Gjimnazi “Fiqiri Dine” i Maqellarës


Nga Osman Xhili

Nuk e kisha besuar se do të përjetoja emocione aq të mëdha nga një ftesë, për të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të maturantëve në gjimnazin “Fiqiri Dine” të Maqellarës. Kisha qenë nxënës, por dhe mësues i kësaj shkolle, duke ruajtur kështu kujtime të bukura. Kujtime të hershme vinin në mendjen time, nxënës, profesorë, kolegë dhe drejtues, që dhanë më të mirën e tyre, për të arritur deri në këtë nivel të tanishëm, pesëdhjetë vjet më vonë.
Dekori dhe çdo gjë tjetër ishte përgatitur me aq kujdes dhe shije, saqë besoje se aty kishin punuar specialistë të asaj fushe dhe jo mësuesit e kësaj shkolle, që deri para dy orësh kishin qenë në auditore, bashkë me nxënësit, në procesin mësimor.
Fillimi i veprimtarisë ishte lënë në orën gjashtë pasdite dhe mbrëmja që po afrohej sikur i pështillte njerëzit dhe ngjarjet me një tis romantik. Drejtori i gjimnazit Miri Asllani, çel takimin me një fjalim të thjeshtë. Falenderon pjesëmarrësit, kolektivin e tij aq të përkushtuar, nxënësit që kanë përligjur besimin dhe punën e pedagogëve, duke premtuar se dyert e këtij institucioni arsimor do të jenë gjithnjë të hapura dhe dashamirëse për ato njerëz që kërkojnë dijen.
Më tej është një zonjë e nderuar që kërkon të përshëndesë.
“Mirë se ju gjej, miq të nderuar! Udhëtova anës Drinit, për të mbërritur në Maqellarë, që për mua është zemra e Dibrës. Është nder dhe privilegj, që sot ndodhem para jush. Të tjerë përfaqësues të familjes duhet të ishin tani këtu, sipas radhës që u takonte. Por unë jam këtu me zemër, jam çdo ditë mes jush, në këtë vend, që kaq shumë e dua. Unë jam Pranvera Berberi, mbesa e Dineve”.
Më tej mbesa e Dineve të shquar, tregon për Nasuf bej Maqellarën, që u shkollua në Turqi. Ai u bë strateg ushtrie dhe mori titullin bej. Dy djemtë e tij, Dinen dhe Izetin, Edit Durhani do t’i quante “tigrat e Dibrës”, për vlerat që pasqyruan në mbrojtje të integritetit të trevave shqiptare. Dine bej Maqëllara ishte përfaqësues i Dibrës në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920 dhe një vit më vonë zgjidhet senator i parë i Dibrës në Parlamentin e parë shqiptar. Këto vlera të shquara i çon më tej djali i tij, Fiqiri Dine, i shkolluar në Austri, kryeministër i vendit dhe dy herë ministër i brendshëm. Në përmbyllje të fjalës përshëndetëse zonja Berberi shprehet, se ky staf pedagogjik ju zhvillon aktivitete, si askush tjetër nga gjimnazet e Shqipërisë që unë kam parë. Përgëzime! Për mua jeni më të mirët dhe fat për nxënësit që ju kanë!
Mbesa e Dineve u largua nga skena disi e përlotur. Një vajzë maturante nxitoi ti dhurojë një tufë lule, që dukej sikur simbolizonte ata nxënës të mrekullueshëm, që gjendeshin para saj.
Demir Osmani, një nga ish mësuesit e parë të gjimnazit, do të kishte dashur shumë që të ndodhej në këtë ceremoni diplomimi, por punët e shumta e kishin pamundësuar. Në vend të saj dërgon një përshëndetje, që lexohet nga maturantja Vitrina Keshi. Në pak rreshta profesor Demiri tregon për atë fillim të vështirë, për nxënës e profesorë plot përkushtim për dijen, që e trasuan rrugën për të ardhur deri këtu. Përmenden me radhë emrat e tyre, që i bëjnë kështu dritë e shkëlqim kësaj shkolle e këtij gjimnazi, që tani ka mbushur plot gjysmë shekulli.
