky i mbrojti që të mos faroheshin, të mos zhdukeshin. Megjithatë, ata ëndërronin të kishin shtet dhe ky shtet të ishte as i madh e as i vogël, siç propagandojë armiqtë të cilëve u bëjnë iso edhe akademikët tanë. Shtetet janë shtete, aq sa i ka krijuar Zoti. Edhe këta fshatarët e Martinit shtetin kaq e duan: sa e ka krijuar Zoti, të shtrirë deri atje ku bukës i thonë bukë dhe ujit i thonë ujë. Në të kaluarën këta malësorë zemërbardhë kanë vuajtur shumë nga i huaji. Fushë Alia është djegur tri herë. Dy herë nga serbi, një herë nga partizanët. Serbi nuk e dogji të tërën, la ndonjë shtëpi në këmbë, kurse partizanët e rrafshuan. Nuk e dinin fushaliasit se do ta pësonin nga të vetët, kjo nuk u kishte shkuar kurrë ndërmend. Ata nuk  i dinin fjalët e mençura të atij dijetarit kroat i cili u thoshte njerëzve të vet, patriotëve kroatë:Do të çlirohemi edhe nga armiku, do ta fitojmë lirinë dhe do të kemi shtetin tonë, por vuajtjen më të madhe, më të egër  do ta kemi nga tanët. Keni për të parë po nuk ndodhi kështu. Dhe ashtu ndodhi. Ashtu ndodhinë Kroaci, ashtu ndodhi edhe në vende të tjera më të zhvilluara, por Shqipëria mban rekordin në botë ku shqiptari e lufton kaq ashpër dhe me egërsi shqiptarin. Edhe pse të shtypur malësorët e nuk e kanë traditë rebelimin. Traditë kanë luftën me të huajin. Ata që i mbajnë nën thundër kanë përqafuar dhe forcuar këtë traditën e re: si të shtypësh dhe të mbash të nënshtruar tëndin, shqiptarin. Të bëhesh aleat me djallin dhe të birin për këtë qëllim. Të gjitha këto Martini i thotë qartë, bukur. Kjo është një arsye shumë e mjaftueshme që novelave të tij të mos u bëhet jehonë. Gazetarët, edhe pse janë qenie jo inteligjente dhe pa peshë, kanë nuhatje klasore, e dinë cilën vepër të përhapin  dhe cilën të lënë ne errësirë.

*Autori i shkrimit ka titullin akademik “Profesor i asociuar”.