Eh, mor Xhevat Dani i maleve të Dibrës!


Nga Abdurahim Ashiku

Një lajm i zi, kob që të mblidhet në grykë, frymën ta merr, mend ti vgjer.
Lajm i shkurtër, vetëm tre rreshta…
Profesor! Xhevat Dani vdiq, Varrimi më datë 9 prill ora 15
Nuk e besova, Nuk e besoj.
Nga profili jot erdhi, Kush ma dërgoi? Kush më hidhëroi? Anonim, pa firmë…
I shkrova…
Më vjen shumë keq, më trondite këtë mbrëmje, larg Dibre. Si vdiq?Ishte i ri dhe tepër i gjallë.
Po pres përgjigje… mbase dikush kodin ia mori për shaka, se i shakasë është Xhevati…
Nxënësi im… shoku im… kolegu im.
E mor Xhevat Dani ku nuk patkove, maleve të Dibrës… me punën tënde, me përkushtimin qytetar, me dhuntitë profesionale…
Sa mall kam, sa gëzim më solle më 9 gusht 2019 në 70 vjetorin tënd.
Ka qenë dita më e bukur e jetës sime. Atë ditë, shokët tuaj bashkënxënës… Në krahë më morën, tek ti më sollën.
Nuk ka gjë më të bukur për një mësues, kur sheh si janë rritur filizat e jetës, se si janë pjekur, se si tash 50 vjet, pa u nda… në ditëlindje gëzojnë, në hidhërime lotojnë, shoqërinë e vjetër kurrë nuk e harrojnë.
Atë ditë bëra shumë fotografi, incizova zëra të gëzuar, Veçan atë këngën tënde shoqëruar nga të gjithë, gjaku jot, shokët tuaj, bashkënxënësit e bujqësores Peshkopi, matura ’70.
Oh mjeri unë për ty, XHEVAT DANI… Qenka e vërtetë, miku jot, shoku jot, Hamza Hyka gjëmën konfirmoi.
Mjerë Lulëzimja, shoqe e madhe jete mjerë djemtë larg, larg në vend të huaj, mjerë vajza, nipërit, mbesat, mjerë shokët miqtë… grushte lotësh, faqeve rrjedhin Drinin mbushin…
Fjala “ngushëllim” E varfër është… TË RRONI, TA KUJTONI, TA NDERONI…
Nuk vij dot Xhevat Dani, kafen pelin ta pi, dhimbjen ta mbledh, lëmsh në fyt.
Ndryshe po vij Xhevat Dani.
Po vij si atë ditë të 70 vjetorit tënd… Po vij, ta bëj edhe një herë, bisedën me ty… buzë Drinit të Zi, në Podgorcë, në hijen e plepave… Po vij me 16 fotografi nga dhjetëra fiksuar atë ditë, nga ai takim. Fotografi malli,
dashurie, respekti, mirësie….
Lamtumirë MIKU IM!
Lamtumirë…
Athinë, 8 prill 2021