Lufta e vetmuar e grave të dhunuara për të mbijetuar


Nga: Hysen Likdisha

Bashkitë në qarkun e Dibrës nuk ndajnë buxhet të veçantë për t’iu ardhur në ndihmë grave dhe vajzave viktima të dhunës, të cilat përballen me vështirësi për t’iu larguar keqtrajtimit të bashkëshortëve dhe për të siguruar jetesën për familjet e tyre.

Dritës iu deshën shumë vite përpara se ta denonconte bashkëshortin e saj për dhunë. Nëna e katër fëmijë nga Bulqiza, kujton se dhuna e bashkëshortit, kryesisht për shkak të konsumimit të alkoolit, por edhe të varfërisë në familje, u përshkallëzua pas 2014-tës, vit kur lindi dhe vajza e saj e vogël.
“Kam duruar shumë pasi më vinte edhe turp ta denoncoja në polici, si dhe mendoja e përpiqesha që çdo gjë të kthehej në normalitet,” tha Drita. “Por dhuna fizike dhe psikologjike sa vinte dhe rritej në vend që të shteronte,” shtoi 45-vjeçarja.
Drita kujton se i shoqi thuaj se çdo natë vinte në shtëpi i dehur ‘tapë’ dhe fillonte ta dhunonte, duke e goditur më çfarë t’i dilte përpara, ndërsa fëmijët qanin e bërtisnin duke ‘u mbledhur sa një dorë nga tmerri.’
Historia e trishtë e Dritës nuk është padëgjuar në qarkun e Dibrës, ku të dhënat gjyqësore tregojnë se dhjetëra gra kanë kërkuar urdhra mbrojtje për shkak të dhunës në familje gjatë tre viteve të fundit.
Sipas ligjit ‘Për mbrojtjen e grave dhe vajzave të dhunuara’, bashkitë janë përgjegjëse për riintegrimin social-ekonomik të viktimave të dhunës në familje. Por bashkitë e qarkut të Dibrës, nuk kanë një zë të veçantë në buxhet për t’i ndihmuar gratë dhe vajzat që bien pre të dhunës.
Përveç alokimit të një ndihmë modeste ekonomike, shpesh këto bashki i drejtohen fondacioneve ose organizatave joqeveritare për ndihmë, por edhe mundësitë e tyre janë gjithashtu të kufizuara.
“Ne si organizatë e gruas, jemi dhe mbetemi mjaft sensitivë e të angazhuar për tu ardhur në ndihmë këtyre grave dhe vajzave me anë të aktivisteve të organizatës tonë, por gjithsesi kjo nuk është e mjaftueshme,” thotë Nafie Jella, kryetare e organizatës së gruas në Bulqizë.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, nën vitin 2020 në Shqipëri u raportuan 4321 raste të dhunës në familje, me 4443 të dyshuar dhe 11 gra dhe vajza humbën jetën për shkak të dhunës së shkaktuar nga bashkëshortët dhe partnerëve. Gjatë këtij viti ka pasur 2816 urdhra mbrojtjeje të lëshuara nga gjykatat.
Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit, në Gjykatën e Matit janë dhënë 52 urdhra mbrojtje në vitet 2018-2020, ndërsa në gjykatë e Dibrës janë regjistruar 39 urdhra mbrojtje në vitin 2018 dhe vitin 2019.
Drita e gjeti kurajon për ta denoncuar bashkëshortin në polici në vitin. Por fillimisht policia u mjaftua me qortime dhe këshilla ndaj bashkëshortit, i cili pasi premtonte se nuk do të ushtronte më dhunë, pinte alkool dhe kthehej në shtëpi për të vazhduar avazin.
“Më godiste me shpulla, grushte dhe çfarë të gjente deri edhe me drurë sobe,’ kujton Drita.
Pasi rituali i thirrjeve dhe këshillimit nga policia nuk dha rezultat, Drita vendosi të divorconte të shoqin. Pas kërkesës për divorc, polica e referoi dhunën ndaj saj në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër.
Në vitin 2016, Gjykata e Dibrës e ndau ligjërisht çiftin dhe Dritës i dha urdhër mbrojtje nga i shoqi, por pa e ndarë banesën ku jetonin. Pasi vuajti 1 vit burg, ish-bashkëshorti lirohet dhe nis përsëri avazin e vjetër të dhunës psikike e fizike ndaj Dritës.
Për dhunën e shkaktuar ndaj bashkëshortes ai dënohet me burgim edhe dy herë të tjera nga ana e gjykatës.

Marrë me shkurtime nga reporter.al

Lexo shkrimin e plotë:
https://www.reporter.al/lufta-e-vetmuar-e-grave-te-dhunuara-per-te-mbijetuar/