Udhëtim përmes margaritarësh i një gazetari


Nga dr. Selman Mëziu

Abdurrahim Ashiku

A ka mundur ndokush të lidhë me fije Korabin kreshtlartë në lindje me Runjën këmbëlagur në lumin e Murrës e Drinit bashkë? A ka mundur kush të përshkruaj natyrën e luginës së Drinit, të shkruaj për Dibrën që nga prehistoria, luftën kundër perandorisë osmane, serbëve, e deri tani te thirrja për ta mbrojtur luginën nga “gjoli” i Skavicës? Sigurisht që kjo duket e pabesueshme, por kjo është e vërtetë. A e keni parë personalisht, biseduar, pirë kafe, lexuar, artikujt e librat e tij, parë fotografitë, jo pak, por dhjetë mijë? Nëse nuk po kujtoheni se për kë kam nisur të shkruaj, po jua kujtoj: ky personalitet i gjithanshëm është Abdurahim Ashiku!
Kam zgjedhur të udhëtoj në krahët e një shqiponje. Sepse kam shumë besim si shpendi më krenar, më jetëgjatë, derisa t’i përkulet sqepi, që të mos mundet me ngranë. Në krahët e saj udhëtova pesë kontinentet. Kuptohet Shqipërinë e Dibrën tonë të ndarë dy copash si Berlini dikur. Fatmirësisht takova shumë. Syrgjynosurit, shpërthimi i një vullkani ekonomik e politik i shpërndau, anembanë rruzullit të dheut. Kuptohet dibranë e jo dibranë. Shumica më janë përgjigjur mbushur me mall e krenar. Mua më ka bërë fotografi. Unë kam emrin në një reportazh. Mua më ka përmendur së bashku me inxhinierin pa diplomë, mendjemprehtin Gani Tuçepin. Ndërsa mua në një meditim me Jashar Mezenxhiun, Todi Mançon, Tefta Camin. Ndërsa mua në një shkrim mbi studimet agronomike me profesor Andrea Shundin. Ndërsa mua me Herodotin e histografisë shqiptare Aristidh Kolën. E kështu zëra të shumtë më thërrisnin edhe kur kaloja mbi oqeanet me anijet që lundronin, që jepnin lajmin, se pena, stilografi i këtij burri të zgjuar dibran ishte ngjyer mijëra herë në shishen e bojës, lapsi kishte lanun dhjetëra kilometra gjurmë të lakuara shkronjash, në shumë blloqe, fletore, letra, ndoshta një hektar të tillë, qëndisur me histori, vlagë jete të papërsëritshme. Makina e shkrimit kishte ‘’vuajtur,, shumë nga gishtat mbi tastierat e shkronjave. Fatkeqësisht nga shtrëngesa e regjimit e braktisi. Ndërsa nga Kanadaja do të fluturonte makina e shkrimit “Omodoro”, dhuratë më se vyer e dibranit sohodollas Kamber Merdini. Motori biologjik i krijimeve në gazetari rifilloi me vrulle të reja në dhé të huaj. Kuptohet më pas kompjuteri, i lehtë, praktik që të jep dhe tmerr, t’i shpërndan dhe kursen penë, bojë e letër, hyri si mjet pune. Mrekullia e teknologjisë së kohës u përvetësua edhe nga Abdurahim Ashiku, zdojanas e breazhdanas për të gjetur rrënjën e fjalës e hapur brazdat e mendimeve mbi letrën borë të bardhë. Skalitje që i shërbejnë kohës, por i përkasin përjetësisë.
Fotografia – pasioni, mjeshtëria e dëshira e gazetarit me prodhimtari e kohëzgjatje rekord jo vetëm shqiptar, por ndoshta, botëror, gjashtëdhjetë e katër vjet. Makina fotografike ende nuk ‘’pushon, së shkrepuri, fotografi e filluar me modeli rus “Smena” në vitin 1957. Të shkruarit e fotografia do të bëheshin vëllezërit siemezë në jetën e vrullshme të dibranit Ashiku në rrokullimën e viteve vrullshumtë.
Suksesi i udhëtimit, kënaqësisë të të shkruarit do të gjenin folenë e krenarisë prindërore, me takimin rastësor në një tren e përballë njëri-tjetrit, të babait të gazetarit, në udhëtimin për në Fier (1958) për të takuar djalin, Abdurahimin. Ishte kryeredaktori i gazetës ‘’Zëri i Rinisë”, Dhimitër Verli. Udhëtim i kandshëm, mbresëlënës, mbjellës kënaqësie, kur Verli, thurte lëvdata për djalin e tij si gazetar me shkrime të çmueshme. Bashkëpunimi, rendimenti, cilësia e shkrimeve në të gjitha gjedhet e gazetarisë do ta radhitnin gazetarin e ri dibran Ashiku, në një ndër më të vlerësuarit nga kryeredaktori, Liri Lubonja si zëvendëskryeredaktore, redaktorët Luan Dibra, Vath Koreshi, Loni Papa, Agim Cerga, Kliton Gjilani, Zef Gurakuqi, Pirro Tase.
