Ferma e Atli Manit, nga pemëtaria e blegtoria te bimët mjekësore


Nga Osman Xhili

Familja Mani në Pejkë të Dibrës, ka kohë që ka krijuar emrin e saj dhe përpiqet të radhitet te fermerët më të mirë të këtij rrethi. Lidhjet e kësaj familje me bujqësinë dhe blegtorinë datojnë që para viteve nëntëdhjetë. Rustem Mani ishte mjaft i njohur në rrethin shoqëror të kohës. Për shumë vite shërbeu si kryetar i këshillit të bashkuar për Melanin. Shumë vite të tjerë punoi si përgjegjës sektori e më pas e më pas brigadier frutikulture i N.B-së në bllokun e Qenokut. Sa herë që shkonim në këmbë nga Maqellara në Peshkopi, do të ndaleshim të shuanim etjen me ndonjë mollë, kumbull, qershi apo dardhë, aq të shijshme, aromatike e plot lëng. Njohës i detyrës, vizionar e me disiplinë të lartë në punë, brigada që drejtonte njihte vetëm tejkalime planesh e detyrash.
Rustemi e vazhdoi këtë traditë të bukur dhe në familjen e tij, duke inspiruar djemtë e tij. Krijoi vetë një bllok të vogël me mollë, që do të shërbente si model për ta. Nga katër djemtë, Atliu do të ishte ai që do ta çonte më tej këtë stafetë të bukur. Në një moment dëshirat e tij stepeshin para një fakti kokëfortë. Nuk kishte mjaft tokë për të realizuar projektet e tij. 10 dynymët që kishte pasur babai u ndanë në katërsh dhe kjo ishte fare e pakët. Atliu ishte 20 vjeç në atë kohë. I fortë e i fuqishëm si babai, ambicioz e këmbëngulës si ai. Ku kishte pengesë e vështirësi që mund ti dilte përpara e të mos thyhej?
Me ato pak para të fituara filloi të blejë tokë. Aty në hyrje të fshatit bleu një tokë prej pesë dynymësh, që quhej kodra e Fidës. Dikush mund ta ketë quajtur anormal, pasi ajo kodrinë pa ujë, vetëm ferra e fier mund të prodhonte. Atliu filloi ta transformojë dalë nga dalë. Në kokë kishte një projekt të qartë. Atje ku rritej fieri dhe qershitë mund të bëheshin me nam.
Mbolli plot 240 rrënjë të tipit Burlat dhe Ferovia dhe u bëri të gjitha shërbimet, duke i trajtuar tamam si fëmijët e vegjël. I mbushi me pleh organik, u bëri spërkatjet e duhura dhe u solli ujin me tuba të trashë, duke u shuar etjen në kohën e verës së nxehtë.
Kanë kaluar gati njëzet vjet që atëherë dhe rezultatet flasin vetë. Nuk ka kalimtar që të ecë rrugës e të mos ndalet për të kundruar bllokun e tij dhe të Zenullait, të paktën në dy momente, në lulëzim dhe në pjekjen e kokrrave. Tamam si në përralla. Ata miliona lule e petale të bardha, për një muaj janë transformuar në tonelata qershi të ëmbla, të shijshme, plot vitamina e vlera kurative. Shtatë milionë lekë fiton Atliu çdo vit prej tyre dhe kjo shifër rritet akoma në vite të tjerë.
Jo më shumë se 500 metra larg shtëpisë së tij, një tjetër bllok prej pesë dynymësh i mbjellë me mollë dhe qershi. Këta të fundit janë të tipit Ferovia, kokërrmadhe, me bisht të gjatë dhe shumë rezistente për treg. Ai merr gati 25 kuintalë prej tyre, tashmë kur janë në vitin e dhjetë. Duke parë vlerat dhe cilësinë super, tregtarët vijnë dhe e marrin prodhimin direkt në pemëtore. E njëjta gjë ndodh me mollën Xhon. Treguesit e saj janë në parametra maksimalë. Shumë e shijshme, me damarë të kuq e plot lëng, rezistente deri afër shkurtit, jashtë frigoriferit. Të gjitha këto arsye e dorëzojnë tregtarin, duke pranuar çmimin e kërkuar nga Atliu. Këtë vit mendon se do të marrë dhjetë kuintalë më shumë, duke shtuar të ardhurat për familjen e tij.
Atliu ka dhe një fermë jo të vogël. Katër lopë laramane dhe po kaq viça, rreth 20 dhen dhe qengjat e tyre, që i konsumon për familjen. Familja e tij çdo ditë dorëzon 45 litra qumësht, me një vlerë prej gati 20 mijë lekësh. Me anë të një tubi të trashë, plehu i lëngshëm lëviz nga stalla, për te blloqet e pemëve, duke ushqyer pemët, si dhe bimësinë për rreth. Por sërish plehu i fermës është i pamjaftueshëm, për gjithë bimët e pemët që ka familja e tij. Çdo vit blen rreth 20 zetora me pleh të kalbur mirë, pasi e din mjaft mirë, se pemës duhet ti japish e pastaj t’i kërkosh.
Atliu dhe familja e tij punojnë si një skuadër e strukturuar mirë e bukur. Shtatë veta prej tyre janë çdo ditë në punë, Atliu me të shoqen tre djemtë e tij të rritur dhe dy nuset e tyre, pasi i vogli akoma nuk është martuar.

