JAKUP CANI I SOFRAÇANIT 


Nga Azis Keta

Pak kohë më parë doli libri “JAKUP CANI I SOFRAÇANIT”,me autor Zabit LLESHI dhe botuar nga M&B.

Në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivin Qendror të Shtetit, po të pyesësh punonjëset e shërbimit, të tregojnë tavolinën e punës të Zabit Lleshit, ku salla e studimit është bërë për të shtëpia e tij e dytë. Duke qenë brenda profesionit të tij të ngushtë: histori- gjeografi, autori Zabit Lleshi, mbi 30 vjet mësues i kësaj fushe, disa vite drejtor i Muzeut në Dibër, i angazhuar gjithnjë me shkrime në shtyp dhe kumtesa në aktivitete të ndryshme, tek: “Jakup Cani i Sofraçanit”, ai vjen natyrshëm, me një cilësi thellësisht të re dhe një libër të mirëfilltë historie të paqortueshëm.

Titulli i librit “Jakup Cani i Sofraçanit” të krijon idenë se kemi të bëjmë me një individ dhe fshat të vetëm por redaktori Fejzulla Gjabri, në parathënie, saktëson objektin:

Jo vetëm për Sofraçanin

  1. FALEMINDERIT ZABIT LLESHI, QË MË BESOVE REÇENCËN!

E ndjej peshën e përgjegjësisë për çdo shkronjë që hedh. As marrë përgjegjësinë e të “vërtetave absolute”. Por shpresoj dhe besoj të jem afër të vërtetës dhe i pranuar nga kolegët, referuar nga “ngacmimi” emocional që më krijojë redaktori Fejzi Gjabri, të cilin po e perifrazoj duke shtuar dhe diçka nga vetja:

Me idetë që hidhen në parathënie “jo vetëm për Sofraçanin”, redaktori, orienton lexuesit dhe studiuesit e fushave të ngushta për studime të thelluara rreth çështjeve që kanë interes në fushën historike.

 Vlera e këtij botimi, sa më shumë koha të kalojë, aq më shumë i shumëfishohet. Se, e tashmja bëhet e shkuar dhe duke shkruar të tashmen, do i shërbejmë se ardhmes.

Nëpërmjet burimeve alternative arkivore dhe historike, toponimeve, këngëve historike, etj, janë “harxhet” me të cilat, autori, “gatuan” librin që kemi në dorë.

Bazuar në to, autori, ka kryer analiza krahasuese e të ponderuara dhe ju gjen burimeve vendin e duhur, i vendos ato në kohë në raport me ngjarjen, rrethanat dhe mjedisin konkret, mbi të cilat, nxit specialistët për analiza dhe përfundime.

Shumëllojshmëria e burimeve në vartësi të objektit të studimit e ka ndihmuar autorin t’ju ofrohet të vërtetave që ka synuar, sidomos për çështje historike që kanë ende nevojë për zgjerim njohurish dhe ruan ekuilibra pa marrë përsipër “të vërtetën absolute” duke ju lënë hapësirë lexuesve dhe studiuesve që të gjykojnë mbi burimet që ai ofron.

  1. ZGJIMI I PERSONAZHE NGA HARRESA

Në libër “parakalojnë”: beteja, kuvende, personazhe historikë që marrin pjesë në to, të lokalizuar në kohë:

Mesjeta e Mesme: Pal Gropa, Skënderbeu.  Periudha e Tanzimatit: Sheh Zerqani (kundër Hajredin Pashës); Sheh Fejza Bulqiza (në betejën e Xixullës). Lufta Nacional Clirimtare:  Beteja e Sofraçanit, etj.

Pozicioni gjeografik i Sofraçanit, për rëndësinë që ka, merr vëmendjen e merituar. Informacioni është tepër konçiz dhe i plotë në përmbajtje. Duket, autori, e ka lexuar librin” “Vampiri Kohë” dhe nuk i “vjedh” lexuesit kohën me”fjali parazite”.

 Libri ka 200 faqe gjithsej (me gjithë foto) por ngjarjet dhe personazhet që përfshihen në të janë sa për dhjetëfish.

 cilësinë e librit, ka ndikuar dhe puna e kujdesshme e shtëpisë botuese M&B, tashmë e lakmuar jo vetëm nga dibranët.