Rritej fizikisht, i shëndetshëm djali iI Ashikëve, burrërohej para kohe, diplomohet si agronom më 16 shkurt të vitit 1966. Ishte emocionues fjalimi i tij, mendimet e tij të arta, pjesëmarrja e ministrit të Bujqësisë Pirro Dodbiba dhe rektori i Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë Gaqo Tashko, shkencëtar në fushën e bujqësisë. Krahas diplomës të mësipërme ai që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare e deri në këtë moment si gazetar me portrete njerëzish, kronika jetësore, reportazhe, përshkrime, meditime, skica, fejtone etj., ishte formuar, pjekur profesionalisht. “I diplomuar” si gazetar falë vullnetit, dëshirës, këmbënguljes, leximit të librave. I pari ishte: “Të njohësh botën rreth teje”, dhuratë për Vitin e Ri 1954 në shkollën shtatëvjeçare Peshkopi për rezultate të shkëlqyera. E pastaj zgjatet e zgjatet gjerdani i librave, gazetave, revistave etj., të cilat i hapën dritaret e dijeve dhe e frymëzuan edhe për shumësimin e shkrimeve tanimë me rrezehapje të gjerë e të dendur gazetash si “Ushtima e maleve”, “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i rinisë”, “Puna” etj., në faqet e revistave “Ylli”, “Bujqësia socialiste”, “Shqiptarja e re” etj., si dhe në skenarët televizivë, fotoreportazhet etj.
Hap krahët për të “fluturuar” drejt fshatrave e qytezave, galerive të minierave, staneve të barinjve, çadrave të gjeologëve të Dibrës së Poshtme, Grykës së Madhe, Bulqizës, Batrës, Mirditës etj. Duke ngjyer penën në vlagën e heroizmit, duke krijuar personazhet realë veshur me ngjyrat e fjalëve emocionuese, zbulues karakteresh.
Gazeta “Ushtima e maleve”, emër i ideuar e vendosur së bashku me kryredaktorin e parë Esat Bashllarin, qëndisur me shkrimin e shkruar po me penën e tij, me të njëjtin titull si dhe emri i pagëzuar prej tij, vendosur në numrin e parë të saj. Shprishet vazhdimësia me dhimbje të thellë, siç do ta pësonte ekonomia e tërë, kultura, arsimi, peizazhet industriale, bujqësore e të pyjeve. Fatkeqësisht edhe gazeta “Ushtima e Maleve” në qershor 1991 do të shuhej, duke u zëvendësuar me emrin e ri “Dibra”, ku kryeartikulli “Dy Dibrat” do të kishte firmën e gazetarit Abdurahim Ashiku. Fikeshin e shuheshin dritat, por ai do të udhëtonte me bllokun e stilografin në xhepin e xhaketës e makinën fotografike në krahë pa u ndalur.
Mësoi nga mësuesja e letërsisë në shkollën shtatëvjeçare të qytetit të Peshkopisë, e pagëzuar me emrin “Penelopa”, heronjtë e mitologjisë së lashtë greke e romake te Homeri, Sofokliu, Euripidi, Aristofani, Virgjili etj. Por veprimtaria e tij e vrullshme në fushën e gazetarisë e takuan brenda viteve ’60 -’70 të shekullit që përcollëm me shkrimtarin e madh Ismail Kadarenë, me autorin e romanit “Hasta la Vista” Petro Markon e të shoqen, e cila qëndiste faqet e “Pionierit” me piktura. Ndërsa shumë më vonë ai takon Dritëro Agollin shkrimtarin tjetër, duke pirë kafe në shtëpi. Në bisedë e sipër Ashiku zbulon se motivet e romanit “Njeriu me top” ishin marrë ne Lishanin e Epër të krahinës së Luznisë.
Margaritarët njerëz të kulturave të ndryshme, margaritarët, peizazhe me ngjyrime të ndryshme do t’i takonte e përshkruante në të gjithë Shqipërinë, ku unë do të shkruaj disa prej tyre, sepse është e pamundur në një artikull të tillë në përvjetorin e tetëdhjetë të lindjes, t’i shkruajmë të gjitha.
