Idriz Kukeli – njeri human, drejtues energjik, vizionar dhe burrë kurajoz


Nga Shaqir Çerpja

Një ditë të zakonshme vere, në një kafe në breg të detit në plazhin e Golemit, njëri nga të pranishmit në tavolinë, një tiranas, ndërsa po fliste dhe po tregonte për jetën dhe hallet e tij, ai përmendi edhe emrin e Idriz Kukelit dhe tha se kur familja e tij kishte patur një hall të madh, Idriz Kukeli i ishte ndodhur, e kishte ndihmuar, përkrahur e mbështetur. Emrin e Idriz Kukelit ai e lidhi dhe me mua, por vetëm nga përkatësia krahinore, sepse nuk dinte më shumë për njohjen time me Idrizin. Sigurisht që unë u ndjeva shumë mirë për fjalët që ai tha për Idrizin dhe, brenda shpirtit tim u zgjua krenaria, por nuk nxitova të mburrem. Në fillim vetëm heshta dhe dëgjova, por pasi mbaroi ai, fola dhe unë. Fola gjatë, sepse kisha shumë për të thënë për Idriz Kukelin. Fola shumë, sepse kisha dhe dija çfarë të flas. Sepse për Idriz Kukelin ka folë, flasin dhe do të flasin puna dhe veprat e tij. Flasin njerëzit e shumtë, që e kanë njohur: shokë, miq, kolegë, punëtorë e bashkëpunëtorë… Për punën, kontributin dhe veprat e Idriz Kukelit flet dhe do të flasë koha.
Idriz Kukeli u lind më 3 nëntor 1944 në fshatin Mustafaj të Çidhnës, të Çidhnës së madhe, jo të madhe vetëm nga hapësira gjeografike, por të madhe edhe nga historia epike, ku mbi pesë shekuj me radhë, në Çidhën, në trojet e Kastriotit, merr jetë dhe jeton krenaria jonë kombëtare. Ai është fëmija i parë dhe djali i madh, midis gjashtë djemve dhe tri vajzave të prindërve Shaqir Kukeli dhe Hirije (Hysa) Kukeli. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Mustafaj, ndërsa shkollën 7-vjeçare e kreu vullnetarisht, në Fushë-Alie. Sigurisht, në kushte të vështira, jo vetëm të largësisë, duke udhëtuar çdo ditë deri tri orë në këmbë, vajtje e kthim, në vapë e në shi, në borë e në ngrica, por edhe vështirësi të tjera, si mungesa e veshjes, e materialeve mësimore, etj. Pasi kreu shkollën 7-vjeçare me rezultate të shkëlqyera, vazhdoi shkollën e mesme, teknikumin e ndërtimit në Tiranë, të cilin e përfundoi në vitin 1964. (Për arsye shëndetësore, një vit e shkëputi dhe ndërpreu mësimin në shkollën e mesme). Dhe sapo mbaroi shkollën e mesme, prej atëherë, ai eci dhe ngjiti shumë suksesshëm shkallët e karrierës së tij profesionale dhe drejtuese. Gjithë sukseset e karrierës së tij Idrizi ia dedikon babait të tij arsimdashës dhe vizionar, Shaqir Kukeli, i cili ishte nxitësi, mbështetësi dhe inkurajuesi i arsimimit të Idrizit dhe fëmijëve të tjerë. Shumë shpejt Idrizi u bë shtylla e shtëpisë dhe familjes dhe hapi rrugën për arsimimin edhe të gjithë vëllezërve të tjerë, të cilët u bënë të aftë, të zotët dhe të dobishëm dhe jo vetëm nuk i hapën e nuk i sollën telashe Idrizit, por iu bënë krah atij. Por Idrizi nuk u bë shtyllë vetëm e shtëpisë dhe familjes së tij, por u bë shtyllë për fisin, për fshatin, për zonën e tij dhe më gjerë.
