Vëllimi poetik “Imoralisti” merr çmimin “Bukinist 2020” në fushën e poezisë


Vëllimi poetik “Imoralisti” i shkruar nga Artan Gjyzel Hasani dhe i botuar nga botimet M&B, u shpall vëllimi më i mirë poetik nga platforma online Bukinist.al, botuar gjatë vitit 2020.
Votimi ishte i hapur gjatë Festivalit të Librit Bukinist 2021, që u zhvillua onlinë gjatë muajit mars-prill 2021. Në këtë festival pati një takime të ndryshme me poetë, shkrimtarë, përkthyes, botues të cilët sollën botimet më të reja, krahas problematikave që shoqërojnë librin vitet e fundit.
Përgjatë dy muajve janë zhvilluar votimet online në blogun Leximtari për të zgjedhur librin më të mirë të botuar gjatë vitit 2020. Në gjashtë kategoritë e përzgjedhura: libri për fëmijë, poezia shqipe, romani shqip, romani i përkthyer, libri non-fiction dhe libri i zhvillimit personal, ekipi i Bukinist.al kishte përzgjedhur 7 prurjet më të mira të vitit të kaluar në secilën prej kategorive. Votimi është zhvilluar deri më 2 prill 2021 për kategorinë e librit për fëmijë dhe deri më 22 prill 2021 për pesë kategoritë e tjera. Çdo votues kishte të drejtën e votimit një herë tek Leximtari. Në konkurim për gjinë e poezisë ishin edhe botimet e poetëve Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Bardhyl Londo, Petrit Ruka e Rudolf Marku.
“Imoralisti” është ftesë për një rrugëtim poetik në anën tjetër të së Vërtetës, një rrugëtim i gjatë nëpër tema të nxehta që nuk durojnë veshje të tepërta të shpirtit. Poezitë e këtij libri synojnë mesazhe të kundërta me moralizimet e dyshimta të epokës në të cilën jetojmë. Autoironia, sarkazma dhe cinizmi, mbeten edhe në këtë vëllim të ri poetik tipare dalluese të penës mjeshtërore të këtij autori. Depërtimi me guxim në thellësi të qenies njerezore, vetes dhe tjetrit, skanon shoqërinë dhe marrëdhëniet tona me njëri tjetrin, raportet tona me të “vërtetën zyrtare” të shpirtit dhe qënies.
Botimet M&B / ISBN: 9789928307569

IMORALISTI
(një poemë skiç mbi ferrin pa flakë)

Jo, mos i falëndero ata…
…ata që të deshën të mirën,
ata që u përpoqën pafund për ty,
ata që kur kishe frikë, të thanë: “Guxo!”
ata që të mësuan si të dhurosh lule,
por jo përdorimin e thikës.
Ata që të mohuan të drejtën për të gabuar,
ata që pranë të erdhën, kur të tjerët kishin shkuar
jo mos i falëndero…
Ata që të bënë kokën e të rritën,
ata me të cilët ndave fëmijërinë
dhe shpirtin ta dehën me gëzimin e tyre,
ato që me mëngjese t’i mbushën netët,
ndërsa nga djalë ngadalë u bëre burrë,
ata që në pëllëmbët e tua qiejt i zbritën
sa herë që zgjasje duart e nuk mund t’i arrije
balonat e tua fillkëputura…
Ata që të thanë se duhet të jesh zotëri
edhe mes atyre që Zot nuk kanë,
ata që të mësuan të mos përdorësh bërrylat
dhe që tjetri është vëllai yt,
ata që të thanë se paraja e prish njeriun
dhe varfëria është shenja e të ndershmit.
Ata që të thanë mos njih urrejtje,
se dashuria zbut edhe të ligun,
jo, mos i falëndero…
të gënjyen…
Bëhu djali i keq i shtëpisë, i rrugës,
lagjes, qytetit, më i keqi i gjithë botës,
me bukën e përditshme haje turpin,
ndryshe në gosti për ty nuk do të ketë vend.
Do të vdesin ata që të bënë mirë,
do të vdesin ata që të ndriçuan arsyen
do të vdesin ata që jetën ua nxive
do vdesësh dhe ti
bashkë me të këqijtë dhe të mirët
prindërit, edukatorët dhe predikuesit
do vdesin edhe ata që u mbajnë mend…
Jo, mos i falëndero,
të gënjyen…
Se nderi yt s’vlen as dy lekë, o njeri,
as ndershmëria me të cilën të rritën.
Do mbetesh në cep të ringut një jetë
me kurrizin mbështetur pas litarëve të lagur
pa u mbrojtur dot nga ata që fort të goditën
dhe mbi altar do të bien të djegur trarët
si dritë e bordellit mbi katedralet
kur të të shkelin me këmbët e tyre të palara
kur të poshtërohesh nga harbutë dhe kodoshë
kur të të qëllojnë pa mëshirë në fytyrë
dhe, pasi t’u kesh kthyer faqen tjetër,
do të të kërkojnë edhe bythën…
Në emër të kujt do të bëhesh bir i mirësisë?
Cila dritë hyjnore e jotja do të arrinte të ndriçonte
gjirizet e jetës ku as dritë e diellit s’hyn dot?!
Nuk i ke parë të mirët se si zvarriten rrugës pa fund
gjithnjë në radhë pas një maskarai që lehtësisht
arrin çdo gjë që ti nuk e fiton dot as me mund…
dhe mirëqenia e pasuria e tij veç shtohet
makutëria e tij kurrë nuk vdes…
Do kalosh nëpër të gjithë rrathët e ferrit, njeri,
para se të kuptosh se ndershmëria jote
nuk është virtyt,
por ves…
Jo, mos i falëndero ata,
ata që të mësuan të falësh e të mos vjedhësh
e pastaj të dorëzuan te turma e batakçinjve
që të plaçkitën xhepat, ëndrrën, jetën…
Ata që të ushqyen me fisnikërinë
edhe ndaj atyre që të çuan në djall,
ata që të mësuan të bindesh, por jo të luftosh,
ata që të thanë se hamsteri dinjitoz e ka vendin
veç në rrotë,
ata që të mësuan mirësjelljen dhe jo ligjet e burgut,
ata që të thanë që xhungla u përket vetëm bishave
dhe njerëzve veç ungjijtë e shenjtë,
por kjo botë është versioni pa flakë i ferrit, o njeri,
ku një si ty nuk mbijeton dot…
Një ditë të fundit, kur fundin ke takuar
s’do të kesh përgjigje kur të të pyesin fëmijët
dhe çka falënderove një jetë të tërë
me nofulla të shtrënguara ke për ta mallkuar…
sikur s’jetove kurrë
humbanak do të ikësh
kur jeta të të thotë “shko!”
dhe i lodhur për vdekje
do të mbyllësh sytë
dhe do të ndjehesh keq
nga poema të vonuara
të padobishme si kjo…