Dhe ja në vitin 1959 deri në shtatorin e viti 1961 punon, shëtitën, shkruan në blloqet e tij, edhe joshjen nga aroma e luleve të pemëve në bahçet zdojanase e muhurrake ose duke ngulur piketat e para në plantacionet e arrave e mollëve, lajthive e kumbullave, ku freskia e erës së lehtë të brigjeve të Drinit e të Murrës e ngazëlleu e frymëzoi në krijime të reja. Vazhdoi udhëtimin entuziast, këmbëlehtë e vëzhgues i hollë i gjithçkaje duke takuar e shkruar për njerëz heronj të Katër Grykeve, Muhurit, Luznisë, Sinave e vizituar Bulaçin e dajat e tij,të fisit më të vjetër, prej disa shekujsh, Zhuzhi.
Maratonomaku dibran, tanimë si studiues, kërkues e grumbullues të dhënash në një ekspeditë në vitin 1962, “fluturoi” Ashiku me kolegët studentë e studente nga Shqipëria e jugut në Bularat e deri në rrafshnaltën e malet e Zagorisë të Gjirokastrës. Nga qafa e Devrinës vështroi me plot kureshtje peizazhet e mrekullueshme të Gjerbësit të Skraparit e luginën plot përthyerje të befasueshme të Tomorricës dhe duke u ngjitur deri në Shpirag e mësuar legjendat e tij.
Nga bjeshkët hijerënda të Razmës në malësitë e Shkodrës, vështroi bukuritë mahnitëse të brezareve të fshatarëve të Vrithit punëdashës e bujqër duarartë. Nga qyteti i Pukës udhëtoi plotë kërshëri drejt Qerretit e zbriti në luginën e ngushtë të Drinit në Koman, me lodhje fizike në gjymtyrë, por me frymëzime të reja, për të shkruar reportazhe e përshkrime peizazhesh mahnitëse plot dritë e rreze dielli të kuqëluara mëngjesore.
Ekspedita arrin në Kukës e përshkon malet për në Bicaj, Kolosianit me shumë histori, tradita e njerëz bujar, shkel i habitur e plot emocione bjeshkët e Shishtavecit e mrekullohet nga Lugina e Valbonës e ujët e saj qelibar, duke u kënaqur me një banjë në të nxehtin e korrikut.
Gjithmonë në lëvizje me trajektore të stërzgjatura në kërkimin e fakteve, heronjve, ngjarjeve, në gjirin e maleve, natën me yje e ditën me borën kallkan e verën e nxehtë prush zjarri dru dushku. Dhe ja, duhesh shkruar për ditën e gjeologut, 23 gusht. Ishte viti 1964, prandaj ngjitet bjeshkëve krenare me bukuri magjepsëse të Oroshit, duke shijuar ujin e ftohtë brisk në Livadhet mbushur me lule të Fushë Lugjeve. E pastaj një natë me gjumë të lehtë i gazetarit Ashiku në çadrën e Gëzim Shimës ne Nëmshejt të Mirditës, duke lozur me xixëllonjat e ndjerë aromën e luleve të barërave të bjeshkëve, e zgjuar nën simfoninë e ëmbël të cicërimave të zogjve të mëngjesit alpin.
Nuk u lodh pena e tij duke mbushur blloqet me shënime, nuk u ankua kurrë makina e shkrimit nga lëvizja e pandërprerë e tastierës deri natën vonë, nuk murmuriti as edhe një fjalë makina fotografike duke fiksuar në celuloidin e tij dhjetëra fotografi e ndjerë rrahjet e zemrës, frymëmarrjen e sforcuar nga lodhja e të zotit të vet, gazetarit shëtitës, gjurmues të personazheve, ngarkuar me heroizma të njerëzve të punës, muzikës, artit, intelektual, specialist të fushave nga më të ndryshme.
Por edhe kjo ndërmarrje e vështirë do të pësonte një thyerje, një goditje, nga tajfuni i ndryshimeve politike e ekonomike të Shqipërisë në fillimet e viteve 1990. Pikërisht në korrikun dramatik të vitit 1996. Pena do t’i ngrinte në dorë, frymëzimi do t’i ndalesh nga diga e kërcënimeve huliganeske: “O mbyll gojën, ose do të rrëmbejmë fëmijët”. Arsyeja ishte e thjeshtë: Po digjeshin, fabrika, kombinate e vreshta. Sëpata e motosharra po priste ullinj e pyje shekullorë, plantacione pemësh e vreshtash, miliona të tilla, po rrafshoheshin për tokë ndërtime të ndryshme, lapidarë, rrugë, ura, zyra kooperativash e ndërmarrjesh etj. Ndërsa gazetari Ashiku, dëshmuesi i zhvillimeve e rritjes së tyre, duhej të shkruante katastrofën e tyre në faqet e gazetave. Por kjo dëshmi nuk i pëlqente një pjese njerëzish e partish politike. Prandaj pas plot 34 vjetëve, gazetari maratonomak, penë artë, kronikani serioz, i zellshëm e gjithë pasion, do të udhëtonte drejt jugut, por tanimë, jo si studiues e gazetar, por si i kërcënuari, zemërthyeri, shpirt helmuari, i dëbuari nga shteti që nuk kishte forcë, dinjitet e ligje që ta mbronte. Atëherë kapërcen kufirin shtetëror bashkë me djalin e madh katërmbëdhjetë vjeçar për dore me 21 korrik 1996, duke shkelur tokën greke si i syrgjynosur.