Orët e mbrëmjes rrokullisen pa u diktuar e festa po shkon drejt fundit . Shpërndahen certifikatat e diplomimit nga drejtor Miri e Pranvera, nga Gjurani e Dëfrimi, nga Osmani e Mexhiti, si dhe Drini e Rubini. Të gjithë duan të përshëndesin. Të gjithë kanë diçka për të thënë në këtë mbrëmje që duam të zgjatet pafundësisht.
Klejdi Kosiqi përshëndet nga qeveria e nxënësve, Angjela Uruçi, si nxënësja më e mirë, por dhe Klajdi Maksuti e merr fjalën si jashtë radhe. Nuk mundet ta mbajë në zemër atë respekt, atë vlerësim, që ka për mësuesit, që aq shumë e deshën, që aq shumë i dhanë në këto tre vjet.
Kameramanët e palodhur filmojnë pareshtur. Nuk duan t’ju shpëtojë asnjë detaj, sado i vogël nga kjo veprimtari mbresëlënëse. As hedhja tradicionale e kapeleve në ajër, as parakalimi simbolik nëpër rrugë dhe as këndimi i himnit të gjimnazit, kompozuar nga i madhi Përparim Tomçini. Dritë ju bëftë shpirti, këtij njeriu që aq shumë e deshi dhe aq shumë i këndoi popullit vet.

REZULTATET NE PROCESIN ARSIMOR

Gjimnazi i Maqellarës ka qenë historikisht ndër më të mirët e Dibrës, falë punës e pasionit të atyre breza mësuesish e pedagogësh, që nuk ditën ndonjëherë të thonë se u lodhëm e nuk mundemi më. Vitet e demokracisë e zbehën disi punën, por motorët e punës janë vënë sërish në kapacitet të plotë.
Drejtor Edmiri e ka nisur punën në këtë gjimnaz si mësues matematike dhe rezultatet e tij kanë qenë gjithnjë në rritje. Në vitet 2011 dhe 2013 u arritën tregues me të vërtetë cilësorë. Në vitin 2015 ato bëhen akoma më interesante. Nga 100 maturantët në total, 20 prej tyre marrin nënta e dhjeta në provimin e maturës shtetërore. Maturanti i asaj kohe, Olger Qoku merr pikët maksimale dhe vlerësohet me dhjetë të plotë, nga njëqind nota të tilla në gjithë Shqipërinë.
Dy vite më parë, Andeta Ilnica, një nxënëse e kësaj shkolle, për pak nuk fiton medalje ari. Vetëm dy nënta për tre vite nga dyzetë e ca lëndë. Të tjerat të gjitha dhjeta. Katër provimet e maturës i mori dhjeta. Këtë ritëm të lartë ka mbajtur dhe në fakultet, duke mbetur një shembull e model për studentët e tjerë.
Një nxënëse tjetër shumë e mirë këtë vit ka qenë Angjela Uruçi, siç e përmendëm pak më parë. Vetëm një 0,1 përqind e ndan atë nga nota dhjetë për tre vitet e shkollës. Të tillë nxënës të përkushtuar që afrohen me të ka shumë dhe ata janë yjet që i bëjnë dritë kësaj shkolle, që kërkon lartësi të reja.
Drejtor Miri thotë se një nga treguesit e cilësisë mësimore në këtë shkollë është numri i studentëve që ndjekin studimet e larta. Kjo përqindje, thotë ai e kalon atë në shkallë Republike. Ai është i sigurtë, se nga 100 studentë që kanë mbaruar këtë vit, mbi gjysma e tyre do të fillojnë shkollimin e lartë në muajin tetor.
