Hoxhë Bajram Buci (Mullà Bajrami), teologu, ideologu, luftëtari dhe martiri i Rilindjes Kombëtare Shqiptare


Nga Qazim SHEHU

Të shkruash për paraardhësit e tu, edhe kur ata kanë qenë njerëz të zakonshëm, është obligim moral e shpirtëror, por të shkruash për ata paraardhës të cilët kanë lënë gjurmë jo vetëm në jetën e fisit, por në historinë kombëtare, ky është obligim mbi obligim, që kthehet në detyrë të shenjtë kombëtare, morale dhe njerëzore, sepse për figura të tilla të gjithë kemi nevojë të lexojmë e të dimë. Një figurë e tillë është Hoxhë Buci (Mullà Bajrami), teolog, ideolog, luftëtar dhe martir i Rilindjes sonë kombëtare, një figurë sa krahinore, aq edhe kombëtare, njeri i mësimit të shtatë gjuhëve të huaja, që njohuritë e tij dhe mësimet morale i vuri në zbatim si luftëtar e trim, duke dhënë edhe jetën në luftë kundër serbo-maqedonasve më 1913, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga gllabërimi shovinist.
Prezantimi i një figure të tillë plot dinjitet, mirësi, që fjalën kurrë nuk e ndau nga vepra, është gjithmonë një ogur i mirë ose shkaku për ta rritur e forcuar ndjenjën e krenarisë kombëtare, në shëmbëlltyrën e këtyre korifejve të patriotizmit brilant.
Mevludi, stërnip i tij, ka marrë penën dhe me afshin e shpirtit ka mundur të realizojë një libër për këtë figurë, që, sa ç`është edhe e tij, bëhet e të gjithë kombit. Me të drejtë, ai mund të radhitet për krah personaliteteve madhore si Abdyl Frashëri (shok i tij), Elez Isufi, Iliaz Pashë Dibra(sekretar i tij), Vehbi Dibrës, Ismail Qemalit dhe Dom Nikollë Kaçorrit etj., duke sjellë në fushën e Rilindjes sonë kombëtare një shëmbëlltyrë të shkëlqyer. As që mund të vihet në dyshim dhe të lëkundet ky përvijim i portretit të tij shkëlqimtar, po të kemi të qartësuar vetëdijen se Hoxhë Buci, gjithçka që mund të thuhet në kufijtë e adhurimit për të, që rrezaton vetiu, e përmbush natyrshëm me vlagën patriotike të vetvetes të tij sipërore.
Mevludi (poet, shkrimtar, studiues), i listuar në vitin 1999 si luftëtar –vullnetar në luftë për çlirimin e Kosovës, e ka pasur të lehtë ta shkruajë këtë libër (krenaria e ligjshme, dashuria dhe malli për paraardhësit), por edhe të vështirë, sepse sa ç`është paraardhës i tij, ai mbetet bir i lavdishëm i kombit, me një aktivitet të jashtëzakonshëm dhe se, në vitin 1967, në kulmin e marrëzisë, kur u sulmua feja dhe arkivi i Hoxhë Bucit u dogj, bashkë me të humbën qindra dokumente të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku Hoxha ishte me themeltarët. Megjithatë, kujtimet e brezave nuk shterojnë, historia është gdhendur përjetësisht në memorien kolektive dhe e sjell oshëtimën e ngjarjeve të mëdha dhe profilin e ndritur të ideologëve dhe krerëve kryengritës.
Dibra është një zonë me tradita të lashta të patriotizmit, një trevë e mençurisë dhe alegorisë; ajo me Nëntë Malet e saj, si institucion i besëlidhjes dhe i kuvendimit për të marrë vendime në kohën e duhur, ka ditur gjithmonë të ruajë të shenjtë fjalën dhe burrërinë, duke i ndenjur dalëzotëse kombit në çaste të vështira dhe duke përmbushur me sakrifica të panumërta detyrat e saj ndaj atdheut dhe historisë. Kjo trevë me një popull luftarak e të mençur, ka nxjerrë burra të fortë e me peshë, heronj e mentarë, burra të pushkës e të fjalës, krerë të rëndësishëm që janë gjetur në momente vendimtare aty ku duhet dhe kur duhet. E ndodhur e ekspozuar nga sulmet turke, serbe e të hordhive të panumërta pushtuese-asimiliuese, kjo krahinë, me një shtrirje të madhe, u ka qëndruar atyre si një kështjellë e pakapërcyeshme për të mos depërtuar armiqtë më tej në trevat shqiptare, duke dhënë maksimumin e saj, e për këtë historia e saj, që rrezaton në të sotmen e do vijojë të frymëzojë gjithmonë, meriton respekt dhe imponon vetiu adhurim.