Por heroi ynë, Balzaku i “Njerëzve që dua” nuk iu përkul kohës makabër, ai nuk iu gjunjëzua vështirësive të moshës e udhëtimit me kokë në torbë. Abdurahim Ashiku si emigrant iu nënshtrua punës si agronom me universitet, i bimëve bujqësore, luleve e perimeve, njohës i strukturës e plleshmërisë së tokës, duke punuar derisa doli në pension në Greqi.
Rizgjohet profesioni i të shkruarit në gazeta, madje më e vrullshme, me prurje të mëdha, orteqe dijesh kulture patriotizmi të zjarrtë, duke i botuar te gazetat “Vllazërimi”, “Rilindja XXI”, tek “E vërteta”, ku ishte kryeredaktor, “Emigranti”, “Gazeta e Athinës”, “Plus gazeta e Athinës”, këto të botuara në Greqi, dhe jo vetëm, ai shkruajti për shtypin në Shqipëri e portaleve në botë.
Heronjtë e tij tani ishin të syrgjynosurit, dramat e jetës së tyre në dhé të huaj, në ishujt e shumtë të Greqisë, në Selanik, Patras, Pelopones, Athinë, ku dhe banonte, duke përshkruar punën e peripecitë e tyre, të ngjizura fort me origjinën e tyre dibrane, matjane etj. Shqetësimi i tij rrodhi si një gurrë e fuqishme plot ndjesi patriotike, mbi shkollat shqipe, për fëmijët e të syrgjynosurve në Greqi. Duke botuar me pensionin e tij tre libra vetëm për shkollat shqipe të hapur në Greqi si: “Shkolla shqiptare e Athinës”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçe – një rilindës i kohës sonë”, ku të tërheqin problematika e trajtuar, historiku i hapjes së tyre, të mbushura me dashuri, përmallim e dhembshuri për atdheun e shkronjat e të shkruarit shqip të fëmijëve.
Temat rreth Dibrës së Poshtme nuk ju shterën kurrë. Gazeta “Rruga e Arbërit” u bë tribuna më e fuqishme e krijimeve të shumëllojshme të tij në fushën e gazetarisë. Qendra e gravitetit ishte dhe vazhdon të jetë përmbytja e luginës së Drinit, pjesës më të populluar e më prodhimtare të Dibrës së Poshtme nga hidrocentrali i Skavicës.
Shkrimin e parë e shkroi për qytetin e pazbuluar të Apolonisë, ku historia ishte mbuluar me dhé e ferra që atëherë dhe deri më sot, 64 vjet “kohë shkrimesh”. Edhe ky qytet u zbulua ndërkohë nga arkeologët, duke nxjerrë në dritë kulturën e një qytetërimi të jashtëzakonshëm me kulturë, që rrezatuan deri në qendrën e perandorisë romake, Romën. E njëjta ecuri në kohë e me hapësirë pothuajse mbarëshqiptare dhe greke, të njëjtat zbulime, të njëjta zhvillime ndodhën hap pas hapi në gurrën e pashtershme të krijimtarisë plot dinamizëm, freski të agronomit, intelektualit, gazetarit më me rendimet, më me cilësi e kohëzgjatje gjashtëdhjetë e katërvjeçare.
Udhëtimi i tij fillon më 11 maj 1941, i rritur nën kujdesin e nanës e të babait, pastaj një udhëtim i këndshëm, një jetë dinamike, i shkolluar, një shkrues në gur, dru, tokë e letër, për jetën e njerëzve e mjediseve ku jetojnë e punojnë. Pra, vetvetiu Abdurahim Ashiku ka realizuar mendimin e albanologut të shquar gjerman J.G.v. Hahn që: “Historia është bija e diturisë, pa shkrim nuk ka histori”. Ai ka shkuar më tej, duke siguruar një kartotekë fotografike prej dhjetë mijë fotografish. Vepra e tij duhet mbledhur, puna e tij e stërmadhe më shumë se gjysmëshekullore duhet vlerësuar, detyrë e të sotmes e të nesërmes.
Firence 20.04.2021