Rifat Roka, një tel çiftelie u këput


Elegji për një mbret të çiftelisë dibrane, shoqëruar me një kujtim të bukur fotografik fiksuar në Tuz të Malit të Zi më 22 gusht 2009

Kur për të fundit herë i takova
Si Katër Mbretër…
Jo thjesht në sytë e mi,
në pamjet që fiksova…
Mbretër me mbretëri në Dibër,
me emër në Shqipëri…
Shaban Xhajku, Mbret i kurorëzuar i valles Dibrane…
Rifat Roka, Mbret i melodive mbi telat e çiftelisë…
Xhaferr Shini, Mbret mbi dallgët e magjive të fyellit…
Besmir Aga, Mbret i kurorëzuar i valles tipologjike shqiptare…
Njeri më i madh se tjetri…
Njeri më virtuoz se tjetri…
Mbi melodi që mblidhnin dallgët e Drinit…
Mbi hedhje që Korabin kapnin…
I pari, iku Shaban Xhajku…
Unë shkrova me lot në sy:
“Shaban Xhajku iku si MBRET i Valles Dibrane,
si mik i ISOS labe…”
Në vargje përcolla ndjenjat e bukura…
Të atij takimi të paharruar…
…Tuz, Mali i Zi, 22 gusht 2009…
“Na bashkoi isoja dhe çiftelia”…
RIFAT ROKA IKU…
Kështu më shkruan,
plot hidhërim,
plot mall e dashuri…
Një shok, një mik…
Një tel çiftelie u këput…
Rifat Roka,
artist i madh Dibran,
Nuk këndon…
Nuk qesh,
nuk na gëzon…
Një yll ra…
ra si bien yjet mbi planet
Si BURRË Dibre,
Si njeri i madh,
si Mbret…
Mbretër të mëdhenj
ka përcjellë Dibra…
Këto dy vjet…
Të këngës,
të muzikës,
të valles,
të telave mbi çifteli…
Shabanin…
Përparimin…
Qerimin…
Mbretëri mbretërish,
në qiellin e paanë,
Rifat Rokën
pranë e pranë,
e kanë…

Abdurahim Ashiku
Athinë, 23 prill 2021