Edhe njerëzit e mëdhenj të saj, krerët, drejtuesit, luftëtarët me zë, shihen si pjesë e kësaj treve; ata u lindën, u rritën dhe u formuan me frymën e mençurisë së paraardhësve të tyre, morën edukimin në odat e lashta dibrane, pastaj u ngritën edhe falë aftësive vetjake, për ta vënë emrin e tyre në odeonin e lavdisë së kombit. Një nga këta është Hoxhë Buci i Katër Grykëve, bir i këtij Mali Historik, i rritur dhe i edukuar me frymën liridashëse të të parëve të tij, por edhe më gjerë, i brumosur me idealet e larta të Rilindjes Kombëtare, i pajisur me një kulturë të madhe lindore e perëndimore, i gjendur aty ku duhet, kur, në moshën 70 –vjeçare, rrok pushkën dhe shkon e vritet për atdhe. Asgjë nuk i përket rastësisë, edhe pse përmes saj çan rrugë e domosdoshmja. Edhe i ati i tij, Daliu, u vra në Tuz kundër pushtuesit malazes, edhe i biri i Hoxhës (Mustafai) u vra bashkë me të atin, edhe Mevludi, stërnip i tij ka gdhendur me vargje në veprat e tij me dhjetëra e qindra poezi për atdhetarë, si një patriot e njeri me plot frymëzim për kombin e vlerat e larta morale të tij. E gjithë kjo llavë vullkanike e dashurisë për atdhe e mban gjithnjë ndezur kuptimin për fisin e mirë e të shquar, si një rrënjë e fortë e pemës së kombit.
Hoxhë Buci ishte teolog, ai i kishte përvetësuar mirë mësimet e fesë dhe dinte t`i ushtronte ato përmes një komunikimi të ngrohtë e të bindshëm. Respekti për njeriun e ditur në ato kohëra ishte tejet maksimal dhe si i tillë ai na shfaqet, dhe vjen përmes përfytyrimit të kujtesës, kur duhet të mendojmë se mësimet e shenjta Kur`anore gjenin rrugë e hynin në zemrën e këtyre malësorëve të mirë, duke sjellë pak ilaç shpirtëror në ato kohëra të mugëta pushtimi, po kurrsesi nuk krijonin një verbëri as bindje qorre, sepse Mullà Bajrami e lidhte teologjinë me jetën, me moralin shoqëror e me atë kombëtar; si i ditur ai dinte ta bënte këtë. Si njeri i shkolluar, ai kurrë nuk e ndau fenë nga kombi, nga atdheu, nga liria, dhe këtu ai ngjitet në shkallën tjetër të ideologut, të njeriut që di të përhapë idetë e tij, t`i përçojë ato bindshëm, në përputhje me rrethanat e krijuara, të cilat edhe pse ishin të pafavorshme, ai mundi dhe ia arriti të mobilizojë idetë e tij përmes sistemimit të tyre. Si ideolog, Mullà Bajrami u formua përmes njohurive të tij, universitetit, kontakteve që pati me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Iliaz Pashë Dibrën, Abdyl Frashërin e figura të tjera të ndritura të Rilindjes sonë kombëtare.