Kolektivi i mësuesve janë një staf prej 20 vetësh. Emanuela Dema dhe Ermela Erebara janë të angazhuara vazhdimisht me projekte të reja. Zamira Gjeleshi, Nezihate Gazidede dhe Ermira Tafçiu janë vazhdimisht një mbështetje e fortë për kolektivin. Behar Dedja dhe Rozeta Xholi, kanë klas dhe finesë në mësimdhënie, kurse mësues Gjurani e Rasimi afrojnë eksperiencën e moshës. Ata ndoshta nuk janë yje, por kur ata bëhen bashkë e kompaktësohen, kur punojnë në ekip dhe çmojnë e ndihmojnë njëri tjetrin, puna e tyre ka bereqet. Dhe në vitin e vështirë të pandemisë ata shkëlqyen si staf. Bënë trajnime nga më të ndryshmet, bënë orë mësimi në Zoom, në Classroom, realizuan video-leksione cilësore, që u shfrytëzuan mjaft mirë nga nxënësit e tyre.

Veprimtari në shkollë

Në fjalën e saj përshëndetëse, mbesa e Dineve, Pranvera Berberi, tha se “stafi juaj ju bën aktivitete, si askush tjetër nga gjimnazet e Shqipërisë”. A thua i rrëshqiti fjala dhe qe një lapsus, deklarata e saj? Natyrisht që jo. Dhjetëra herë ta përsëriste fjalimin zonja e nderuar, të njëjtën gjë do të thoshte. Ajo i njeh nga afër gjimnazet e Tiranës. E nëse ata nuk bëjnë më shumë aktivitete, cili tjetër do të bënte më shumë në Shqipëri? Por gjithsesi, të mos nxitojmë e të hedhim një sy në agjendën vjetore të gjimnazit “Fiqiri Dine”.
Të gjithë e dimë që ky grupim i madh aktivitetesh ndahet në dy më të vegjël, kulturore dhe sportive. Është e vështirë të gjesh një datë bosh tek kjo shkollë, pa pasur qoftë dhe një veprimtari të zakonshëm. Muaji tetor i letërsisë, si dhe muaji nëntor i festave çelin siparin e tyre. Nxënësit garojnë kush e kush të performojë më bukur e të meritojë vlerësimin. Në historikun e viteve janë shquar si të tillë, Suada Kurtaga, Ejona Selami, Engjëll Hoxha, Klea Toçi, Xheni Nurçe, Shahe Skuka, Anxhela Kodra e shumë të tjerë. Nxënësit e kësaj shkolle kanë vënë në skenë pjesën “Romeo dhe Zhuljeta”, a thua se janë një trupë e mirëfilltë profesioniste. Talente gjen dhe në fusha të tjera të artit.
Lazea Nurçe është një vajzë e pasionuar pas pikturës. Aq të bukura e me grim janë punimet e saj, sa mendon se dhe në të ardhmen ky do të jetë drejtimi që do marrë jeta e saj. Disa prej këtyre studentëve do ti takojmë udhëve të jetës, si gazetarë e shkrimtarë, si piktorë e artistë, me vepra të bukura e dinjitoze, që do të nderojnë veten e tyre, Maqellarën nga kanë ardhur, por dhe më shumë se kaq.
Dhe pse oborri i shkollës është disi i ngushtë, ai zien nga aktivitetet sportive. Volejbolli ka fituar shkallën e qytetarisë. Te fusha e volejbollit është e vështirë të gjesh radhë për të luajtur, në çdo ditë të vitit. Aktiviteti kulmon më pas, në muajt prill dhe maj, kur veçohen më të mirët nga klasat dhe individët. Vitin e kaluar u konkurrua dhe në rang rrethi në këtë lloj sporti, ku djemtë e Maqellarës fituan vendin e parë dhe titullin kampion. Dorjani Topalli, Ervis Dedja, Marjo Kilja dhe Martin Elezi ishin yjet e kësaj skuadre. Ata u mbështetën në çdo moment nga mësuesit e edukimit fizik, Krenari dhe Alberti, pa harruar Nexhat Agollin, 70 vjeçarin, që aq shumë i ka dhënë dhe po i jep sportit në Maqellarë.