Sapo mbaroi teknikumin e ndërtimit në Tiranë, Idrizi caktohet teknik ndërtimi në ndërmarrjen e ndërtimit Laç, në kantierin e ndërtimit të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, në objektin më të rëndësishëm dhe më të vështirë, në ndërtimin e korpusit kryesor të kësaj fabrike, ku përveç shumë punëtorëve, punonin edhe shumë të burgosur. Puna në këtë objekt kishte shumë vështirësi, jo vetëm organizuese dhe drejtuese, por edhe teknike e zbatuese. Për çdo punë dhe në çdo hap të çdo pune ishin të pranishëm inxhinierët kinezë, nga të cilët Idrizi mësoi shumë, mori eksperiencë e përvojë të çmuar. Pas tri viteve pune dhe përvoje të suksesshme në Fushë-Krujë, Idrizi transferohet në Peshkopi dhe caktohet specialist në seksionin e bujqësisë, ku mbulonte ndërtimin e veprave ujitëse, ndërtim rezervuarësh, hapje kanale ujitëse, etj. Dhe, brenda një kohe të shkurtër u hapën rreth 30 km kanal ujitës në Muhurr, Sllatinë, etj.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak në Vaun e Dejës, ku dhe atje shërbeu kryesisht si teknik ndërtimi, në vitin 1971, përsëri kthehet e vjen në Peshkopi dhe filloi punë në komitetin ekzekutiv të rrethit, specialist në seksionin e ndërtim-komunikacionit dhe pas një viti u emërua shef i seksionit të ndërtim-komunikacionit Peshkopi, ku vareshin ndërmarrja e ndërtimit dhe e bonifikimit, që mbulonin edhe rrethet Kukës e Tropojë., si dhe një kantier ndërtimi në kombinatin metalurgjik në Elbasan. Gjithashtu, kishte në vartësi edhe parkun e mallrave, agjensinë e udhëtarëve, telekomin, mirëmbajtje rrugëve, etj. Drejtimi i seksionit të ndërtimit e komunikacionit ishte provë dhe sprovë për Idrizin, në radhë të parë për shkak të hapësirës gjeografike dhe gjerësisë së aktivitetit që drejtonte, mbulonte dhe kontrollonte ky seksion, por edhe sepse në çdo hap të punës përballej e ballafaqohej me vështirësi dhe pengesa të shumta, nga më të ndryshme, objektive dhe subjektive. Në atë kohë, sfida më e madhe ishte edhe realizimi i punimeve fortifikuese-mbrojtëse. Pikërisht për të analizuar realizimin e planit të punimeve mbrojtëse, në vitin 1975 u zhvillua në Tiranë, një aktiv i zgjeruar, ku merrnin pjesë punonjësit e aparatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Ndërtimit dhe përfaqësues nga të gjitha rrethet e vendit. Aktivi kryesohej e drejtohej nga vetë kryeministri i vendit Mehmet Shehu. Në këtë aktiv Dibra përfaqësohej nga kryetari i komitetit ekzekutiv, Skënder Dema dhe nga shefi i seksionit të ndërtimit e komunikacionit, Idriz Kukeli. Çdo rreth kishte vetëm një diskutim dhe çdo diskutant kishte vetëm një minutë kohë për të raportuar. Sipas rendit alfabetik të rretheve, pas Beratit vinte Dibra dhe në emër të Dibrës diskutoi Idriz Kukeli. Dihet që Mehmet Shehu ishte njeri i sertë, i ashpër, i prerë dhe i rreptë. Nuk toleronte dhe nuk pranonte debat. Debati me të ishte guxim i tepruar. Por Idriz Kukeli diskutoi dhe guxoi dhe e zgjeroi diskutimin, duke paraqitur e treguar vështirësitë për realizimin e detyrave për punimet fortifikuese mbrojtëse. Megjithëse Idrizi e tejkaloi kohën e caktuar për diskutim, Mehmet Shehu nuk e ndërpreu, por i tha: “Ti qenke dhe trim dhe deklaron para meje se nuk do t’i realizoni detyrat!”. Idrizi iu përgjigj se detyrat do t’i realizojmë, por unë po tregoj edhe vështirësitë që kemi e që na pengojnë. Në moment, kryeministri Mehmet Shehu urdhëroi ministrin e Ndërtimit për t’iu dhënë zgjidhje problemeve që ngriti Idriz Kukeli. Në fund, kur mbaroi aktivi dhe pjesëmarrësit në aktiv po dilnin jashtë, Mehmet Shehu e thirri Idriz Kukelin: “Hajde, ti trimi i Dibrës!” Pastaj, duke i zgjatur dhe shtrënguar dorën, i tha Idrizit: “Unë i dua trimat!”