Vetëpërsosja e tij morale –fetare shkonte paralel dhe ushqente bindjen e ideologjisë kombëtare, për të arritur deri te kapja e armës së luftëtarit, kur bindjet bëhen një shtysë përçuese se duhej bërë edhe kjo e fundit dhe kështu ai bie dëshmor dhe martirizohet në emër të çështjes kombëtare. Në këtë trinom të personalitetit të tij, vjen e plotësohet dhe merr vlerë të jashtëzakonshme edhe sot ky dëshmor, duke e shënuar atë, pas një shekulli e ca, si një shëmbëlltyrë që aktualizon dhe inspiron për shumëkënd që kërkon të jetë prijëtar në një fushë a shumë fusha.
Ideologjia e Rilindjes Kombëtare, siç e dimë, synonte, krahas lirisë nacionale, edhe drejtime të tjera, ajo e shihte lirinë më të gjerë se ajo kombëtare, duke sendërtuar ide dhe duke i përhapur ato në një kuptim konkret, si: arsimimi, kultura, politika qeverisëse perëndimore, në rrafshin e një rizgjimi të hovshëm dhe shpërthimi të gjithanshëm të energjive të ndrydhura, duke hedhur tutje natën e gjatë osmane dhe atë mentalitet pritës oriental. Në këtë vazhdë, edhe Mullà Bajrami, këto ide i përhap Odave Dibrane që kanë qenë gjithnjë universitetet e mençurisë dhe të rrahjeve së problemeve të holla e jetëdhënëse.
Mullà Bajrami i kishte studiuar mirë rrethanat kombëtare, zemërimin popullor ndaj masave shtrënguese të pushtuesit, ai njihte mirë gjithashtu problemet ballkanike dhe synimet lakmitare të shteteve fqinj, prandaj me intuitën e malësorit, vetëdijësimin e njeriut të sprovuar, aktivistit dhe prijetarit, e kuptonte se Shqipëria tashmë duhej të lëvizte, se kjo kërkonte luftë në të gjitha drejtimet: politike, diplomatike, organizative dhe luftarake, e për këtë nuk duhej humbur kohë dhe kërkohej përshpejtim i lëvizjes dhe kontributit që kulmon me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku atë e gjejmë përkrah Iliaz Pashë Dibrës, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sulejman Vokshit dhe figurave të tjera. Ky kontribut i tij është i veçantë, edhe kur gjendet si sekretar (qatip) i Iliaz Pashë Dibrës, edhe kur shoqëron Abdyl Frashërin nga Katër Grykët, e merr atë në besë dhe e përcjell shëndoshë e mirë për në zona të tjera, në kushtet e terrorit, survejimit dhe të papriturave të ndryshme, që mund të ndodhnin.
Duke e pasur të kristalizuar botëkuptimin e tij patriotik, i bindur se çfarë duhej bërë, ai arrin të ngrihet nga dita në ditë dhe të lartësohet si një prijës mbarëpopullor, ku ndjenja kombëtare i jep krah dhe e shtyn drejt veprimtarive të shumta në dobi të saj. Kjo ndjenjë e shtyn atë drejt organizimeve, kuvendeve, ku merr pjesë si delegat i Katër Grykëve, në Kuvendin e Dibrës, për shembull, dhe aty dëgjohet duke shpalosur idetë e tij jetëdhënëse.
Edhe kaq sa ka mbërritur informacioni, figura e tij është e madhe, por ne nuk i dimë se ç`përmasa më të mëdha do të merrte ajo, nëse nuk do të ishte djegur arkivi i tij më 1967, në atë vit të zi, kur regjimi komunist nuk kurseu as fetarët patriotë. Aty, në atë arkiv, ishin dokumente, vula, fjalime të krerëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të cilat po të ishin sot do të përbënin një pasuri të madhe për studiuesit dhe do ta ndriçonin më tepër këtë personalitet dhe historinë tonë.