Jo pak arritje ka dhe në futboll, por në kampionatin e përvitshëm lokal, djemtë aktivizohen në bazë të skuadrave të fshatit. Një risi për gjimnazin është dhe sporti i basketbollit, që të rinjtë po e pëlqejnë çdo ditë e më shumë. Fusha e re, e krijuar aty pranë me forcat e vetë stafit, mbledh gjithnjë e më shumë dashamirës dhe shumë shpejt do të rritet konkurrenca dhe në këtë lloj sporti.
Aktivitetet e shkollës bëhen gjithnjë më të dendura e të larmishme. 22 prilli është dhe dita e tokës. Në këtë ditë nxënësit rregulluan lulishtet e shkollës, sollën vazo dhe mbollën lule të reja në to. U shtua akoma numri i bimëve dekorative të mbjella në oborr. Roland Doda është një ish nxënës i kësaj shkolle, që sot punon në drejtorinë e pyjeve të qarkut Dibër. Ai u foli të rinjve për pyjet dhe kullotat në rrethin tonë, vlerat dhe rëndësinë e tyre, kujdesin që duhet të tregojmë për to, si një lidhje organike e njeriut me natyrën.
Vetëm para pak ditësh në qytetin e Peshkopisë, vajza dhe gra dolën masivisht në një manifest në mbrojtje të grave të dhunuara. Nxënëset e gjimnazit “Fiqiri Dine” ishin në ballë të këtij aktiviteti, duke i dhënë tonin dhe dinamikën e duhur.
Ne thamë dy, por qenka dhe një lloj tjetër aktivitetesh, që do ti quanim si të bamirësisë. Shpirti i këtyre të rinjve e të rejave, është i butë, i ndjeshëm dhe human. Saherë që bëhet fjalë për një njeri, apo grup njerëzish në nevojë, ata janë gati të bëjnë të pamundurën. Të ecin, të lodhen, të kërkojnë tek të tjerët, por shpesh dhe nga vetja dhe familjet e tyre. Me rastin e tërmetit të 27 nëntorit, një përfaqësi nga qeveria e nxënësve arriti të grumbullojë 3,5 milionë lekë në shumë pak kohë, duke ua dhuruar njerëzve në nevojë. Në një rast tjetër, kur ndodhi një fatkeqësi në fshatin e Dovolanit, nxënësit arritën sërish të mblidhnin një shumë të tillë, për ti zbutur sadopak dhimbjen kësaj familje të dëshpëruar.
Është viti i tretë që gjimnazi “Fiqiri Dine” ka marrë një nismë të bukur, të titulluar “Festo dhe ti me ne”! Bëhet fjalë për familjet në nevojë,që nuk kanë mundësi të festojnë Bajramin dhe festat e tjera, si fqinjët e tyre. Këto nxënës të mrekullueshëm përpiqen ta zbusin disi këtë situatë, ta mbushin këtë hendek pasurish, duke mundësuar për to pako ushqimore, që kanë brenda shumë artikuj konsumi. Këtë vit arritën të krijojnë 12 pako të tilla, duke marrë një pjesë gjërash dhe nga familjet e tyre.
Viti shkollor është gati në të mbaruar. Drejtori i shkollës bën bilancin, që duket mjaft pozitiv dhe hedh sytë në vitin që po troket në derë. Shumë objektiva janë realizuar, por dhe shumë të tjerë ka akoma. Shkollës i duhet një gazetë, qoftë dhe periodike, ku të rinjtë të pasqyrojnë veprimtarinë e tyre. I duhet dhe një palestër, që do të shfrytëzohej mjaft dhe nga komuniteti. Bile të bën habi se si një shkollë e ndërtuar vetëm dy vite më parë dhe nuk ka të përfshirë një palestër në projektin e saj? Por dhe ideja e një libri me rastin e 50 vjetorit të gjimnazit, është hedhur tashmë në tavolinë. Duket se vendosja e emrit të “Fiqiri Dines”, të këtij burri të shquar të Dibrës e të Shqipërisë , i ka sjellë mjaft fat dhe reputacion gjimnazit të Maqellarës. Me punë, angazhim dhe përkushtim këto vlera do të rriten akoma më shumë në të ardhmen, duke u bërë pararojë për këtë komunitet punëtor e besimtar.