Tërmeti i 15 prillit 1979 në Lezhë dhe Shkodër ishte një sfidë, por edhe një provë e madhe gatishmërie, mobilizimi dhe solidariteti, jo vetëm për hierarkinë politike dhe shtetërore të vendit, por për gjithë popullin dhe atdheun tonë, nga veriu në jug. Në aksionin për zhdukjen e pasojave të tërmetit, Dibrës iu caktua detyra të kryente një të tretën e gjithë punimeve për zhdukjen e pasojave të tërmetit në Lezhë. Në këtë aksion punuan rreth 1400 punëtorë dhe specialistë. Në krye të shtabit të aksionit të Dibrës në Lezhë ishte caktuar e ngarkuar Idriz Kukeli. Si kudo, edhe këtu, Idrizi tregoi vlerat e spikatura dhe aftësitë drejtuese, organizuese dhe mobilizuese dhe Dibra realizoi objektivat dhe detyrat e këtij aksioni para afatit, duke u bërë shembull mobilizimi dhe frymëzimi për gjithë vendin. Dhe Dibra u vlerësua me titullin e lartë dhe u shpall rrethi “Hero i Punës Socialiste” Sigurisht, roli i Idriz Kukelit ishte përcaktues në përfundimin me sukses të këtij aksioni madhor të Dibrës dhe dibranëve për zhdukjen e pasojave të tërmetit në Lezhë.
Në sistemin komunist, politika e kuadrit orientohej nga slogani i rëndësishëm dhe shumë i vlefshëm: “Punës t’i gjejmë njeriun dhe jo njeriut t’i gjejmë punë” dhe, ndonëse nuk aplikohej gjithmonë, në rastin e Idriz Kukelit ky slogan ishte real dhe i vërtetë, sepse ku ishte puna dhe detyra e vështirë, aty caktohej, aty dërgohej, aty shkonte dhe aty ishte Idriz Kukeli. Dhe, ku ishte Idrizi, aty ishte mobilizimi, progresi dhe suksesi. Pas dhjetë viteve pune të suksesshme në drejtimin e seksionit të ndërtim-komunikacionit të Dibrës, me qëllim për të nxjerrë nga prapambetja e thellë kooperativën bujqësore të Dardhës, Idrizi transferohet në Zall-Dardhë, me detyrë kryetar i kooperativës bujqësore Dardhë. Dhe, Idrizi, me natyrën e tij babaxhane, por dhe me aftësitë e tij të spikatura drejtuese dhe organizuese, arriti të krijojë një frymë të re komunikimi, besimi, bashkëpunimi dhe mobilizimi dhe me një bashkëveprim harmonik të administratës, të drejtuesve të degëve e sektorëve, të shtabeve të brigadave e kooperativistëve, u arrit që brenda vitit të parë të përmirësohen ndjeshëm të gjithë treguesit ekonomikë e financiarë të kooperativës, u rrit dhe vlera e ditës së punës për pagesën e kooperativistëve. Krahas punës për rritjen e treguesve ekonomiko-financiarë, u punua edhe për zgjerimin e infrastrukturës rrugore dhe, veç të tjerave, u hapën disa rrugë, si rruga që lidhi Qanin e Dardhës me Çidhnën, Krojin e Gjarpërit me Zhugjërrin, etj.