Autori, duke qenë gjeograf dhe historian, vendas, ndërthur saktësisht dhe estetikisht bukur: mjedisin me njerëzit, malin me fushën, hani me shullanin, ujërat, mullinjtë, kullat, shkëmbinjtë, përrenjtë, arat dhe vreshtat.

Sofraçanin autori e lokalizon pjesë e Malësisë së Dibrës.

Libri ka një ndërthurje befasuese me kontraste në kufijtë e “teatrit absurd”:

 Vendbanim i lakmueshëm jetese në kohë paqe dhe “vend i shkretë” për kohë lufte.

Me njohuritë që na ofron për klimën, pjellorinë e tokës, vreshtarinë rreth kurrizeve, na bën të besojmë: Sofraçani, ngjan me një “Myzeqe të Vogël” për nga begatia dhe shumëllojshmëria e prodhimeve të fushës, prandaj ishte i lakmuar si vendbanim.

  1. PSE ZABIT LLESHI ORIENTON PËR STUDIME TË THELLUARA?

Sepse e vendos Sofraçanin në mesjetë: pjesë e truallit të Arbërisë nën zotërimet e Pal Gropës, brenda shtetit të Kastriotëve, në boshtin e Rrugës së Arbërit dhe brenda “grykave dhe bigave të Valkhalisë”, paralel me Shkumbinin, në “kërthizë” të Arbërisë dhe 100 km më shkurt për të lidhur kufijtë lindorë të Arbërisë me Adriatikun në Perëndim” (fq 24).

  Zabit Lleshi jep një kontribut të qenësishëm në tre elementë kyç, qartësisht të dukshëm:

Etnografia e veshjes

Tek ky element, autori, ndalon gjatë dhe sjell risi. Analizon veçoritë  etnografike të kësaj  veshje tradicionale e njohur në publik si “Veshja e Zerqanit”.

Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore, me këtë veshje, “tronditi” skenat brenda dhe jashtë vendit sepse, kjo veshje, ka brenda saj lashtësinë dhe qytetarinë.  Autori ka evidencuar edhe artizanet që e përpunuan në kohë të ndryshme këtë veshje.

A nuk jemi tek Shteti i Skënderbeut edhe nëpërmjet etnografisë së veshjes? A nuk na sjell edhe etnografia e veshjes tek “bigat e ngushticat e Valkhalisë”?  Ja pse, jo rastësisht, Zabit Lleshi, e kufizon etnografisht Sofraçanin me Xhitetin sepse kufijtë administrativ të mesjetës nuk ngjajnë  me këta të sotmit.

Drejtimet ushtarake, ishin faktor përcaktues të bashkësisë së vendbanimeve sepse: Aty ishin rrugëkalimet, kështjellat qytete, shkëmbimi i kulturave, mbrojtja e sigurt dhe e ndërsjellë.  Nuk ishte rastësi që, qytetet kështjella viheshin në vendet më piktoreske, ku mbaheshin parasysh jo vetëm kushtet mbrojtëse por edhe të banimit. Ndërtesa tip kullë, ishte pjesë e kësaj mrekullie logjistike të kohës prej nga fillonte bashkësia e zjarreve, fiseve, krahinave që shtriheshin në këto drejtime. Ngjashmëritë në etnografi veshje dhe gjuhe brenda drejtimeve ushtarake dëshmojnë për ngulitje autoktone të popullsisë në këto drejtime.

Këto të reja i gjejmë në libër me cilësinë e provës lehtësisht të verifikueshme, logjikisht të paqortueshme, shkencërisht të pranueshme.

Nëse do të tentonim analizë

Në 200 faqe libër, 150 nuk janë “histori fshati” por Dibre dhe Kombëtare.  Brenda tyre gjejmë 128 referenca nga burime historike, arikivore dhe dëshmi të rralla.

 Veç tyre: trajtohen përmbledhje jetëshkrimesh të disa personazheve historikë: Sheh Zerqani, Sheh Fejza Bulqiza, Dalip Karaj, Hasan Muglica, Mersim Dema,Tush Lleshi, Destan Puca, Sul Hupi,Tahir Tola, Kurt Balla e deri tek dëshmorët e Sofrçanit.

Vetëm në periudhën 1913- 1920, u vranë nga Gryka e Madhe 44 veta ndërsa në Betejën e Gjoricës, numërohen 106 dëshmorë.