MBJELLJA E AGULIÇES

Realisht, dita që vizitova fermën e tyre ishte krejt e zakonshme. Dy djemtë e mëdhenj, Arseni dhe Albi, me dy zetorët e mëdhenj të tipit Londin, kishin shkuar në Bellovë , për të kryer punime tek fermerët e kësaj zone. Astriti më i vogli, krahas punëve të fermës është angazhuar në një firmë duralumini, si specialisti kësaj mjeshtërie. Pjesën tjetër të familjes e gjetëm në fermë. Atliu kishte menduar të eksperimentojë bimën mjekësore të Aguliçes. Vlera e lartë e tregut prej 35 mijë lekë kilogrami e kishin tunduar atë për ta mbjellur. Dali
Horeshka, miku ynë i nderuar dhe i gjithë fermerëve dibranë, kishte dhënë kontributin e tij dhe për këtë familje punëtore. 12500 rrënjë aguliçe po hidheshin nga arkat plastike në dheun e përgatitur me kujdes, që kishte parabimë jonxhën. Atliu hapte me kujdes vijat, zonja e tij vadiste dhe dy nuset e djemve mbillnin me shpejtësi.
Gjithçka shkonte sipas një projekti të studiuar mirë dhe distancat e mbjelljes 25 me 40 cm ruheshin në mënyrë korrekte. Teksa shihja dhe admiroja këta njerëz punëtorë, bëja ndonjë foto dhe mendoja se për njeriun punëtor ka miliona mundësi për të jetuar në këtë tokë e në këtë vend, pa e shtrirë dorën për lëmoshë, por gjithnjë me krenari e dinjitet.

ZABELET E FAMILJES

Pronat dhe pasuria e kësaj familje të nderuar, shtohet e shtohet çdo ditë. Ata zotëronin gati një hektar zabel në vendin e quajtur “Dardha e Ali Pejkës”. Është një masiv dushku, por që brenda tij ka dhe plot trungje gështenjash e ndonjë bimësi tjetër. Vitin që kaloi, Atliu e dyfishoi sipërfaqen e zabeleve dhe me një hektar tjetër. Një komshi aty pranë donte ta shesë këtë pronë dhe Atliu është gjithmonë i gatshëm për të blerë prona të tjera. Nga 2,5 dynymë tokë, që trashëgoi nga babai, ai zotëron tani 30 dynymë, ku gjithë pjesa tjetër është blerë prej tij.
Zabeli në fjalë është një mrekulli në vete. Atliu e pastroi nga ferrat dhe shkurret, e rrethoi në disa pjesë të tij dhe i vuri një derë të madhe, pasi kishte qenë krejt jashtë kontrollit. Jo pak, por mbi 400 trungje gështenjash mbi 10 vjeçare përmban plantacioni i ri. Mendo se sa tonelata me gështenja do mbledhë e do shesë familja në vitet në vazhdim! Në shoqëri me ta ndodhen dhe qindra plepa dhe dardha të egra. Kaçube dëllinjash, përherë të gjelbërta, i japin një hijeshi akoma më të madhe kësaj parajse natyrore. Plepat krasiten e sistemohen, trungjet e gështenjave, po ashtu, kurse dardhat e egra do të shartohen me kujdes prej dorës së tij. Vetëm nga krasitjet e pyllit, familja ka njerrë mbi 30 metër kub dru zjarri, shumë që do të rritet akoma më tej, duke u shndërruar në eksportuese të kësaj lënde.
Shumë plane e projekte ka në mendje Atliu dhe familja e tij. Por ata nuk i lënë në mendje e në letër, por pasi i shohin me kujdes nga të gjitha anët, hidhen direkt në realizimin e tyre. Krahas 30 dynymëve tokë të blerë, ata kanë marrë dhe 50 të tjerë me qera. Kanë mbjellë jonxhë, tërshërë, burxhak, misër e grurë. Ky i fundit duket i harbuar këtë vit, tamam si një parcelë eksperimentale.
Gjithë këtij aktiviteti bujqësor i shërben një minirepart mekanike. Dy zetorët e mëdhenj Londin, rimorqe, plugje, korrëse e lidhëse jonxhe, tre freza dore, pompë spërkatëse me kapacitet 1000 litra, si dhe dy mikrobuza.
Familja e Atli Manit nuk ndalet në rrugëtimin e saj drejt suksesit. Ajo ka mbjellë një dynymë arra të shartuara dhe ka filluar ta ndjejë leverdinë e tyre. Dëshiron që ti shtojë akoma arorët, në një sipërfaqe prej një hektarë me arra e lajthi. Sheh përpjekjet e kësaj familje, të këtyre heronjve që nuk ndalen në objektivat e tyre dhe vërtet të kaplon një respekt e admirim për punën e tyre.
Një familje prej 11 personash e vetëpunësuar, që nuk i kërkojnë asgjë shtetit, por i japin atij . I japin atij mollë, qershi, arra, gështenja, qumësht e plot asortimente të tjera. Jo vetëm kaq, por dhe punësojnë disa forca pune në sezone të ndryshme të ngarkuara. Ashtu këmbëngulëse dhe e përkushtuar në misionin e saj familja e Atli Manit sheh gjithmonë nga e ardhmja.