Duke iu qasur të vërtetave historike, ato gjithmonë i ka ndihmuar edhe dokumenti, por edhe kujtesa popullore, e cila e ka ruajtur të gjallë jetën dhe aktivitetin e tij gjer në ditët e sotme, për ta përjetësuar si një protagonist madhor, historik-patriotik-fetar-kombëtar. Kjo kujtesë, por edhe dokumenti, përcjellin më së miri gjithë atë luftë që është bërë kundër pushtuesit turk si dhe fqinjëve ballkanikë, të cilët, me ardhjen e Pavarësisë së Shqipërisë, u turrën si çakej për të gllabëruar tokat shqiptare. Edhe në këtë kohë, ndonëse në moshë të shtyrë, Hoxhë Buci nuk e ndali veprimtarinë e tij, as përpjekjet e pareshtura, për t`i jetësuar idetë e tij liridashëse, që vijnë gjithnjë në ngjitje dhe marrin vlerë të re. Ai e kuptonte se rrezikimi i Dibrës, ishte rrezik për kombin, se rënia e saj sillte një portë të çelur për pushtuesin, se Dibra ishte dhe mbeti barriera e pakapërcyeshme për të, se kjo nuk mund të ndodhte dhe kurrsesi nuk duhej të ndodhte, ndaj, në moshën të thyer, e rrok pushkën së bashku me të birin dhe shkon e lufton në malet e Petrinës, duke çliruar Strugën e duke e shtyrë armikun deri në Resne. Hoxhë Buci nuk ishte i vetëm, bashkë me të ishin me qindra e mijëra dibranë, luftëtarë të lirisë. Idetë e mbjella dikur prej tij kishin dhënë rezultat, tashmë nuk luftohej “as për mua, as për ty, por për gjithë Shqipëri”, siç thotë kënga popullore. Gjaku i Mullà Bajramit, njomi tokën e Petrinës dhe eshtrat e tyre bashkë me të birin Mustafanë u mbollën në të, për t`u kujtuar brezave të ardhshëm kufijtë e tokës shqiptare dhe diplomacive evropiane se çfarë masakre kishin bërë me një popull fisnik evropian.
Lufta e Dibrës kundër shovinizmit serb nuk është një vetëmbrojtje e thjeshtë, ajo është luftë e cila u çimentua në saj të ndërgjegjes kombëtare, për të cilën kishte bërë ideologun dhe përhapësin e saj edhe Hoxhë Buci. Në këtë luftë shkëlqen figura e Elez Isufit, Avdi Dervishit, Taf Kaziut, Dine Hoxhës, Halit Lleshit e të tjerë udhërrëfyes të shtigjeve të vështira, organizmi perfekt i tyre, ndarja e detyrave, besëlidhja dibrane, por njëkohësisht i atyre luftëtarëve që “u këndonin pushkët nëpër kulla”, siç thotë një varg i këngës popullore dhe “gratë në llogore e binin bukën”.
Panorama e luftës së Dibrës kundër pushtuesit të ri serb, nuk mund të kuptohet ndryshe veçse prej heroizmit të saj, ajo merr përmasa dhe dritë lavdie, ashtu siç është në të vërtetë, gjer në ditët e sotme. Është një akt i madh, i turpshëm i tragjedive ballkanike, i këtyre popujve dhe shteteve, të cilët nuk donin t`ia dinin për tjetrin dhe ishin turrur si ujqër të uritur mbi copat e majme shqiptare. Edhe kur Shqipëria doli në vete, me gjysmën e saj, ata nuk u mjaftuan, ëndërronin Shkodrën, Durrësin, ta zhbënin atë krejt nga harta, duke kënaqur orekset e tyre të gllabërimit.
Edhe në vitin 1920, shkëlqen edhe një herë lufta e dibranëve – në Bufull të Selishtës afër Luznisë. Në mbrojtjen e lirisë, ku merr pjesë dhe Hazis Buci, nipi i Mullà Bajramit dhe babai i Mevludit. Studiuesja Emrie Skuka (Mera)na jep të dhëna interesante mbi përmasat e kësaj lufte dhe reprezaljet serbe në Dibër, por edhe qëndresa popullore që iu kundërvu me guxim dhe heroizëm kësaj masakre. Studiues të tjerë si Hysen Dervishi, Faik Bruçi, Moisi Murrja, Xhafer Martini, e sjellin Hoxhë Bucin në librat e tyre, duke shtuar këtu edhe shkrimet e historianëve Kristo Frashëri dhe Stafanaq Pollo e Selami Pulaha.