Pasi punoi e drejtoi tri vite kooperativën bujqësore të Dardhës, Idrizi transferohet përsëri në Peshkopi dhe caktohet drejtor i kantierit të ndërtimit e pak më vonë emërohet drejtor i ndërmarrjes së ndërtimit Dibër. Ndërmarrja e ndërtimit Dibër, të cilën e drejtonte Idriz Kukeli, kishte arritje shumë pozitive. Realizimin e planit e kishte 98%, dhe ishte përcaktuar në grupin e pesë ndërmarrjeve të ndërtimit më të mira në shkallë vendi. Por, pikërisht në kohën kur ndërmarrja e ndërtimit kishte arritje dhe rezultate shumë të mira, Idrizit i ndodh një përplasje me drejtuesin kryesor të rrethit të Dibrës, sekretarin e parë të komitetit të partisë të rrethit të Dibrës, Xh. Gj., i cili urdhëroi shkarkimin e Idrizit nga detyra e drejtorit të ndërmarrjes së ndërtimit. Të nesërmen e shkarkimit nga detyra, Idrizi shkon në Tiranë dhe takon ministrin e Ndërtimit, Rrahman Hanku, thjesht për kafe, të cilit, në bisedë e sipër i tregon se ishte shkarkuar nga detyra. Rrahman Hanku, i çuditur nga ky vendim i Xh. Gj., i thotë Idrizit të ecte përpara dhe të shkonte e ta priste tek hotel “Dajti”, që të pinin kafe dhe të bisedonin. Ndërkohë që Idrizi po zbriste shkallët e Ministrisë, Rrahman Hanku porosit sekretaren të bëjë gati vendimin për ndarjen e ndërmarrjes së ndërtimit të Dibrës në dy ndërmarrje: përveç ndërmarrjes së ndërtimit me vartësi në komitetin ekzekutiv të Dibrës, (shkëputjen nga kjo ndërmarrje të sektorëve prodhues dhe krijohej ndërmarrja e re për prodhimin e materialeve të ndërtimit (fabrikë për prodhim tulla, tjegulla etj.,), me varësi në Ministrinë e Ndërtimit dhe në çast, emëron Idriz Kukelin drejtor të kësaj ndërmarrje. Duke pirë kafen dhe duke biseduar në hotel “Dajti” ministri Rrahman Hanku i komunikon Idrizit vendimin për ndarjen e ndërmarrjes së ndërtimi të Dibër dhe emërimin e Idrizit drejtor të ndërmarrjes së materialeve të ndërtimit. Gjithashtu, i jep Idrizit edhe autorizimin dhe të gjitha dokumentet e nevojshme që të shkonte tek rezervat e shtetit dhe të zgjidhte e të merrte një makinë për vete si drejtor. Dhe tri ditë pas shkarkimit nga Xh. Gj., Idrizi kthehej përsëri në Peshkopi drejtor, por jo në vartësi të komitetit ekzekutiv të Dibrës, por në vartësi të Ministrisë së Ndërtimit. Më vonë, pas shkarkimit të Idriz Kukelit, puna në ndërmarrjen e ndërtimit shkoi shumë keq dhe, Xh. Gj., i penduar për shkarkimin e Idriz Kukelit, kishte thënë: “Hoqa një buall e vura një mizë”.
