Kulla e Murrës


Kjo kullë është e ndërtuar mbi 300 e ca vjet përpara. Vetë pozicioni i saj me themele në shkëmb, në grykën e Drinit në veri të fshatit Hotesh, të bind se ka shërbyer në të kaluarën si mbrojtje për fshatin dhe tërë krahinën e Luznisë. Në këtë kullë të moçme malësorët luznakë me Elez Murrën mblidheshin, bashkërendonin veprimet në atë kohë, kur armiqtë e huaj donin të sulmonin fshati dhe krahinën.
Dredhitë e armikut ishin nga më të ndryshmet për të mposhtur vendin. Qeveria turke me anën e përkrahjeve dhe valive donte të mashtronte prijësit popullorë të krahinave me anën e parave. Në mënyrë që të nënshtronte krahinën e Luznisë, valiu i Shkodrës dërgon njerëz të tij duke i dhuruar Elezit bakshish një palë dujq me florinj. Elez Murrja, pasi kupton qëllimin e armikut, i përgjigjet sekretarit të valiut:
– Unë dheun nuk e shes me pare, prandaj merrini mbrapsht dhe çoni ku të doni.
Nga kjo mosbindje e Elezit qeveria turke përgatiti dhe sulmoi kullën duke e rrahut nga një kodër matanë Drinit në lindje të fshatit Selane, kodër e cila edhe sot thirret nga banorët “Kodra e Topit”. Turqit mundën të dëmtojnë pjesërisht çatinë e kullës, por malësorët luznakë e mbajtën me trimëri dhe jo vetëm kaq, por duke kaluar fshehurazi në urat e vjetra të maskuara që lidhnin fshatrat fqinj), si: Pejkën, Trepçën, Dovalanin, Ternën, Selanen e tjerë, në bashkëpunim me fshatarët e këtyre zonave e së bashku me luznakët u binin duke i shpartalluar e ndjekur ato këmba-këmbës. Përsëri valiu i Shkodrës, aty rreth vitit 1720, me dredhi e lajka dërgon në Çidhën sekretarin e tij turkoman e të tjerë me shtruar Dibrën për të marrë nizamë, të dhjetën e taksa. Prijsat popullorë u mblodhën në kuvend për t’i dhënë përgjigjen valiut të Shkodrës, Elez Murrja, ndër të tjera, i thotë:
– Dibra është Dibër, or pasha, e turkut kjo kurrë nuk bëhet. Sulltanët ta kanë varur shpatën në qafë për të prerë kokën tënde.
Megjithëse kuvendi prishet ngaqë dibranët nuk duronin nënshtrimin prej të huajit, turqit vendosnin roje e përforcime në Dibrën e Poshtme e ndërkaq dërgonin përsëri ushtri komitçe e turkomane për të sulmuar e shkatërruar kullën e Elez Murrës.
Si kundërpërgjigje kësaj radhe jo vetëm që përzënë ushtrinë e huaj, por malësorët trima luznakë qëllojnë dhe vrasin sekretarin e valiut të Shkodrës në Sohodoll.
Pushtuesi, duke mos harruar për t’u hakmarrë, në periudhën rreth vitit 1870 dërgon ushtri të tjera turke me në krye bimbash, kësaj here me tjetër manovër: me atë më barbare, pra për të gjetur me çdo kusht prijsat e krahinave të Dibrës dhe t’u presë kokat për t’i futur tmerrin popullit dibran. Patrullat turke duke u endur fshehurazi e të përkrahur nga turxhimenë, takojnë në plakun e krahinës së Luznisë Isuf Murën, të birin e Elez Murrës, në fshatin Grevë. Ai një ditë më parë kishte qenë në Maqellarë për të bashkërenduar veprimet me shokët që t’i përgatitnin kurthin të huajit zaptues. Ata rrethojnë Isuf Murrën dhe i kërkojnë të dorëzojë hutën, Isuf Murrja u përgjigjet:
– Nuk më duhet koka pa armën!
Ndërkaq, turqit në përleshje e sipër i presin kokën Isuf Murrës dhe shkojnë në kështjella (gazermë turke) në Peshkopi.
Malësorët luznakë, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të krahinave, si: të Çidhnës, Grykës së Vogël, Grykës së Madhe e zonës së Topalltisë, mblidhen në kullën e Isuf Murrës dhe renditin veprimet për t’i bërë pritë ushtrisë së bimbashit në Kodrat e Qenokut. Dy ditë më pas, kur ushtria turke e bimbashit niset për të ikur, malësorët luznakë, të ndihmuar e përkrahur dhe nga dibranët e tjerë, pasi kalojnë tek ura e vjetër e Elez Murrës në Krastën e Pjeçës, duke u mbështetur fort nga malësorët e fshatrave Dovalan, Pjeçë, Pejkë, Trenë, Erebarë etj., zënë pozicionet kyçe në kthesat e kodrave të Qenokut. Deli Mehmeti, në krye të ushtrisë turke, i cili vuri dylbi se donte të sodiste Luzninë dhe Kullën e Murrës, papritmas një zë i dridhshëm e gozhdoi në vend.
“Prit Isbesh, ka ke me shkue,
Sot Luznia n’luftë t’ka ftue…”
Me predhat e para të hutave bie nga kali i bardhë, vdekur për tokë vetë Deli Mehmeti. Gjithë ushtria e tij vritet e pjesërisht kapet rob bashkë me karvanët e kuajve.
Gjaku i Isuf Murrës që rrodhi nën tehet e jataganit turk, u la me gjak ndaj dhe rapsodi popullor me plot krenari shprehet:
Gjaku i Isuf Murrës u la me gjak
Treqind turq u dogjën në flakë,
Nam bani pushka e Luznisë,
Kundra mbretit të Turqisë.
Rrodhën vitet dhe si pasojë e dobësimit të perandorisë osmane në luftën ruso-turke 1877, Bullgaria në bazë të vendimeve të Shën Stefanit do të aneksonte në drejtim të Shqipërisë rrethet e sotme të Korçës, Pogradecit, Strugës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës dhe Dibrës.
Bullgarët deshën në këtë periudhë të pushtojnë dhe fshatrat e Dibrës, por fshatarët trima të zonës së Topalltisë bënë qëndresë heroike, duke i rrëmbyer armikut armët, si topa dhe artileri dhe e dëbuan nga territori i tyre. ndaj dhe sot fshatrat Dohoshisht, Selane, Brezhdan, Qendër e Sohodoll thirrën me emrin Topallti, ngaqë malësorët e këtyre fshatrave iu mbajtën armikut tapat dhe alltie, duke vrarë dhe dëbuar armikut me armët e veta.
Armiku, ngaqë po i digjej flaka nën këmbë, vendosi në një kodër në perëndim të fshatit Selane, matanë Drinit, topin nga ku rrihte kullën e Murrës, të cilës i dëmtoi pjesërisht çatinë dhe shenja goditjeje nëpër qoshet, shenja të cilat duken edhe sot. Kjo kullë, me themelet në shkëmb, qëndron si mesazh qëndrese e popullit tonë në shekuj për identitet kombëtar.

Selami Murrja