Mevlud Buci ka thirrur në librin e tij mjaft burra-dijetarë të tregojnë për Mullà Bajramin, ashtu siç ndodh në një pritje miqësore në odat e Dibrës, ku zihet fjala e filli i saj shtjellohet përmes rrëfenjës dhe mendjes; kjo është një mënyrë organizuese dhe kompozuese që përcillet me vijimësinë e ngjarjeve të ndryshme, të cilat ndriçojnë portretin e plotësuar të Hoxhë Bucit. Duke i thirrur studiuesit me rrëfimet dhe shtjellimet e tyre, si dhe analizat, kështu ai ndërton arkitekturën e librit dhe pikturon, me më të mundshëm, portretin e protagonistit, ndriçohen ngjarjet duke u vendosur në kontekstin historik, bëhen paralelizmat e duhura, dhe të gjithë studiuesit përcjellin pamje e këndvështrime të ndryshme, të cilat konvergojnë në disa pika: shkollimin e Hoxhë Bucit, pjesëmarrjen e tij në Lidhjen e Prizrenit, luftën e tij dhe rënien në Petrinë. Këto pika janë një lajtmotiv i fortë, por edhe disa shtylla apo gurët e qoshes, mbi të cilat ngrihet ndërtesa kompozuese e veprës.
E rëndësishme është këtu edhe një poemë e Mevlud Bucit për Mullà Bajramin dhe figura të tjera, aforizmat e krijuara nga autori, toponimia e Lukanit të Katër Grykëve, të cilat sjellin një vështrim tjetër artistik mbi Hoxhë Bucin dhe trevën në tërësi. Në vargjet e tij:
Bajram Buc liria
Gen me xhevahirin
Sulet si vetëtima
Ra n`mejdan me t`birin.

Avdi Sul Dervishi
Si fajkoi i malit
Me plagë te shtati
Përkrah vlla Shabanit.

Ku të kam Avdi Sula
Thirrte Mullà Bajrami
Sulen dragonjtë burra
Dridhet din-dushmani…
Shprehet më së miri ideja se Hoxhë Buci, përkrah luftëtarëve të tjerë, jo vetëm u bë shembull për ta, por mori prej tyre forcë, pra, ai shihet si një luftëtar dhe hero në një kënd konceptues liriko-epik më të gjerë.
Ky vështrim që e shikon individin si produkt i rrethanave historike dhe të komplementuar përmes të tjerëve, është një vështrim realist, krahas atij të mbështjelljes së portretit të tij me romantikën drithëruese të epikës.
Prijës lirie-dritë Arbëria
Si Llan Destani i lirisë,
Si Shaban, Avdi e Ramë Avdia
Katër Grykët –vatër e Lirisë.

Paska ra çaj Dali Buci
Për flamur, për shqiptari,
Djali e nipi trima mejdani
N`at Petrinë ranë për liri.

N`at Petrinë ranë për liri
Hoxhë Buci me të birin,
Trima t`rrallë lind për Arbëri
Krah për krah me Hoxhë Bodinin.
Në këtë poemë me tone ngjethëse, që ka sjellë edhe një figuracion retorik e tribunal, Buci edhe një herë përmes frymëzimit të tij të hovshëm jep tablonë e atyre burrave emërndritur që iu gjendën krah për krah njëri- tjetrit dhe kombit të tyre në ato çaste të vështira, që u vulosën me gjakun e martirëve. Ata ishin burra që veten e tyre e provuan në mejdan të luftës, në log të burrnisë, aty ku derdhet gjaku dhe i shërbehet një çështje të madhe dhe interesi i vetëm është liria, dhe mbrothësia e Shqipërisë.
Kjo poemë me një frymëzim të ligjshëm, nuk përcjell vetëm kohën e shkuar, por edhe të sotmen, edhe të ardhmen ndërsa poeti shprehet:
N`shekuj rrojnë gjyshat tanë.
Në shesh-mejdan e derdhën gjakun
Nderuan trojet, brezat, bajrakun,
Dibra e Gjergjit i ka në altar
Këta dëshmorë t`kombit amtar.