Në karrierën shumë të suksesshme të Idriz Kukelit, parësor dhe përcaktues ishte karakteri dhe bindja e tij, se veç me punë dhe nëpërmjet punës arrihet çdo objektiv, çdo sukses, të gjitha sukseset. Në qenien e tij njerëzore dhe profesionale ishin bashkuar pasioni dhe vullneti për punë, këmbëngulja dhe përkushtimi maksimal për të kryer çdo detyrë, korrektësia dhe vetëdisiplina në çdo hap të jetës. Ai ishte njeri dhe drejtues energjik, i papërtuar dhe i palodhur. Tek çdo punë, në krye të çdo pune dhe në ballë të çdo pune shkonte vetë, ishte vetë, duke udhëhequr e drejtuar me shembullin e tij të spikatur personal. Ai kishte aftësinë dhe dhuntinë të afronte, të bashkonte, të mobilizonte dhe të harmonizonte energjitë mendore dhe fizike të të gjithëve, të personelit teknik e administrativ, specialistëve dhe punonjësve të prodhimit. Ai ishte njeri dhe drejtues vizionar dhe çdo pune dhe problemi i paraprinte me masa konkrete paraprake, por kishte aftësinë të gjente dhe të jepte zgjedhje praktike të momentit për çdo punë e problem. Kudo ku ka punuar dhe drejtuar, ai ka lënë gjurmë suksesi, progresi, zhvillimi e përparimi.
Një tipar dallues dhe një anë e veçantë shumë e çmuar e karakterit të tij, ishte natyra babaxhane dhe shpirti i tij human. Idriz Kukeli ka dhënë prova të shumta burrërie prej malësori të vërtetë. Provë të madhe burrërie ka dhënë edhe në kushte të fatkeqësisë së rëndë dhe dhimbjes së madhe familjare, kur në vitin 1986, djali i tij ra aksidentalisht nga makina dhe vdiq, ndërsa shoferi, ndonëse nuk ishte fajtor, u arrestua dhe u fut në burg. Por Idrizi nuk pranoi të varrosë djalin, pa u liruar dhe pa dalë shoferi nga burgu. Idrizi ishte dhe është njeri i thjeshtë, modest, dashamirës dhe i komunikueshëm me të gjithë. I ndihmonte të gjithë, bile për t’i mbrojtur e për t’i shmangur të tjerët nga përgjegjësitë, jo vetëm administrative, por edhe penale, ai merrte mbi vete barrën e përgjegjësive të tjerëve. Në rrethin e tij shoqëror ishin dhe janë pa dallim si intelektuali e pushtetari, ashtu dhe punëtori, muratori, shoferi e fshatari. Si politikani, ashtu edhe “i deklasuari”. Gjestet, sjelljet dhe veprat humane të Idriz Kukelit janë të shumta, janë të panumërta, se ishin e janë të përditshme, të vazhdueshme, të përhershme. Janë të shumta sa të gjitha nuk shkruhen e nuk thuhen, por po përmendim e tregojmë vetëm një rast, vetëm njërin prej rasteve të shumta. Kur, pas mbarimit të shkollës së mesme, Idrizi punonte teknik ndërtimi në korpusin kryesor të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë, ku punonin edhe dyqind të burgosur, Idrizi ishte i sjellshëm dhe sillej njerëzishëm ndaj tyre. Aq sa kishte mundësi, edhe i ndihmonte. Kishte ndihmuar shumë të burgosur dhe midis shumë të burgosurve të tjerë, kishte ndihmuar edhe të burgosurin Bedri Spahiu, i cili, fshehurazi dhe me gjysmë zëri i kishte thënë: “Unë nuk besoj se do të dal i gjallë nga ky burg, por sa të kem frymën dhe shpirtin, nuk do ta harroj ndihmën që më ke dhënë e nderin që më ke bërë!”.
Pas rënies së sistemit komunist, djali i Bedri Spahiut ishte interesuar, kishte kërkuar, kishte pyetur, kishte gjetur dhe kishte takuar Idriz Kukelin dhe e kishte falënderuar për ndihmën që i kishte dhënë babait të tij të burgosur.
Puna dhe kontributi i Idriz Kukelit është vlerësuar nga organet shtetërore me urdhra e medalje të ndryshme, por vlerësimi më i madh për Idrizin është mirënjohja dhe respekti i njerëzve ndaj tij.