  1. METODOLOGJI STUDIMORE ME KRITERE SHKENCORE DHE VULLNET “MURGU”

Zabit Lleshi, ka gërmuar në shumë burime. Ka shkelur me këmbë gjithë mjedisin ku zhvillohen ngjarjet. Ka bërë disa konsultime para se të vinte tek variant i fundit. I vendos burimet në vendin e duhur, pa koment ose shumë pak koment, duke ja lënë gjykimin lexuesit dhe studiuesit.

E reja në këtë metodë kërkimi është metodologjia. Zabit Lleshi,mbasi është njohur me ngjarjet, personazhet që ka në objekt studimi, ka mbledhur dëshmi të rralla nga dëshmitarë dhe protagonistë ngjarjesh që kanë qenë sa më afër tyre në kohë e mjedis dhe nëpërmjet tyre  sjell një kontribut të ri sepse:

Dëshmitë që autori ofron, i citon me cilësinë e provës ndihmëse vetëm kur ato kryqëzoheshin edhe me burime të tjerahistorike ose arkivore. Në raste të tjera, dëshmitë, janë arkivuar nga autori por pa u cituar në cilësinë e provës.

Toponimet janë një tjetër risi dhe kontribut i përveçëm i autorit. Ato plotësojnë burimet historike e dëshmitë e rralla dhe mbeten thellësisht të besueshme e lehtësisht të verifikueshme, sepse janë aty, në mjedisin konkret, si “nishane historike”.

 Për ngjarjet madhore, siç është Beteja e Sofraçanit (23 gusht 19430), autori ju referohet dëshmive të personazheve historikë:

Haxhi Lleshi (fq 76-81) dhe Kristo Frashëri (fq 81-85).

  1. JAKUP CANI SI PRIJËS USHTARAK

Kundër Demir Pashës më 1872 pjesë e rezistencës ishte edhe popullata e Sofraçanit bashkë me rrethinat dhe në këtë betejë, Jakup Cani, na shfaqet si protagonist .

Veç kësaj, Jakup Cani, na shfaqet bashkëpunues me çetat kaçake që vepronin në boshtin e rrugëkalimit: Rrethina Ohri- Modriç- Oktshun- Sofraçan- Qafë Bualli-Guri i Bardhë kundër ushtrive të huaja.  Kaçakët godisnin edhe kundër kolonve të karvaneve të tregtarëve të mëdhenj që lëviznin në luginën që ata kontrollonin pa leje kalimi dhe pa paguar tarifa.  Edhe në betejën kundër Dervish Pashës (1880-1881) Jakup Cani na shfaqet përsëri protagonist.

Në betejën e Follorinës (1912) pjesë e saj ishin dhe Mersim Dema dhe Jakup Cani bashkë me çetat e tyre.

Në mbështetje të Betejës Qafë Prushit kundër Durgut Pashës, Jakup Cani, identifikohej me emrin e vendbanimit: Jakup Sofraçani.

Autori, ofron një tjetër të dhënë befasuese, që lips burime shtesë: në vitin 1912, në ndihmë të Kosovës u nisën 2000 dibranë.

Si gjeograf,autori, ndihmon ushtarakët në rrafshin taktik për vlerësime mjedisi, sidomos në disa  pika nyje si: shkami Hoxhe dhe gryka e Përroit të Sofraçanit që të çojnë tek “portat çelës”: Ura e Topojani, Ura e Cerenecit, ura Qytetit të Valikardhës dhe Qafa e Bues/ Buallit.

Zabit Lleshi, vjen me një histori të besueshme sepse:

Ju referohet zbulimeve të mëdha të Bungurit në arkeologji dhe burimeve të Kristo Frashërit, Mois Murrës, Haxhi Lleshit, etj., në histori.

Falë përvojës, vetëm një studiues profesionist ka aftësinë të kaloj kaq natyrshëm nga e përveçmja (fshati, drejtim taktik) tek e përbashkëta,tre krahina: Bulqiza, Homezhi, Golloborda) dhe e përgjithshmja ( drejtim strategjik):

Dy luginat paralel,(e Shkumbinit me Egnatian në bosht) dhe e Valkhalisë (me Rrugën e Arbërit në bosht) dhe të dyja bashkë: zgjatime të njëra-tjetrës, si damarët e gjakut në  trupin e Kombit.

Cila veçoria?

Zabit LLeshi, duke evidencuar drejtimet, distancat, pozicionin hartografik,  relievin, klimën, rrjetin rrugor , pengesat ujore, kështjellat, kullat, futet natyrshëm tek “ Gjeografia ushtarake”.

