Llixhat e Peshkopisë: Ideale për shëndet, pse jo…edhe për turizëm


Nga Zylyftar HOXHA

Ndonëse për shqiptarët ende nuk është masivizuar ky lloj turizmi, ia vlen të mendohesh për të shkuar drejt ujërave termale, jo vetëm nëse vuan nga një sëmundje, por edhe për të pushuar në një mënyrë tjetër, krejt ndryshe nga ajo që masivisht bëhet nga të gjithë gjatë pushimeve të verës.
Dhe mund të thuhet me plot gojën që është një pushim mjaft i shëndetshëm për shkak të vetive kuruese që kanë ujërat termale.
Vendi ynë ka disa llixha të njohura kryesisht nga vendasit dhe ende të pazbuluara nga turistët e huaj.
Ndër këto llixha nga më të frekuentuarat dhe me emër të mirë në mbarë hapësirat shqiptare, janë edhe Llixhat e Peshkopisë, të cilat janë organizuar në një qendër balneare me një përvojë shumëvjeçare.
Llixhat e Peshkopisë janë pasuri kombëtare, ato burojnë nga formacionet e gipseve të malit të Korabit.
Janë dy burime sulfurore me temperaturë 35 – 43,5 gradë C dhe me një prurje prej 14 litra/sek. Kanë përmbajtje kaliumi dhe sulfatesh.
Efektet e tyre lidhen me sëmundjet e kockave, reumatizmën, të rrugëve të frymëmarrjes si: astma bronkiale, bronkite, diabetin, sëmundjet e lëkurës dhe probleme gjinekologjike.
Muajt më të frekuentuar (dhe më të preferuar) janë prilli, maji, qershori, shtatori dhe tetori.
Ku ndodhen këto llixha?
Afër, madje aq afër qytetit të Peshkopisë, sa mund t’i quash lagje të këtij qyteti.
Kompleks balnear kurativ i ujrave termale të Peshkopisë shtrihet rreth dy kilometra në lindje të qytetit të Peshopisë, në të djathtë të rrjedhjes të përroit të Bellovës, poshtë vargmalit të Deshatit. Ky Kompleks ka 44 kabina individuale dhe disa kabinete terapeutike, të cila perfshin trajtime të baltës sulfurore, fizioterapisë, dhe i aerosal terapisë. Gjithashtu, ka dy dhoma reaminacioni për trajtimin e rasteve urgjente. Përdorimi i ujrave kurative ka qenë besuar tradicionalisht t’i ofrojë rezultat terapeutik lidhur me trajtimin e trupit dhe e mendjes.
Kjo qendër me pamje magjepsëse, e qëndisur me lule e gjelbërim spektakolar, nën këmbët e maleve të Korabit, që ende zbardhëllon nga bora, është shumë e dëgjuar për vetitë e jashtëzakonshme kurative.
Tani më tepër preferohet përdorimi i termave frekuentues ose pushues, dhe jo pacientë apo të shtruar.
Përmbajtja e gazit sulfuror në këtë qendër është mesatare, në ndryshim nga qendrat e tjera balneare të vendit tonë, që e kanë mbi mesatare e deri në maksimale.
Akomodimi në qendër të Peshkopisë, pothuajse është privat, vetëm 10 për qind mund të akomodohen në hotele shtetërore.
Ushqimi është shumë cilësor dhe bio, i siguruar nga zona përreth qytetit të Peshkopisë. Kostoja mesatare ditore për një person (fjetje, ushqim, banja, kujdes shëndetësor etj.) varion nga 1500-1800 lekë në ditë.
Kush ka shkuar një herë në Peshkopi, vështirë të mos shkojë përsëri e përsëri.
Përfundimi i Rrugës së Arbrit me siguri do ta shtojë klientelën e kësaj qendre nga e gjithë Shqipëria.