Në rrjedhën e këtij vlimi krenar vijnë edhe këto vargje plot patos, siç e thotë poeti: “Dibra e Gjergjit i ka në altar, këta dëshmorë të kombit shqiptar”.
Aq bukur, me vargje sintetikë, poeti i këndon Teqes së Hoxhë Bucit, duke sjellë në fokus nderimin për këtë teolog të madh, dritëshenjtëria e të cilit shpërndahet në shumë fusha të jetës dhe nuk përcaktohet më shumë, se kë ndriçon më mirë. Ai këndon:
Ti je vend i shenjtëruar
Ti je toka e bekuar,
Ti je vatra e mirësisë,
Ti je sofra e bujarisë
Ti je drita, ti je kënga
Bardhësi je në zemra.
Ti fal dritën e bekimit
Ti je besa e vllaznimit.
Libri i Mevlud Bucit meriton leximin, jo vetëm pse jep një informacion të qartë e të bollshëm për Hoxhë Bucin, por edhe pse aty paraqitet historia e Dibrës, meriton, për ndjeshmërinë e lartë dhe respektin që shpalos ndaj dëshmorëve të kombit, për kapitujt e shkurtër esencialë, ku bie në sy saktësia, shkurtësia dhe prova e jetës, mbushur me tërmete historike. Me aq saktësi jepet për shembull shkrimi i Faik Bruçit për Dali Adem Bucin, i vrarë në minierën e Bulqizës apo shkrimet e ndryshme të Moisi Murrës e Xhafer Martinit dhe Hysen Dervishit. Këto rrëfime që shkohen shpesh në fill të analizës, dëshmojnë një histori të gjallë plot kthesa historike, ku njerëz si Hoxhë Buci janë kurora e tyre.
Edhe në aforizmat Buci sjell një përvojë e mençuri të jetës. Të ngjan se këto shprehje i shqiptojnë burrat e vjetër në ato odat e lashta, ku fjala ka peshë të rëndë dhe gdhendet përmes mendjes së mprehtë. Ja disa prej tyre:
“-Mullà Bajram Buci ishte burrë i besimit, kushtrimit dhe i paqëtimit, ndaj gëzonte e rrezatonte dritën e vëllazërimit
-Ta thotë zemra, ta gdhend guri, s`ka si liria, s`ka si flamuri!
-Çdo plis toke, çdo grimcë dhe u pikon mall, për njeriun zemërartë e atdhetar.
-Trinomi i atdhedashurisë: Mirësia, besimi dhe shembulli përpara historisë.
-Ata që janë flijuar për atdhe, në përjetësi e brezni do të rrezatojnë si dielli mbi re.
-Në popull me dritën e besimit, të vëllazërimit e mësimet e Kur`anit qëndronte shpirtshenjtëria e Mullà Bajramit.
-Në asnjë brez e në asnjë karar, nuk ka fituar ai që nuk ka shpirtbehar”.
Në këto aforizma shprehet një përvojë e gjatë, ato kanë forcë të caktuar ndikuese, shpalosin një jehonë kujtese, çelnikosin besimin dhe rrisin e ngrejnë lart virtytin patriotik.
Në këtë libër, shkruhet edhe për autorin Mevlud Buci. Hysen Dervishi, autor i dy librave për Dibrën, shprehet: ” Mësuesin Mevlud Buci e karakterizoi palodhshmëria dhe intuita e madhe për t`u futur në brendësinë psikologjike të bashkëfshatarëve të tij. Mevludi i dha shumë vendlindjes si mjeshtër i përsosur i virtyteve më të mira të edukimit, me normat e moralit, të mirënjohjes dhe të dashurisë, dhe respektit reciprok midis individëve dhe edukimit të nxënësve si mësimdhënës i mirë.
Mevludi shkëlqeu në punën e tij si edukator por edhe si njeri me botëkuptim altruist e mendimtar modern. Katër Grykët, për Mevludin u kthyen në një shkollë të madhe edukimi, në një qendër të përhapjes së mendimit pozitiv, u kthyen në qendra të rëndësishme të edukimit ideo-patriotik, përmes takimeve, bisedave dhe aktiviteteve kulturore në shtëpitë-baza të Luftës Antifashiste, duke i kthyer në qendra pelegrinazhi”.