Përshkruan me fjalët e Haxhi Lleshit dhe Kristo Frashërit “betejën e Sofraçanit” dhe i krijon lexuesit “trukun artistik” për të mësuar historinë, veç burimeve historike e arkivore edhe nëpërmjet dëshmive të besueshme të dëshmitarëve okular dhe protagonist ngjarjesh, këngës, gojëdhanës dhe toponimeve që kanë lidhje me ngjarjet historike.

Gërshetimi i ngjarjeve  me mjedisin, kushtet dhe rrethanat nga koha e Pal Gropës ,Skënderbeut, Tanzimatit, deri tek gjigandi i kromit, “Miniera e Buqlizës”, ku nëpërmjet “shoferit  të gjeologjisë”, jo vetëm ofron  një histori tepër interesante, por i sjell ngjarjet në kohë të tashme ku lexuesi gjen veten.

Nëpërmjet këtij “truku”, autori ndoshta do e shtoj interesin për leximin e këtij libri dhe nëpërmjet tij, jep histori të pastër. Ndoshta ky dhe qëllimi.

Lëvizjet e popullsisë, shtimi dhe pakësimi i saj bazohen në burime që nga defterët osmanë deri tek ato të gjendjes civile të komunës së Zerqanit.

Këto i japin librit besueshmëri.

Libri përcjell mesazhin e nënkuptuar:

Kudo ku mund të ngulitesh për çfardolloj arsyesh, edhe në mjedis të huaj, mund të bëhesh “vendas” dhe i dashur për ta, madje dhe prijës i tyre, nëse din të integrohesh brenda tyre dhe bën punë të dobishme bashkë me ta dhe ta, pa i ndarë nga vetja edhe se je mbi ta. Edhe nga ky këndvështrim, autori na ofron modelin përgjithësues për të cilin kemi nevojë.

 

  1. PSE TË MBETET NË KUJTESË

“KËNGA E JAKUP CANIT”?

 Është kronikë e pastër ngjarje dhe ditarë luftarak, ku gjejmë:

Lokalizimi i Betejës:

Në Zall t’shupenzës në një va’/ Bimbasht e Turkut i kanë vra.

Cilësi luftarake:

 K’tij Jakupit nishanli, i lufton Sula për bri.

Kundër kujt luftohet:

 Po bajn’ luftë me Turqi.

Pjesëmarrja e grave në luftë:

 U vra nana e jakup Canit.

Atdhetari dhe traditë luftarake:

Gryk ‘e Madhe t’qoft hallall/ Të kam nan’ e më ke gjal’/M’u përgjigje me një fjal’!

Bashkëveprimi mes krahinash dhe fisesh:

Bashkë me Sulën dhe Desatani/ Për daj t’vet, lufton tek shkami.

Vendstrehim:

N’per shkamij e nëpër shpella/ hynë firart n’vende t’fella.

Zbulimi i largët:

Prej Jemenit të mallku/ka ardhë Hasa me kallxu/ Shokt’e tjerë kan’ maru.

Sinjalet:

Në katun u fut ushtria/kur me forcë ra boria.

Raport humbjesh:

Shok’t tjerë kan ‘maru/Kan maru, atje kan’met/ Shtatm’dhet i futa n’dhet. Hyn ushtria dhe i ka përla/ hej medet çfar’me pa/ ngelë katuni n’cull e n’gra.

Logjistikë:

Ah, medet, moj shejshane/Që m’ ke met me pesë xhelephane/ sun ke fol sipas ans tane!

 

* * *

Libri mendojmë se do pritet me interes, sepse, pa ditur nga vijmë, nuk dimë ku shkojmë. Askush nuk ka dalë në boshllëk. Përzgjedhja e fisit Cani në Sofraçan me karakter përgjithësues nuk është rastësi. Autori, duke njohur thellë historinë e shkuar dhe të tashme, edhe se përqendrohet më gjatë tek një fis brenda Sofraçani, askush nuk e gjen veten të përjashtuar nga sofra e atdhedashurisë, kulturës dhe njerzillëkut të këtij visi dhe jo vetëm.

Ky dhe modeli për të cilin kemi nevojë dhe ky ndoshta mesazhi që ka dashur të na japë autori:

Ndëshkimi më i madh është mosvlerësimi dhe harresa!