Ndërsa poeti Namik Selmani do të shkruajë për të me vargje të epike-metaforike:
“Hej, Mevlud Buci, miku i m i ëndrrës
e i zgjimit,
Mbete piskamë mirësie,
Një penë guri që lëngëzon mall e mirësi,
Me një stap të vjetër,
Vë përpara grigjën e fjalës e besimit,
Mbush stanet e mençurisë,
Gjunjë palodhur, sypambyllur, i paetur
për lavdi,
Hej, Mevlud Buci
Le të mbyllet një çast dera e urtësisë
së Kuvendeve
Se vjen miku im,
Si kalorës i azdisur drejt legjendave e urimeve
Një djep i lulëzuar vikat prej Katër Grykëve
Paska ende thërrimet e bukës e aromën e bjeshkëve…”
Janë disa vargje të thjeshta, se Mevludi me pasionin e tij meriton shumë më tepër, ai e ka gdhendur emrin e tij në 27 libra, ky, i njëzet e teti, vazhdon të punojë duke gjurmuar shpirtin popullor, duke shpalosur vlera të fjalës poetike, e duke ndjekur ritmet e poezisë në bjeshkët e Katër Grykëve, këtij Mali historik të Dibrës.
Ky libër afirmativ, me vlera të faktit si burim krenarie, e sjell Hoxhë Bucin në ditët e sotme jo vetëm si kujtesë, por si një shëmbëlltyrë të pastër të dritëbesimit fetar dhe atdhetar. Ai shenjon jo vetëm guximin e autorit për t`iu qasur një figure të tillë, por edhe arritjen e tij, se nga kjo qasje përftohet një tablo historike si dhe dalin në pah vlerat e një epoke dhe të disa epokave, për të cilat ia vlen ta kthesh kokën pas. Zjarri pasionant i autorit e ngroh kuptimin për atdhetarët, por nuk hedh dot tym mbi qartësinë e së vërtetës. Gjithçka midis këtyre dy pamjeve është në ekuilibër. Ky libër sjell jo vetëm biografinë e fisit, por edhe të kombit, përcjell mesazhe e kumte të drejta patriotike, autori portretizon jo vetëm individin, por edhe shoqërinë e asaj periudhe, shpalos qartë dhe hapur ndjenjën e krenarisë së ligjshme fisnore-krahinore-kombëtare, por njëkohësisht me vlerat njohëse që përcjell na e krijon kuadratin e kohërave me realizëm të mbushur edhe nga tonalitete frymëzuese.
Narrativa nacionaliste nuk është e vjetër, se ajo vishet nga filozofia jetësore dhe gjenerohet nga impulse e shtysa të dashurisë për atdhe, për njeriun, për fenë, për lirinë, paqen dhe prosperitetin, duke vënë në dukje e duke sjellë në pah vijimësisht në çdo faqe të librit, pikërisht këtë gjë.
Autori sjell mesazhin se ne kemi gjithnjë nevojë të shkojmë në të shkuarën, jo për nostalgji, por se tek ajo, duke kundruar figura të skalitura, gjejmë modele të cilat na frymëzojnë edhe për të ardhmen. Dhe një profil i ndritshëm është Hoxhë Buci, teologu, ideologu, iluministi dhe martiri i Rilindjes sonë kombëtare, i cili fjalët dhe veprat i jetësoi, i shkriu në një, dhe jetën e vet ia fali lirisë, trojeve amëtare, të cilët edhe sot, një pjesë prej tyre, janë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës shtetërore. Jeta dhe vepra e lavdishme e Hoxhë Bucit na bën thirrje që të mos i harrojmë ato troje…., të ngremë sa më lart dinjitetin e njeriut, ta duam fenë, ta duam kombin tonë dhe që ta duam e ta shohim të lirë e të zhvilluar, duhet të sakrifikojmë për të. Jeta e tij është vrulli dhe formimi i një njeriu të rrallë, për të cilin një libër nuk mjafton dhe çfarëdo nderimi për të, sërish i mbetet borxh atij.